Harry Bajraktari: 25 vjet të Shqipërisë demokratike

656
Një goditja e fortë, çekani më 9 nëntor 1989 rrëzoi për dhe’ Murin e Berlinit, pas 28 vjetësh të ekzistimit të tij. Ky mur famëkeq kishte ndarë kryeqytetin gjerman në dysh, ashtu siç ishte e ndarë bota në atë demokratike dhe atë komuniste. Ky mur, si të themi, ishte edhe simbol i ndarjes së botës në dy blloqe, të quajtur ndryshe lufta e ftohtë. Kur ra ky mur i betonuar, ndërtuar në vitin 196, nga Gjermania Lindore, një mur tjetër në mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, ende ishte në të njëjtin vend, i vendosur shumë para atij të Berlinit. Përderisa rënia e këtij muri në Evropën e qytetëruar po bënte jehonë të madhe, sidomos tek disa vende të sistemit komunist si në Poloni, Çekosllavaki e vende të tjera, regjimi diktatorial në Shqipëri, përkundër panikut që e kishte rrokur, s’po jepte shenja të dritës së gjelbër. Kreu komunist i Shqipërisë dhe anëtarët e Byrosë Politike në këtë kohë, deklaronin se, gjithçka mund të ndodhte, por jo edhe rënia e monizmit, ku ata kishin lumturinë e jetës së tyre. Do të ishte naive që këta udhëheqës të mos e kuptonin valën që i kishte përfshirë vendet komuniste të Europës Lindore dhe ato në Ballkan për ta përmbysur sistemin komunist që shihej i kalbur. Mirëpo, diktatura në Shqipëri, ende shpresonte në të vetmin mjet që i kishte mbetur në dorë të majtë, dhuna. Ajo çka kishte ngjarë me Çausheskin e Rumanisë, s’do mend se ishte një parandjenjë e qartë edhe për Alinë dhe bashkëpunëtorët e tij komunistë. Siç do të shohim më vonë Alia, nën trysninë e Lëvizjes Studentore të 8 dhjetorit, në krye të se cilës u vendos demokrati dhe patrioti nga Tropoja, Azem Hajdari filloi ta shihte se koha e tij po përfundonte. Një popull i ngujuar brenda mureve të hekurta kishte ardhur në një gjendje tepër të rraskapitur që më s’mund të priste dhe s’ kishte çka të humbte. 
Vitet më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë
Parë në këtë prizëm, vitet 90-të të shekullit të kaluar për Shqipërinë ishin vitet më të rëndësishme në historinë e saj të re, pas pavarësisë më 28 nëntor 1912. Çdo kapërcim i madh historik ka kërkuar një udhëheqës që i ka prirë masës së dëshpërueseve. Në këtë kohë nga Universiteti i Tiranës, doli studenti Hajdari, me një guxim të pashembullt kundër diktaturës shumëvjeçare në Shqipëri. Ky kishte edhe përkrahjen e disa intelektualëve kryesorë nga Tirana, të Berishës, Pashkos dhe të disa intelektualëve të tjerë që gjendja aktuale të përmbysej, pa tronditje fatale, duke qenë në ruajtje dhe mbrojtje të popullit. Në këtë kontekst logjik, Hajdari formoi Lëvizjen Studentore për t’ i dhënë ultimatum Alisë, se alternativë tjetër, pos demokracisë, nuk kishte mbetur. Pushteti i Alisë, duke u mbështetur në doktrinën komuniste apo më mirë të themi, duke mos harruar ende ëndrrën e tij, nisi fushatën e persekutimit ndaj studentëve që kërkonin të drejtat e tyre demokratike, si popujt e tjerë në Europë. Kundër kësaj dhune dhe terrori që ushtronte kreu komunist i Shqipërisë, u ngritën fuqishëm studentët e Universitetit të Tiranës, nën udhëheqjen e Hajdarit. Në fillim studentët pakënaqësitë e tyre i shfaqën brenda sheshit të këtij institucioni të arsimit të lartë, e më pastaj edhe në sheshet e tjera të Tiranës dhe në mbarë Shqipërinë. Hajdari bëri thirrje në formë të prerë, që të hapeshin portat e demokracisë edhe në këtë vend të katandisur nga dhuna. Ky student, tashmë konsiderohej i rrezikshëm për piramidën komuniste në Shqipëri. Dhe, për këtë arsye thirret në polici, por në asnjë mënyrë nuk pranoi t’u bindej urdhrave të tyre. Në demonstratën e madhe studentore në Tiranë 1990, Hajdari, i cili ndodhej në ballë të Lëvizjes, për herë të parë doli parulla “Liri, demokraci…”. 
