Nga: Mark Rica
Fuqia ekonomike e një vendi matet përmes një sërë treguesish si; -Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB); -PBB-ja për frymë; -Rezervat valutore dhe të arit; -Borxhi publik; -Eksportet; -Bilanci tregtar; -Fuqia industriale, Energjetike dhe minerare; -Stabiliteti monetar; -Investimet e huaja; -Sistemi bankar; -Teknologjia dhe Produktiviteti. Ajo lidhet mbi të gjitha me aftësinë prodhuese, kapitalin njerëzor, teknologjinë, burimet natyrore dhe stabilitetin institucional e financiar. Megjithatë, Ari vazhdon të ketë edhe sot një rol të veçantë. Edhe pse monedhat moderne nuk mbështeten më drejtpërdrejt në standartin e Arit, bankat qendrore e mbajnë atë si një aktiv strategjik dhe si pjesë të rezervave ndërkombëtare.
Prandaj, në këtë shkrim po ndalem te rëndësia e Arit në ekonominë e një vendi, duke u dhënë përgjigje disa pyetjeve si b.f. -pse shumë vende në botë po i rrisin rrezervat e Arit, apo -sa Ar ka sot Shqipëria, etj. etj.
KULTURË DHE HISTORI
Ari, ose floriri, është një element kimik me simbolin Au, nga fjala latine aurum. Është një nga metalet më të hershme të njohura dhe të përdorura nga njerëzimi. Për shkak të shkëlqimit, rrallësisë dhe qëndrueshmërisë së tij, ari u bë shumë heret simbol i pasurisë, pushtetit dhe besimit fetar. Gjurmë të përdorimit të tij janë gjetur në qytetërimet e lashta të Egjiptit, Mesopotamisë dhe Evropës. Një nga dëshmitë më të hershme evropiane është thesari i Varnës në Bullgari, që daton rreth mijëvjeçarit të V-të para erës sonë. Gjatë historisë Ari është përdorur për stoli, monedha, objekte kulti dhe simbole pushteti. Edhe në kulturën shqiptare ai ka pasur një vend të veçantë, veçanërisht në stolitë tradicionale dhe në simbolikën e martesës. Ashtu si hieroglifet e gjetura ne Egjiptin e lashtë dhe shkrimet ungjillore dhe biblike në botë edhe kodikët e Beratit, (dorëshkrimet më të vjetra që janë ruajtur në hapësirën shqiptare), janë të përbëra me fije Ari. Edhe sot Ari lidhet me suksesin, forcën, pasurinë dhe përsosmërinë. Medaljet olimpike, trofetë dhe shumë çmime ndërkombëtare e ruajnë këtë simbolikë.
ARI SOT NË BOTË
Në një botë të përfshirë nga pasiguria ekonomike dhe gjeopolitike, Ari ka rifituar një rëndësi të veçantë. Bankat qendrore kanë rritur blerjet e tij, duke e konsideruar një aktiv të rëndësishëm për diversifikimin dhe sigurinë e rezervave. Sipas Ëorld Gold Council, gjatë vitit 2025 bankat qendrore blenë rreth 863 tonë ar. Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të kryesojnë botën me rreth 8,133 tonë, të ndjekura nga Gjermania, Italia, Franca, Rusia dhe Kina. Këto 6 vende aktualisht disponojne 20,985 ton Ari, pra 62 % të rezervave të Arit në botë. (Rezervat botërore të Arit në fundin e vitit 2025, arritën në 33,465 ton.). India përbën një rast të veçantë. Për indianët Ari është jo vetëm pasuri, por edhe pjesë e traditës familjare dhe kulturore. Kërkesa vjetore e vendit arrin në qindra tonë, kryesisht për bizhuteri. India renditet në vendin e 8-të në botë për sasinë e Arit që disponon; 876.2 ton. Një analizë e re, bazuar në të dhënat nga platforma BullionVault, zbulon se cilat vende kishin rezervat më të mëdha zyrtare të Arit deri në fundin e vitit 2025. Më poshtë po rendisim të dhënat për 20 vendet e para me rezervat më të mëdha të Arit, si dhe 10 vendet e fundit me rezervat më të vogla.
SHBA. me 8,133.5 ton.
Gjermania. me 3,351.6 ton.
Italia. me 2,451.9 ton.
Franca. me 2,437 ton.
Rusia. me 2,333.1 ton.
Kina. me 2,279.6 ton.
Zvicra. me 1,039.9 ton.
India. me 876.2 ton.
