Imzot George Frendo emërohet Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Tiranë-Durrës

669
Sigal

Imzot George Frendo, i cili deri tani ka qenë Administratori dioqezan i Selisë së Tiranë-Durrësit, pason në këtë detyrë imzot Rrok Mirditën i cili u nda nga jeta një vit më parë.

Emërimi i ri është bërë sot nga Shenjtëria e Tij Papa Françesku.

Lajmi u dha sot në orën 12.00 në Katedralen e Shën Palit në Tiranë në praninë e meshtarëve, motrave dhe besimtarëve katolikë që gjendeshin në Katedrale. Njëkohësisht lajmi është bërë i ditur edhe nga Salla e Shtypit e Vatikanit dhe nga Gazeta Zyrtare e Vatikanit Osservattore Romano.

Imzot George Frendo ka shërbyer prej shumë vitesh në Shqipëri. Ka pasur një zell dhe pasion baritor për vendin tonë dhe popullin tonë të tillë që është bërë shpesh pikë referimi për të varfërit dhe për ata që kishin nevojë qoftë si famullitar në Durrës e më pas si Ipeshkëv Ndihmës dhe famullitar i Katedrales së shën Palit në Tiranë.

Me një përgatitje teologjike dhe juridike të fortë, Imzot Frendo ka mbuluar detyra të rëndësishme në Dioqezën e Tiranë-Durrësit, por edhe në brendësi të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë. Njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, ka qenë ndër kujdesuesit dhe përthyesit e disa teksteve liturgjikë në gjuhën shqipe e në mënyrë të veçantë i mesharit të ri shqip.

Caktimi i Imzot Frendos si Arqipeshkëv është edhe një shenjë e dashurisë së Papës Françesku për Shqipërinë të cilën e ka treguar në shumë raste, qysh me vizitën e tij në shtator 2014, me firmosjen e dekretit të Lumninit të 38 martirëve dhe me emërimin e Dom Ernest Troshanit Kardinal.

E tani, pikërisht në mbyllje të vitit të Jashtëzakonshëm Jubilar të Mëshirës, Papa i dhuron dioqezës tonë një bari që do ta udhëheqë në vitet e ardhshme.

Dioqeza e Tiranë – Durrësit shpreh gëzimin e saj dhe bindjen se Arqipeshkëvi i ri do të jetë një bari i mirë për dioqezën tonë dhe një udhëheqës që do të dijë të dialogojë me botën dhe sidomos me konfesionet e tjera të krishtera e me religjionet e tjera të pranishme në Shqipëri.

Nesër me datë 18 nëntor 2016 në orën 12.00 Arqipeshkëvi i ri i emëruar do të ketë një takim me mediat në Selinë e Arqipeshkëvisë së Tiranë-Durrësit.