Frank Shkreli*: “Rrnoft Shqipnia edhe pa ne”

570
Sigal

 

 Shteti
shqiptar u kërkon falje 38 martirëve të Kishës Katolike

 

                                                   
                                                                 

Javën që kaloi në Presidenti i Republikës së Shqipërisë kryesoi një
ceremoni me rëndësi jashtëzakonisht të madhe për Shqipërinë dhe për kombin
shqiptar. Në të vërtetë u zhvillua një ceremoni me një domethënie historike, e
cila fatkeqësisht nuk tërhoqi vëmendjen e duhur dhe as debatin shoqëror dhe
mediatik që meritonte.  Ishte hera e parë
në këto 25 vjet të tranzicionit post komunist që një udhëheqës i lartë i
Shqipërisë, në këtë rast Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani kërkoi falje
dhe shprehi pendesë për krimet komuniste në atë vend.  Me rastin e dekorimit të 38 Martirëve të
Kishës Katolike, me urdhrin e lartë
të “Flamurit Kombëtar”,  Presidenti Nishani — në emër të shtetit që ai
kryeson —  siç u shpreh ai, përulësisht,
u kërkoi ndjesë gjatë ceremonisë solemne të dekorimit, 38-martirëve, të cilët
pak kohë më parë u lumnuan nga Papa Françesku.

 

                   

Megjithëse mungonte Kryeministri Rama, prania në këtë ceremoni e Kryetarit
të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, të Kryetarit të opozitës Lulzim Basha, deputetëve
të Kuvendit, përfaqësuesve të bashkësive fetare të vendit dhe familjarëve të 38
Martirëve e bëri këtë solemnitet një ngjarje të shënuar kombëtare, gjatë të
cilës u njohën dhe u kurorëzuan — publikisht — sakrificat dhe vuajtjet e
këtyre viktimave të komunizmit. Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit shqiptar,
Presidenti Nishani iu drejtua të pranishëmve, përfshirë edhe përfaqësues të
Trupit Diplomatik në Tiranë, me këto fjalë:  “Pranimi me përulësi i krimeve,  jo i gabimeve, siç mund t’i quajë ndokush me
dinakëri apo mendjelehtësi – dhe këtë e theksoj fort duke ju shikuar të
gjithëve në sy – të regjimit komunist, pendesa e vërtetë dhe kokulur, por mbi
të gjitha, kërkesa e sinqertë për falje, drejtuar para të gjithëve familjarëve
të viktimave të pafajshme për ato krime që janë kryer në ‘emër të popullit’ —
na ndihmon të gjithë si shoqëri shqiptare të shtrëngojmë radhët vëllazërisht e
të ecim përpara pa pasur kurrë më frikë nga fantazmat e së kaluarës së errët
diktatoriale.”  Presidenti Nishani
vazhdoi fjalën e tij, “Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit e ndiej të
domosdoshme, sepse në radhë të parë ma kërkon ndërgjegjja ime si qytetar, që me
shumë përulësi, t’u kërkoj një falje të sinqertë, në emër të shtetit që më ka
zgjedhur të shërbej e të jem me devotshmëri simboli i unitetit të popullit:
familjarëve dhe pasardhësve të viktimave të panumërta të diktaturës komuniste,
edhe atyre që ende nuk u janë gjetur as eshtrat”, u shpreh Presidenti Nishani.

 “T’i kërkoj falje edhe Kishës
Katolike shqiptare, por edhe kujtdo tjetër, që u prek deri në palcë nga djepi e
deri në varr, që u vra pafajësish, u përndoq deri në tri breza, u internua
padrejtësisht, që u dëmtua fizikisht, materialisht, por më tepër shpirtërisht,
që u cenua rëndë në dinjitetin e vet njerëzor dhe që u privua nga të drejtat
thelbësore dhe universale të njeriut, dhe që ndoshta vazhdon ende sot e kësaj
dite të vuajë pasojat e tmerrshme e gati-gati të pariparueshme të atyre krimeve
makabre, të cilave iu vesh përsipër padrejtësisht petku se po kryheshin në emër
të shtetit dhe të ashtuquajturës ‘luftë klasash!’, nënvijëzoi, ndër të tjera,
Kryetari i Shtetit shqiptar.