Japonia. me 846 ton.
Holanda. me 612.5 ton.
Turqia. me 595.4 ton.
Polonia. me 448.2 ton.
Portugalia. me 382.7 ton
Uzbekistani. me 382.6 ton.
Arabia Saudite. me 323.1 ton.
Mbretërinë e Bashkuar. me 310.3 ton.
Libani. me 286.8 ton.
Kazakistanin. me 284.1 ton.
Spanja. me 281.6 ton.
Austria. me 280 ton.
Në kategorinë me rezervën më të vogla janë shtetet :
- Gjeorgjia. me 7.1 tone
- Maqedonia e Veriut. me 7 ton.
- Tunizia. me 6.8 ton.
- Letonia. me 6.7 ton.
- Guinea. me 6.3 ton.
- Lituania. me 5.8 ton
- Bosnje Hercegovina. me 3.7 ton
- Shqiperia. me 3.64 ton
- Islanda. me 2.1 ton
- Mali i Zi me 2 ton
Vendet me më pak se 2 ton Ar janë; Haiti, El Salvadori, Butani dhe Moldavia, ndersa për Kosovën nuk janë raportuar rezerva Ari.
ARI NË SHQIPËRI.
Dhe tani pyetja që na intereson më shumë: Sa Ar ka Shqipëria?
Sipas të dhënave të fundit, me 31.12. 2025 Shqipëria dispononte 3,64 tonë Ar monetar, që përbënte rreth 5,9% të rezervave valutore. Kjo e vendos Shqipërinë ndër vendet me rezervat më të vogla të Arit në botë por edhe në rajonin e Ballkanit, ( Greqia ka 114.6 ton, Serbia ka rreth 53 tonë, Maqedonia e Veriut rreth 7 tonë. Bosnjë-Hercegovina rreth 3,5 tonë etj.)
Këto shifra shtrojnë disa pyetje interesante për historinë dhe ekonominë shqiptare si; -Sa Ar kishte Shqipëria në prag të pushtimit italian më 7 prill 1939? -Sa Ar mori me vete Ahmet Zogu kur u largua? -Sa Ar shqiptar u sekuestrua gjatë Luftës së Dytë Botërore? -Sa Ar u kthye pas zgjidhjes së çështjes të Kanalit të Korfuzit? -Sa Ar u prodhua në Rubik dhe së fundmi, a -ka ende Ar në nëntokën shqiptare?
1– THESARI SHQIPTAR DHE 7 PRILLI 1939. Për sasinë e arit që dispononte Shqipëria para pushtimit italian ekzistojnë të dhëna të ndryshme historike, shpesh herë kontraditore. Është thënë se kishte rreth 2 ton Ar monetar. Këto rezerva ishin krijuar kryesisht nga: – të ardhurat doganore të shtetit shqiptar; -kontributet fiskale; -nga aktiviteti i Bankës Kombëtare të Shqipërisë; – nga stabilizimi monetar gjatë periudhës së Mbretërisë së Ahmet Zogu dhe nga depozitat në Ar të mbajtura si mbulim i monedhës shqiptare. Në atë kohë, Ari ishte baza kryesore e besimit tek monedha kombëtare. (Nuk disponohen të dhëna të besueshme për sasinë e Arit të konfiskuar nga qeveria komuniste pas 29 Nëntorit 1944, pasi nuk janë mbajtur dokumenta…)
Po kështu, edhe për Arin që mori me vete Ahmet Zogu kur u largua nga vendi më 7 Prill 1939 janë dhënë shifra të ndryshme. Disa burime përmendin rreth 180 – 200 kilogramë, (në periudhën komuniste u publikuan shifra disa herë më të larta). Për këtë arsye, një shifër e vetme nuk dihet dhe nuk duhet dhënë pa u mbështetur në dokumentacione arkivore që aktualisht mungojnë.
- ARI SHQIPTAR DHE KANALI I KORFUZIT
Një kapitull i rëndësishëm i historisë së Arit shqiptar lidhet me Luftën e Dytë Botërore dhe më pas me çështjen e Kanalit të Korfuzit. Në vitin 1943, pas pushtimit gjerman të Italisë, një pjesë e Arit shqiptar që ndodhej në Romë u sekuestrua nga gjermanët. Pas luftës, Ari u përfshi në procedurat e Komisionit Trepalësh për Restitucionin e Arit Monetar, ku merrnin pjesë SHBA, Britania e Madhe dhe Franca.
