Frank Shkreli: Komunizmi si Fashizmi – Pushtimi i Ukrainës rezultat i mosndëshkimit të krimeve të komunizmit

337
Sigal

Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë

Në një deklaratë të entit të Bashkimit Evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane”, (PKNE) me qendër në Pragë, dënohet ashpër agresioni barbar i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Agresioni rus, “Është një krim kundër paqës”, thuhet në atë deklaratë.  Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, që merret me krimet e regjimeve totalitare, ka shprehur solidaritetin e saj me popullin ukrainas, në mbrojtje të vendit të tyre. “Ne dënojmë krimet dhe barbarizmat e luftës për të cilat përgjegjësia e vetme bie mbi Kremlinin dhe mbi Vladimir Putinin, personalisht. Ne besojmë dhe jemi të bindur se është i nevojshëm themelimi i një tribunali për t’u marrë me këto krime”,- thuhet ndër të tjera, në deklaratën e entit të Bashkimit Evropian, “Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane”, e cila merret, ndër të tjera edhe me dokumentimin e krimeve të regjimeve totalitare, komunizmit e nazizmit.  Sipas PKNE-së, agresionit rus kundër Ukrainës i parapriu një fushatë disa vjeçare disinformacioni ndaj historisë dhe kundër Ukrainës si dhe disa vendeve të tjera të Evropës Lindore dhe Qendrore, si Polonia, Çekia dhe shtetet baltike, Lituania, Estonia dhe Letonia. “Na vjen shumë keq”,- thuhet në deklaratën e “Platformës së Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane”, se “shoqëritë demokratike nuk i përfillën me kohë këto shënja alarmuese paralajmëruese”, të Rusisë së Putinit, të cilat i paraprinë agresionit barbar të Rusisë kundër Ukrainës, dy javë më parë. Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Evropiane thekson se, “Natyra kriminale e regjimit të Putinit nuk mund të kuptohet pa analizuar rrënjët e (karrierës) së tij sovjetike komuniste dhe të KGB-së”, policisë sekrete të regjimit komunist sovjetik, e cila nën regjimin e Putinit ka ndryshuar vetëm emrin, por jo metodat barbare e kriminale të veprimit. Prandaj, jo vetëm Putini duhet të mbahet përgjegjës për pushtimin e Ukrainës dhe për krimet e Rusisë kundër njerëzimit, që po bëhen në atë vend nga forcat ushtarake ruse, por edhe vet komunizmi, pjellë e të cilit është Putini, sipas entit evropian të Kujtesës.

Ndërsa, Instituti i Kujtesës Kombëtare të Ukrainës, në një letër dërguar organizatave si motra, anë e mbanë Evropës, për t’i informuar ato, fillimisht, mbi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës, thuhej: “Ne duam të theksojmë edhe njëherë se lufta e sotme midis Federatës Ruse dhe Ukrainës është bërë e mundur, kryesisht, sepse krimet e regjimit totalitar komunist sovjetik nuk janë dënuar ashtu siç duhej nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo shihet qartë nga fjalët dhe veprat e presidentit të Federatës Ruse.” Ndërkaq, në retrospektivë, disa analistë evropianë dhe amerikanë po flasin dhe shkruajnë tani se mos ndëshkimi i krimeve të komunizmit në Evropë dhe në botë, pas shembjes së Murit të Berlinit, ka bërë që të injoroheshin shënjat paralajmëruese të një tragjedie njerëzore, që po zhvillohet aktualisht në Ukrainë, siç po shohim tani në ekranet televizive anë e mbanë botës. Tepër vonë, tani! Megjithë thirrjet e organizatave ndërkombëtare të drejtave të njeriut dhe personaliteteve të njohura botërore – mbrojtës të të drejtave dhe lirive bazë të njeriut, gjatë këtyre 30-viteve ç’prej shembjes së Murit të Berlinit – për një gjyq të llojit Nurenberg, që gjykoi dhe dënoi krimet e nazizmit në Evropë pas Luftës së II Botërore: pothuaj asgjë nuk u bë në Evropën post-komuniste për të gjykuar dhe për të dënuar krimet e komunizmit barbar gjysëm shekullor, anë e mbanë Evropës dhe botës. Shumica e vendeve ish-komuniste evropiane, individualisht, kanë dënuar krimet e komunizmit dhe janë përballur deri diku me të kaluarën kriminale të regjimeve të tyre komuniste. Fatkeqësisht, Rusia dhe Shqipëria janë dy nga ish-vendet komuniste që edhe sot vazhdojnë të refuzojnë që të dënojnë zyrtarisht krimet e regjimit komunist dhe të përballen ligjërisht dhe në mënyrë transparente me të kaluarën e tyre komuniste. Një ballafaqim i tillë me të kaluarën e tmerrshme të komunizmit nevojit një bashkëpunim serioz të elitave politike dhe shoqërisë në përgjithësi me përgjegjësi morale, politike dhe shoqërore, por dhe kombëtare ndaj historisë dhe viktimave të komunizmit.

