Kjo është tradhëti kombëtare (Qendrat historike të Tiranës, Durrësit, Beratit etj. kanë kohë që e kanë humbur identitetin…)Të dy herët që kam vizituar atë Mauzoleum madhështor të Ataturkut dhe mendja më rrinte atje në Skelën tonë të dashur me atë shtëpizën ku punoi themeluesi i shtetit të parë shqiptar pas 400 vjet robëri nën pushtuesin turk, kryeministri i parë shqiptar Ismail Bej Vlora.
E patë Mauzoleumin e Qemal Ataturkut, zoti kryeministër, atje në Ankara? Një vepër madhështore për themeluesin e Turqisë së re. që përfshin 200 ha tokë. I pe luftërat e popullit turk, betejat e përgjakshme, të gjeneralëve dhe sakrificat panumërta të popullit turk? Mustafa Qemal Ataturku është themelues i Republikës së Turqisë dhe kryetari i parë i saj që nga viti 1923 deri sa vdiq më 1938. Të vizitosh Mauzoleumin e Ataturkut (e kam parë dy herë) hyn me mend e del “pa mend” ka një shprehje populli ynë për të treguar madhështinë dhe bukurinë e diçkaje të rrallë. Të dy herët që kam vizituar atë Mauzoleum madhështor mendja më rrinte atje në Skelën tonë të dashur me atë shtëpizën dykatëshe (dikur dogana italiane) ku punoi themeluesi i shtetit të parë shqiptar pas 400 vjet robëri nën pushtuesin turk, kryeministri i parë shqiptar Ismail Bej Vlora. Patrioti vlonjat, Tol Arapi, ndihmëskomisar në qeverinë e Ismail Qemalit ka shkruar në librin e tij me kujtime, “Që të bëhej Shqipëria”: Ismail Qemali kishte një dashuri të atillë, sa populli e mbante si një perëndi. Ismaili qëndronte në “Reiz Liman”. Ajo ishte dhe kryeministria e atëhershme. Atje flinte edhe vet Ismail Qemali…Ishte shumë popullor, shpesh shkonte nëpër kafene dhe takohesh e bisedonte me njerëzit. Në fytyrë ishte i mvrejtur por njeri shumë i matur dhe i butë.” Njëzet vjet pas shpalljes së Pavarësisë, Bashkia e Vlorës, shembi godinën e Vlorajve, ku u ngrit flamuri me 28.11.1912, ndërtoi një lulishte dhe vendosi aty varrin e Ismail Qemalit. Diktatura më vonë shembi godinën e Sharrajve edhe kjo pjesë e historisë, ku u pritën e bujtën shumë delegatë dhe luftëtarë më 1912 dhe nisi të ndërtonte një godinë shumkatëshe, sot e kthyer në një monstër betoni, që ka zaptuar gjysmën e sheshit Historik të Flamurit. Tridhjetë vjet demokraci gjithë ata që qeverisën e po qeverisin Vlorën e kafshuan ku mundën “Sheshin e Flamurit,” duke hedhur pambarim beton e tjetërsuar këtë shesh plot histori. Monumentit madhështor të Pavarësisë kryeministri i mbathi rrota dhe e çvendosi atje ku nuk duhej, lulishten nga më të bukurat në Ballkan e zhduku dhe mbushi me qipariza varrezash. Skelën tonë të vogël e të dashur, qeveritë e tranzicionit e mbushën me ndërtesa të larta pa kurrfarë rregulli urbanistik, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë, kulturës e traditës. Aty ndodhet një shtëpizë varfanjake, dy katëshe, si jetime e braktisur midis luksit të restoranteve, kafeneve e ndërtesave shumkatëshe plot drita dhe gardhit me llamarina, që e ndan nga Porti Detar. Tridhjetë milonë euro u hodhën për rikonstruksionin e Portit Detar, rreth shtatëdhjetë milionë për shëtitoren në gjashtë vitet e fundit. Porti Detar prej 10 ha, (5 ha akuarium dhe 5 ha tokë,) u zhduk dhe iu dha me qera për 35 vjet privatit për të ndërtuar kulla. Plot 100 milionë euro (shifra e saktë nuk dihet ende) janë harxhuar për beton e asfalt për tekat e hajdutëve dhe babëzinë e rilindasve për shëtitoren. ZERO EURO për shtëpinë dykatëshe, ku punoi qeveria e parë shqiptare, e vetmja shenjë e mbetur nga ngritja e flamurit dhe themelimit të shtetit shqiptar. Sot sheshi Pavarësia në Skelë ka piramidë (mungojnë arabët dhe devetë) rrotullame, gropa me beton, një grumbull pishash e portokallesh azmatike e marrëzira të tjera, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë të vjetër e të re. Sipas Ramës: “… Ky është një projekt i Parkut “Shtëpia e Pavarësisë” konceptuar nga arkitekti belg Xaveer De Geyter dhe parashikon shtim të ndjeshëm të gjelbërimit dhe zonave rekreative…”. Po ku e di belgu sa vlen vendi, historia, ekzistenca e asaj shtëpize, ku paska projektuar një “pyll” pa pyll!? Pse nuk ndërton qeveria Rama një Ansambël Muzeal për historikun e Shqipërisë nga Lidhja e Prizrenit deri në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, sa ka ende sipërfaqe të lira, duke e shtrirë nga “Kulaçi” deri në vijën e ujit? Pse nuk rindërtohet shtëpia e Vlorajve, ku u ngrit flamuri me të gjitha anekset, në Skelë ose atje ku ka qenë, në Vlorë nëse është e mundur? Pse nuk ngrihet në Skelë apo qendër të Tiranës një monument madhështor i Ismail Qemalit?
Nuk dinë, nuk duan, kanë harruar, janë të babëzitur për para!? Mendojnë se rilindja e vërtetë është ajo e betonit të Ramës, Spiropalit, Ballës dhe Veliajt? Kjo është tradhëti kombëtare (Qendrat historike të Tiranës, Durrësit, Beratit etj. kanë kohë që e kanë humbur identitetin…) dhe përbën vepër penale. Ata që e shkatërruan qendrën historike të Skelës, të Vlorës dhe ata që varrosën muret rrethuese të Aulonës Antike, me ndërtime absurde, e që po i vijnë rrotull Shkollës Tregtare, duke zhdukur çdo gjurmë të historisë, kulturës e traditës kombëtare janë tradhëtarë dhe të gjykohen si të tillë. Vlonjatët të dalluar për nervin e tyre patriotik, nuk duhet ta lejojnë më tej tjetërsimin e historisë dhe trashëgimisë kulturore të qytetit. Përndryshe një popull që harron, falsifikon e varros të shkuarën, që lejon të zhdukin e nëpërkëmbin historinë e tij, një popull që nuk di rrugën nga ka ardhur, që nuk do të njoh vetveten, është i detyruar të vuajë, të mbetet i varfër dhe i përçarë.