Më 22 Tetor 1946, anijet luftarake britanike “HMS Saumarez” dhe “HMS Volage” ranë në një fushë minash në Kanalin e Korfuzit. Nga shpërthimet humbën jetën 44 pjesëtarë të ekuipazhit britanik. Në vitin 1949, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë bëri përgjegjëse Shqipërinë dhe caktoi një dëmshpërblim prej 843.947 paundësh britanikë. Mosshlyerja e këtij detyrimi u lidh më pas me çështjen e arit shqiptar që u bllokua. Pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike shqiptaro-britanike, në vitin 1992 u arrit një marrëveshje për zgjidhjen e çështjes. Shqipëria pranoi të paguante 2 milionë dollarë, ndërsa Ari shqiptar në shumën 1674 kg iu kthye vendit tonë. 29 Tetori i vitit 1996 shënoi përfundimin e transferimit të Arit në Shqipëri, duke u zgjidhur përfundimisht çështje që kishte zgjatur për dekada. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Parlamenti britanik në dokumentet e tij zyrtare.
- ARI I RUBIKUT. Një tjetër kapitull lidhet me Uzinën e Bakrit në Rubik ku janë dhënë shpesh herë shifra të ndryshme. Ari nuk ishte produkti kryesor i uzinës. Ai përftohej si nënprodukt gjatë përpunimit të mineraleve të bakrit, ku gjendeshin edhe metale të tjera të çmuara. Sipas dëshmisë së ish-specialistit të uzinës, Inxh. Nikoll Marku, nga viti 1968 deri në vitin 1990 në Rubik u prodhuan rreth 2 ton Ar dhe 25 tonë Argjend. Nga Banka e Shqiptërisë, kjo sasi u depozituan në një Bankë të Zvicrrës. (Referuar Gazetës TELEGRAF, datë 25 Qershor 2016)
- A KA AR NË NËNTOKËN SHQIPTARE?. Shqipëria nuk njihet si një prodhuese e Arit, por në disa zona të vendit janë evidentuar mineralizime ari, shpesh të lidhura me mineralet e bakrit dhe metale të tjera. Në veçanti, Mirdita ka qenë objekt kërkimesh dhe eksplorimesh minerare. Kompani të huaja, ndër to Golden Touch Resources dhe Tirex Resources, të specializuara për kërkime Ari, kanë kryer kërkime në zonat e Rubikut dhe të Gjazuve. Rezultatet e eksplorimeve kanë dëshmuar praninë e mineralizimeve të arit. Por, duhet bërë një dallim i rëndësishëm: Prania e arit në një mineralizim nuk do të thotë automatikisht se kemi një rezervë ekonomike të shfrytëzueshme. Për këtë duhen shpime të mëtejshme, analiza laboratorike, vlerësim i tonazhit dhe përmbajtjes së arit, si dhe studime ekonomike e mjedisore. Prandaj, deri tani, është më e saktë të flitet për potencial gjeologjik të Arit, veçanërisht në zonën e Mirditës dhe jo për rezerva të mëdha ekonomike siç diskutohet rëndom sot. Gjithsesi, informacioni i metejshem është mbajtur sekret dhe deri tani nuk është bërë asgjë publike, ashtu siç mbahen sekret për publikun e gjere, situata e naftës, e bakrit, kromit e tjera në Shqipëri…!!!
NË MBYLLJE
Ari ka ndryshuar rolin e tij gjatë historisë, por nuk e ka humbur rëndësinë ekonomike. Sot, kur bankat qendrore të botës po shtojnë rezervat e arit, Shqipëria disponon vetëm rreth 3,64 tonë ar monetar duke u renditur në vendet më të varfëra të botës…( Për tremujorin e parë të vitit 2026, Trading Economics, duke iu referuar Ëorld Gold Council, raporton për Shqipërinë 3,73 ton Ar.). Por historia e arit shqiptar është shumë më e gjerë se kjo shifër. Ajo lidhet me thesarin e shtetit, luftën e dytë botërore, çështjen e Kanalit të Korfuzit, me kthimin e arit në vitin 1996, dhe me prodhimin e tij si nënprodukt në Rubik të Mirditës…Ndërkohë, nëntoka shqiptare, veçanërisht Mirdita, mbetet një hapësirë që meriton kërkime të mëtejshme… Ndoshta pyetja më interesante nuk është vetëm sa Ar ka Shqipëria sot, por sa Ar mund të ketë ende në historinë e këtij vendi (!) dhe në nëntokën e saj…






















