Nderimi që po i bëhet Heroit të Demokracisë, Azem Hajdarit, në 15 -vjetorin e vrasjes, ku eshtrat e tij nga “Sharra” po barten në “Varrezat e Dëshmorëve”, është një ngjarje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, sepse lideri i Dhjetorit, së bashku me studentët, i mbështetur nga të gjitha forcat demokratike e liberale në Shqipëri, në vitin 1990 përmbysi regjimin diktatorial të Enver Hoxhës. Këtë ceremoni, që po e organizon Bashkia e Tiranës me iniciativën e Kryetarit të saj, zotit Lulzim Basha, është shprehje, respekti dhe mirënjohjeje për gjithë atë që bëri Azem Hajdari për Shqipërinë, demokracinë e saj dhe për shqiptarët në përgjithësi. Është, njëherësh mirënjohje edhe për familjen e tij që nxori një figurë të përmasave të tilla kombëtare. Sot, kur eshtrat e këtij vigani të atdheut tonë, do të prehen në vendin e merituar, në “Varrezat e Dëshmorëve”, lufta e tij për një Shqipëri demokratike, të zhvilluar ekonomikisht dhe të integruar në Bashkësinë Europiane, bëhet shumë më e fuqishme, si metaforë e sakrificës drejt Shqipërisë natyrore. Pra, me këtë, po vlerësohet roli i tij historik dhe kjo është esenca kryesore e kësaj ceremonie dhe jo vetëm kaq, në fakt me këtë po vlerësohet një epokë shumë e rëndësishme e historisë sonë moderne. Ndonëse, bartja e eshtrave të këtij personaliteti në “Varrezat e Dëshmorëve”, pas 15 vjetësh të atentatit mizor mbi ‘të, duket si veprim i vonuar, mirëpo për shkak të rolit që ka pasur në vitet e ‘90 dhe më vonë, ngjarja të duket se ka ndodhur dje. Azem Hajdari, është njeriu që bart pas vetes një periudhë historike dhe do të mbajë epitetin e liderit të viteve ‘90-të, kur ra përfundimisht komunizmi me të gjitha të këqijat e tij në Shqipëri.
Vitet ‘90-të, të shekullit të kaluar, për Shqipërinë ishin vite epokale të saj. Në këtë kohë, nga Universiteti i Tiranës, doli studenti me guxim të pashembullt, Azem Hajdari kundër diktaturës në Shqipëri. Ai formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë fund këtij regjimi bizar. Ramiz Alia, duke u mbështetur në filozofinë e dështuar komuniste, nis fushatën e reprezaljeve ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt e tjerë në Europë. Kundër kësaj dhune u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, në krye të të cilëve ndodhej lideri i tyre, Azem Hajdari.
Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, për herë të parë doli në publik parulla “Liri, demokraci…” që nuk ishte parë për 50 vjet në hapësirën e Shqipërisë së shkallmuar. Në mbështetje të kësaj Lëvizjeje ishte edhe Dr. Sali Berisha, intelektualë dhe demokratë të tjerë gjithandej Shqipërisë. Azem Hajdari, ishte një figurë e plotë kombëtare, intelektual, politikan dhe mbi të gjitha demokrat. Ai luftoi për të drejtën, për njerëzoren, për një shoqëri pluraliste, ku askush nuk do të mbetej i pakënaqur. Duke u nisur nga këto dhunti të natyrës së tij, del se, synonte që shteti të jetë ai, që popullit t’i ofrojë kushte për të qenë i lumtur, i lirë dhe i sigurt. Pra, ëndrra e tij ka qenë: një Shqipëri demokratike, e zhvilluar ekonomikisht dhe model i qytetërimit europian.
Duke pasur tiparet e një udhëheqësi të madh me vizion të qartë, fitoi simpatinë e mijëra të rinjve e të rejave, të punëtorëve, të atyre që kishin vuajtur e që po vuanin ende në birucat e errëta në Shqipërinë e stërlodhur. Dhe ajo çka është e rëndësishme të theksohet në këtë shkrim, Azem Hajdari gëzonte autoritetin e të gjithë liridashësve në Shqipëri dhe në krahinat tjera shqiptare, në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe tek shqiptarët në botën e jashtme.
Pas aplikimit të pluralizmit, Azem Hajdari, zgjidhet Kryetar i Komisionit Drejtues të Partisë Demokratike shqiptare, e para parti opozitare pas 50 vitesh diktaturë në Shqipëri. Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë, edhe pse kishte pengesa dhe kërcënime nga komunistët e dërmuar. Kësisoj, demokracia në vendin e shqipeve u bë sinonim i lirisë, i drejtësisë dhe i vlerave qytetare europiane, një proces liberal.
Në vitin 1992, Azem Hajdari zgjidhet deputet i Shkodrës nga Partia Demokratike dhe deri në fund mbetet besnik i ndërtimit të një vendi të lirë, demokratik e të zhvilluar.
I rritur në Malësinë e Gjakovës, në kufirin që ndante shqiptarët në dysh që nga viti 1913, Azem Hajdari njihte mirë padrejtësitë që iu ishin bërë historikisht shqiptarëve. Ishte njohës i mirë i rrethanave pushtuese të Kosovës nga Serbia dhe në Parlamentin demokratik në Tiranë, ishte ndër të parët deputetë që e ngriti problemin e madh të Kosovës.
Në vitin 1996, Azem Hajdari zgjidhet prapë deputet në Parlamentin e Shqipërisë, ndërsa në vitin 1997 iu kundërvu atyre që e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë. Për këtë shkak në Parlament, ai u godit nga një atentator, por për fat të mirë i shpëtoi vdekjes.
Nga një dorë mizore u vra më 12 shtator 1998, pikërisht 15 vjet më parë, kur sot eshtrat e tij po barten në “Varrezat e Dëshmorëve”. Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie përparimtare europiane dhe ndaj njeriut, i cili bëri aq shumë për demokracinë shqiptare. Vrasja e Azem Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtës së ekzistimit.
Në përcjelljen mortore, vrasjen e Azem Hajdarit, Dr. Berisha e quajti një akt mizor. Kundër vrasjes së Azem Hajdarit, në Tiranë u mbajt revolta më e madhe që ka njohur ndonjëherë Tirana. Erdhën mbi 100 mijë njerëz nga të gjitha viset shqiptare për të shprehur indinjatën e thellë kundër atij akti mizor.
Qeveria, të cilën e udhëhoqi për tetë vjet Dr. Sali Berisha, realizoi pikësynimet që i kishte ëndërr heroi demokrat Azem Hajdari, për një Shqipëri të zhvilluar e të integruar në Europë.
Sot, me rastin e 15- vjetorit, mbi atentatin mizor ndaj tij, kur eshtrat po i barten nga “Sharra” në “Varrezat e Dëshmorëve” e kujtojmë si një nga figurat e ndritshme të historisë sonë kombëtare, si Hero të Demokracisë, si njeri me vizion për Shqipërinë demokratike, të zhvilluar dhe me vlera europiane. Njerëzit e tillë, në historinë tonë janë të rrallë. Vepra e tij do të jetojë gjithherë derisa të ketë Shqipëri demokratike dhe Shqipëri liridashëse. Duhet të punojmë shumë që një akt i tillë mizor, siç ndodhi me deputetin e demokracisë, Azem Hajdari, të mos përsëritet kurrë.
*Autori është biznesmen dhe veprimtar i njohur i Komunitetit Shqiptaro-Amerikan dhe themelues i gazetës “Illyria”