Disa vite më parë, Këshilli për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi (nuk jam i sigurt nëse ekziston ende duke marrë parasysh gjëndjen e krijuar në atë vend), në një dokument të përgatitur disa vite më parë në lidhje me të vërtetën e krimeve komuniste, shkruante: “Një udhëheqje me përgjegjësi për të mirën e vendit, nuk mund të rilindë duke fshehur – jo vetëm nga bota e jashtme – por edhe nga vetvetja, të vërtetën mbi atë që kombi ynë i ka bërë vetes në shekullin 20. Të fshehurit e të vërtetës mbi të kaluarën komuniste na bën që të mos respektojmë kombin tonë. Pa këtë respekt për kombin tonë, ne nuk mundemi të krijojmë një patriotizëm të vërtetë, gjë që nga ana tjetër, do të thotë se zhvillimi i një demokracie të vërtetë mbetet një dëshirë e parealizuar”, thuhej në deklaratën e Këshillit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi. Ndërkaq, sa i përket mospërballimit të Shqipërisë (në një ligë me Rusinë sa i përket mos-dënimit të krimeve të komunizmit) me krimet komuniste dhe me të kaluarën e saj të errët nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës, shkrimtari Ismail Kadare, në një shkrim të ribotuar ditët e fundit në gazetën Telegraf të Tiranës, për aktualitetin që përmban me ditët e sotme nëpër, të cilat po kalon bota dhe Shqipëria ka komentuar mbi mos ndëshkimin e krimeve të komunizmit –Ismail Kadare: Krimet e pandëshkuara të komunizmit | Gazeta Telegraf – shkruan: “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës. Janë sheshet e qyteteve antike, hapësira ku së pari, bashkë me votën e lirë dhe me fjalën e lirë lindi demokracia, dhe jo qilaret e errëta, aq shumë të dashur për kundërshtarët e saj.  Është hapja (transparenca) ajo që i vuri krismën në themele, asaj që dukej se nuk do të tundej kurrë, perandoria komuniste. Me këtë gjendje të frikshme morale, Shqipëria nuk mund të quhet sot një vend i lirë dhe sovran. Në këto kushte, liria, demokracia dhe rendi republikan i saj nuk mund të jenë veçse virtuale. Brezit të ri të shqiptarëve që po hyn në jetë i bie barra historike e njëmendësimit të tyre. Me fjalë të tjera ta rifitojë Shqipërinë”. Kadare ka të drejtë! Shqipëria duhet të dënojë krimet e komunizmit dhe të përballet me të kaluarën komuniste.  “Historia e emancipimit njerëzor është historia e hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës”, -shkruan Kadare. Kjo thënje, aktualisht, i përshtatet Rusisë dhe Shqipërisë, të cilat ende nuk janë përballur seriozisht me krimet e komunizmit dhe me të kaluarën e regjimeve komuniste.  Ndoshta një hapje e tillë, një transparencë në lidhje me të “vërtetën” mbi atë që kombi ynë i ka bërë vetes në shekullin 20, nën regjimin komunist, sipas Këshillit për Zhvillimin e Shoqërisë Civile dhe të Drejtave të Njeriut në Rusi, do të kishte mundësuar themelimin e një shoqërie bazuar vërtetë, në vlerat demokratike dhe mund të mënjanonte një pushtim barbar të Ukrainës, siç po shohim sot nga një diktator, ish-punonjës i policisë sekrete komuniste sovjetike. Ndërsa në rastin e Shqipërisë – ende e kategorizuar si “pjesërisht e lirë”, nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut: ndoshta një shoqëri bazuar në vlerat, vertetë demokratike, do të kishte dënuar me kohë krimet e regjimit të Enver Hoxhës dhe të përballohej seriozisht me të kaluarën e saj komuniste, diçka që ende nuk e ka bërë.

