Me rastin e 80 vjetorit të formimit të kësaj Brigade, 06 nëntor 1944…
Gëzim Prengzi
N/kryetar i Organizatës së Veteranëve të Pasardhësve të LANÇ-it Tropojë
Në vjeshtën e vitit 1944 Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare kishte marrë përpjestime të mëdha,pavarësisht nga përpjekjet e nazistëve gjermanë për ta penguar e dobësuar atë.Kalimi i Divizionit të I-rë S në Shqipërinë e Mesme e të Veriut ishte një veprim i rëndësishëm luftarak i Komandës së Përgjithshme duke rritur në një shkallë më të lartë forcën goditëse të forcave partizane në krahinat e Veriut.Këto veprime u kurorëzuan me çlirimin e rretheve Krujë,Mat,Mirditë,Dibër,Pukë,Kukës.Sipas urdhërit të Komandës së UNÇSH-së me 25 tetor 1944 pas çlirimit të Tropojës me 16 tetor 1944,ndërkohë që ishin krijuar edhe njësitë partizane si Brigada e XVIII-të në Dibër,Brigada e XXIV-t në Kukës,u krijua mundësia që në Tropojë të formohej një njësi e re e UNÇSH-së,Brigada e XXV-të Sulmuese e Tropojës këtu në Aste-Tropojë me 06 nëntor 1944.Në gjirin e kësaj njësie bënin pjesë partizanë nga batalionet “Bajram Curri”,”Rinia”,”Territorial”,vullnetarë të tjerë nga Malësia e Gjakovës,si dhe në përbërjen e efektivit të kësaj Brigade ishte edhe Batalioni i Hasit duke e çuar numrin e partizanëve në 900 partizanë (700 nga Tropoja dhe 200 Hasi).Në tubimin e organizuar me këtë rast në Tropojë përveç partizanëve të inkuadruar në Brigadë,kishin ardhur banorë nga e gjithë Malësia e Gjakovës.Përfaqësuesit e Korparmatës së I-rë të UNÇSH-së bashkë me Shtabin Operativ të Malësisë shpallën Shtabin e Brigadës së XXV-të Sulmuese i cili përbëhej nga:
Komandant Brigade, Veli Niman Doçi,Komisar politik,Nuri Arapi,zv/komandan,Çelo Arrëza,zv/komisar,Spiro Pano.Brigada e XXV-të Sulmuese përbëhej nga katër batalione:Batalioni i parë me komandant,Idriz Mulosmani,batalioni i dytë me komandant Ali Brahimin,batalioni i tretë me komandant Mehmet Mulosmani,batalioni i katërt (i Hasit) me komandant Ismail Pogën.Në efektivin e Brigadës bënin pjesë partizanë e kuadro,komandantë e komisarë të kalitur në shumë aksione e veprimtari luftarake në formacionet partizane në front e në prapavijë të armikut.Brigada e XXV-të qysh në fillim,në bashkëpunim me brigadën e VI-të Sulmuese u angazhua në luftimet në zonën e Nikaj-Mërturit dhe të Dukagjinit.Ndërsa batalioni i I-rë bashkë me një batalion të Brigadës së VI-të S vazhduan marshimin:Kolgecaj-Margegaj-Koçanaj-Shoshan-Dragobi-ValbonëRrogam-Qafë Valbonë për të shkuar drejt Dukagjinit.Në luftimet e zhvilluara në Theth ra dëshmori i parë i Brigadës së XXV-të Sulmuese Ahmet Elez Ulaj nga Vuthajt.Ndërsa një pjesë e mirë e Brigadës (batalionet e I e III) u nisën në drejtim të Plavës e Gucisë për ti çliruar nga pushtuesi gjerman dhe kundër forcave mercenare dhe çetnikëve Pavlo Gjurishiç e Drazhan Mihajlloviç,pastaj të shkonin në Pejë.Me 27 nëntor 1944 sipas urdhërit të shtabit të Divizionit V S në varësi të të cilit kishte kaluar Brigada,ajo u nis për në qytetin e Gjakovës.Me 28 nëntor 1944,pikërisht në 32 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë,Brigada e XXV-të Sulmuese parakaloi krenare në Gjakovë bashkë me popullin e qytetit të Gjakovës.Populli i Gjakovës e priti me nderim Brigadën e XXV-të Sulmuese të Malësisë së Gjakovës,shumë nga këta partizanë kishin luftuar bashkë me partizanët e këtij qyteti kundër garnizonit fashist italian në shtator 1943 ku mbetën 28 tropojanë të vrarë e të plagosur.Gjakovarët i morën partizanët në shtëpitë e tyre natën e 28 nëntorit.Në Gjakovë u shtuan radhët e Brigadës me partizanë të tjerë nga Kosova.
* Marshimi i Brigadës së XXV-të Sulmuese të Tropojës drejt Ferizajt.
