Gjen. Br. Dr Agim Lala: Situata në Ukrainë, dhe… që e nesërmja të mos jetë vonë

575
Sigal

Lufta në Ukrainë, gjatë këtyre muajve ka qenë mbetet  kryefjala e mediave botërore. Situata dhe zhvillimet atje, janë sa të pa justifikuara po aq të pa konceptuara në shekullin ku jetojmë. Të ndjekësh të njejtën ambicie dhe strategji siç e ndoqi Hitleri në vitet ’40, pas gjithe dënimit afro 80 vjeçar, nga  opinioni botëror (vecanërisht nga lidershipi dhe shkolla ruse), pas mësimeve që dolën dhe u studiuan nga ajo luftë, pas gjithë asaj letërsie ruse kundër luftës është e  turpëshme, por sipas opinionit tim edhe e frikëshme, e paimagjinueshme për mëndjen njerëzore, nisur nga ajo që shohim nga dita në ditë. Viktimë e një goditje të atillë, më 22 qershor të vitit 1941, ishte vetë Rusia. Ndërsa sot, me egërsi si Hitleri, nisi po kjo Rusi (ish viktimë e Luftës së Dytë), sulmin ndaj Ukrainës. E turpëshme, sepse kjo luftë u nis pikërisht nga shteti që vuajti më së shumti, sulmin e Hitlerit dhe nga kjo luftë nisi fitorja mbi  nazizmin, 9 Maj 1945. Por kjo nuk është temë e këtij shkrimi. Unë nuk do merrem shumë me politikat, pasi ajo është bërë deri në ekstrem. Ajo do të jetë një temë e nxehtë kudo, në kancelaritë botërore, traktate, në akademi, auditore, etj.

01

Konflikti

Një konflikt i paralajmëruar me kohë, me “bubullima” që nga 2008-ta,2009-ta, më 2014 në Krime. Mos dënimi e “butësia” e Perëndimit, çoji në këtë situatë. Ukraina…I “trubulloi” ujin Rusisë. Kujtoni  si “shkak”, fabulën e turbullimit të ujit, nga qëngji, për ujkun, që qëndronte lart vijës së ujit, nga qëngji i gjorë! Sipas meje, Rusia bëri mjaft presione paraprake! Rreshtim trupash, demostrim muskujsh, incidente me qëllim tërheqjen e “presë” (Ukrainës) në konflikt! Mirëpo Ukraina nuk e “hëngri” provokimin, mbase nga historia dhe shkolla e njejtë e të dy palëve (sqaroj se shkollat ku janë përgatitur ushtarakët dhe politikanët, kanë qenë ato të BRSS)! Luftë brenda llojit. Putini kërkoi të arrijë objektivat strategjike, thjeshtë me rreshtimin e forcave në kufijtë Ukrainas! Sepse kujtoi 2014-tën  në Krime! Ai mendoi se përballë fuqisë së armëve e trupave, do të arrinte objektivat e Tija, thjeshtë vetëm me vringëllimën e bajonetave dhe raketave! Rusia zgjodhi të aplikonte Tezën se: “Revolucioni mundet ta fitosh edhe pa luftë… por nën hijen e bajonetave të revolucionit”! Pra, nën  hijen e demonstrimit të forcës. Pa shkrepur armë, duke u hakërruar e tundur “lëkurën e ariut të stepave Ruse”! (Më vjen keq që  përdor këtë aksiomë, por për hir të së vërtetës është e saktë).

02

Përse tani?!

