Frank Shkreli*: Vdekje fashizmit, rroftë fashistja!

586
Sigal

 

 

Historiani shqiptar Kastriot Dervishi ka
botuar ditët e fundit një dokument, sipas të cilit provohet se Nexhmie Hoxha, bashkëshortja
e diktatorit komunist shqiptar, Enver Hoxha, në rininë e saj, para se të behej
komuniste e devotshme, na paska qenë e regjistruar në Partinë Fashiste. Megjithëse
dokumenti konsiderohet origjinal, disa janë shprehur se Nexhmie Hoxha nuk ka
qenë fashiste, por vetëm e regjistruar në Rininë Fashiste. Ky pretendim është
sikur të thuash se “pionierët e Enverit” nuk ishin komunistë dhe nuk mbështetnin
regjimin e tij brutal. Dihet se organizata të tilla kishte nën fashizëm dhe nën
komunizëm. Më kujtohen zgjedhjet e para “pluraliste” të vitit 1991, kur isha në
Tiranë me delegacionin e parë të Departamentit të Shtetit për të hapur
ambasadën e parë amerikane atje dhe për të marrë pjesë si vrojtues në ato
zgjedhje. Kujtoj rastin kur për herë të parë, me të arritur në Tiranë, na ra në
dorë lista e partive të regjistruara që do të merrnin pjesë në zgjedhje, ku
përveç Partisë së Punës, Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane ishin të
renditura edhe Fronti Demokratik, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Partia
Agrare, Komiteti i Veteranëve dhe kandidatë të “pavarur”. Reagimi i parë i
kolegëve të mi amerikanë ishte pozitiv, se në sipërfaqe dukej si një garë
elektorale me të vërtetë pluraliste, por entuziazmi i tyre u shua shpejt kur u
thashë, se këto organizata ishin satelitë të Partisë së Punës dhe, se garonin
me të njëjtit kandidatë koalicioni të PPSH-së dhe, si të tilla, ishin krejtësisht
të varura nga PPSH-ja. Me këtë dua të them, se në këtë mënyrë vepronte edhe
fashizmi në rininë e Nexhmies, ndërsa krijonte organizata të ngjashme satelite
si këto të Partisë së Punës së Shqipërisë më vonë për t’u dukur më
“demokratike” dhe më “gjithëpërfshirëse”.
Nuk ka aq
shumë rëndësi nëse Nexhmie Hoxha e pranon vërtetësinë e dokumentit që provon anëtarësimin
e saj në Partinë Fashiste, ose jo. Është e natyrshme që ajo do të përgënjeshtrojë
një gjë të tillë. S’pret tjetër. Por ajo nuk mund të mohojë gjërat e
përbashkëta që, sipas studiuesve dhe historianëve perëndimorë, ekzistojnë midis
komunizmit dhe nazizmit.
Me Nexhmien
dhe me anëtarësimin e saj në Partinë Fashiste le të merren historianët, por
desha vetëm të vë në dukje atë që me qindra historianë dhe ekspertë
perëndimorë, të cilët me librat, me dokumentarët, me studime dhe analiza të
ndryshme kanë dokumentuar historikisht dhe shkencërisht, se këto dy regjime
ekstremisht brutale të shekullit të kaluar, kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe
si diktatura, pavarësisht se përpiqen të dallohen nga njëra tjetra, në të
vërtetë janë njësoj, sidomos për nga brutaliteti që kanë përdorur ndaj kundërshtarëve
të vet dhe të tjerëve. Prandaj nga ky këndvështrim nuk është vështirë të shihet
se
kalimi i Nexhmie Hoxhës nga Partia Fashiste në Partinë Komuniste, duhet
të ketë qenë një vendim jo vetëm oportunist, por edhe krejtësisht i natyrshëm për
të, kur të merren parasysh ngjashmëritë midis dy ideologjive totalitare,
komunizmit dhe fashizmit. Siç thashë më lartë, në botën perëndimore ka një
literaturë të pasur, librash, studimesh dhe analizash mbi baras-vlerat dhe ngjashmëritë
– si në teori ashtu edhe në praktikë — midis këtyre dy ideologjive radikale të
cilat gjatë shekullit të kaluar sollën pasoja të tmerrshme katastrofike për Evropën
dhe për mbarë botën, me pasoja të cilat shihen edhe sot e kësaj dite në shumë
vende ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë. Një ndër këto studime akademike
është edhe libri i botuar para dy tre vitesh nga Profesori i Shkencave Politike
të Universitetit Maryland këtu në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Tismeanu, me
titull, “Djalli në Histori – Komunizmi dhe Fashizmi”. Në këtë studim, Profesori
amerikan Tismeanu, me origjinë nga Rumania, krahason komunizmin me fashizmin,
si dy sisteme garuese me njëri tjetrin, por gjithashtu edhe si dy sisteme që
për nga zhvillimi dhe ushtrimi brutal i pushtetit, puqen në ideologjinë e tyre
të totalitarizmit djallëzor, në emër të parimit të një nënshtrimi të
përgjithshëm skllavërues të njeriut ndaj regjimit. Profesori Tismeanu krahason
