Në përvjetorin e kalimit në amshim të Mjedës, 1 Gusht, 1937
Nga Frank Shkreli* Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
Në një shkrim përkujtimor botuar në revistën ‘Jeta Katolike Shqiptare’, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Duke shkruar për talentet e Ndre Mjedës, Dom Zef Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhërit jezuit) që ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës.
Dom Ndré Mjedja, prifti katolik jezuit, teolog, shkrimtar, gjuhëtar, deputet i Parlamentit shqiptar dhe poeti lirik i shquar Kombit shqiptar, ka ndërruar jetё, më 1 gusht 1937.
Injac Zamputi, (Shkodër 1910 – Tivoli, Itali 1998) shkrimtar, historian, studiues, eseist, përkthyes dhe bashkëpunëtori i vjetër i Dom Ndre Mjedës, ka shënuar në kujtimet e tij se Mjeda është emëruar si mësues në Kolegjin Saveriane të Shkodrës, në qershorin e vitit 1933, kur ai (Zamputi) ishte sekretar i Kolegjës Saveriane. Zamputi ka kujtuar në shkrimet e tij një dëshmi interesante se si Profesori Dom Ndre Mjeda interesohej, veçanërisht, për nxënësit e dalluar, të cilët kishin shfaqur shkëndija të talentit poetik, por jo vetëm, gjatë shkollimit të tyre. Një prej këtyre nxënësve ka qenë Mons Dr. Zef Oroshi (1912-1989), mik dhe ish-udhëheqës i komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, i nderuar dhe i respektuar nga mbarë komuniteti shqiptar në Amerikë, pa dallim feje a krahine.
Monsinjor Zef Oroshi fliste shpesh, me mirënjohje dhe me respekt të madh, për mësuesit e tij, sidmos për Dom Ndre Mjedën, por edhe për At Gjergj Fishtën. Shpesh edhe shkruante mbi kujtimet e tija për ta në gazetat dhe revistat e diasporës anti-komuniste shqiptare të asaj kohe në Shtetet e Bashkuara dhe më gjërë.
Në një shkrim përkujtimor botuar në revistën Jeta Katolike Shqiptare, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, Drejtor Përgjegjës i të cilës ishte ai vet, Dr. Zef Oroshi ka kujtuar mësuesin e tij Dom Ndre Mjedën, me rastin e 40-vjetorit të kalimit të tij në amshim. Duke shkruar për talentet e ndre Mjedës, Dom Zef Oroshi ka shkruar se mendjehollësia e Mjedës së ri i ka shtyrë të parët e (urdhërit jezuit) që ta dërgonin atë të studionte në universitetet më të mira të Evropës, si në Austri, Itali, Gjermani, Francë e Poloni, ku përveç se kreu studimet e larta për filozofi e teologji me, “suma cum laude”, Ndre Mjeda, “pasuroi mendjen e squet të tij me gjuhët dhe me letërsitë e këtyne vendeve, por edhe njohuri mbi klasikët, që ai aq fort i dashuronte”, -ka shkruar Mons Zef Oroshi, për ish-mësuesin e tij, Dom Ndre Mjedën.
Tre kolosë të Shqipërisë: Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta (dymësuesit e Monsinjor Dr. Zef Oroshit), me Luigj Gurakuqin
Megjithëse, ndër të gjitha të mirat mendore e jetësore që i ofronte atij bota perëndimore e qytetëruar dhe e lirë, Mjeda: “Kurrë nuk harroi vendin e vet, Shqipërinë. Asaj i këndoi, me plot afshin e zemrës me poezitë e rinisë së vet, botuar në “Juvenilia”, “sende rinie” – kur Atdheu gjëndej ende nën thundrën e aziatikëve”, -ka vërejtur Dr Zef Oroshi në shkrimin e tij në vitin 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të Dom Ndre Mjedës.
Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së në Nju Jork, 1973 — me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, organizuesin e protestës kundër vrasjes makabër të At Shtjefën Kurtit, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Kur është kthyer në Shqipëri,- vazhdon kujtimet e tija, Dom Zef Oroshi, Ndre Mjeda ka dhënë mësim në gjuhë dhe letërsi shqipe në kolegjin e famshëm Saverjane të Shkodrës. Si meshtar ai ka shërbyer në disa famulli të Malësisë së mbi-Shkodrës, duke përfunduar në Kukël. Ndre Mjeda ishte themeluesi i Shoqërisë Letrare “Agimi”, ndërkohë që në Kongresin e Manastirit ka luajtur një rol kyç, ndërsa ishte ndër krongresistët më aktivë, -ka shkruar Dr Zef Oroshi. “Por çka e ban emnin e Ndre Mjedës të pavdekshëm”, -nënvijon Dr, Zef Oroshi, “Ashtë pena e tij si poet, mjeshtër klasik i vjershërimit shqip, si prozator dhe sidomos si gramatolog, ndër më të thellët që ka pasur Shqipëria për shumë kohë. Studimet dhe hulumtimet e tij në çështje gramatikore të shqipes kanë qenë vendimtare”,- thekson ndër të tjera, Dom Zefi, duke cekur veprimtarinë dhe aftësitë letrare të Dom Mjedës.
Përveçse shkrimtar dhe poet mjeshtër, Dr. Zef Oroshi e cilëson ish-mësuesin e tij Ndre Mjedën edhe si, “udhëheqësin e paharruar të shkollës së përmendur, ‘Kolegja Saverjane’, drejtuar nga Jezuitët e Shkodrës por duke e cilësuar Mjedën edhe si njërin prej Rilindasve më të flakët dhe më të hershmit e Kombit Shqiptar. Qe zgjedhë edhe deputet i Shkodrës, pothuajse kundër vullnetit të tij”,- ka shkruar Dr. Oroshi.
Dom Ndre Mjeda
Dom Zefi shënon në artikullin e tij – një fakt interesant nga veprimtaria e Mjedës, që nuk ka të bëjë as me gjuhën, as me letërsinë, ndërsa shkruan se: “Për t’i dhënë një hov bujqësisë përparimtare, Dom Ndre Mjeda qe i pari që solli plorin e çelikt në Shqipëni”.
Dom Zef Oroshi vazhdon rrëfimin e tij për Dom Ndre Mjedën duke shtuar se Mjedës i ka takuar të jetonte gjatë në dhena të huaja dhe zemra i shkrumbohej për Atdheun e largët e të robëruar. Mallin për Atdhe ai e skaliti, qysh i ri në “Juvenilia”, duke filluar me, “Vaji i Bylbylit”, botuar që në vitin 1887 dhe me “Andrra e Jetës”, ku ai këndon jetën e fshatarit e të malësorit shqiptar,- ka shkruar Dr. Zef Oroshi, për veprat e mësuesit të tij. Duke vazhduar se me sonetat klasikë, “Lissus” dhe “Scodra” (Lezha e Shkodra) ku, përmes historisë së lashtë të këtyre dy qyteteve evokohet e kaluara e hershme, “lumnitë historike dhe legjendat e paraardhësve ilirë, me mbretërit, Bardhylin e Agronin dhe me mbretëreshën Teuta.”
Monsinjor Dr Zef Oroshi vlerëson, në artikullin e tij të botuar në revisten “Jeta Katolike Shqiptare” në dhjetor të vitit 1977, me rastin e 40-vjetorit të kalimit në amshim të poetit, se, me këto vepra, megjithëse të shkurta, Mjeda naltësohet si poeti më klasik ndër të gjithë poetët shqiptarë…por megjithë këtë, ai Nanën Shqipni e ka gjithmonë para sysh, me qëllim për të drejtuar rininë e asaj kohe, kah, “udha e atdhedashunisë së çiltërt, siç kanë veprue gjithmonë, për vendin e tyre, njerëzit e mëdhej”, ka -shkruar Dom Oroshi.