Dënimi i gënjeshtrave dhe i krimeve të diktaturës komuniste, si dhe përballimi serioz me të keqen, që ishte e kaluara komuniste në Shqipëri, por edhe “promovimi i historisë së hapjes dhe në asnjë rast e mbylljes të së vërtetës”, siç është shprehur Kadare, do të bënte të mundur themelimin e një shteti ligjor, bazuar në të drejtën dhe në të vërtetën historike, që do të çonte, më në fund, edhe në “rifitimin e Shqipërisë”, sipas shkrimtarit të madh shqiptar. 76-vjet më parë (4 mars, 1946) Ëinston Çurçilli ka dhënë alarmin ndaj kërcënimit që paraqiste komunizmi në atë kohë për Evropën dhe për botën: “Nga Stettin në Baltik e deri në Trieste pranë Adriatikut, një perde e hekurt ka zbritur mbi kontinentin (evropian). 30-vjet pas shembjes së Murit të Berlinit, kërcënimi për të cilin ka parlajmëruar Çurçilli mbetet real dhe aktual. Fotografia që po qarkullon në mediat sociale botërore e një tanku rus i dekoruar me flamurin komunist me drapër e çekan të ish- Bashkimit Sovjetik, që po shkonte drejt qytetit ukrainas Kherson për ta pushtuar, është bërë me të vërtetë një simbol i pashlyeshëm dhe i frikshëm për ata që e kanë parë – por në të njëjtën kohë edhe një simbol i pandëshkueshmërisë së vonuar të krimeve të komunizimit në Evropë, një pandëshkueshmëri që ka bërë të mundur ardhjen në pushtet të ish-oficerit të KGB-së, Vladimir Putin, këtij krimineli që pushtoi Ukrainën paqësore dhe po kërcënon fillimin e një Lufte të III Botërore. Si rrjedhim i agresionit rus në Ukrainë, Presidenti i Institutit Kombëtar të Kujtesës i Polonisë, Karol Naërocki u drejtoi këtë apel ish-vendeve komuniste në lidhje me simbolet komuniste në hapësirat e tyre publike: “Autoritetet ruse po përpiqen të justifikojnë agresionin e tyre në Ukrainë duke përdorur argumente pseudohistorike dhe propagandën e njohur ç’prej periudhës së komunizmit duke glorifikuar traditën imperialiste të Rusisë dhe duke anashkaluar krimet e komunizmit sovjetik. Si rrjedhim, u bëj thirrje autoriteteve të gjitha vendeve, sidomos atyre vendeve të ish-bllokut komunist që të shlyejnë nga hapësirat publike të gjithë emrat dhe simbolet që u referohen individëve, organizatave, ngjarjeve ose datave të periudhës komuniste.”

Sikur bota të dëgjonte këto thirrje! Vendet ish-komuniste të Evropës, përfshirë edhe Shqipërinë, por pa përjashtuar edhe botën perëndimore, po të kishin dënuar gjenocidin dhe krimet e komunizmit kundër njerëzimit me një Nurenberg II, ashtu siç janë dënuar krimet e nazizmit nga Nurenberg I, jam i sigurtë se të tjera fjalë do fliteshin sot dhe nuk besoj se bota do të gjëndej në prag të një Lufte të III Botërore, sepse një ish-komunist dhe oficer i sigurimit famëkeq sovjetik i KGB-së dëshiron të realizojë aspiratat e tija agresive bolshevike kundër një shteti fqinj demokratik e të pavarur. Kështu e filloi edhe Hitleri me pushtimin e Polonisë me 1 Shtator, 1939! A po përsëritet historia!? “Ata që nuk duan të kujtojnë të kaluarën, janë të dënuar që ta përsëritin”, ka thënë filozofi spanjoll, George Santaya.