Sazan GURI/ Tomorri, nga shkëmb fatdhënës në shkëmb i gjakosur

967
Ndryshe nga shumw male tw botws shtrihet një mal që flet, sepse gjithë prijsat qëmoti para se të shkonin në fushë beteja kërkonin fatin dhe konsultoheshin apo flisnin me këtë mal. Mali ngrihet e mbështetet mbi malet e tjerë, si për të thënë, që ju o njerëz, nuk mund të punoni e të jetoni të vetëm. Shtrihet një mal, që si askënd tjetër në këtë botë lidh kaq mahnitshëm fushat e pamatë të myzeqesë me kodrat pjellore e t’larta nën re, si për të thënë që po kaq të lidhur duhet të jeni dhe ju o njerëz. Shtrihet një mal që të habit për befasitë që të krijon, që kur i qasesh nga krahinat përreth (Kavajë, Berat, Kucovë, Elbasan, Gramsh, Përmet), ai të shfaqet sa majtas e sa djathtas, aq tutje e kaq tëhu, herë i plotë e herë i fshehur, ndonjëherë i vogël, por më së shumti i madh. Më sakt i madhërishëm, jo për nga lartësia, se syresh të tjerë (Korabi, Jezerca) e lënë pas, por për nga madhështia, befasia, kthjelltësia që së toku e bëjnë të magjepshëm dhe i japin emrin Mal i të Mirave/Mali i Tomorrit. Shpesh ky popull, thoshte i madhi Sami Frashëri – nuk di se çka nën këmbët e veta. Kur rri e dëgjon deri në ciceronw të krahinës apo të muzeut që jetën e këtij Mali e lidhin me gjurmë të kalit të një fakiri luftëtar, i ardhur nga Irani në vitet pas 1600, sikundër po këta duan e thonë se edhe Tirana është formuar nga një luftëtar me pallë, i ardhur nga Teherani. 
Mali i Tomorrit, 5-6 milion vjet
Epo dëgjo këtu ti cicëron, akademik, fshatar, qytetar apo peligrinator, që nuk doni të dini për këtë Mal e për këtë Tiranë. Mali i Tomorrit është formuar së paku 65 milion vjet më parë dhe rri e qendron, ashtu si e shohim apo e prekim sot, qysh të paktën 5-6 milion vjet, shumë më parë se njeriu të çfaqej mbi dhè. Mal i ndërtuar nga sedimente gëlqerore, sot të kthyer në shkëmb i gjithëfarëllojshëm dhe i shumë i përdorshëm në nevoja të njeriut. Mal që prodhon dy lumenj të fuqishëm: Osumin dhe Devollin, ku emri i këtij të fundit vjen nga fjala latine, Deo-lum-Deoli, prej fjalës Deus-Perëndi që do të thotë “lumi i Zotit”. Prej gjeologëve austriak më 1917 është thënë se ky Mal ka brenda një liqen shumë të madh, prej nga dalin 100 burime uji. Një nga burimet e çuditshme është ai i Sulovës, kanioni i Sotirës (tepër i thellë e i mahnitshëm), pastaj ndesh burimin e Lubeshës me ujë të ftohtë si akull, pastaj të del para burimi i Vitalenit që gjendet në krye të Tomorrit, ndërkohë që ndodhet edhe një tjetër si burimi me ermrin “Konti”, e plot burime të tjera, por mbi të gjithë është burimi çudibërës, që ne nga ky ‘çik vend’ e quajmë “Burimi i Kuçedrës”. Po flasim për një Mal, që mbart në faqe të vet mijra hektarë me ah e lis, po aq me çajra shërimbërëse, një mal ku sipas Plutarku ishte një “…vend, ku gjithçka ishte me buri (bollëk)”. Mbi të gjitha, Mal që me shpellat e veta strehoi njeriun e racës parake europiane dhe bëri që njerëzimi i sotëm, pikërisht homo sapiens sapiensi, gjatë ftohjes së fundit (racat e tjera njerëzore si neandertali e astrolopiteku nuk mbijetuan dot) të ngjizte jetën nga e para. Është fshati Vlusha sot, ku njeriu parak, pasi doli i strukur në shpellat e tij nga vitet 25,000 para Krishtit (mijëvjecar që filloi i ftohti i madh global) deri në vitet 12-10,000, çeli jetën në këto vise pas daljes nga shpella në rrëzë të këtij Mali. Dhe pasi u përplas sërish me kapriciot e natyrës, si me hirin vullkanik, me përmbytjet e mëdha të fillimit të ngrohjes globale, thiri për ndihmë ligjet e natyrës. Këta njerëz studiuan, jo pak, por 3000 vjet lëvizjet në qiell, (kozmos), rregullat e kafshëve, dhe ligjësitëtë e forcave natyrore për të dhënë të thënat, fatet e njeriut dhe të njerëzimit. Këtë fakt e sjell në vemendje edhe studiusi italian, njohës i mirë i pellazgjisë dhe i Dodonës pellazgjike Enzo Gatti, që shpesh e thoshte se: “Priftërinjtë ilirë ishin ekspert astronomë. Ata ndërtonin qendra ku vëzhgonin qiellin. Parashikonin ndikimin e yjeve, kuptonin ciklet e hënës, ciklet menstruale të grave, baticat dhe zbaticat. Studionin galaktikat, kometat dhe mjegullat dhe i faleshin yllit “Sirio”. Dhe për t’i bërë këto shpikje të kapshme, krijuan hyjnitë për mbrojtjen e tyre. Së pari gjetën fron për tu ulur i madhi Zot (Zeusi), që thuhet se u ul me shikim nga ky Mal që akoma nuk kishte marr emër dhe formoi botën. 
