Krenar Alimehmeti: Tirana do një marsh më shumë, do t’i mungojnë tifozët

INTERVISTA/ Ish-mbrojtësi dhe kapiteni bardheblu, Krenar Alimehmeti bën skanerin e javës së 12-të

 

Agron KAJA

Sigal

Abissnet Superiore mbylli dje javën e 12-të të saj, rezultatet ishin më shumë në logjikën e tyre, apo të papritur?

Edhe në logjikë, por edhe të papritura. Humbja e Tiranës ishte befasuese, e po kështu fitorja 5-0 e Dinamos dhe barazimi i Teutës me Partizanin. Barazimi i Bylisit me Laçin ishte i logjikshëm. Tashmë ka një ngjeshje në kreun e renditjes.

Në këtë javë, Tirana pësoi humbje me Egnatian, si e përshkruani kronikën e kësaj ndeshjeje?

Tirana u dorëzua me një gol, por si lojë ishte e mirë. Me kalimin e javëve, ndoshta nisur edhe nga pikët e grumbulluara, nuk është më një Tiranë e vrrullshme, e zjartë dhe me dëshirë. Tirana kërkon një marsh më shumë, nuk është skuadër kërkuese.

Ka ndikuar mungesa e një stadiumi tek këto rezultate të Tiranës?

Mendoj se po, sepse Tirana po i luan të gjitha ndeshjet jashtë, në transfertë. Ka dhënë efekte edhe ky fakt, sepse nuk është pak për një skuadër si Tirana që të luajë pa tifozët e saj. Kjo është një arsye më shumë për pikët që ka grumbulluar.

Në 12 ndeshje Tirana ka grumbulluar 11 pikë dhe renditet në vëndin e 7-të, mos po rrezikon si në sezonin 2016-2017?

Nuk e mendoj atë sezon që të rikthehet te Tirana. Natyrisht që nuk është në moment të mirë, por kam besim se do ringrihet. Kjo mbetet një fazë kalimtare që besoj te ringritja, sidomos pas periudhës së pushimit të ndeshjeve të Kombëtares.

Trajneri Bledi Shkëmbi mbetet i “kryqëzuari” i kësaj situate, është normale?

Kur nuk ka rezultat skuadra, nuk lëviz ekipi, por trajneri. Duhet thënë se në fushë luajnë lojtarët dhe ata kanë përgjegjësinë kryesore kur situata nuk është e mirë. Gjithsesi, në të tilla raste trajneri bëhet “kokë turku”, por jo gjithmonë fajin e ka ai.

Janë mbyllur 12 javë, si i parashikoni katër skuadrat në “Final 4” dhe dy të tjerat që mund të zbresin në Kategorinë e Parë?

Në një parashikim them se skuadrat e “Final 4” po saktësohen. Në këto katër skuadra unë e vendos edhe Elbasanin, edhe pse humbi 0-5 me Dinamon. Skuadra luan futboll me logjikë e po prodhon futboll, dhe kam shpresë se do ngjitet në renditje.

Pas javës së 13-të kampionati do ndërpritet, si shërben kjo për çdo skuadër?

Kjo hapësirë do jetë një avantazh për skuadrat që nuk janë në formë në këto 12 javë. Por kjo ndërprerje nuk vjen për mirë te skuadrat, që janë më në formë në këto 12 javë. Gjithsesi, një ndërprerje e planifikuar ku trajnerët i kanë bërë llogaritë.

Fanela “500” për Gaz Demin, me X ndaj Teutës!

Para sfidës Partizani-Teuta në Tiranë, në ambientet e stadiumit “Arena e Demave” një ceremoni e bukur mes presidentëve të të dyja skuadrave ka bërë të veçantën. Edmond Hasanbelliu i Teutës e ka respektuar homologun e Partizanit, Gaz Demi, me një fanelë me mbishkrimin “Gaz Demi 500”. Kjo ishte ndeshja që Gaz Demi plotësoi numrin 500 në drejtimin e skuadrës së Partizanit si President i saj. Një ndeshje që u mbyll në barazimin 1-1, për Gaz Demin 500-ta festohet me X!

Ndëshkimi për Tiranën, ikën edhe Bledi Shkëmbi

Dje ka qënë ditë e nxehtë për bankinën e Tiranës. Pas 12 javëve në kampionat, është shkarkuar trajneri Bledi Shkëmbi, një largim i paralajmëruar për të. Situata e Tiranës me 11 pikë në vëndin e 7-të në tabelën e renditjes, i kanë detyruar drejtuesit të ndajnë rrugët. Pas “dëbimit” të Fanatiks-ave nga stadiumet e Shqipërisë nga Disiplina në FSHF, ky është lajmi i dytë më i keq për bardheblutë pas javës së 12-të të Abissnet Superiore.

ABISSNET SUPERIORE

Ndeshjet-Java 13

Datë 9 nëntor 2024

Egnatia-Vllaznia         14:00

Teuta-Skënderbeu       14:00

Dinamo-Partizani        17:00

Datë 10 nëntor 2024

Laçi-AF Elbasani        14:00

Tirana-Bylis                 17:00

RENDITJA                   

Skuadrat        Nd       Pikë

1.Vllaznia        12        21

2.Partizani       12        21

3.Dinamo C    12        20

4.Egnatia         12        19

5.Elbasani        12        16

6.Teuta            12        16

7.Tirana           12        11

8.Skënderbe    12        11

9.Laçi              12        11

10.Bylis           12        10

 

Rezultati më i thellë, Dinamo shkërmoq Elbasanin!

Java e 12-të e Abissnet Superiore prodhoi disa tregues, të cilat nuk ishin regjistruar në 11 javët e kaluara. Kështu, në javën e 12-të të Superiores është shënuar rezultati më i thellë në 60 ndeshjet e luajtura, ku dinamovitët kanë shkërmoqur (mundur) AF Elbasanin 5-0. Në këtë javë të 12-të, Teuta barazoi shifrat e rezultateve, me 4 fitore, 4 barazime dhe 4 humbje. Por treguesi tjetër që veçohet në këtë javë janë kartonët, ku në 5 ndeshje u dhanë 2 kartonë të kuq dhe 24 kartonë të verdhë, këta të fundit me një mesatare 2.5 kv për ndeshje. Ndërkohë, kjo është java që asnjëra prej skuadrave që nuk kanë stadium nuk luajti ndeshje si pritëse, Tirana në Rrogozhinë dhe Dinamo në Elbasan. Balaj i Vllaznisë kryesoi golashënuesit me 8 gola.

Vllaznia kryeson dy tabela, renditjen dhe golashënuesin

Ndërsa janë mbyllur ditën e hënë ndeshjet e javës së 12-të të Abissnet Superiore, ndryshimet në renditje ndodhën jo vetëm në kreun e saj ku Vllaznia e parakaloi Partizanin, megjithëse janë me pikë të barabarta 21. Kështu, shkodranët janë kryesuesit e renditjes, ndërkohë që edhe Dinamo u ngjit një vënd në renditje, me 20 pikë në vëndin e 3-të, duke lënë pas Egnatian kampione në fuqi në vëndin e 4-t. Të veçantën në këtë javë bëri edhe sulmuesi dhe kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj, i cili në fitoren 2-0 ndaj Skënderbeut në stadiumin “Loro Boriçi”, shënoi golin e tij të 8-të në këtë kampionat. Shkodrani kërkon të përsëritë sezonin e kaluar, ku me 17 gola u shpall Kryegolashënuesi i kampionatit 2023-2024.