Nuk po ndalem në aspektin ndërkombëtar, pasi është folur shumë! Tolerimi, gjëndja e pa unifikuar ndërkombëtare në Europë dhe USA, etj! Sipas meje, Putini është në limitet e fundëme të sundimit të tij. Ai kërkon të hyjë në histori, duke ngacmuar nacionalizmin e vjetër rus. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë strategjik, për të ishin sebepi i këtij sulmi. Ai u mundua ta konkretizojë këtë në Ukrainë (por me një ndryshim të madh, në qëllimin dhe në mënyrën e arritjes së këtij qëllimi). Qëllimi i ndërhyrjes së NATOs në Kosovë, ishte shmangia e spastrimit etnik, ndalja e vrasjeve massive dhe shpërngulja massive, ndërsa objektivat ishin kollonat dhe objektet ushtarake furnizuese të luftës. NATO ne Kosove apo Serbi, nuk goditi asnjë objekt civil, ndryshe nga Rusia në Ukrainë, siç do e shpjegoj më poshtë.

03

Cili është Objektivi Strategjik i Rusisë dhe si do t’i realizoje?!

Sipas meje, Objektivi Strategjik është legjitimimi i aneksimit të Krimesë, shtimi i këtij objekti edhe i dy krahinave të tjera të Donetskut dhe  Luhanskut. Shkatërrimi i fuqisë ushtarake të Ukrainës dhe ndryshimi i sistemit politik të Ukrainës…etj, etj si këto, janë objektiva momentalë, më të vogla dhe janë mbi të gjitha për të plotësuar objektivin Strategjik. Nuk po flas me terminologjinë ushtarake, sepse lexuesi i gjerë nuk e njeh. Si mendoi Rusia t’i realizojë këto objektiva! Sipas meje, duke ushtruar në tavolinën e negocimeve sipas kushteve të saja, duke treguar forcën dhe duke shtuar disa objektiva më tepër, për të arritur aty ku nisi luftën (vetëm në tre objektiva strategjikë, Krime, Donetsk dhe Luhansk). Këto objektiva do të realizohen duke ushtruar presionin me prezencë ushtarake. Ajo nuk do t’i heqi nga tavolina e negocimit asnjë nga këto tre objektiva. Rusia, duke qenë superfuqi ushtarake, priste që “qëngji Ukrainë” të ulesh në gjunjë, të mbushte duart me lule dhe të firmoste kërkesat Ruse! Kjo po ndodh edhe në takimet e dy palëve, duke këmbëngulur në këto kërkesa dhe neutralitet. Këto janë esenciale që kërkon Rusia, sipas meje. Mirëpo çfarë po ndodh? Ukraina rezistoi dhe qëndroi ekzaktësisht në mbrojtje të emrit dhe të sovranitetit të saj. Ajo aspiron për një demokraci moderne. Por nuk po ndalem këtu, pasi jam jashtë fushe të këtij shkrimi. Ukraina tregoi se është afër Europës së qytetëruar se sa politikës të vjetër perandorake Ruse! Pra nuk ishte Ukraina e para viteve ’90, që i prisnin me lule udhëheqësit rusë. Nuk ishte viti 2014 që e “dorëzoi” pa luftë Krimenë! Ajo  sot ka një Zhelensk, që është në kohën e duhur në vëndin e duhur. Ai e di se çfarë kërkon populli i tij, di njëkohësisht detyrën e Tij si qytetari i paarë i Ukrainës. Ekzaktësisht po bën atë që bën një burrë shteti në luftë. Ky qëndrim ndezi rezistencën popullore të pallogaritur nga Putini.

