Frank SHKRELI*/ Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan nderon Filip Riker

443
Sigal

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) ose (NAAC) në anglisht)  si çdo vit edhe sivjet organizon darkën e 17-të gala me 27 shtator në sallën e njohur Cipriani në rrugën 42, në qendër të qytetit të Nju Jorkut.

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan e ka bërë traditë tanimë që në këtë darkë vjetore në Nju Jork të nderojë individë, personalitete të njohura nga politika, qoftë amerikanë, shqiptare ose të tjerë, të cilët sipas KKSHA-së, në mënyrë unike kanë ndihmuar kombin shqiptar.  Gjatë 17 vjetëve të kaluar, KKSHA ka nderuar personalitete të larta të politikës amerikane dhe botërore, siç janë Presidenti Bill Klinton, Kryeministri Toni Blerë, Sekretarët Amerikanë të Shtetit Madelinë Ollbrajt dhe Xhejms Bejker, Gjenerali  Ueslli Clark, Senatorët amerikanë Bob Dolë dhe Çuk Shumer,  Presidentin e Finlandës Marti Ahtisaari,  Ambasadorët  amerikanë Frank Uisner, Nik Bërns, Uilliam Uoker, Kongresmeni Eliot Engel, e të tjerë.

Këtë vit, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka vendosur që kësaj liste unike të personaliteteve  të shquara amerikane, që kanë ndihmuar shqiptarët, sidomos gjatë dy dekadave të fundit të historisë së tyre, t’i shtohet edhe emri i ambasadorit dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit, Filip Riker, të cilit, në fund të këtij muaji, do t’i dorëzohet çmimi prestigjioz, “Duart e Shpresës”.   KKSHA gjithashtu, do nderojë me çmimin për “Arritjet Jetësore”, profesorin Muhammad Yunus, fitues i Çmimit “Nobel”, i cili njihet për filozofinë e tij “për të transformuar jetën e njerëzve më të varfër të botës nëpërmjet nismave të përbashkëta publike dhe private si dhe biznesit shoqëror”.

