Frank Shkreli*: Njoftim shumë me vend nga Arkipeshkvia Tiranë-Durrës

590
Sigal

   

                                 

Çdo
vit gjatë 25-viteve të fundit për Krishtlindje, për Pashkë dhe për Bajram, si
në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, politikanët në detyrë dhe ata në rezervë
rreshtohen para qendrave fetare për t’u takuar me udhëheqësit fetarë shqiptarë
me qellim për t’u uruar festat.  Ishte
kjo një pamje e përvjetshme që nuk e kuptoja, madje kishte raste që asnjëra
palë nuk dukeshin shumë të kënaqura nga ato takime. Ndoshta edhe dukej më shumë
si një detyrë që duhej bërë.  Ndoshta
është influenca e jetës këtu në Shtetet e Bashkuara, ku një paradë si kjo nuk
ndodh në raste të tilla.  Ajo që ndodh
këtu në Amerikë është, se politikanët në nivel kombëtar, shtetëror dhe vendor,
i kujtojnë këto festa, por krejt ndryshe: jo duke u takuar me udhëheqësit
fetarë, por duke marrë pjesë në shërbime të ndryshme që organizohen për të
ndihmuar të varfrit nëpër të ashtuquajturat “kuzhina supe” dhe duke shpërndarë
dhurata për nevojtarët, përveç aktiviteteve të tjera që organizohen nga qendra
të ndryshme fetare dhe nga organizata jo-qeveritare, të cilat kujdesjen për të varfrit
e shoqërisë. Por sot e kësaj dite, kur i shikoj vizitat e politikanëve
shqiptarë me udhëheqësit fetarë në televizion ose lexoj për to në media të
ndryshme shqiptare me rastin e festave fetare, e rrah mendjen dhe pyes veten,
për çka, çfarë qëllimi kanë këto vizita të udhëheqësve politikë, të cilët mund
të besojnë ose jo në Perëndinë, sipas fesë së tyre? Por kjo nuk ka rëndësi,
pasi sot për të besuar ose jo është e drejta e të gjithëve!  Deri më sot nuk kam mundur t’i justifikoj këto
vizita për veten, por as për nga këndvështrimi i politikanëve dhe as nga pikëpamja
e udhëheqësve fetarë, se çfarë qëllimi ose përfitimi kishin ata nga këto takime,
përveç një mundësie ndoshta që politikanët të dalin në televizion duke
shtrënguar duart me udhëheqësit fetarë, një herë ose dy herë në vit.  Por duket se shqetësimit tim për këtë fenomen
të klasës politike shqiptare po i vjen fundi. 
Më duket se nuk do ta rrah më mendjen time të vogël, se pse e tek kanë
ndodhur këto vizita të politikanëve shqiptarë me rastin e festave fetare gjatë
25-viteve të fundit, sepse po i vjen fundi kësaj “tradite”, të pakën për sa i
përket Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës.  Nëpërmjet një njoftimi për shtypin në portalin
peregrinus.alb, zëdhënësi i
Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Dom Gjergj Meta thotë, se këtë vit
nuk do të ketë takime të udhëheqësve fetarë me politikanët.  Dom Gjergji në njoftimin e tij shkruan: “Festat e fund vitit janë gjithmonë një motiv
gëzimi për ne të gjithë.  Për ne të krishterët,
Krishtlindja është festa në të cilën ne kremtojmë hyrjen e Krishtit në
historinë e jetës njerëzore me brishtësinë e një fëmije. Në këtë kuptim,
Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve
dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë.” Zëdhënësi i Kishës
Katolike Shqiptare, Dom Gjergj Meta, thekson në njoftimin e tij për median, të
datës 15 dhjetor se, “Është ky
motivi pse Arkidioqeza ka vendosur që në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të
pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të
organizojë një drekë për të varfrit, në ambientet e Arkipeshkvisë
Tiranë-Durrës.  Kjo do të thotë”, thekson
Dom Meta në njoftimin e tij, “që këtë vit
nuk do të ketë pritje zyrtare si çdo vit tjetër, ditën e Krishtlindjes”
duke u shprehur se shpreson në mirëkuptimin e të gjithëve për këtë vendim.
Vendim shumë me vend, në mendimin tim.
Fetë
kryesore ndër shqiptarët e kanë në besimin e tyre si thelb kryesorë dashurinë
për njeri tjetrin dhe ndihmën për të varfrit. 
Le të shërbejë pra ky fund viti, por edhe tani e tutje — që politikanët
shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë — në vend të vizitave zyrtare me
përfaqësuesit e lartë të feve kryesore të shqiptarëve, që me rastin e festave
fetare të mirëpresin sugjerimin e Arkipeshkvisë Metroplitane Tiranë – Durrës.   Ashtu që të tregojnë me shembull  dashurinë dhe respektin për më të varfrit e
shoqërisë duke përveshur mëngët dhe duke veshur një përparëse të bardhë, të
shkojnë e të kalojnë për disa orë me më të varfrit në ambientet e Katedrales
Shën Pali, ose kudo tjetër, këtë fund viti, në vend të vizitave me udhëheqësit
e komuniteteve fetare.  Kjo është edhe
një mundësi shumë e mire për të parë nga afër realitetin e jetës së tyre të
përditshme dhe të familjeve të tyre. Fetë na mësojnë gjithashtu, se përveç kujdesit
dhe ndihmave që duhet t’u ofrojmë “të
varfërve më të varfër”, siç i ka cilësuar Shën Nëna Terezë dhe më të
nevojshëmve midis nesh, jo vetëm gjatë festave por gjatë gjithë vitit — ndoshta urdhri më domethënës i Perëndisë
është të duam njëri tjetrin.  Por në qoftë
se është vështirë të duam njëri tjetrin, ashtu siç na mësojnë fetë tona,
atëherë të gjithë ne, përfshirë politikanët — e sidomos politikanët
— të tregojnë më shumë respekt për njëri tjetrin në komunikimet e përditshme
dhe të jenë më të njerëzishëm dhe më të kuptueshëm ndaj nevojave të
bashkatdhetarëve të vet, të cilët ndoshta fati dhe rrethanat nuk u kanë dhënë
të njëjtat mundësi, bekime dhe pasuri që gëzojnë vetë politikanët dhe mbështetësit
e tyre biznesmenë.  Kjo është mënyra më e
mirë për të kujtuar rëndësinë dhe mesazhet e fesë për çdo shoqëri – në rast
festash dhe përherë –dhe jo takimet artificiale “zyrtare” midis udhëheqësve
politikë dhe fetarë.  Madje, sa më pak
kontakte zyrtare midis përfaqësuesve të feve dhe politikës, aq më mirë – jo
vetëm në raste festash por gjithmonë!