Së pari: sot çdo gjë po zhvillohet sipas një skenari të ri. Ajo që ishte planëzuar nga Rusët nuk u zbatua! Sot kemi të bëjmë me një planëzim të ri. Ky planëzim në ecje (sipas meje, siç e quajmë ne ushtarakët), vështirë të ishte menduar, për atë që sqaruam më lart. Se dyti:Ukraina është një popull me një kulturë e histori të përbashkët  me atë Rus, për arësye që dihen! Së treti: Ukraina ka kohë që ka ndërtuar strategjinë e saj kombëtare dhe objektivat e saja strategjike (ndryshe nga ato të para viteve 1990-të).. Së katërti: Ka kohë që asistohet nga Perëndimi dhe po monitorihet zhvillimi drejt demokracise, etj, etj! Kjo luftë e nisur vetëm me një shkak (atë Rus), po zhvillohet më keq se sa në kohën e Hitlerit! Nuk mendoj se ky sulm mbi qëndrat e banuara është bërë nga mëndjet e ushtarakëve! Këtë edhe doktrina Ruse nuk e pranon. Raketat me vakum, janë zgjedhja më e tmerrëshme, që është përdorur deri më sot! Përse e them këtë?! Gjykoj kështu, pasi kjo përplasje u nis si një presion por, kur ky nuk dha rezultatin e pritshëm, u kalua në një agresion të egër dhe të pamenduar! Mendoj se nuk u mendua asgjë për ligjet ndërkombëtare dhe marrëveshjet e nënshkruara për këtë qëllim. Në planin ushtarak e gjykoj gabim dhe një çmenduri.

04

Çdo ditë thellohet gabimi ashtu sikurse pamundësia për t’u kthyer pas!

Ky gabim do të ketë faturën e saj. Zakonisht politika imponon, por nesër ushtarakët do të përgjigjen për këto shkatërrime të llahtarshme. Të godasësh popullsinë, qendrat e banuara me bomba me vakum … frikem se edhe Hitleri, do të ishte menduar dy herë, para 80 vitesh!  Drejtimet e mësymjes Ruse, nuk po ndalem, por jane tre:

  1. Drejtimi I Veri-Lindjes drejt Kievit (Nga Bjellorusia).
  2. Drejtimi I Lindjes
  3. Drejimi I Jugut

Tani po punohet për bashkim të frontit, bashkimin e urave. Por, kjo luftë ka dalë nga parametrat e planëzuara të mësymjes së tij. Operacioni u planëzua si  një luftë rrufe, për të cilat, Rusia gaboi. Ajo dështoi në pushtimin e shpejtë të Ukrainës dhe dalëngadalë po rrëshqet në një “LUFTE POPULLORE UKRAINASE”. Kjo luftë do e shkatërrojë Rusinë dhe do ta detyrojë të vazhdojë luftën me rezervat e fundit të fuqive të saja, gjë e cila do të çojë në humbje turpëruese. Mbi të gjitha kjo do shënojë humbjen dhe rrëzimin e Perandorisë Ruse dhe të Putinit. Ky Ari do bëjë shumë shkatërrime gjatë rënies së tij. Këtë fat të keq e pati Ukraina të ishte në kthetrat e Tija. Gjykoj gjithashtu, që në fundin e kësaj lufte, kurdo që ajo të ndodhë, Krimeja do i rikthehet Ukrainës. Sot Strategjia ruse ka ndryshuar drejtim. Ajo po godet popullsinë civile, me qëllim frenimin dhe tmerrimin e saj, të mos i bashkohet luftës dhe të bëhet pjesë e trupave mbrojtëse. Ajo po godet spitale, shkolla, kopshte, çerdhe, etj. Drejtimi Strategjik drejt Kievit dhe bllokimi i kollonës 64 km të forcave dhe mjeteve, si pasojë e pamundësisë, por mbi të gjitha viktimë e një planëzimi jashtë realitetit Ukrainas. Uroj që ky frenim, nëse vazhdon kështu, koha është kundër Rusisë dhe ushtrisë së saj klasike e të rëndë. Koha do të çojë në rënien operacionale të Rusisë dhe rritjen e krediteve për fitore të Ushtrisë Ukrainase. Kjo pauzë operacionale, mundet të konsistojë në një riplanizim Rus dhe manovrën nga krahët, sidomos të Kievit. Mos dorëzimi i Kievit mban gjallë shpresat e një Kombi Ukrainas për fitore. Goditja e fuqishme me raketa, aviacion dhe marshimi me tanke, është për t’u hapur rrugën trupave këmbësore. Një tokë quhet e pushtuar kur shkelet nga këmbësoria. Ushtria Ukrainase në disa drejtime operative, ka nisur mësymje dhe sprapsjen e Rusëve, si në drejtimin e Kharkivit. Në kufirin Rus janë parë trupa rezerviste (rreth 15000), që tregon se po fillohet të vihet në diskutim sasia e forcave rezervë Ruse.

