Hebrejtë jetuan me çamët, por Genocidi në Çamëri u harrua padrejtësisht.
Dita Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, harrohet për shqiptarët e Çamërisë
Nga Hyqmet Zane
10 Dhjetori si Dita Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut vjen dhe ikën çdo vit që nga 1948-ta kur u vendos nga Asambleja e Përgjithshme (General Assembly) e OKB-së. Ishin rrethanat e pas Luftës II Botërore të fitores mbi nazifashistët, që nxiti miratimin e Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut. Festimi i kësaj dite formalisht e ka pikënisjen që në 1950, me nismën e Asamblesë nëpërmjet Rezolutës 423 (V), ku kjo ditë do të caktohej si Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Ata që ishin “donatorët” e mëdhenj dhe të ligjshëm të kësaj Dite me shenjë, ishin Hebrejtë, që e pësuan vërtet keq nga shkelja flagrante e të drejtave njerëzore me genocidin e bërë ndaj tyre. Dhe mirë u bë, sepse bota ka nevojë për mbrojtjen e të drejtave në çdo kohë dhe në çdo vend, sido dhe sado të jenë përmasat e shkeljeve të të drejtave të njeriut, aq më tepër kur ka vepra genocidiste si ato në Çamëri më 1944-1945 dhe në Kozovë më 1999.
Rasti e solli që para pak kohësh të dëgjoja zonjën Ana Kohen në një prononcim të saj për jetën e familjes si hebreje dhe tregova vëmendje në historinë e treguar nga ajo. E përjetova dhe e përfytyrova gjithërrjedhën e kësaj familjeje hebreje, që kishte jetuar në Shqipëri dhe më pas në Greqi dhe sëfundmi në SHBA dhe ndër mend më shkuan historia tragjike të ngjashme si ajo e hebrejve, që kanë përjetuar shqiptarët e Çamërisë nga shovinizmi grek. Rasti më ka sjellë që të njoh shumë histori të tilla me hebrejtë dhe kam përjetuar momente të trishta, që janë të papërsëritshme për shkak të vuajtjeve dhe genocidit ndaj tyre.

Rrëfimet e zonjës Kohen më sollën në kujtesë rrëfimet e Marko Menahemit, mikun e familjes Nosi në Elbasan të treguar nga vetë ai në një dokumentar vite më parë, por dhe të treguara nga Skënder Kosturi, nipi i familjes Nosi, që e ka njohur, e ka takuar dhe është shoqëruar nga ai në Izrael kur kanë vizituar murin e mirënjohjes në Jat Vashem. Kam pasur rastin të takoj edhe unë hebrej në rininë time, mikun e babait tim, por edhe tanimë si Jakob Solomoni që ka jetuar nëVlorë dhe bashkëshorten e kishte nga Elbasani. Kam dëgjuar nga ata historira me sfonde të përgjakura nga genocidi nazist dhe refleksionet janë të shumta.
Kam pasur rastin të lexoj romane si “Shkëndia e jetës” të Remarkut që e bënte të lotonte babain tim për vuajtjet e parrëfyera në ato kampe të shfarosjes në masë, ku edhe im atë ishte i pranishëm. Jam njohur me shkrimin e shqiptares Nexhmije Zajmi që ka qenë martuar në Amerikë me një hebre me mbiemrin Kohen dhe që ka pas një djalë që është gazetar. Ajo shkroi më 1952 shkrimin “Toka pa njerëz, njerëzit pa tokë” për marrëdhëniet mes izrealitëve dhe palestinezëve që krijoi një tërheqje vëmendje nga opinioni dhe kongresmenët që e diskutuan shkrimin për shkak të mesazheve realiste që kishte.

Ishte titulli i këtij shkrimi që më intrigoi të titulloja librin tim “Çamëria – toka pa njerëz, njerëzit pa tokë” si një përmbledhje me artikuj për Çamërinë që unë kam shkruar nga 2005 e deri më 2020 si kontribut për kauzën e vendit ku jetuan ashtu si shqiptarët e Çamërisë edhe prindërit, gjyshërit e stërgjyshërit e mi brez pas brezi dhe vuajtën më pas genocidin grek të pamerituar, por të përgjakshëm, shfarosës dhe shoqëruar me një eksod të pakthim. Frymëzimin për të shkruar ma ka dhënë babai im, që së bashku me hebrej të Janinës u internua në kampet e përqëndrimit nazist në Mat’hausen dhe Dakao në fillim viti 1944 – 1945. Më ka rrëfyer im atë se çfarë vuajtjesh kanë kaluar dhe me mikun e tij hebre ruajti marrëdhëniet për fatin e përbashkët. I kërkoi të ndryshonte emrin nga hebre në musliman, që shpëtoi nga tragjizmi.
Ka shumë e shumë të tilla që rrëfehen, por kur zonja Kohen fliste, unë i sillja ndër mend të gjitha edhe se si u masakruan dhe u dogjën në kampet e zhdukjes në masë hebrej dhe ata që shkuan në këto kampe. Por nuk ka se si të mos bëj paralelizmin me historinë tragjike dhe kriminale të sjelljes së shovinizmit grek ndaj popullatës çame. Historia jonë e masakrave në Çamëri u bë me të njëjtat metoda si ndaj hebrejve, u ndoqën si hebrej, u masakruan si hebrej. Por më shumë se kaq, edhe pse në përmasa më të vogla, metoda që u përdorën dhe sjellja genocidiste e grekëve ndaj popullatës së pafajshme, të paarmatosur dhe të pambrojtur.

