Frank SHKRELI/ “Le të ushtojë kambana e lirisë!”

647
Sigal

50-VJET NGA FJALIMI HISTORIK I MARTIN L. KING

Ishte muaji gusht i vitit 1963.  Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, lëvizja për të drejtat civile e udhëhequr nga prifti protestant, i përndershmi Martin Luther King, kishte arritur kulmin.  Ajo ishte një lëvizje, misioni i së cilës ishte për të siguruar të drejta të barabarta për shtetasit zezakë afrikano-amerikanë  dhe kundër diskriminimit të tyre në aktivitetet e jetës së përditshme në këtë vend.  Ishte në përpjekje e Martin Luther Kingut, si udhëheqësi kryesor i kësaj lëvizjeje që t’i siguronte popullit të vet të pakën mundësinë për të marrë pjesë në të ashtuquajturën  “ëndrrën amerikane.”

Qendra Martin L. King në qytetin Atlanta të shtetit Xhorxhia, në një njoftim për mediat në lidhje me këtë përvjetor,  shpalosi planet për festimin prej dhjetë ditësh të këtij përvjetori, njëkohësisht u bën thirrje komuniteteve në Amerikë dhe anë e mbanë botës që të marrin  pjesë në përkujtimin e këtij përvjetori duke u rënë kambanave, (me 28 gusht, në ora 3:00 pas dreke, sipas orës së Uashingtonit), në kujtim të njërit prej fjalimeve më historikë të shekullit të kaluar, fjalim ky që ndryshoi  përgjithmonë Amerikën dhe pati jehonë anë e mbanë botës.

Vajza e Martin L. King-ut,  Bernice King u bëri thirrje komuniteteve të ndryshme anë e mbanë botës që të adaptojnë programe përkujtimore, që sipas saj, “të bashkojnë njerëzit me pikëpamje të ndryshme politike dhe kulturore, ashtuqë të festojmë humanizmin e përbashkët në mënyra krijuese dhe shpresëdhënëse, në frymën e “ëndrrës” së Martin Luther King-ut.

Fjalimi u mbajt në datën 28 gusht, 1963 në përmbyllje të të ashtuquajturit , “Marshimi në Uashington”,  ku morën pjesë mbi 250-mijë marshues, përfaqësues të të gjitha racave, para monumentit të presidentit Abraham Linkolnit në Uashington.   Marshimi ishte pa dyshim demonstrata më me rëndësi në historinë e lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, dhe fjalimi i Martin Luther Kingut ishte kulmi i atij marshimi.  Thirrja e marshuesve ishte “për punë e për liri” dhe për të drejta të barabarta, por ishte toni i shpresës në fjalimin e Martin L. King-ut ai që, sipas historianëve, e dallon atë fjalim klasik dhe për këtë ai mbahet mend dhe kujtohet.

Sipas historianëve dhe bashkwpuntorwve të ngushtë të tij, Martin Luther Kingu e kishte përgatitur më përpara fjalimin për këtë rast të rëndësishëm, megjithëse ai rrallë herë, sipas tyre, i shkruante fjalimet dhe predikimet e tija, por fliste gjithmonë pa letër.  Por pjesën më të rëndwsishme, për të cilën ky fjalim mbet në histori, ai nuk e kishte të shkruar.  Atje nga fundi i fjalimit, thuhet se ai largon mënjanë fjalimin e shkruar dhe i drejtohet turmës me këto fjalë:

“Unë u them ju sot miq të mi se ndonëse përballemi me vështirësitë e mëdha të sodit dhe të nesërmes  – unë gjithnjë ëndërroj.  Është kjo një ëndërr që i ka rrënjët e saja thellë në ëndrrën amerikane. Është një ëndërr, se një ditë ky komb do të zgjohet dhe do të  jetojë sipas, nenit themelor të kushtetutës, se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë dhe dëshmi se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta”.

Atëherë  sikur deshti që përsëri  të theksonte ‘ëndrrën’’ e tij përtej drejtësisë dhe barazisë midis racave, ai foli për një të ardhme që tejkalonte edhe ndryshimet raciale, duke thënë se, “Ëndërrojë se një ditë në kodrat dhe logjet e shtetit Xhorxhia, bijtë dhe bijat e ish-skllevërve dhe bijtë e bijat e ish-skllavopronarëve do të kenë mundësinë të ulen së bashku në të njëjtën sofër të vëllazërimit….Ëndërroj se një ditë, katër fëmijët e mi do të jetojnë në një vend, ku ata nuk do të gjykohen për nga ngjyra e lëkurës së tyre, por për nga karakteri i tyre”.

 Ishte shpresa biblike e Martin Luter Kingut 50-vjet më parë, që pothuaj askush nuk e parashikonte atë ditë të nxehtë të gushtit, të vitit 1963.  Ishte e vështirë të parashikohej  50-vjet më parë – ndoshta edhe për vet Martin Luter Kingun- se, sot në 50-vjetorin e këtij fjalimi historik,  do të ishte një President i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, ai i cili do të kryesojë festimet me rastin e këtij përvjetori, ku sipas organizatorëve, do të fillojnë në Atlanta dhe do të vazhdojnë në Uashington për gjithsej 8 ditë dhe ku pritet të marrin pjesë me qindra mijëra veta nga Amerika  dhe qindra mijëra të tjerë anë e mbanë botës.  Përfshirë ish-presidentë, kongresmenë e senatorë dhe zyrtarë të qeverisë federale,  si edhe përfaqësues të lartë ndërkombëtarë dhe të organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare.

Më 28 gusht, ditën aktuale të 50-vjetorit të mbajtjes së fjalimit historik, do mbahet një shërbim ndër-fetar në Uashington para ceremonive dhe para se  Presidenti Barak Obama të mbajë fjalimin e rastit,  në shkallët para monumentit të Abraham Linkolnit, ekzaktësisht aty ku 50-vjet më parë mbajti fjalimin e tij i Përndershmi Martin Luter King, duke i deklaruar kombit dhe botës, se” “Ëndërroj se do vijë dita kur të gjithë bijtë dhe bijat e Perëndisë, të bardhë e zezakë, hebrenj dhe të tjerë, përfshirë katolikët dhe protestantë do të bashkohemi dhe dora- dorës të këndojmë së bashku se më në fund jemi të lirë, jemi të lirë më në fund – dhe falënderojmë të Madhin Zot, se më në fund me të vërtetë jemi të lirë”.

Për lexuesit anglisht-folës do të rekomandoja që po të kenë mundësi të dëgjojnë këtë fjalim në youtube. Është 17-18 minuta i gjatë por është me të vërtetë një fjalim klasik për nga përmbajtja po se po, por edhe për nga mënyra e të shprehurit të këtij oratori të madh.  Është një fjalim plot pasion që të frymëzon për të mbrojtur drejtësinë, është si një gjëmim kundër padrejtësisë, por është njëkohësisht  edhe një fjalim shprese për një ditë më të mirë për të gjithë  bijtë dhe bijat e Perëndisë.  Është kjo një thirrje nga një gjuhë biblike që mundë të keqen me të mirën, nga goja e një predikatori Baptist protestant, por edhe një udhëheqësi moral kombëtar, i cili tani me të drejtë e ka monumentin e tij ballw për ballw me monumentet e themeluesve dhe baballarëve të kombit amerikan, në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Uashington, në mirënjohje të kontributeve të tij ndaj këtij kombi dhe mbarë njerëzimit.