05

Por si do të jetë e nesërmja?

  1. Gjykoj se saksionet ndërkombëtare po japin rezultatet e para. Por unë mendoj se më shumë ndikim do të kete kthimi i ushtarëve të vdekur pranë familjeve të tyre në Rusi. Kjo do të zgjojë popullin Rus nga kjo situatë ku ka futur mbarë botën.
  2. Sipas gjykimit tim, Populli Rus pak është i informuar mbi luftën që po zhvillohet , objektivat dhe qëllimet e vërteta të saja. Ndaj Ukraina me Presidentin e saj, duhet t’i drejtohen popullit Rus, për atë çka po ndodh në Ukrainë, shkaktarët dhe pasojat e sotme dhe të së nesërmes.
  3. Ushtria vepron kur politika kthen kokën nga ajo, pasi nuk ka arritur qëllimet e saja. Por gjykoj se ushtarakët rus, nuk do të vazhdojnë pa fund me këtë marri. Këtë fakt, propaganda ukrainase duhet ta “zgjojë”! Suksesi do të jetë në ditën kur ushtarakët rus, të kuptojnë dhe të  braktisin repartet e tyre. Kjo do të ndodhi sapo ushtria do të nisi të “certifikojë” pushtimin dhe të futet në qëndrat e banuara, duke dalë nga korracat e blinduara dhe në pamundësi për të goditur çdo luftëtar Ukrainas me raketa.
  4. Koha është me mbrojtësin, dmth me Ukrainën. Çdo ditë që kalon, balanca e luftës do të anojë nga Ukraina.
  5. Nëse Rusia do të shkatërrojë gjithçka dhe të kalojë mbi gërmadhat e ndërtesave dhe kulturës Ukrainase, mendoj se kjo do jetë fundi dhe turpi i saj.
  6. Ushtria Ruse do të ulë ritmin, gje e cila do të vijë nga mungesa logjistike, mungesë e cila çon në rënien e kapaciteteve operacionale.
  7. E fundit, Rusia nuk do të guxojë të dali nga kufijtë e këtij sulmi dhe ta zgjerojë atë, pasi është vetëvrasje. Ajo nuk do të sulmojë asnjë vënd të NATO-s. Ndryshe, do të ishte një çmenduri tej bunkerit të Hitlerit.
  8. Fundi i kësaj lufte do të jetë fundi i Putinit. Ukraina do të jetë varri i Tij.

Lidhur me rajonin tonë, meqë për Ukrainën janë instancat ato që japin mendime e marrin vendime, detyra e jonë është të “mprehim” dhe të zhvillojmë mendimin tonë strategjik se si duhet të veprojmë e reagojmë si KOMB, ndaj kësaj situate. Duke e jetuar këtë situatë, detyrë e shqiptarëve, është vazhdimi i përgatitjeve dhe unifikimi i qëndrimeve diplomatike, nga të dy shtetet shqiptare. Kjo situatë në Ballkan, ka qenë që në kohën e Traktatit të Shën Stefanit, që është prezent në trojet shqiptare. Synimet sllave për të dalë në Adriatik, duke “grryer” trojet shqiptare, janë gjithmonë një “barut i gatshëm” për luftë. Ajo çfaqet, herë me kërcënime, herë më “traktate e marrëveshje”, herë me lajka, që në shekuj e kemi larë me gjak në mes të Europës.

06

Si e shoh unë situatën në Ballkan?!