Dodona e Pelasgjisë
Këtë e mbështet edhe studiusi tepër i njohur Stefan Bizantini, kur shprehet se “Dodona, qytet i Molosisë në Epir, ku ndodhet Zeusi i Dodonës, që është i pari në Dodonë’. Nëpërmjet Tij, formuan hyjnitë e gjithëpushtetshme si Diellin jetëdhënës, (biri i tij në tokë – jo më kot mashkulli i shtëpisë thirej djalë – diell). Pastaj, formuan hyjninë mbi Zjarrin e flakërishëm, dhe më pas formuan hyjninë për Kreshtën e lartë të Malit (në dimër) si Çuka e Peljes, e njohur sot si Maja e Çukës, ku venë alpinistët dhe një pjesë e pelegrinëve, që ndryshe i thonë ose ka kuptimin Çuka e Plakës. Maja partizani ose Çuka e Bukur përfaqëson një pikë, ku njerëzit e zonës betohen si rasti “Për atë Çukë”. Plakat e vjetra hapnin pallton edhe mbeshtesnin gjoksin, duke u betuar “për atë Çukë”. Peljet apo plakat përmenden edhe sot e kësaj dite në rrethinat e Tomorrit, madje ekziston edhe legjenda e tri plakave, ku njëra prej plakava përfaqëson datën 30 mars, e dyta 31 mars dhe e treta 1 prillin. Dhe së fundi, krijuan hyjninë e vatrës bubullitëse të shtëpisë, (duke i caktuar ditën e enjte-anji-e enjtur), si mbrojtëse dhe vazhduese të jetës, së mbrojtjes së farës, së arës, së familjes, së kombit. Zoti i ulur, formoi kufijtë e shtrirjes së njeriut parak (pellazg, para apo proto ilir) nga rrëza e maleve të Kaukazit, aty ku ngadhnjeu njeriu pas përmbytjes (Ararati i Nuhit), deri te Piramidat e Thotit në Tebë të Egyptit, dhe me një pikë tjetër mbështetëse te Dodona e Zeusit, pikërisht dhe jo rastësisht te ky Mal i madhërishëm. Me të drejtë populli ynë, perëndinë e parë e ka quajtur Baba-Dielli dhe Tokën Nëna-Tokë. Dhe për shkak se Baba-Dielli, lindte në Tomorr, gjithë treva që e shikonte Tomorrin, si skrapalinjt, gramshiotët, kavajasit, pse jo, i gjithë populli ynë, këtë Mal madhështor që “sillte diell” në mënyrë intuitive e quante Baba-Tomorri. Ndaj dhe sot betohen: “Për atë Diell” ose “Për Baba Tomorr”, dhe ky lloj betimi për njeriun shqiptar, si në agimet e jetës, dhe pothuajse sot nënzë ka qenë sinonim i një perëndie – Perëndisë së Diellit. Padyshim që ishte sinonim edhe i dritës, si element i perëndishëm që vinte nga Baba-Dielli. Kjo bëri që ky Mal të kishte statusin e perëndisë dhe e personifikoi me emrin të mirët. Megjithëse, thonë se një gjë e frikshme banon atje tej në majën e Malit të Tomorrit. Vetëm ata që janë me zemër të pastër mund t’ja trubullojnë vetminë asaj. Ata që nuk janë të pastër, Ai i përzën me kokra breshëri e me erëra të forta, ‘me të përzieme e me të përçueme gjaku të hundevet’ ose i bën të mbeten rrugës. Beja për Baba Tomorrin ose për ‘Të Mirin e Tomorrit’, sikurse e quajnë, ashtë beja më e fort që bëhet. Një i krishter bën be për Unjgjillin, edhe një Muhamedan për Kuranin, edhe kur kanë keq, mund ta bëjnë edhe si be të rreme, por askush nuk bën be të rreme për Tomorrin. Ksisoj, Mali i Tomorrit e trashëgon vetë emrin e tij, si Mal i Zotit të Pellazgëve. “O Zot, mbret Dodonas pellazgjik që banon në ato vënde të largëta e sundon mbi Dodonën dimërkeqe…” shprehet Homeri te Iliada. Tomorri – MAL ose BABAMAL – Mali i të Mirit, Mali i Hie-së, sepse Hie do të thotë shqip Zot, vend i mirë, vend i shenjtëruar, vend i Hienushëm. 
(Vijon)
Sigal