Frank SHKRELI/Cirku politik në Nju Jork

632
Sigal

Në Shtator mbahen zgjedhjet vendore në qytetin e Nju Jorkut për Kryetar Bashkie, për anëtarët e Këshillit Bashkiak dhe poste të tjera administrative të këtij qyteti. Thuhet, këtu në Amerikë, se politika është krejtësisht vendore (all politics is local) dhe si e tillë politika vendore është shumë më e rëndësishme për interesat jetësore të përditshme për banorët e qyteteve, rretheve administrative e tjera, në krahasim, të themi, me politikën kombëtare dhe ndërkombëtare që përpilohet në Uashington. Kjo ndodh sepse udhëheqësit politikë vendorë janë ata që me të vërtetë ushtrojnë dhe zbatojnë një politikë kritike që prek nevojat dhe interesat, në përgjithësi hallet e banorëve vendas, duke filluar nga cilësia e shkollave për fëmijët, shpenzimet vendore, krimi, taksat, transporti, etj. Por shërbejnë edhe si shembull për të rinjtë e të rejat e komunitetit nga pikëpamja të meritave dhe përgjegjësive ndaj komunitetit, por edhe shembull për nga karakteri i zyrtarëve vendas. Andaj për të ushtruar si duhet, dhe me përgjegjësi të drejtën e votës, votuesi duhet të jetë i mirinformuar për kandidatin ose kandidatët për të cilët voton, si nga pikëpamja se si ai ose ajo do të mund të zgjidhë problemet e komunitetit më së miri, në krahasim me kandidatët e tjerë, por gjithashtu, në mendimin tim, edhe për nga këndvështrimi i karakterit të kandidatëve, të cilët kërkojnë besimin dhe mbështetjen e votuesve.

Në qytetin e Nku Jorkut, që është qyteti më i madh i Amerikës, dy kandidatë skandalozë, Antoni Uiner dhe Eliot Spitzer, i pari ish-kongresmen, detyrë prej së cilës u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të një numri skandalesh seksuale, vetëm e vetëm për tu paraqitur tani pas disa vitesh, si kandidat i partisë demokrate për kryetar bashkie të Nju Jorkut, megjithëse ka pranuar përzierjen e tij në skandale të tjera seksuale edhe pas largimit të tij nga detyra e kongresmenit. Tjetri na është, aspak më ultë për nga detyra se ish-guvernatori demokrat i shtetit të Nju Jorkut, Eliot Spitzer, edhe ky i përzier në skandale të turpshme seksuale me prostituta, i cili u detyrua gjithashtu të largohej nga detyra e guvernatorit, ka venë kandidaturën për detyrën me rëndësi të kontrolluesit të qytetit, d.m.th zyrtarit më të lartë financiar i qytetit të Nju Jorkut.

E pabesueshme! Për arsye të skandaleve seksuale të dy ishin detyruar të largoheshin nga detyrat me rëndësi, që u kishte besuar populli vite më parë, dhe tani pas disa vjetësh, duan, pa kurrfarë turpi, të kthehen përsëri në detyra të besimit publik. Antoni Uiner bile, me bashkëshorten pranë tij, pati fytyrë të pranonte para disa ditësh se kishte vazhduar me skandalet seksuale, madje edhe pasi u detyrua të largohej nga Kongresi si përfaqësues i Nju Jorkut. Megjithëkëtë dhe pa pikën e turpit, Uiner kërkon t’i imponohet përsëri banorëve të Nju Jorkut duke u kërkuar votën e tyre për t’i përfaqësuar ata si kryetar bashkie i qytetit më të madh amerikan dhe një ndër qytetet më të mëdha  të botës.

Me të vërtetë, banorët dhe qyteti i Nju Jorkut meritojnë kandidatë më të mirë, më moral dhe më me karakter se dueti UIner e Spitzer. Udhëheqës të lartë demokratë në nivel vendor dhe kombëtar, me të drejtë, kanë bërë thirrje për tërheqjen e kandidaturës, sidomos të Antoni Uiner, por deri më sot të dy janë në garë për postet që kërkojnë. Karakteri dhe morali i politikanëve dhe i kandidatëve për detyra publike në nivel vendor dhe kombëtar është me rëndësi, sepse veprat individuale si skandalet seksuale të Antoni Uiner dhe Eliot Spitzer, si dështime morale personale mund të kenë pasoja të këqija edhe për publikun e gjerë.

Votuesit e Nju Jorkut mund t’i falin këta dy politikanë për gabimet dhe skandalet seksuale të së kaluarës, por ama mos të gabojnë dy herë dhe të votojnë rishtas këta dy politikanë të degjeneruar në poste publike me rëndësi, siç është kryetari i bashkisë dhe zyrtari kryesor financiar i qytetit të Nju Jorkut. Por më në fund, janë votuesit e Nju Jorkut ata që do ta kenë fjalën e fundit mbi fatin politik të tyre.

Shqiptaro-amerikanë të Nju Jorkut, kini kujdes për ke hidhni votën tuaj të shtrenjtë në shtator, pasi të kini shqyrtuar mirë meritat dhe kualifikimet për postet në të cilat kandidatët e ndryshëm kërkojnë të zgjidhen, por mbi të gjitha pasi të kini vlerësuar edhe karakterin e këtyre dy kandidatëve, të cilët me veprat e tyre jo vetëm që kanë abuzuar me besimin që publiku kishte vendosë mbi ta, por njëkohësisht kanë koritur veten, familjet e tyre dhe Nju Jorkun.