                         

”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përulësisht: Ndjesë! Ju
kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!” (Presidenti Bujar Nishani). Presidenti
Nishani foli gjithashtu edhe mbi rolin dhe kontributin e Kishës Katolike dhe
klerit të saj në historinë, gjuhën dhe kulturën e kombit shqiptar, gjatë
shekujve.  Në historisë shekullore të
shqiptarëve, këta klerikë martirë dhe të tjerë si këta para tyre, kanë qenë
interpretuesit dhe bartësit më të shquar të aspiratave arbërore, të vlerave
stërgjyshore dhe të ndjenjave më të thella të kombit shqiptar.  Këtë pohim, Zoti Nishani ua kujtoi edhe pjesëmarrësve
në ceremoninë e dekorimit të këtyre martirëve, ndërsa theksoi se,  “Kisha Katolike dhe klerikët e saj të
rrënjosur në këtë tokë prej dhjetëra shekujsh janë kudo në indet e këtij kombi
qysh në ngjizjen e tij. Historia e këtij institucioni milenar në Shqipëri është
sa histori ngadhënjimi, po aq edhe martirizimi, sa histori besimi, po aq edhe
patriotizmi, sa histori fetare, aq edhe kulture, sa histori meshe, po aq edhe
histori shkrimi, sa histori katolicizmi ,  aq edhe harmonie e bashkëjetese, sa histori
shqiptare, po aq edhe evropiane e universale.  Ajo është një trashëgimi e lavdishme e
Shqipërisë, një realitet i vyer i saj”, u tha të pranishmëve Z. Nishani. Dinjiteti
kishtar dhe kombëtar i këtyre martirëve gjatë torturave dhe deri në ditën e
vdekjes — në kombinim me kontributin e tyre ndaj historisë dhe kulturës
shqiptare  që prej kohës së Gjergj
Kastriotit Skënderbe, e deri në ditët e sotme — u jep këtyre heronjve një
pamje madhështore qëndrese dhe trimërie, në radhët e përfaqësuesve më të mirë
të kombit shqiptar.  Në lidhje me këtë, në
përfundim të fjalës së tij me këtë rast, Presidenti i Republikës së Shqipërisë,
Z. Bujar Nishani  u shpreh:                                                                                                                                                                                                                                                                                                   “Nga
Pal Engjëlli i Skënderbeut deri tek Hirësia e Tij Kardinal Ernest Troshani,
lista është e gjatë, e gdhendur librave, kuvendeve, betejave për pavarësi dhe
shtet formim, hetuesive, gjyqeve dhe plojës së Komunizmit, por mbi të gjitha,
në vetë kujtesën e kombit mbi të cilën mbahet thagma shqiptare. E thënë me
fjalët e Atë Gjergj Fishtës, ajo rri si përmendore që nuk e dërrmon as rrufeja
e as moti. Tridhjetë e tetë martirëve të kësaj liste, të cilët gjithë jetën
kishin jetuar dhe ushtruar vokacionin e tyre brenda formulës së shenjtë, ‘Atdhe
e fe’, teksa ndaheshin nga jeta tokësore pyesnin, “Çfarë duhej të bënim më
tepër për të qenë shqiptarë?!
”   Pasi
kishin qëndruar heroikisht përballë torturave dhe vendimit që i dënonte me
vdekje, iknin këso bote në sintoni me mësimet e shenjta duke falur ekzekutorët
e tyre, duke lënë mbi dhé amanetin e fundit,  “Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne!”.