ngjashmëritë midis këtyre dy sistemeve politike më të përgjakshme që ka njohur
historia. Në librin e tij, “Djalli në Histori”, Profesori i Universitetit
Maryland shqyrton, ndër të tjera, se si është e mundur që frymëzimet utopike që
u propaganduan nga regjimet komuniste dhe fashiste në Europë fillim shekullin e
kaluar për një revolucion botëror dhe rilindje kombëtare, të ktheheshin në
regjime vrasëse. Si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte? Si është e
mundur që dy sisteme, që në sipërfaqe dukeshin si krejtësisht ndryshe nga njëri
tjetri, të bënin krime të përmasave të tilla kundër njerëzimit, duke krijuar
Auschwitzin nazist dhe gulage komuniste anë e mbanë Europës. Libri në fjalë u
përgjigjet disa pyetjeve themelore mbi moralin dhe politikën, që do e s’do, janë
pyetje që rrjedhin nga krahasimi i ngjashmërive midis nazizmit dhe komunizmit,
dy sisteme që më në fund, nënvizon autori, dështuan mizorisht ekonomikisht dhe
politikisht, por që përfunduan në humbje të mëdha në jetë njerëzish të
pafajshëm. Një ndër shqetësimet e tij është përballimi ose mungesa e
përballimit me historinë. Profesori Tismeanu shkruan se është me rëndësi të
përballohemi me të kaluarën. Për tu marrë me të kaluarën, sado e vështirë të
jetë ajo, është një lloj terapie për individët dhe për shoqërinë, thotë ai. Tismeanu
thekson se nuk mund të ketë heshtje ose të ndërtohet një mur që të ndajë të
tashmen nga e kaluara e turbullt, në qoftë se një shoqëri është serioze dhe dëshiron
ta distancojë veten nga tmerret e nazizmit dhe të komunizmit.
Profesori
Tismeanu shkruan, se megjithëse regjimet totalitare të shekullit të kaluar
identifikohen me emrat e Leninit, Hitlerit, Stalinit dhe adhurueseve të tyre
komunistë anë e mbanë Evropës dhe ndonëse këta ishin të pa moral dhe vrasës
psikopatë, është e vështirë, thotë ai, të shpjegohet mbështetja ndaj këtyre
diktatorëve, të cilët konsideroheshin si perëndi nga turma të mëdha të
popullit. Është vështirë të shpjegohej, jo vetëm atëherë, por edhe sot,
përkrahja që vihet re nga një numër nostalgjikësh, sidomos ndaj komunizmit dhe
ndaj këtyre diktatorëve të mëdhenj dhe atyre më të vegjël, si Enver Hoxha dhe
Nexhmie Hoxha. Për të kuptuar barbarizmin e këtyre dy regjimeve – komunizmit
dhe nazizmit – profesori Tismeanu thotë, se është e nevojshme që sot të
përballemi me teoritë dhe praktikën e këtyre regjimeve si dhe me mendimet dhe
ideologjitë që frymëzuan një shkatërrim të tillë në masë, nga dy sisteme:
komunizmi dhe nazizmi, njëri i të majtës ekstreme dhe tjetri i të djathtës
ekstreme, por të cilët në fund të fundit, kanë aq shumë gjëra të përbashkëta
midis tyre. Prandaj, debati aktual nëse Nexhmie Hoxha ishte anëtare e Partisë
Fashiste, e Rinisë Fashiste apo e Partisë Komuniste, nuk ka asnjë rëndësi fare,
pasi këto sisteme nuk dallohen shumë nga njëri tjetri. Njëri sistem nuk ishte
më i mirë se tjetri, përkundrazi, ata puqen me njëri tjetrin për nga
brutaliteti dhe për nga krimet kundër njerëzimit. Shoqja Nexhmie duket, se e
paska ndjerë veten rehat si në njërën ashtu edhe në tjetrën. Më rëndësi ka
zhvillimi i një debati serioz, se si të shkëputet Shqipëria dhe shqiptarët
njëherë e mirë nga trashëgimia e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Nexhmie
Hoxhës. Kur do të marrë fund periudha e ashtuquajtur “post-komuniste”? Kur do
të ndahet kjo klasë politike, qeveritë dhe autoritetet post-komuniste shqiptare
të 25-viteve të fundit nga sjelljet autoritare të para-ardhësve të tyre
komunistë? Kur do të hapen dosjet, që e vërteta të dalë në dritë, që e bardha
të ndahet nga e zeza, më në fund. Njëri nga deputetët socialistë shqiptarë u
shpreh ditët e fundit, se anti-fashizmi është një vlerë perëndimore, gjë që
është e vërtetë. Por deputeti socialist dështoi të thoshte njëkohësisht, se
edhe anti-komunizmi është një vlerë perëndimore. Pa vlerat perëndimore
anti-komuniste dhe anti-fashiste dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara,
zor se ishte fituar lufta kundër fashizmit dhe komunizmit. Vlerat perëndimore
nuk mund të pretendohen duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë e regjimit
diktatorial komunist të Enver Hoxhës. Për hir të vlerave perëndimore, kemi
nevojë për pak më shumë dritë nga ajo periudhë e errët, ju lutem!