Bota e mori vesh genocidin ndaj hebrejve dhe u bë gjyqi i Nyrenbergut dhe hebrejtë në një formë a në një tjetër morën dëmshpërblimin e tyre dhe më 1948 hebrejtë i “shpërblyen” duke shkuar në Izrael. Dihet tanimë historia dhe nazistët u ndoqën deri në brimë të miut. Hebrejtë ishin njerëz të pafajshëm dhe u dënuan kriminalisht. Do të doja ta pyesja këdo hebre që në Shqipëri gjeti strehë tek familje muslimane, por edhe ata që ishin nëpër Europë, shqiptarët e Çamërisë muslimanë nuk ishin njerëz që u masakruan me të njejtat metoda edhe me internim nga grekët në ishujt e shfarosjes në Hio e Medilin afër Turqisë më 1940? Si nuk veproi drejtësia europiane dhe ajo e të drejtave të njeriut ashtu si hebrejtë që i fituan reperacionet?
Do të dëshiroja që ai miku i babait tim dhe si dhe shumë hebrej që ishin miq me shqiptarët në Çamëri ku ishin të vendosur sidomos në Prevezë apo edhe në Gumenicë e sidomos në Janinë në shkëmbimet tregtare korrekte, të kishin reaguar një herë faqe botës e të kërkonin të drejtën e barabartë si e tyrja në institucionet ndërkombëtare.
Asnjëherë nuk është vonë, gjithnjë ka vend për drejtësi nëse ekziston dëshira, se institucioni ekziston. Se shpirtrat e atyre shqiptarëve të Çamërisë me mijëra që u vranë dhe vdiqën pa varre nuk meritonin as krimet, as ikjen nga shtëpitë, as diktaturën në Shqipëri. Por më shumë se kaq shqiptarët e Çamërisë dhe genocidi që ra mbi ta nga shovinizmi grek nuk meritojnë as mohimin, as heshtjen e drejtësisë. Më keq akoma nuk meritojnë heshtjen e interesaxhinjëve që flaisin në emër të çamëve dhe kanë përfitime të pamerituara. Hebrejtë jetuan me çamët, ndanë bukën dhe patën bashkëpunuar me interesa të përbashkëta jetësore dhe nuk meritojnë shqiptarët e Çamërisë që t’u mohohet dhe t’u harrohet genocidi i shovinizmit grek.
Për këtë desha të bashkëbisedoja, fatkeqësisht në mungesë me zonjën Ana Kohen, që ka treguar vullnetin e mirë për të ndihmuar në çështjen çame si në SHBA edhe në Shqipëri siç edhe më ka thënë Tahir Muhedini, që e ka takuar personalisht dhe ka biseduar me atë dhe kanë gjetur mirëkuptim në kohën kur ai ishte drejtues i PDI një shembull në angazhimet për çështjen çame. Po ashtu kam mirëkuptuar sjelljen e bamirësit suedez Raul Ëallenberg, por nuk kuptoj se si heshtet kur grekët nderojnë kriminelin Zerva me buste e monumente. Nëse një gjë e tillë do të bëhej për Hitlerin çfarë do bënin hebrejtë ?
Kemi dëgjuar shpesh të thuhet se “kur shpëton një jetë është sikur ke shpëtuar gjithë botën”. Hebrejtë nderuan në Manhatan më 2009 bamirësin suedez Raoul Ëallenberg, i cili shpëtoi 100 mijë jetë njerëzish nga nazizmi dhe nga shfarosja në kampet e përqëndrimit gjerman.
Si njeri, si djali i një ish të internuari në kampet e shfarosjes në masë nga Filati i Çamërisë, Nuri Emin Zane, m’u krijua një ndjesi e veçantë dhe më ka dhënë një mesazh njëkohësisht. E kujtoj me shumë respekt një rast të tillë të rrallë dhe të veçantë, sepse mendoj se sa vlerë merr shpëtimi i një jete njeriu siç shpëtoi edhe babai im nga nazistët përmes ndërhyrjes anglo-amerikane. Nuk ka harresë për kriminalitetin me genocid që iu bë shqiptarëve të Çamërisë dhe hebrejve! Do të doja t’i thoja me mirëkuptim edhe zonjËs Ana Kohen që kanë eksperiencën e dënimit të atyre që bënë genocid dhe masakruan padrejtësisht pafajsinë e popujve të pambrojtur e të pafajshëm.



















