Frank SHKRELI/ Ka filluar punimet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara

578
Sigal

Si çdo vit në muajin shtator, ashtu edhe sivjet ka filluar punimet prej dy javësh, Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), në kryeqendrën e kësaj organizate në Nju Jork.  Në sesionin e 69-të të kësaj Asambleje po marrin pjesë  mbi 140 udhëheqës shtetesh dhe qeverish si dhe përfaqësues të biznesit, të financave dhe të shoqërisë civile, si dhe personalitete me influencë botërore nga mbarë bota.  Ndër udhëheqësit botërorë, të cilët do të diskutojnë problemet e mëdha botërore nga 24 shtatori deri më 1 tetor –është edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë,  Bujar Nishani, i cili kryeson të delegacionin shqiptar në punimet vjetore të OKB-së në Nju Jork.  Ndër aktivitete të tjera,  udhëheqësi shqiptar do t’i drejtohet sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme me fjalimin e rastit, para delegacioneve të 193-shteteve anëtare të OKB-së.  Presidenti Nishani do të marrë pjesë, gjithashtu, edhe në punimet e “Nismës Globale Klinton”, i ftuar nga ish-Presidenti Bill Klinton, që çdo vit zhvillon punimet e saj krahas me Asamblenë e Përgjithshme.  Ndërkaq, Organizata e ish-Presidentit Klinton nderoi parmbrëmë Presidenten e Kosovës,  Atifete Jahjaga  me çmimin e Nismës Globale Klinton, dekoratën,”Qytetari Global” për ato që  Nisma Globale Klinton cilësoi si merita të udhëheqëses së Kosovës, me motivacionin për  “promovimin e pajtimit në rajon dhe për ndërtimin e institucioneve politike dhe ekonomike të Kosovës, drejt anëtarësimit për në BE”. Ndonëse, Kosova nuk është ende anëtare e OKB-së, Presidentja Jahjaga nuk do të marrë pjesë në punimet  e sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme, por ajo do të përdor qëndrimin e saj në Nju Jork për të lobuar për njohje të reja diplomatike të Republikës së Kosovës. Njoftohet se,  udhëheqësit e dy shteteve shqiptare, gjatë qëndrimit të tyre në Nju Jork, kanë në agjendë një numër takimesh me homologët e tyre nga mbarë bota si edhe takime me përfaqësues të komunitetit shqiptaro-amerikan, përfshirë edhe Federatën Panshqiptare “Vatra”.  Presidenti Nishani ka njoftuar gjithashtu se, në mbarim të punimeve të OKB-së, ai  do të udhëtojë për në qytetin Detroit, ku është ftuar të mbajë një ligjëratë me temën, “Shqipëria – Demokracia e Re Drejt Bashkimit Europian”, në Universitetin e njohur Miçigan të Shteteve të Bashkuara, ku pritet që ai të diskutojë me profesorë dhe studentë të këtij universiteti gjendjen aktuale në Shqipëri, si dhe rolin e saj në Ballkan, përfshirë edhe përpjekjet e Shqipërisë për integrimin e saj në Europë. Por arsyeja kryesore e pranisë së Presidentit të Shqipërisë në Nju Jork, si edhe e të gjithë udhëheqësve të tjerë botërorë, është pjesëmarrja e tij në punimet e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërkohë që, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun u bëri thirrje udhëheqësve botërorë që po mblidhen në Nju Jork, që të bashkohen në këtë “periudhë trazirash”, përballw një “mori krizash shkatërruese dhe të mbështesin dinjitetin njerëzor, zbatimin e ligjit dhe  parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara”. Ai u tha gazetarëve në Nju Jork se, “gjatë këtyre dy javëve do të pasqyrohet  rishtas roli i pazëvendësueshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për t’u përballur me kërcënimet globale dhe roli i saj  në orvatjet për të gjetur mundësitë për përparim të përbashkët”.  Në këtë drejtim, ai theksoi se, pret që udhëheqësit botërorë të merren me dhunën e hatashme në Siri dhe në Irak,- ku tha ai,- konflikti dhe dështimet qeveritare kanë bërë të mundur përhapjen e ekstremizmit dhe terrorizmit.  Përveç kësaj, pritet që pjesëmarrësit në sesionin e 69-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të diskutojnë mbi një numër krizash anë e mbanë botës, duke përfshirë edhe ndryshimet klimaterike që do të diskutohen në “Mbledhjen e Nivelit të Lartë mbi Klimën”, ose (Samiti mbi Klimën) në kuadër të sesionit të sivjetshëm të Asamblesë së Përgjithshme, qëllimi i së cilës është për të mobilizuar përpjekjet dhe vullnetin politik ndërkombëtar për arritjen e një marrëveshjeje në konferencën që pritet të mbahet vitin që vjen në Paris, për këtë çështje që është cilësuar si “urgjente” për botën.   Në lidhje me këtë aktivitet, Kombet e  Bashkuara njoftuan emërimin e aktorit të Hollivudit, Leonardo Di Caprio, i cili është i njohur si mbështetës i kauzave në mbrojtje të mjedisit -si ambasador paqe i OKB-së për çështje të mjedisit dhe klimës.  Një çështje tjetër, e cila kërkon vëmendjen e udhëheqësve botërorë të mbledhur në Nju Jork për takimin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme është edhe shpërthimi, kohët e fundit, i sëmundjes Ebola në kontinentin afrikan.  Sekretari  i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun ka thënë se përballimi me këtë sëmundje nevojit ndërhyrjen e menjëhershme të faktorit ndërkombëtar, jo vetëm për të izoluar  sëmundjen ebola, por edhe për të trajtuar personat e prekur nga kjo sëmundje epidemike. Ashtu si dhe në vitet më përpara, edhe sesioni i sivjetmë i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i ka përcaktuar vetes angazhimin për tu marrë me një listë të gjatë problemesh duke u përpjekur për të luftuar, ndër të tjera, varfërinë, papunësinë dhe urinë dhe për të zgjidhur konfliktet me dhunë dhe luftërat anë e mbanë botës, përfshirë Lindjen e Mesme dhe konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës.  OKB-ja është zotuar se gjatë këtij sesioni do të përcaktojë objektiva të reja zhvillimi për vitin 2015 dhe më gjatë.  Për realizimin e këtij objektivi, të pakën Shtetet e Bashkuara kanë thënë se është e nevojshme që si pjesë e kësaj axhende zhvillimi të garantohet barazia gjinore, d.m.th.,  pjesëmarrja e barabartë e grave dhe vajzave me burrat dhe djemtë në zhvillimin e shoqërisë, të komunitetit dhe familjes, objektiv ky që mund të jetë si faktori më transformues i agjendës së zhvillimit për vitin e ardhshëm dhe më tej, sipas deklaratës amerikane.  “Investimi në femrat dhe në rininë, nuk është vetëm gjëja e drejtë që duhet të bërë, për më tepër ky investim është një nevojë strategjike”, për çdo vend, është shprehur Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. Në vigjilje të takimit mbi zhvillimin për vitin e ardhshëm dhe më tej, të cilin Presidenti i  ri i Asamblesë,  Sam Kahamba Kutesa i Ugandës, e cilësoi si “një rast historik”, kryediplomati amerikan tha se, investimi në barazinë gjinore për gratë dhe vajzat në çdo vend, “është mënyra më e mirë për të krijuar stabilitetin shoqëror dhe për të përforcuar rendin e vazhdueshëm shoqëror të çdo vendi, sepse shoqëritë,  të cilat garantojnë barazinë gjinore dhe sigurinë për gratë dhe vajzat dhe ku grave u jepet mundësia për të ushtruar të drejtat e tyre të barabarta, ato shoqëri janë gjithmonë më të begata dhe më stabile”,- tha z. Kerry.