  1. Skenari Sllav i Ukrainës, me të gjitha parametrat e saja, është prezente dhe akoma i nxehtë në Ballkan. Serbët, (vëllezërit e vegjël rus) janë gjithmonë protagonistë dhe nxitës të këtyre përplasjeve nën mbështjen direkte e të përhershme të Moskës.
  2. Nëse në Ukrainë VS Rusi, janë dy popuj sllavë dhe janë kaq të egër me njeri tjeterin, fqinjët tanë vrasin fëmijë në barkun e nënës. Në ballkan nuk kemi më dy vënde sllave, por kemi një shtet sllav (Serbia) dhe Shqipëria (Kosova)! Pra nëse vëllai i madh i Serbisë në Ukrainë, po sillet barbarisht, për ne shqiptarët është e provuar me qindfishin e mizorisë,…etj.
  3. Duhet të dimë se nëse bie Ukraina, do të gjallërohet edhe Ajo do të vrapojë të realizojë atë që e ka nisur më shumë se një shekull. Kështu është radha e Ballkanit të destabilizohet. Atëherë rreziku do të jetë mjaft i madh. Sulmi mbi  Kosovë është i njejti skenar me Ukrainën. Me të njejtët ojektiva; kufizime, detyrime  dhe ndërhyrje në gjithçka.
  4. Skenarët për të provokuar shqiptarët, do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen.
  5. Skenarët do të jenë të dhunshme, por edhe me “çokollata”, për qeveritë apo personat e autorizuar për të biseduar. Këtë, akademia e Beogradit, e asistuar edhe nga ajo e Kremlinit, skenaret do të shtohen dhe do jenë të panumërta.
  6. Do të ketë raste që idetë e çmendura për marrëveshje, traktate etj, nuk do të prezantohen nga Serbët, por edhe nga Shqiptarë me funksione apo me grada shkencore. Kjo duhet të na rrisi vigjilencën ndër vetes!

07

Atëherë çfarë duhet bërë për këtë situatë?

1-Unifikimi i qëndrimit mbarë Kombëtarë (Për këtë të mos kujtohemi vetëm para zgjedhjeve, por të ngremë dhe të mbajmë gjallë ndjenjën kombëtare(pasi kjo rritet dhe zmadhohet jo sipas legjislaturave, por afatgjatë). Kuptohet duke zbatuar rregullat dhe normat ndërkombëtare).

2-Që nesër të mos jetë vonë dhe fatale, duhet dhënë fund qëndrimit pasiv të të dy qeverive, në Tiranë dhe në Prishtinë. Sipas meje, akoma nuk po  gjejnë forcë për të reaguar e vepruar bashkarisht dhe për të qenë faktor rreth të cilit të mblidhet i gjithë faktori shqiptar kudo ku jetojnë.

3-Kosova ështeë fëmija që qëndron në këmbë dhe me sytë nga Nëna e Saj, SHQIPERI. A do ta pranonte Nëna që fëmijën KOSOVË, të ja marrin nga dora? Çfarë duhet të bëje AJO që kjo të mos i ndodhë? Kush duhet  të reagojë, me çfarë e deri ku,  kur është gati për të reaguar dhe më kë?

4-Liderët e të dy shteteve shqiptare duhet të lënë mënjanë “tekat” dhe qefëmbetjet e mësuara në “oborret e partive të tyre”!

5-Nëse bashkohen në një qëndrim, dy shtetet shqiptare, kjo do të ishte përbashkuese për faktorin shqiptar për një reagim Kombëtar.

6-Cili është mësimi dhe si e kemi riplanëzuar mësimin, të dalë nga  mësimet e prej pësimeve?

7-Të dy ushtritë duhet të konsolidojnë strukturat ushtarake (me metodat e njohura ushtarake), duke mos kryer asnjë ndryshim dhe duke i kthyer ato në operacionale.

Politika duhet të heqë dorë nga eksperimentet dhe të lëri strukturat të gjejnë veten dhe t’i mirret atyre maksimuni i vlerave.

Këto ishin disa nga mendimet e mija për situatën në Ukrainë! Nga kjo situatë, u mundova të hedh dritë në drejtim të Kombit tonë.