Miniera e Bulqizës një “minë me sahat” për ekonominë shqiptare

651
Sigal

Kolosi i Bulqizës po jep shpirt. Duhet gjetur urgjent një firmë që të marrë përsipër riskun dhe t’i japë gjallëri thellësisë

Në emër të 1500 votuesve të mi, që dhanë votat e tyre të pastra mua Kadri Shefqet Disha, kandidat për deputet i Partisë Social Punëtore Shqiptare në Qarkun e Dibrës, në koalicion me Partinë Socialiste në zgjedhjet e 23 Qershorit, jam krenar dhe mirënjohës për kontributin, pjesëmarrjen, sinqeritetin dhe pastërtisë shpirtërore, për një demokraci të pastër, pa interes apo pagesë për blerjen e votës, që në Shqipëri është kthyer në sistem korruptim. E ky sistem nuk i shërben demokracisë së brishtë shqiptare që po ‘lëngon’, për dy dekada me radhë, nga udhëheqës të papërgjegjshëm, për vendin dhe popullin e tyre. Ata kanë zhvatur ekonominë shqiptare në të gjitha fushat si industri ashtu dhe bujqësi. Ku puna gjysmë shekullore për ndërtimin e fronteve gjigande si miniera hidrocentrale, vepra ujitëse, fortifikime etj., u përvetësuan nga njerëz të papërgjegjshëm, të pakualifikuar në asnjë sektor të rëndësishëm shtetëror, sepse mjaftonte vetëm të ishe militant e kishe përfitime kolosale. Ku vetëm në minierën e Bulqizës kanë dhënë jetën 420 minatorë, ku nga nxjerrja në sipërfaqe e mineralit të kromit që ishin me mijëra ton u vodhën dhe u sekuestruan nga njerëz të veshur me pushtet për 20 vjet me radhë. Kurse kontributi i minatorëve shkoi në xhepat e të korruptuarve. Ku në asnjë moment nuk është bërë asnjë vlerësim i pasurisë kombëtare, ku fëmijët dhe të afërmit e minatorëve të rënë në minierë shtypen dhe shfrytëzohen dyfish, kur kromin e nxorën në sipërfaqe nga thellësitë e nëntokës njerëzit e afërt, baballarët e tyre dhe ky krom i gjakosur mblidhet dhe dorëzohet për 40 lek/kg, ku ky krom i nxjerr nga njerëzit që dhanë jetën pasuron njerëzit e pa shpirt, të përvetësimit, të paligjshëm të pasurisë tonë kombëtare. Unë nuk kandidova për të marrë një rrogë shtetërore, por për të mbrojtur shtresën time që i përkas, ku nuk kanë munguar e as nuk do të mungojë mbrojtja e minatorëve. Edhe kryetari i Partisë Social Punëtore  (PSP) Shqiptare, Dr. Ramadan Ndreka, ka qenë gjithmonë në çdo moment shtylla kryesore e denoncimit të padrejtësive që janë konstatuar në shkeljen e të drejtave të minatorëve të minierave të kromit të të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në miniera, por në tërësi, të mbrojtjes së shtresave të përfshira në program dhe statutin e PSP Shqiptare.

Shfrytëzimi i gjatë, rast i rrallë

Miniera e Bulqizës ka hyrë në gjysmën e dytë të dekadës së shtatë që shfrytëzohet, është një rast unikal që një minierë metalore jeton kaq gjatë dhe ‘jeta’ e saj në perspektivë vazhdon. Ka edhe gjysmë kilometri në vijueshmërinë e shtrirjes të zbuluar me punime gjeologjike. Një jetëgjatësi, kjo që në fillimet e saj nuk merrej me mend. Po më tej a ka rezerva që mund të zbulohen? Edhe më skeptikët nuk mund të thonë se s’ka. Atëherë shtrohet me të drejtë pyetja; Si mund të gjallërohet thellësia dhe si mund të fuqizohet më tej perspektiva e këtij kolosi me rëndësi të veçantë. Deri më sot kësaj pyetjeje nuk i është dhënë përgjigje. Është arritur deri në nivelin e 5-të, e thënë ndryshe 15 metra nën nivelin e detit, më tej nuk është kryer asnjë punim kapital, për hapjen e thellësisë. Kjo ndoshta mund të jetë e pajustifikueshme.

Privatizimi

Miniera është privatizuar në vitin 2002. Në fillim nga firma “DARFA Albania” sh.p.k. Firma u largua pa lënë gjurmë duke marrë rezervat e gatshme. Në vend të saj erdhi firma e huaj “ACR” dhe kjo ndoqi rrugën e së parës, duke u larguar. Erdhi firma “Balfin” me pronar Sajmir Mane. Premtimet janë të shumta, por punime kapitale nuk ka. Privati pa qenë tepër i sigurt nuk i hedh lekët. Nuk mund ta provojë riskun, por kjo ka një kufi. Sot po shfrytëzohen mbetjet e teknologjisë së shfrytëzimit, me fjalë të tjera, nuk shfrytëzohen blloqe mineral kromi, sepse mikroskopin e ka zëvendësuar furça e dhëmbëve, po rrjepin në sipërfaqe, kokrrat e kromit të mbetura në hapësirat e shfrytëzimit.

Punimet e reja

Sa do të vazhdoj kështu? E vërteta qëndron se kolosi i Bulqizës po jep shpirt. Nuk do të dali asnjë më asnjë ton krom dhe qyteti do të ngelet një ëndërr sipër floririt, i varfëruar deri në palcë. Nëntoka ka mbi 3 milionë ton rezerva të pa shfrytëzuara. Prandaj është e domosdoshme gjetja e një firme serioze dhe dinjitoze që të marr përsipër riskun dhe ti japë gjallëri thellësisë. Për këtë sipas shkencës minerare duhen hapur tre puse; një për ajrin, një për transport njerëzish dhe një për transport mineralesh. Këto puse mund të nisin nga një nivel i caktuar p.sh, niveli i 5-të dhe të arrijë thellësinë e kufirit të zbatimit gjeologjik d.m.th thellësinë 500 metra nën nivelin e detit. Mbi bazën e kryerjes së këtyre punimeve vertikale, të kryhen punime bazë, nënkate sipas paneleve, 40-50 metra. Në këtë mënyrë jeta e minierës do të vazhdojë normale, komuniteti do të ketë punë të vazhdueshme , e ardhmja e qytetarëve do të jetë optimiste. Në rast të kundërt miniera do të mbyllet, qyteti do të tjetërsohet në një shkretëtirë të paparë për Bulqizën dhe ekonominë shqiptare në tërësi. Mbyllja e minierës është fatkeqësi kombëtare.