Hemilton fiton garën e fundit, por Rosberg shpallet Kampion Bote

502

Sigal

Niko Rosberg është shpallur Kampion Bote në Formula
1, pasi arriti të mbante vendin e dytë në Çmimin e Madh të Abu Dabi, pas krahëve
të Luis Hemilton i cili fitoi garën në pistën e Jas Marina.

Shpresa e britanikut për të mbajtur kurorën e kampionit varej jo
vetëm nga ajo që do të bënte vetë në pistë, por edhe nga pozicionimi i
gjermanit i cili kryesonte në renditjen e përgjithshme. Hemilton i duhej një
fitore dhe që Rosberg të mos përfundonte në podium, ndaj e gjithë strategjia e
britanikut që kryesoi gjatë gjithë garës, ishte jo vetëm të mbante pas krahëve
shokun e skuadrës, por edhe t’u krijonte mundësinë të tjerëve që ta
parakalonin.



Kjo u pa shumë qartë në xhirot e fundit, kur Hemilton uli ndjeshëm
ritmin dukë ngjeshur pilotët pas tij, me shpresën që Fetel dhe Verstapen të
kalonin Rosberg, edhe pse skuadra i kërkonte vazhdimisht që të rriste
shpejtësinë. “Jam shumë i kënaqur me mënyrën se si po drejtoj”, apo “Nuk
shqetësohem nëse humb garën, meqë aktualisht po humb edhe Botërorin” ishin disa
nga përgjigjet që ai i dha skuadrës në radio ndërsa në çdo kthesë ngadalësonte
në mënyrë që në xhiron e fundit, Fetel të provonte parakalimin.



Megjithatë, kjo taktikë nuk funksionoi dhe Rosberg preu finishin
pak të qindta pas shokut të tij të skuadrës, duke i lënë fitoren e garës, por
duke i rrëmbyer titullin kampion, më vetëm 5 pikë diferencë pas 21 garash të
zhvilluara,. Ai arriti të përsëriste suksesin e babait të tij, Keke Rosberg, i
cili triumfoi në kampionatin e vitit 1982.



Ndërkaq, kjo ishte gara e fundit e karrierës për Xhenson Baton dhe
Felipe Masa të cilët largohen nga Formula 1 pas një karriere të gjatë dhe të
suksesshme.