Gjashtë analistë dhe unë shtatë

719
Fejton nga Hyskë Borobojka
Në studion time të varfër, një ditë prej ditësh erdhën gjashtë analistë nga më të thekurit. Ata nuk i ftova unë, siç bëjnë disa studio televizive, por erdhën vetë me vullnetin e tyre Secili zuri vend përpara meje. Njëri u ul në kolltukun e vetëm të studios time të varfër, dy në minderin, ku shtrihem i lodhur dhe më vjen gjumi e qëndron mbi qepallat e syve. I katërti në karrigen e lidhur me tel, si ajo e Lasgushit me kullën e tij në Pogradec, ku u ul ministresha gjatë vizitës që i bëri Poetit, i pesti në karrigen tjetër të saktë. Ndërsa i gjashti zuri fronin e drunjtë. Tema e bisedës, për të cilën do të jepnin opinionin e tyre të saktë e të vlefshëm analistët vullnetarë, ishte: ”Kush e bën popullin budalla?!

Në përgjigje të kësaj pyetjeje me shumë siklet, e mori fjalën ai që ishte ulur në kolltukun e vetëm të studios time. Pasi u tendos e u krekos, ligjëroi me zë të lartë, me fjalë të qarta e të shkoqitura, duke thënë: -Ka njerëz, që me emrin e Shqipërisë në gojë, duan ta bëjnë popullin budalla, duke gjetur tellallë në kazanin e medias. Dhe këtë përcaktim nuk e kam bërë unë, por kryeministri ynë i nderuar dhe i respektuar! Në vazhdim të ligjëratës së tij, njëri nga analistët, që ishte tendosur në minder, plotësoi më tej thënien e kryeministrit se, “Kush i bën shqiptarët budallenj, më në fund e ha!?” -Kush e ha badihava? Na e thoni konkretisht, jo në hava? – Ndërhyri ai që ishte ulur në karrigen e lidhur me tel. 

-Opozita!
-Pse e ha opozita?
-Se kërkon të vijë në pushtet me gënjeshtra e dredhi pa skrupuj! Harron e gjora, se sovrani të çmon me votë. “Rilindjen e Re” e dërgon në pushtet dhe “Republikën Re” në opozitë! – iu përgjigj shpejt e prerë tjetri. -I dashur koleg! Këto që thoni ju janë gënjeshtra me bisht, madje me bisht të gjatë, – e ndërpreu ai që ishte ulur në karrigen e saktë pa tel. – Duhet ta dish dhe nëse nuk e di, ta mësosh, se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra! – vazhdoi debati, hidh e prit. -S’janë gënjeshtra me bisht e pa bisht, por të vërteta si drita e diellit. Dhe derisa këtë përcaktim e ka bërë kryeministri ynë i nderuar, s’ka asnjë dyshim! -E ndërpreu analisti i ulur në kolltuk. Pa mbaje pak kalin, koleg i nderuar, se po e nget revan pa fre. E ke tri herë gabim. Më duket se vuani nga skleroza e u ka ikur kujtesa, – u hodh në zjarrin e opinionit ai që kishte zënë fronin e drurit dhe vazhdoi: Vërtet thonë se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra, por mos harro, i dashur, se këtu tek ne i ka aq të gjata sa nuk maten as me orë, as me ditë, as me muaj, por me vite. Mos harro, i nderuari koleg, premtimet e zotimet e “Rilindjes së Re” katër vjet e ca më parë, gjatë fushatës zgjedhore, se me të ardhur në pushtet do të hapte 300 mijë vende pune, do të luftonte e do ta varroste korrupsionin e krimin e organizuar, do ta bënte shëndetësinë falas për miletin fukara, do ulte taksat dhe pagesën për energjinë elektrike, do të rriste rrogat e ulëta e pensionet, do t’ia zhdukte farën drogës e kanabisit dhe një thes të tërë me premtime. Por shumë vjet u bënë, po mbushen pesë dhe: Ku ishit? Hiçgjëkundi! Ç’bëtë? Hiçgjë. Vetëm fasadë dhe lustromani për t’u zënë sytë miletit fukara, që mendohen e vuan për bukën e gojës. Pas kësaj ligjërate për gjendjen ekonomike të vendit, analistët u ndanë, duke u vendosur; tre në anën e majtë të studios time të varfër e tre nga ana e djathtë, ashtu si ndodh shpesh herë kur i TV ftojnë në rubrikën “Opinion”. Ata të krahut të majtë; fol e bot duke mbrojtur “sukseset” e tyre e duke lëvduar partinë e tyre, si shoshari shoshën e tij. Ata të krahut të djathtë; kundërshto e bot, se ato që thoshin kolegët e krahut të majtë, s’ishin gjë tjetër veçse gënjeshtra e propagandë pa bukë. -Dëgjomë mua, – e mori fjalën ai që kishte zënë kolltukun e vetëm të studios time të varfër. Të gjitha këto që na servir zotëria juaj, janë idiotësitë e medias, që i shikon sukseset e “Rilindjes” si dështime. Këtë mendim e kundërshtoi tjetri që kishte zënë karrigen e lidhur me tel, duke thënë se kryeministri për të larguar vëmendjen nga skandali i dyshuar “Tahiri” i turret medias, si ai që s’kishte çfarë t’i bënte gomarit dhe i binte samarit. -Qëndrimi i kryeministrit ndaj medias ka hyrë në analet e folklorit. Madje kanë filluar t’i thurin vjersha e këngë, – pohoi ai i fronit: – Disa i kanë mësuar edhe përmendësh.

-Mos vallë i ke mësuar edhe zotrote këto “bejte”, nga kazani i medias? – Pa na i thuaj t’i dëgjojmë, – e nxiti tjetri. Ai sikur t’i kishte në majë të gjuhës, filloi t’i recitonte, duke respektuar, jo vetëm theksin, por edhe rimat: 

“O kryeministër
Ç’të them më parë. 
S’le njeri pa tallur,
S’le njeri pa sharë.’
Ca janë idiotë,
Të tjerët rrufjanë,
Ca janë tellallë,
Kusuri kazanë.
Mos fol lajthitur,
Çudite dynjanë,
Si e jëm’ e Zeqos,
Hipur në thanë.”

Kjo qerrata vjershe apo bejte ua ndezi gjakrat analistëve të paftuar në studion time të varfër. Njëri thirr, tjetri bërtit. Njëri poho, tjetri moho. U zura ngushtë e s’dija çfarë të bëja. Të thërrisja, si në studiot e tjera televizive “Publicitet”, kush më dëgjonte. Unë e di ç’hoqa, deri sa i qetësova e iu urova “Rrugë të mbarë!” atje ku iu ftojnë. Varrit kam për t’ia treguar!
Sigal