Urimi, për miqtë e mi kudo ndodhen në Atdhe ose jashtë.
Më keq e më zi, më të shpopulluar, shpartalluar e varfëruar e gjen viti i ri 2026, Republikën e Shqipërisë. Nuk ka tavolinë kafeneje, vdekjeje apo argëtimi, ku njerëzit të mos diskutojnë për gjendjen e mjeruar ku ndodhen. Mjaullijnë si maçokë, kakarisin si pula, e lehin si qentë endacakë, për të keqen që i ka zënë dhe vetëm kaq. Po ilaçi gjendet. Nëse nuk ka drejtësi atëherë protesto, nëse ndërtojnë një pallat 20-30 kate e të zënë dritën e diellit protesto, nëse të prishin shtëpinë për dy lekë protesto, nëse vijnë fatura jo reale protesto, nëse të vjedhin lumin dhe të thajnë për një pikë ujë protesto, nëse të rrëmbejnë pronën protesto e mbroje atë me çdo mjet, nëse të rrjepin me taksa gjithfarësh protesto, nëse të vjedhin naftën, gazin, kromin e bakrin, protesto.

Protesto si individ, si pallat, si lagje, si fshat, si grup individësh, si komunë e si sindikatë. Bëjuani jetën ferr hajdutëve të Rilindjes! Partitë, që kanë qeverisur Shqipërinë këto 35 vjet, përbëhen nga interesaxhinj, që zbatojnë parrullën: Ik ti se vodhe shumë, të vij unë se do të vjedh pak. Mos rrini peng i fajdexhinjëve e kusarëve për një vend pune, për një kredi të butë, për një diplomë false, për një të drejtë studimi të pamerituar. Mos përdorni ato frazat e mallkuara të skllavit se: Më futi në punë, më rregulloi vajzën, djalin në bashki apo ministri, më bëri legalizimin e shtëpisë, më ndihmoi për pronën etj, etj. dhe i jam borxh gjithë jetën. E drejta për punë, e drejta për të qenë të barabartë para ligjit, janë e drejtë universale dhe nuk dhurohen nga horrat e politikës, por fitohen me garë, e punë te ndershme. Protestoni nëse jeni të pakënaqur. Mos ulni kokën si qetë e parmendës. Mendoni se zotit tuaj do t’i vijë keq e do t’u heqë zgjedhën nga zverku? Po kush do iu punojë “arat” atyre? Si do të pasurohen e do të jetojnë si mbretër? Nuk kërkohet luftë me armë, por protesta për dinjitet njerëzor, për një jetë më të mirë. Por nëse protestat shtypen me polici, ushtri e dhunë atëherë populli duhet të përgjigjet po me dhunë e çdo mjet dhune. Në këto protesta do të lindin dhe udhëheqësit e rinj që do të formojnë parti mbi interesat vetiake. Dyzet vjet janë mjaft që politikanët e këtyre viteve, t’i kalojnë drejtësisë, si varrmihës të demokracisë, të hidhen në koshin e plehrave, të linçohen publikisht po qe e nevojshme ose të dorëhiqen vullnetarisht. Ndryshe Shqipëria përfundimisht shkon drejt shpërbërjes dhe kthehet në tokë skllevërish e skllavopronarësh.



