Si gjithmonë më parë, edhe axhenda e sesionit të 69-të të Asamblesë së Përgjithshme, në letër dhe në parim, trajton kauza që janë fisnike dhe bujare me qëllim për të gjetur zgjidhje ndaj sfidave dhe problemeve të mëdha me të cilat përballet sot njerëzimi, pasi parimisht ky ka qenë gjithmonë qëllimi i Kombeve të Bashkuara që prej themelimit të kësaj organizate, d.m.th., që të shërbente si një forum i denjë në të cilin shtetet anëtare të mund të diskutonin problemet e tyre dhe të botës në një mjedis paqësor midis tyre. Por, megjithë qëllimet e mira të OKB-së- të paktën në sipërfaqe – kritikët e Kombeve të Bashkuara, sidomos këtu në Amerikë, e cila financon pjesën më të madhe të buxhetit të OKB-së në krahasim me vendet e tjera anëtare, përfshirë shpesh edhe udhëheqësit më të lartë të këtij vendi, kanë konsideruar se, OKB-ja, si organizatë nuk është funksionale. Ata përmendin dallimet midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim e sipër, mbi çështje kyçe siç janë të drejtat e njeriut, zhvillimi ekonomik dhe çështje të sigurisë, lufta e paqja dhe si të tillë, ata e konsiderojnë OKB-në si një ent ndërkombëtar që shpeshherë nuk funksionon, që paralizuar nga burokracia dhe më në fund si një organizatë që shpesh duket se është jashtë kontrollit, si përfundim i konflikteve të brendshme dhe midis vendeve anëtare të saj. Por, prapëseprapë, sipas ekspertëve, megjithë problemet me të cilat përballet OKB-ja dhe ndonëse autoriteti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara është i kufizuar, mbledhja vjetore e këtij enti ndërkombëtar në Nju Jork, mund të shërbejë si një mjet efektiv, ku përfaqësuesit e vendeve anëtare të shprehin dhe të bashkërendojnë qëndrimet e përbashkëta ose të kundërta në një ambient paqësor, mbi çështje dhe probleme kyçe me të cilat përballet sot bota, e të cilat janë në agjendë për t’u diskutuar nga udhëheqësit botërorë  gjatë punimeve të saj. Si e tillë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara  nuk mund të injorohet.