 

 

                  

Kjo ceremoni javën e kaluar, e organizuar nga Presidenca, nuk ishte e
zakonshme si ceremonitë e tjera që Presidenti i Republikës organizon, nga koha
në kohë, me rastin e shpërndarjes së dekorimeve të ndryshme individëve dhe
grupeve të dalluara.   Kjo ishte një
ngjarje madhështore, jo vetëm për faktin se Presidenti Nishani dekoroi me më të
lartin Urdhër Shtetëror — atë të Flamurit Kombëtar — 38 klerikët martirë.  Kjo ceremoni mori përmasa të jashtëzakonshme
sepse për herë të parë në këto 25 vjet post-komunizëm, një udhëheqës i lartë i
Shqipërisë — në personin e Presidentit të Republikës –  në emër të shtetit shqiptar, kërkon falje e
ndjesë dhe u shpreh pendesë këtyre dhe viktimave të tjera të komunizmit në
Shqipëri.  Fjalimi i Presidentit Nishani
me këtë rast, mund të thuhet se është një prej fjalimeve më me rëndësi në këto
25 vite post-komunizëm në Shqipëri, jo vetëm për nga përmbajtja, por më tepër
për nga simbolika që mbartë dhe për nga mesazhi që përcjellë autoriteti më i
lartë i shtetit shqiptar. Progresi i një vendi nuk matet vetëm me ndërtimin e
pallateve me para burimesh të dyshimta ose me ndërtimin e rrugëve e të
fabrikave.  Këto “përparime” mund t’i
pretendonin edhe regjimet komuniste, fashiste e naziste.  Si rrjedhim,  institucionet shtetërore nuk duhet të shikohen
vetëm si entitete abstrakte dhe burokratike që vetëm përpiqen të zbatojnë
ligjet dhe rregullat procedurale të një shteti. 
Përfaqësuesit e enteve shtetërore dhe qeveritare, si kryeministri dhe
presidenti i një vendi post-komunist si Shqipëria, duhet që njëkohësisht të mobilizojnë
edhe vlerat morale, gjykimet dhe emocionet — me fjalë të tjera, ata duhet të
pasqyrojnë edhe forcën morale mbi të cilin mbështeten përpjekjet për krijimin e
një shoqërie me vlera me të vërtetë demokratike, ku mbi të gjitha, jeta dhe të
drejtat bazë të individit, duhet të jenë të mbrojtura nga shteti dhe jo të abuzohet.
Njëri nga ekspertët amerikanë të historisë së komunizmit, emri i të cilit nuk
më kujtohet tani për tani, ka thënë se në qoftë se nuk mund t’i dallojmë të
mirat nga të këqijat midis komunizmit dhe anti-komunizmit — që mund të thuhet
se përbënin luftën më të madhe morale të shekullit XX — atëherë është tepër e
vështirë ta marrim me mend se mbi cilat çështje mund të bisedohet në mënyrë,
racionale, inteligjente, me arsye dhe transparencë, madje edhe 25 vjet pas
shembjes së komunizmit.  Nuk jam i sigurt
nëse shoqëria e gjerë shqiptare, madje edhe nivelet e larta qeveritare, i kanë
pranuar përgjegjësitë dhe moralin shoqëror, si standard të pranueshëm sjelljesh
në përgjithësi, veçanërisht për sa i përket të kaluarës komuniste dhe krimeve
ndaj viktimave të regjimit komunist në Shqipëri.    Por deklarata e Presidentit të Republikës së
Shqipërisë, Z. Bujar Nishani, drejtuar 38-martirëve të Kishës Katolike
Shqiptare se, ”Shteti shqiptar sot, ju kërkon sinqerisht dhe përulësisht:
Ndjesë! Ju kërkon falje dhe ju shpreh pendesë!”, është hapi i parë tepër i
nevojshëm, ndonëse i vonuar në nivel shtetëror dhe qeveritar — siç ka thënë
edhe vet presidenti – për të ndarë të mirën nga e keqja, faktet nga trillimet,
kriminelët nga të pafajshmit si dhe mitet nga realiteti historik. Me këtë
veprim, Presidenti Bujar Nishani ka hedhur një hap tjetër përpara, drejt një
Shqipërie me standarde morale — duke ndarë të mirën nga e keqja– dhe duke i
dhënë një hov përpara pajtimit kombëtar dhe shërimit të plagëve, për të cilat Shqipëria dhe kombi
shqiptar kanë aq shumë nevojë.