Darka vjetore e KKSHA-së mbahet gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ashtuqë që bën të mundur pjesëmarrjen e personaliteteve më të larta politike nga Shqipëria dhe Kosova, si dhe udhëheqës të tjerë nga Ballkani, ambasadorë të vendeve rajonale, zyrtarë të qeverisë federale amerikane, përfaqësues të medias dhe personalitete të komunitetit shqiptaro-amerikan. Këtë vit pritet që në darkë të marrin pjesë, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ndër të tjerë.  KKSHA e cilëson këtë darkë vjetore si një rast i veçantë për të  lartësuar kulturën dhe traditat shqiptare në Amerikë, por njëkohësisht edhe për të venë në dukje marrëdhëniet e veçanta që ekzistojnë midis Shteteve të Bashkuara dhe kombit shqiptar. Unë kam pasur privilegjin ta njoh Ambasadorin Riker dhe të ndjekë karrierën e tij nga afër – sidomos atë pjesë që kishte të bënte me marrëdhëniet amerikano-shqiptare- gjatë viteve të mia në Uashington dhe mund të them me sinqeritetin më të madh se Filip Riker ishte dhe vazhdon të jetë njëri prej promovuesve më të përkushtuar të marrëdhënieve të ngushta midis Shteteve të Bashkuara, Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me gjithë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.  Z. Riker, me prezencën e tij, është si të thuash simbol i këtyre marrëdhënieve, po të merren parasysh vizitat e tij të njëpasnjëshme në Shqipëri e në Kosovë, por dhe në rajon, si dhe intervistat dhe prononcimet e shumta të tija mbi gjendjen në Ballkanin Perëndimor.  Duket sikur ai kurrë nuk i heqë nga mendja Shqipërinë dhe Kosovën, si dhe marrëdhëniet e tyre me Shtetet e Bashkuara dhe me vendet e rajonit.  Zoti Riker është optimist për të ardhmen e Ballkanit si dhe për rolin që Shqiptarët duhet të luajnë në rajon si dhe për  të ardhmen dhe vendin që u takon atyre në sofrën e madhe të kombeve të Europës. Gjithmonë duke i gjykuar punët bazuar në realitetin dhe faktet e situatës aktuale- dhe plot durim diplomatik- Ambasadori Riker gjatë karrierës së tij ka vazhduar të promovojë zhvillimin dhe konsolidimin e lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, me një perspektivë historike.  Gjatë një interviste vitin e kaluar me analistin e njohur amerikan Janush Bugajski me rastin e 100-vjetorit të Shqipërisë, z. Riker tha se: “Në qoftë se u hedhim një vështrim dy dekadave të fundit, duke marrë parasysh 100-vjet të pavarësisë së Shqipërisë, përparimi i shënuar gjatë kësaj periudhe ka qenë i jashtëzakonshëm.  Merr me mend se sa të mrekullueshme janë  arritjet e shënuara vetëm prej rrëzimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.”  Ky është fakt, por z. Riker gjithmonë realist, tha gjatë të njëjtës intervistë se në Shqipëri “mbetet shumë për t’u bërë, sidomos në rrugën drejt Europës dhe integrimit europian, bërja e reformave që janë mirë të përcaktuara nga pikëpamja europiane, sidomos në fushën e zbatimit të ligjit dhe të funksionimit të gjykatave”, ndër të tjera. Si prioritet i detyrës së tij, Ambasadori Riker ndjekë nga afër edhe situatën në Kosovë, duke qenë njohës i mirë gjithashtu i fakteve dhe i realitetit në atë vend.  Në intervista dhe prononcime të shumta, si në Uashington ashtu edhe në Prishtinë, mesazhi i tij, në emër të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara ka vazhduar të jetë se Uashingtoni është kundër  ndryshimit të kufijve, si rezultat i trazirave në veri të Kosovës, dhe se ato promovojnë dialogun dhe bisedimet e sponsorizuara nga Bashkimi Europian.  Në emër të Amerikës, zëvendës/ ndihmës Sekretari i Shtetit për Marrëdhëniet me Europën dhe Euroazinë, ka thënë se, në këtë periudhë historike të sajë, Kosova ka mundësitë e mëdha për konsolidimin e shtetit demokratik, stabil dhe të begatë, në rrugën e tij drejtë integrimit në familjen e popujve europianë.  Drejtë këtij qëllimi, Ambasadori Riker u ka bërë thirrje institucioneve dhe popullit të Kosovës që të punojnë rëndë dhe të përqendrohen në ndërtimin e institucioneve.  Në këtë rrugë të gjatë e të vështirë, z. Riker ka premtuar  ndihmën e Uashingtonit zyrtar duke thënë se, “Shtetet e Bashkuara janë partnere të Kosovës.  Kemi marrëdhënie shumë të ngushta.  Ne kemi bërë shumë për të ndihmuar Kosovën, dhe shtetasit e saj të të gjitha grupeve etnike dhe feve ashtuqë që vendi të realizojë potencialin e vet.”

Ambasadori Riker mund të konsiderohet si një “troubleshooter”, d.m.th si një diplomat që dërgohet në vende me konflikte e trazira për t’u përballur me krizat dhe për t’i zgjidhur ato, që për të është një kompliment.  Ai ka shërbyer si diplomat në zonat më të vështira për një diplomat amerikan, në zona lufte, përfshirë Ballkanin dhe Irakun dhe për këtë ai është nderuar për punën e tij  të shkëlqyer nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin prestigjioz, “Edward Murrow for Excellence in Public Diplomacy” për vitin 2000-2003.

Gjatë viteve, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka nderuar personalitete më të njohura dhe më me influencë të politikës amerikane, botërore dhe shqiptare, por asnjë prej tyre nuk ka punuar më rëndë, më me seriozitet dhe më me përkushtim, për përmirësimin e jetës së shqiptarëve në Ballkan dhe për promovimin  dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tani mirë të konsoliduara midis Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe me Kosovën, se sa ambasadori dhe zëvendës/ndihmës Sekretari i Shtetit, Filip Riker.

*Autori ka shërbyer si Drejtor Ekzekutiv i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan