Rama dhe Nishani, së bashku drejt Amerikës

398
Sigal

Liderët shqiptarë ende nuk kanë konfirmuar pjesëmarrjen ndërsa shoqata “Vatra” në pritje të përgjigjes

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, pasi e hoqi fotografinë e Presidentit Nishani, me një vendim emergjent të qeverisë së tij, tanimë do të kalojë një moment prove duke udhëtuar me të drejt SHBA-së. Kjo, sepse përveç takimit në OKB, Këshilli Kombëtar shqiptaro- amerikan, i ka dërguar dy zyrtarëve të lartë të vendit tonë, nga një ftesë pjesëmarrjeje për në datën 27 tetor, për të festuar së bashku 17-vjetorin e KKSHA -së. Ende nuk dihet nëse Rama do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese, apo nëse ai do ta shmang këtë vizitë, për shkak të ballafaqimit me presidentin Nishani, në një forum, shqiptarësh, të cilët e dinë mirë ftohjen e marrëdhënieve Rama-Nishani. Sipas burimeve nga stafi i Ramës thuhet se kryeministri shqiptar do ta marrë në konsideratë ftesën e KKSHA -së dhe do të marrë vendimin e duhur, pasi të verifikojë axhendën e takimeve në ditët e fundit të tetorit. Ndërkaq, nga ana tjetër mësohet se Presidenti Nishani është i përgatitur t’i përgjigjet pozitivisht, kësaj ftese, me përjashtim të ndonjë emergjence të paparashikuar në axhendën e tij. Megjithatë, përfaqësuesit e KKSHA -së, presin pjesëmarrjen e të dy figurave të larta të Shqipërisë, dhe padyshim ata nuk ndihen mirë, kur sherri politik mund t’i pengojë ata në një festim madhështor për një rast të tillë. Ndërkaq, kemi edhe mbledhjen e OKB-së, ku personalitetet e larta të vendit tonë kanë detyrimin për të qenë të pranishëm, së bashku me liderët e njohur botëror.

Nishani për Ramën

Në mbledhjen e parë të qeverisë së re, Kryeministri Edi Rama ligjëroi heqjen e portretit të presidentit nga institucionet shtetërore, duke e zëvendësuar atë, me foton e kryeministrit të parë shqiptar, që është Ismail Qemali. Ky veprim i Ramës u prit me reagime kundërshtuese nga opozita, ndërkohë që vetë Nishani, dy ditë pas këtij veprimi tha se: “heqja e fotos nuk kërkon as punë e as inteligjencë”. Dhe për këtë ai kritikoi vendimin e Kryeministrit Rama. Sipas tij, “Presidenti i Republikës përfaqëson unitetin e popullit dhe kjo është e shkruar edhe në Kushtetutën e vendit”. Kreu i shtetit tha se “është e padëgjuar më parë që, një Kryeministër ta nisë punën e tij me heqjen e fotos së Presidentit të vet. Kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend dhe nuk duhet të ndodhë”. Megjithatë, ai e mbylli fjalën e tij për këtë argument, duke shtuar se pret punë dhe jo gjeste nga qeveria e re.

Rama për Nishanin

Nga ana e tij, para pak kohësh, Edi Rama ka shkruar këto fjalë për presidentin shqiptar: Bujar Nishani është ndër fare të paktët në oborrin e Saliut që mund të dëgjohen kur flasin, pavarësisht se s’thonë asgjë ndryshe nga Saliu e të gjithë me radhë. Doktori i lëviz si me sustë mimikën dhe gjuhët e ministrave e të deputetëve të budallallepsur nën shtypjen e frikës e të urisë për përfitime. Sikur PD-ja të sillej si ai, jo si Saliu, votat përsëri do të vidheshin e gjëmat e bëmat e keqqeverisjes, përsëri nuk do të mungonin, po së paku kultura e bashkëjetesës në sallën e Kuvendit dhe etika e debatit politik në Shqipëri do ishin shumë më afër njerzillëku”. Të gjitha fjalitë e mësipërme, flasin për një mospajtim midis dy politikanëve të lartë të këtij vendi, ku të dy palët e përjashtojnë njëri-tjetrin. E bëmë këtë retrospektivë të shkurtër për të rikujtoj se çfarë mendimi kanë ata për njëri-tjetrin dhe se sa e pamundur është që qëndrimet e tyre të njehsohen në SHBA.