Përkrahja nga intelektualët
Një parullë e tillë nuk ishte parë për 50 vjet në hapësirën e Shqipërisë, çdo gjë dhe ide ishte ngulfatur. Në krah të kësaj lëvizje masive ishte edhe Dr. Berisha dhe intelektualë të tjerë, të cilët vepruan deri në rrëzimin e sistemit komunist dhe bashkëvepruan në proceset e tjera të zhvillimit të demokracisë në Shqipëri. Në këtë demonstratë, studentët u përballën me policinë dhe kjo ishte përballja e parë, gjithashtu për afro 50 vite. Slogani i studentëve që valëvitej shesheve të Tiranës ishte: “Edhe ne si gjithë Europa”. Ramiz Alia, duke mos pasur rrugëdalje tjetër pranoi të ulej në një tryezë me Hajdarin, Berishën, Pashkon e demokratë të tjerë. Përfaqësuesit e kësaj Lëvizjeje historike gjatë bisedës bënë me dije se vetëm aplikimi i sistemit pluralist, mund ta nxirrte Shqipërinë nga një katastrofë totale. Në këtë kontekst i përkujtuan atij ngjarjet që kishin ndodhur në vendet komuniste në Evropë. Nga trysnia, pasardhësi i diktatorit Hoxha, Alia, më në fund, u pajtua që në Shqipëri të niste pluralizmi politik. Pra, në këtë periudhë formohet Partia Demokratike, e cila me aktivitetin e saj çoi përpara proceset demokratike në gjithë Shqipërinë. Më 22 mars 1992, ditën e parë të pranverës, u organizuan zgjedhjet parlamentare dhe me këtë u përmbyll kapitulli i tiranisë së errët në Shqipëri. Në mitingun e madh që organizoi PD në sheshin e Tiranës, foli lideri i saj Berisha, i cili me tone entuziaste paraqiti projektin e një Shqipërie demokratike, ku të gjithë do të gëzonin të drejtat dhe liritë e tyre, në një Shqipëri evropiane. Nga një dorë mizore më 14 shtator 1998, u vra simboli i Lëvizjes Studentore dhe i demokracisë, Azem Hajdari. Nuk ishte atentat vetëm ndaj tij, por ishte atentat ndaj Shqipërisë, ndaj të ardhmes së saj demokratike, atentat ndaj një Shqipërie që ishte nisur drejtë Evropës dhe ndaj njeriut, i cili bëri shumë për demokracinë shqiptare. Vrasja e Hajdarit tronditi të gjithë liridashësit dhe idealistët e Shqipërisë, të gjithë ata që vuajtën për lirinë e fjalës dhe lirinë e të drejtës së ekzistimit.
Shqipëria, pas 25 vitesh të tranzicionit?
Kanë kaluar 25 vjet të tranzicionit në RSH dhe kjo periudhë mund të konsiderohet deri në njëfarë mase e mjaftueshme për një zhvillim të demokracisë dhe të konsolidimit të shtetit në aspektin ekonomik e politik. Në këtë drejtim ka shumë pikëpyetje dhe gjithashtu mendime që kërkojnë përgjigje? Shqipëria para 25 vitesh ishte nisur nga zero-ja, nga një asgjë, dhe ngjarjet që pasuan ishin shpresëdhënëse dhe me kalimin e viteve edhe zhgënjyese. Nuk ishte e lehtë shkëputja nga e kaluar dhe aq më e vështirë ishte ngjitja, kuptimi dhe vullneti i zhvillimit të një demokracie të mirëfilltë. Shqipëria për këto 25 vjet kaloi nëpër një periudhë të komplikuar tranzicioni: nëpërmjet fajdeve, korrupsionit, krimit të organizuar, kundërthënieve të ashpra partiake për arritur në pushtet, me përvojën e pakët të zhvillimeve demokratike, me shumë probleme të pronësisë dhe me fenomenin e pangopshmërisë së politikanëve për t’u pasuruar, duke keqpërdorur pozitën dhe votën e dhënë nga populli. Ndër problemet e tjera të mëdha ka qenë ndërrimi i botëkuptimit për ta kuptuar shpirtin e demokracisë dhe në këtë kontekst, edhe krijimin e vetëdijes për ndërtimin e shtetit, që është gjëja kryesore e zhvillimit të përgjithshëm ekonomik, tregut të lirë dhe të hapjes së vendeve të lira të punës. Në këtë periudhë Shqipëria u përballë edhe me eksodin e shqiptarëve, duke kërkuar shpëtim në botën e jashtme për një vend pune. Një shtet që s’arrin të krijojë lumturi materiale për qytetarët e saj, nuk mund të ketë stabilitet politik e ekonomik dhe ardhshmëri të mirëfilltë për qytetarët e saj. Shqipëria e këtyre stërngarkesave për një çerek shekulli pati edhe sukseset e saj: gjatë kësaj periudhe BE miratoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Shqipërisë, u nënshkrua marrëveshja kryesore për Stabilizim Asocimin dhe shumë marrëveshje të tjera integruese me BE dhe me vende të tjera të botës për bashkëpunim ekonomik e tregtar. Ndër arritjet më të mëdha konsiderohet hyrja e Shqipërisë në NATO. Gjithashtu u ndërtuan shumë rrugë, ndër to edhe Rruga e Kombit që lidh dy pjesët shqiptare, Shqipërinë me Kosovën, që për kohë të gjatë ishin të shkëputura me një kufi hekuri. Shqipëria është vend i mundësive të mëdha të zhvillimit ekonomik, sidomos të zhvillimit të turizmit bregdetar, ku politika është pengesa më e madhe e saj. Shqipërinë në të ardhshmen e presin shumë punë të rëndësishme: zbatimi i ligjeve, një pavarësi më e theksuar e gjykatave, një luftë më e madhe e zhvillimit ekonomik, e demokracisë dhe integrimit europian. Jemi dëshmitarë se bota sot po lëviz shumë shpejt, prandaj Shqipëria duhet të lëviz edhe më shpejt për t’ iu afruar BE dhe rrjedhave botërore. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë kohë të presin, ata duhet të zënë trendet e kohës. 
* Autori është veprimtar dhe biznesmen i njohur i komunitetit shqiptaro-amerikan dhe themelues i gazetës “Yllyria” në New York.

Shkrimi u botua në Gazetën Telegraf të datëa 09.12.2015
Sigal