Frank Shkreli: NATO – Trump dhe marrëdhëniet trans – atlantike

548
Sigal

 

Aleanca e Atlantikut Verior, NATO
njoftoi të premten se Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate, Jens
Stoltenberg komunikoi me telefon me Presidentin e zgjedhur amerikan, Donald
Trump.  Në njoftim thuhet, se Sekretari i
Përgjithshëm i NATO-s e uroi Zotin Trump për fitoren dhe se pret me padurim që
të punojë me “të dhe me grupin e tij të sigurimit kombëtar”.

Në njoftimin e Aleancës
Perëndimore thuhet gjithashtu se zotërinjtë Trump dhe Stoltenberg theksuan
rëndësinë e vazhdueshme të NATO-s dhe biseduan mbi mënyrat se si organizata
NATO po i adaptohet atmosferës së re të sigurisë, përfshirë edhe masat kundër
terrorizmit.  Njoftohet se në bisedën
telefonike me presidentin e zgjedhur amerikan, Sekretari i Përgjithshëm i
NATO-s, falënderoi Z. Trump për ngritjen, gjatë fushatës elektorale, të
çështjes së shpenzimeve më të barabarta nga vendet anëtare të NATO-s, çështje kjo
që sipas njoftimit, ka qenë një ndër prioritetet më me rëndësi të mandatit të
Z. Stoltenberg.    Dy udhëheqësit e lartë ranë dakort se është
shënuar përparim në këtë fushë por mbetet ende shumë për t’u bërë, thuhet në
njoftimin e NATO-s, mbi bisedën telefonike Trump-Stoltenberg të javës që kaloi.

Gjithashtu të premten e kaluar, shefi i NATO-s
Stoltenberg, në konferencën e organizuar nga Fondi Gjerman Marshall i Shteteve
të Bashkuara në Bruksel, foli për këtë çështje si dhe për sigurinë
transatlantike, mbrojtjen europiane dhe për bashkëpunimin midis NATO-s dhe
Bashkimit Evropian, marrëdhënie këto që ai i cilësoi si lidhje të forta
transatlantike, në kohë të pasigurta.  Ai
e filloi fjalimin e tij duke deklaruar se “Evropa ka nevojë për Amerikën dhe
Amerika ka nevojë për Evropën”.  Fjala e
Shefit të NATO-s Stoltenberg në Bruksel javën që kaloi ishte një deklaratë e
fuqishme për lidhjet e forta historike dhe të marrëdhënieve aktuale politike
dhe ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, për të gjithë ata që
mund të dëshirojnë ftohjen e këtyre marrëdhënieve.

Udhëheqësi i NATO-s u tha të pranishëmve se, “Dy Luftërat Botërore dhe Lufta e Ftohtë na
kanë mësuar se sigurimi i Evropës varet nga Shtetet e Bashkuara dhe se si
rrjedhim edhe Shtetet e Bashkuara kanë një interes të madh strategjik, në një Evropë
të sigurt
.”   Sekretari i
Përgjithshëm i NATO-s vazhdoi duke thënë, se Shtetet e Bashkuara edhe sot e kësaj
dite  demonstrojnë angazhimin e tyre të
thellë ndaj sigurisë në Evropë, por në të njëjtën kohë, theksoi ai, edhe vendet
evropiane u janë gjendur  pranë
amerikanëve në kohë të vështira dhe kur e ka kërkuar nevoja, duke përmendur
sulmet terroriste të 11 shtatorit në New York. 
Ç’prej themelimit të NATO-s në
vitin 1949, Amerika nuk ka pasur ortak më të besueshëm dhe
më të vendosur se Evropën”, theksoi shefi i
Aleancës së Atlantikut Verior. Evropa, është miku më i ngushtë i Amerikës, nënvijëzoi
shefi i NATO-s.  Përveç lidhjeve
politiko-ushtarake, Stoltenberg tha se Evropa dhe Shtetet e Bashkuara gëzojnë
lidhje të ngushta ekonomike dhe tregtare. 
“Një Europë më e fuqishme, më e
fortë dhe më e begatë, do të thotë gjithashtu edhe një Amerikë më e fuqishme,
më e sigurt dhe më e begatë”,
tha ai. Stoltenberg u përpoq të përqendronte
vëmendjen e të pranishëmve se, “Ky është
mësimi që na ofron historia e shekullit të 20-të dhe këtë nuk duhet ta harrojmë
kurrë, veçanërisht në kohë të pasigurta, si sot
”, nënvijëzoi ai në fjalën e
tij në konferencën e Fondit Gjerman Marshall të 
Shteteve të Bashkuara mbajtur në Bruksel të premten që kaloi.

Shefi i NATO-s përmendi, si çështje që e bëjnë botën
e sotme të pasigurt: në rend të parë shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga ana e
Rusisë, trazirat dhe luftërat në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore, kriza
e refugjatëve, terrorizmi ndërkombëtar dhe sulmet kibernetike, ndër të tjera.  Këto janë sfida urgjente të cilat kërkojnë
bashkim dhe vendosmëri, por edhe lidhje të forta transatlantike.  Ai tha se, “Ne evropianët jemi të vetëdijshëm se duhet të bëjmë më shumë në fushën
e mbrojtjes dhe të sigurisë dhe se një pjesë e rëndësishme e këtij objektivi
është bashkëpunimi më i ngushtë midis NATO-s dhe Bashkimit Evropian
”, dhe
jo krijimi i një force të re ushtarake evropiane, e cila po diskutohet tani në
disa qarqe të Evropës.  Z. Stoltendberg,
tha në lidhje me këtë, se në bisedimet që ka pasur me ministrat e mbrojtjes të
Bashkimit Evropian në Bratislavë dhe Bruksel, ata nuk kanë në plan të krijojnë
një ushtri evropiane ose themelimin e një kryeqendre ushtarake si ajo e
NATO-s.  Por sidoqoftë, në fjalimin e tij
në Bruksel, Z. Stoltenberg paralajmëroi, se në këto diskutime duhet të ketë
transparencë dhe pjesëmarrjen e plotë të vendeve që janë anëtare të NATO-s por
jo anëtare të Bashkimit Evropian, siç janë Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja në
perëndim, Islanda dhe Norvegjia në veri dhe Turqia e Shqipëria në jug-lindje –
vende, të cilat së bashku me vendet e Bashkimit Evropian, janë jetike për
sigurinë në kontinentin evropian dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla, ka thënë
Shefi i Aleancës së NATO-s.
  Thjeshtë,
Shtetet anëtare të NATO-s dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk mund të
përballojnë, shtoi Z. Stoltenberg, shpenzimet e pasjes së dy forcave të
armatosura: NATO dhe forca evropiane.

Siç duket, në reagim të shqetësimeve që disa kanë venë
në dukje, sidomos në Evropë, por edhe këtu në Shtetet e Bashkuara, në lidhje me
thirrjet e kandidatit Trump gjatë fushatës, që vendet anëtare të NATO-s të
shpenzojnë më shumë për mbrojtjen e përbashkët, Z. Stoltenberg u shpreh se kjo
nuk është as e re dhe as një gjë sekrete.  Z. Trump, tha ai, nuk është i vetmi që ka bërë
thirrje për shpenzime më të mëdha ushtarake nga evropianët, për mbrojtjen e
përbashkët.   Këtë kërkesë, shtoi ai, e kemi dëgjuar shpesh
edhe nga një numër udhëheqësish të tjerë amerikanë dhe anëtarë të Kongresit.  Në lidhje me këtë, Shefi i NATO-s tha se
përveç Shteteve të Bashkuara, vetëm katër vende të tjera të NATO-s shpenzojnë
2% të buxhetit për mbrojtje, ashtu siç parashikohet nga rregulloret e NATO-s.   Në qoftë se të gjitha vendet aleate të NATO-s
do të shpenzonin 2 për qindëshin detyrues për mbrojtje, kjo do të thotë një
buxhet prej 100-miliardë dollarësh ekstra për forcimin e aleancës ushtarake
perëndimore, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg.