 Rama dhe Nishani, së bashku drejt Amerikës

Presidenti Nishani dhe Kryeministri Rama javën e fundit të shtatorit do të fluturojnë të dy drejt Nju Jorkut. Ata janë ftuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), i cili feston 17- vjetorin e tij më datë 27 dhe Shoqata Vatra ka ftuar Presidentin Nishanin në festimet e saj më 24 shtator. KKSHA në njoftimin e saj thotë se në darkën madhështore, do të marrin pjesë udhëheqës jo vetëm nga Shqipëria, por edhe Kosova, Maqedonia e Mali i Zi, të cilët do t’ju bashkohen zyrtarëve të ndryshëm amerikanë dhe udhëheqësve të komunitetit shqiptaro-amerikan. Këtë vit Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA), do të nderojë, si çdo vit, me çmim zv/Ndihmës-sekretarin amerikan të shtetit Filip Riker. Çdo vit KKSHA mban darka vjetore në Nju Jork për të nderuar individët që kanë dhënë ndihmë unike për popullin shqiptar. Vitet e kaluara janë nderuar me çmim Presidenti Bill Klinton, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, sekretarët e shtetit Madeline Albright dhe James Baker, Gjenerali Uesli Klark, senatori Bob Dole, Senatori Chuck Schumer, ambasadori Frank Vvisner, ish-presidenti i Finlandës Marti Ahtisaari, ambasadori Nick Burns, Ambasadori Vvilliam Vvalker, kongresisti Eliot Engel, dhe të tjerë. Ngjarja zhvillohet gjatë hapjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (këtë vit është sesioni i 68-të), kështu që ajo ndiqet nga politikanë të rangjeve më të larta nga Shqipëria dhe Kosova, udhëheqës të tjerë nga Ballkani, ambasadorët nga vendet e rajonit, zyrtarë të qeverisë amerikane, media dhe drejtuesit në komunitetin Shqiptaro-Amerikane.
Në këtë event shqiptarët e Amerikës festojnë së bashku kulturën dhe traditën tonë shqiptare dhe marrëdhëniet e veçanta midis Amerikës dhe shqiptarëve në të gjithë botën.

Shoqata “Vatra”

Shoqata pan-shqiptare “Vatra” është themeluar më 12 prill 1912. Themeluesit e saj, Faik Konica, Llambi Chikozi, Fan S Noli, Kristo Floqi, Elia Tromara, Naum Cere dhe Kosta Kota, e patën pagëzuar Vatrën si një organizatë mbarë shqiptare. Misioni i saj ishte dhe është mbrojtja e interesave mbarë-kombëtare. Ashtu ishte në fillim të shekullit të 20-të, kur po luhej me fatin e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve, ashtu ishte gjatë gjithë periudhës së luftës së ftohtë, kur Vatra dhe përfaqësuesit e saj mbronin të drejtat e shqiptarëve, duke informuar publikun amerikan mbi ato që po ndodhnin në Shqipërinë komuniste si dhe për fatin e shqiptarëve në Ballkan, e deri në kohët moderne ku i gjithë komuniteti shqiptaro-amerikan, përfshirë edhe “Vatrën”, u angazhua në mbrojtje të Kosovës, për çlirimin e saj nga Serbia dhe më në fund për përpjekjet për të shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe për të siguruar sa më shumë njohje ndërkombëtare. Roli i Vatrës dhe i komunitetit shqiptaro-amerikan në përgjithësi, për sensibilizimin e publikut amerikan mbi vuajtjet e shqiptarëve dhe padrejtësitë ndaj tyre si edhe për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, është njohur publikisht nga personalitetet më të larta të politikës amerikane, por edhe nga udhëheqësit shqiptarë.

KKSHA, zëri i shqiptaro-amerikanëve në SHBA

Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) është një organizatë jo-fitimprurëse dedikuar ndaj advokimit të çështjeve shqiptare, promovimit të paqes dhe zhvillimit ekonomik në Ballkan duke forcuar politikat demokratike, për të inkurajuar respektin për të drejtat e njeriut. KKSHA-ja ofron tek zyrtarë të qeverisë amerikane dhe politikbërës  në Uashington, DC, informacione dhe analiza të çështjeve shqiptare; lëshon komunikata për shtyp; anëtarët e saj sigurojnë dëshmi eksperte në Kongresin Amerikan; shërben folës në “Think- tanke” të rëndësishme dhe forume akademike; dhe siguron komente për degët kryesore të medias në Ballkan dhe SHBA. KKSHA-ja është e përkushtuar ndaj angazhimit të komunitetit shqiptaro-amerikan në procesin demokratik amerikan. Në këtë komitet zakonisht organizohen takime midis anëtarëve të komunitetit dhe përfaqësuesve të zgjedhur të tyre kongresionale; mbahen forume publike nga zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane dhe studiues të Ballkanit në qytete anembanë vendit; dhe edukon votuesit shqiptaro-amerikanë për të rritur pjesëmarrjen e tyre në zgjedhje. KSHA-ja i ndihmon shqiptarët në Ballkan për të ndërtuar institucione të forta demokratike. Së bashku me udhëheqës të “think tankeve,” ata bashkorganizojnë konferenca të rrumbullakëta në Uashington DC, në të cilat studiuesit dhe politikëbërësit ofrojnë pikëpamjet e tyre mbi sfidat me të cilat përballet rajoni dhe ofrohen zgjidhjet e mundshme për të përmbushur këto sfida.