Me 29 nëntor 1944 Brigada e XXV-të Sulmuese me urdhër të Divizionit të V S niset në një marshim të sforcuar 70-80 km në drejtim të qytetit të Ferizaj.Me arritjen në këtë qytet u zhvilluan disa luftime sporadike kundër forcave çetnike-ustashe të cilat u shpartalluan duke lënë disa të vrarë e robër.Në qytetin e Ferizajt forcat serbo-maqedonase kishin bërë masakra kundër popullsisë shqiptare të këtij qyteti,vetëm në oborrin e një xhamie u gjetën kufomat e 60 vetave të pushkatuar.Në Ferizaj efektivi i Brigadës së XXV-të arriti në 1200 partizanë,pasi gjatë qëndrimit në Ferizaj iu shtua si pjesë organike Batalioni i katërt i Hasit me 150 partizanë trima me komandant Ismail Pogën dhe 350 djem kosovarë të cilët morën pjesë në të gjithë veprimtarinë luftarake të Brigadës së XXV-të deri në Bosnjën Jugore.
Me urdhër të Shtabit të Divizionit të V S,Brigada e XXV-të me 9 dhjetor 1944 niset drejt Sanxhakut sipas itinerarit Ferizaj-Prishtinë-Vuçiternë-Mitrvicë-Rashkë-Pazari i Ri-Senicë-Priopolje-Novivarosh.Në zonat e veprimeve luftarake të Divizionit të V,ishte dislokuar dhe vazhdonte tërheqjen,Divizioni 181 nazist gjerman dhe një numër forcash çetniko-drazhiste,të cilat kishin detyrë që të mos lejonin depërtimin e forcave partizane në rajonin e Sanxhakut,për ta mbajtur të lirë rrugën e tërheqjes së forcave gjermane nga Mali i Zi dhe Bosnja për në Kroaci.Me 30-31 dhjetor 1944 Brigada e XXV-të mori në dorëzim frontin ku luftonte Brigada e III-të që nga mali i Judovnikut-Sopotnicë-Stojan-Judovnik.Luftë e paepur u u zhvillua sidomos në marrjen e Judovnikut i cili ishte pikë me rëndësi strategjike,me sulme e kundërsulme arritën që në mëngjesin e 10 janarit 1945 të çlironin qytetin e Priopoljes dhe rrethinat e tij.Gjatë këtyre luftimeve ranë në luftime ose vdiqën nga sëmundja e tifos rreth 20 partizanë tropojanë ndërsa nga forcat gjermane u vranë 175 vetë.
Partizanët e Brigadës së XXV-të Sulmuese u përballën edhe me vështirësitë e motit me temperatura -10 deri -15 gradë,mungesën e veshmbathjes për këto kushte,mungesën e ushqimit të mjaftueshëm me një copë bukë thekre e tri kokrra patate si racion ditor.
Pas çlirimit të Priopoljes,pas një muaj e gjysmë luftimesh në zonën e Sanxhakut mori fund edhe cikli i veprimeve luftarake të Brigadës së XXV-të dhe Divizionit të V në tokat e Jugosllavisë.Me 25 shkurt 1945 me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm,Divizioni i V-të do të kthehej në Kosovë.Brigada e XXV-të Sulmuese u vendos në rrethinat e Mitrovicës.Kthimi për në Kosovë filloi me 17 mars 1945 në tri drejtime.Brigada e XXV-të Sulmuese erdhi dhe qëndroi në Drenicë deri nga gjysma e muajit prill 1945.Situata në Kosovë ishte shumë e rënduar,njerëzit i kishin masakruar e pushkatuar pa gjyqe.Ekzekutimet e shqiptarëve bëheshin në format më barbare.Në këto kushte e rrethana u organizua edhe kryengritja e fuqishme antisllave në Drenicë e drejtuar nga Shaban Polluzha.
Brigada e XXV-të Sulmuese si pjesë e rëndësishme e UNÇSH-së dha kontribut të çmuar në luftën kundër nazistëve gjermanë dhe forcave çetniko-drazhiste.Ajo veproi në kohë të vështirë në dimrin e 1944-1945 në Tropojë,Kosovë e deri në Bosnjën Jugore.Kjo Brigadë rreshtoi në radhët e saj 1200 partizanë,nga të cilët ranë dëshmorë 53 veta (28 dëshmorë nga Tropoja,14 dëshmorë nga Hasi,11 dëshmorë nga Kosova).
Sot në 80 vjetorin e Brigadës nuk kemi veteranë,por ata do të kujtohen gjithmonë me nderim nga pasardhësit e tyre dhe nderimi për ta do të jetë i përjetshëm.
Nderime e mirënjohje dëshmorëve e partizanëve të Brigadës së XXV-të Sulmuese të Tropojës!