Përballë kësaj shifre, duhet të kuptohet edhe
shqetësimi që ka shprehur presidenti i zgjedhur amerikan, Z. Trump si dhe
zyrtarë të tjerë të lartë amerikanë para tij, në lidhje me kontributin që
vendet anëtare të NATO-s duhet të japin për mbrojtjen e përbashkët.  Në këtë frymë duhet të kuptohet edhe shqetësimi
i Z. Trump dhe i shumë amerikanëve në lidhje me kontributet e detyrueshme që
kanë marrë përsipër anëtarët e NATO-s për mbrojtjen e përbashkët.

Në fjalimin që mbajti natën e zgjedhjeve, duke iu
drejtuar komunitetit ndërkombëtar, Presidenti i zgjedhur Donald Trump u shpreh
se për të interesi i Amerikës është në rend të parë — për ta bërë Amerikën të
fortë brenda dhe jashtë vendit – por njëkohësisht u angazhua se do të punojë
ndershmërisht dhe me pa-anshmëri me të gjithë popujt dhe me të gjitha kombet.  “Ne kërkojmë të punojmë me të gjithë, bazuar
në gjërat që na bashkojnë dhe jo bazuar në armiqësi – duam të veprojmë në
partneritet dhe jo në konflikt me vendet e tjera”.

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës së NATO-s, Z
Jens Stoltenberg në fjalimin e tij të premten që kaloi në Bruksel theksoi se në
“Këto kohëra të pasigurta kemi nevojë për udhëheqjen e fortë amerikane, por mbi
të gjitha duhet të njohim vlerat e partneritetit midis Europës dhe Amerikës”.  Presidenti i zgjedhur Donald Trump është
angazhuar se administrata e tij e ardhshme do të punojë në partneritet me të
gjitha vendet, përfshirë Evropën, dhe jo në konflikt me botën. Donald Trump i
ka të metat e veta, disa prej të cilave do të vihen në dukje edhe gjatë
mandatit të tij si president, siç ka qenë rasti edhe me presidentë të tjerë të
Amerikës. 

Por dashakeqësit e Z. Donald Trump të cilët e kanë
shpallur atë si të rrezikshëm për Amerikën dhe për botën – madje edhe pa
filluar ende nga detyra – bëjnë mirë të ndjekin këshillën e njërit prej kritikëve
më të fortë të Z. Trump — Presidentit të tanishëm të Amerikës, Z. Barak Obama,
i cili gjatë vizitës së tij në Europë javën që kaloi – ndërkohë që i siguroi
aleatët se Z. Trump do të mbështesë angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj
NATO-s – Z. Obama, njëkohësisht
  i këshilloi kritikët evropianë të
presidentit të ardhshëm amerikan, Z. Trump: “Mos
u nxitoni të dilni në përfundime. Bëni pak durim!”
.  Dhe në një takim me udhëheqësit
latino-amerikanë në Lima të Perusë në fund të javës, Presidenti Obama përsëriti
të njëjtën këshillë, “Mos mendoni që në
fillim më të keqen. Pritni derisa administrata e re të zërë vendin e të fillojë
nga detyra dhe të parashtrojë politikat e saja, pastaj të nxirrni përfundimet e
tuaja
”.

Këshillë e mirë kjo nga Presidenti Obama për të
gjithë ata udhëheqës, të cilët  jo vetëm
dëshirojnë marrëdhënie të ngushta transatlantike ushtarako- ekonomike midis
Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, por edhe për ata udhëheqës që duhet të  punojnë për marrëdhënie miqësore e të ngushta
midis vendeve të tyre individuale dhe Shteteve të Bashkuara, pa marrë parasysh
se cili president ose cila parti politike amerikane udhëheq vendin.