Dom Zef Oroshi është shprehur në vazhdim, se e ndjen veten të nderuar dhe të privilegjuar që ka pasë për mësues, këtë mjeshtër zëmadh të gjuhës sonë, si dhe për ndikimin e tij, për dashurinë ndaj Gjuhës Shqipe. “Dom Ndre Mjeda ishte personalitet i përsosur në ndenje e sjellje. Në klasën e tij mund të ndihej miza tue fluturue. Kur na lexonte ndonji pjesë artistike klasike ose bashkohore, sidomos poezi me art të lartë, skuqej në fytyrë, aq fort e ndjente shijen e artit…Megjithëse nuk ishte i idhët me kurrkënd, pak ose aspak i qeshej fytyra e tij e gjanë me mustaqe të trasha e të dendura, e kryetullac, trup i lidhur me naltësi mesatare. Ishte kritik i pamëshirshëm në pikëpamjen e artit të shkrimit, por gjithmonë me dinjitet e arsye, pa përulur kënd, kurrë.” thekson Oroshi në shkrimin e tij në kujtim të mësuesit të vet.
Dom Zef Oroshi e ka mbyllur shkrimin në kujtim të mësuesit të tij të nderuar duke hedhur hipotezën se para se të vdiste, përflitej në atë kohë, se Dom Ndre Mjeda, i ndikuar nga shkrimtari latin Virgjili, mund të ketë djegur dorëshkrimet e tija të shumta.
“Ndonëse pushon në amshim, ai gjithnjë flet.” (Defunctus Adhuc Loquitur”.
Dom Zef Oroshi kujton se Dom Ndre Mjeda ndërroi jetë papritmas në gushtin e verës së vitit 1937. Në varrimin e tij, radhët e gjata të studentëve të tij shkodranë dhe mbarë qyteti i Shkodrës sollën në supet e krahëve të tyre arkivolin e tij nëpër të gjitha rrugët kryesore të qytetit, para se të vendosej në pushimin e fundit, në Aramaj. “Mjeda vdiq, por shkolla e tij mbetet e pavdekshme”, -ka përfunduar kujtimin e tij Monsinjor Dr. Dom Zef Oroshi në artikullin e revistës – Jeta Katolike Shqiptare, (tetor-dhjetor, 1977), organ i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane – kushtuar Dom Ndre Mjedës, mësuesit të tij të paharrueshëm teologut, shkrimtarit, gjuhëtarit, deputetit e poetit shqiptar, që ka ndërruar jetё si sot, më 1 gusht 1937.
Frank Shkreli
—————————————————————————
Ndre Mjeda
Liria
Poezi Shprese
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni:
A shndrit rreze lirie n’ato maja;
mbi bjesh’ t’thepisuna e n’ograja,
ku del gurra e gjëmon përmallshëm kroni?
A keni ndie ndikund, kah fluturoni
ndër shkrepa, me ushtue kangën e saj?
A keni ndie nji kangë të patravajë?
O shqipe, o zogjt’ e maleve, kallzoni!
“Lirim, lirim!” – bërtet gjithkah malsia.
A ka lirim ky dhé që na shkel kamba,
a veç t’mjerin e mblon anemban’ robnia?
Flutro shqipe, flutro kah çelet lama,
sielliu maleve përreth që ka Shqipnia,
e vështroje ku i del lirimit ama!
Por nuk u shuejt edhe, jo, shqiptaria:
Lodhun prej hekrash që mizori e njiti,
lodhun prej terri ku robnimi e qiti,
shpreson me e zgjue fluturim mënia.
E kqyrë: Ndër male po përhapet shkëndija
e lirimit t’Atdheut; fshehtas shëtiti
kasoll’ për kasoll’ rreth buneve e soditi
frymë të re tue zbrazun për gjithkah, hija
e Skanderbegut. Që ndër djepa rritin
nanat e Hotit djelmënin’ ushtore,
e idhnim n’armikun nëpër gji iu qitin.
E nalt, ndër maja, bukuri mbretnore.