Foto Bixhili/ Kisha e Dhërmiut, shumë zhurmë për asgjë

612
Tre shekujt e ieroapostolikëve Unitë të Kishës Papale të Romës, që nisën veprimtarinë e tyre në hapësirat shqipfolëse të arvanitasve të Moresë (Peloponezit ) e më pas në Himarë, deri afër fundit të shek.18. përhapën me veprimtarinë e tyre të përkushtimit, gjurmë dritëruese në popullatat arbërore të Peloponezit e të krahinës së Himarës; frymën e rilindjes evropiane, duke e tretësuar atë në një trupësinë e Zotit, robin e vet, Njeriun. Vepra e tyre ishte një dritë e re, e panjohur me parë, larg frymës sektare të kishës lindore të Patriarkanës, të indoktrinuar nga fontamentalizmi bizantinohelen, të racizmit teologjik lindor. Ky mentalitet, mendësi e praktikë sektare dhe përçarëse për sundim e dominim edhe të botës shpirtërore (religjioze) të njeriut më të mundshëm siç ishin arbërorët e fjalës, të besës e të besimit të përkushtuar famulist, që konstatuan në mënyrën e komunikimit me arbërit e Ballkanit Perëndimor e të Moresë, i bëri ata që t’u përkushtohen shenjtërisht veprës dritëdhënëse në këta njerëz “të bardhë” në shpirt e në besë. Shën Thanasi i Dhërmiut është i lidhur tërësisht me këtë mision të këtyre shenjtorëve apostolikë. Edhe në këto ditë, dhërmijasi dhe himarioti janë duke e jetuar dhe u vënë në provë, përballë një hipokrizie e prapaskenizmi e besimtarit naiv të krishterë, para të cilave fshihen interesa të tjera e të largëta e kryesisht, për të shuar veprën e apostujve UNITE të zgjimit të ndërgjegjes arbërore të himariotit. Për fat të keq dhërmijasit kanë mbetur atje ku e lanë hundëtërheqësit e iniciativave revolucionare të avangardistëve partiakë të monizmit. Shën Thanasi i Dhërmiut ka historinë e vet dhe ai që nuk e di, le ta gjejë e të mesojë. Shën Thanasi i Dhërmiut u sheshua dhe “humbi” nga vet dhërmijasit vlerat e veta, se vet dhërmijasi e rrënoi dhe i mori gurët e shenjtorit për të ndërtuar depon e ujit. “Ishte koha ”- justifikohemi. Por ishte dhërmijas (unë, ti, tjetri…) që hodhi fjalën, dha mendimin dhe u bë “vepër”. Ja ku e kemi gurin, ta marrim me karro, por edhe me krahë. Ja ku jemi e ta bëjmë depon. Pa tjetër që askush nuk mund të thoshte tjetrën. Dhe u bë depoja e ujit. E ndër kohë, kur dhërmijasi merrte gurët e Shën Thanasit dhe bënte depon e ujit, vuniotasi “komunist e partizan” po i mbyllte dyert dhe dritaret e kishave të tij me mur guri të thatë. Dhe kështu mbetën dhe s’u lagën deri kur vet Zoti i tyre, u dha ditën e rihapjes. Dhe vuniotësit shkuan dhe u dhanë përsëri dritë kishave të tyre. Ndërsa ne, dhërmijasit, rrënojat ku i kishim katandisur, konkretisht Shën Thanasin e të tjerat, i rindërtuam në “bunkerë” sipërfaqësorë dhe i quajtëm “kisha”, furriqe me pllaka betoni e dy – tre korniza me vizatime shenjtorësh. Mirëpo, një fjalë e mençur e popullit tonë thotë: “Kur e tund flamurin në shumë erëra, bëhet leckë”. Dhe këto sajesa e ditirambe revoltarene, janë lojëra të së njëjtës natyrë të atyre kohëve. Shën Thanasi i Dhërmiut, Shën Dhimitri po i Dhërmiut, Shën Dhimitri i Palasës sa dhe Shën Dhimitri i Qeparoit, kanë të njëjtën kohë dhe histori. Nëse dhërmijasit duan të rindërtojnë, Shën Thanasin, ta rindërtojnë ashtu siç na e la italiani, arbëresh, Nilo Katalano, eshtrat e të cilit ndodhen brenda në “SANCTA SANCTORUM” (Tryezën e Shenjtë) të Ajodhimës. Autori i këtyre radhëve të këtij shkrimi, është i mendimit që të kontribuohet rindërtimi dinjitoz i kësaj kishe dhe në altarin episkopal brenda saj (në të djathtën) të vendoset Memoriali i Nilo Katalanos, që e ndërtoi dhe u varros brenda saj. Pra, Nilo Katalano e ka vendin në Katedrën Peshkopale të kësaj kishe, brenda se cilës është varrosur trupi i tij.
Sigal