Foto Bixhili/ Çdo ringjallje ka edhe “dhimbjet” e saj

587
E vërteta të lodh, por nuk të lë të humbësh e të humbas veten e saj. Nilo Katalono, në rrjedhat e gjakut të vet, duhet të ketë gjak arbëror të bregut himarjot. Mua si studiues, më ngacmon pasioni dhe përkushtimi i tij për drithërimin e banorëve të këtij bregu, ndoshta të origjinës së vet, me atë që atij dhe të parëve të vet arbëresh u ka munguar, malli për dheun e të parëve. Për këtë arsyetim, më jep shkas që varrin e tij të përjetësimit e zgjodhi vet që së gjalli dhe banorët e atëhershëm të Dhërmiut (të pa infektuar deri atëherë) e vendosën atje ku e zgjodhi vet e për më tepër, atje ku e kanë vendin e tyre të shenjtët, në Sancta Sanctorum, ajo Dhimën e Shën Thanasit, që kishte ndërtuar vet. I natyrshëm rivaliteti i dy kishave, të asaj lindore dhe asaj perëndimore të dogmës së krishterë, për shtrirjen e ndikimit të tyre, në ushtrimin e ritit të besimit. Ky ka historinë e tij, por që nuk na angazhon në këtë rast. Megjithatë e vërteta duhet thënë, se avantazhi i kishës perëndimore ishte se ajo nuk kishte si motiv shovinizmin nacionalist, por shtrirjen e dogmës së besimit në Krisht, në sa më shumë qenie njerëzore, popuj e kombe. Dhe në tërësinë e himarjotëve të kohës, ajo kishte tërhequr interesin e tyre. Këto shkruan historia e asaj kohe në letrat e tyre, drejtuar Papës Grigori XIII. Ju faleminderit kryeministër Edi Rama, që zoti dhe kultura juaj njohëse e historisë, ju dhanë kurajën që të nxirrni nga varri i heshtjes dritën e saj. Kleri grek i kishës së vet, i mbetur ende në anakronizmën bizantine perandorake, ngaqë historia i dha kishës lindore gjuhën e tyre, të shkruar e të liturgjisë, krijuan mitin e emërtimit të kësaj kishe si kishë greke (Helene). Dhe të gjithë popujt lindorë që përqafuan këtë rit, i përgjithësoi si grekë. Krishti dëshmoi me gojën e thënies së vet: “Unë jam zoti i gjithë kombeve” (EGO EIMAI O THEOS OLLUN TON ETHNON-gr;). Dhe çdo komb ka veçantinë e tij: gjuhën, doket, zakonet, ritet, mitet e legjendat, përrallat e proverbat, madje edhe ngjyrën etj. Por duke u gjendur përballë këtij mentaliteti helen, në popujt lindorë lindën edhe lëvizjet për t’u shkëputur nga patriarkana, nga ky oktapod që do t’u tretët edhe mishin, edhe gjakun, edhe kockën. Çdo popull e komb i Ballkanit realizoi shkëputjen e vet nga Patriarkana e Kostandinopojës, duke krijuar shtetin e vet e pas kësaj edhe kishën Ortodokse Autoqefale Kombëtare. Ne shqiptarët u vonuam dhe mirë bënë e vepruan gjyshërit tanë, se do të na kishin tretur grabitqarët e shovinizmave të Ballkanit me kishat e tyre. Rilindësit tanë ishin profetë të madhërishëm në këtë vepër. Dhe ja, shikoni se ç’po luhet sot me himarjotët dhe dhërmijasit lodër, viktima të Bizantinizmit Kishtar Ortodoks Lindor. Në traditën fetare e kishtare sa dhe atë popullore, nuk preket varri e jo më të përçudnohet dhe eshtrat e të varrosurit në atë varr, t’i nxjerrësh e t’i shpërndash si hedhurina. I nderuari shqiptar Edi Rama, kam dalë nga vetja me këtë makabritet, veprim të dhërmijasit që e dëshmon Koço Kokëdhima. Mund të jetë njeri i dobët, që pretendoi të bëhej edhe shërbëtor i njeriut të Krishtit? Megjithatë, njeriu është e mundshmja e gjithçkaje. “Kurrë mos thuaj… Kurrë!”. Vandalizëm ishte ai që bënë disa persona të nxitur të cilët dhunuan varrin dhe eshtrat e shërbëtorit të Krishtit e të njeriut Nilo Katalano, i përkushtuari i dogmës e i besimit tek Krishtit. Ndërsa Ju nuk bëtë gjë tjetër përveçse vutë në vend dinjitetin dhe respektuat historinë e dhunuar nga spekulantët dhe qarqet e ndryshme shoviniste. Dhërmijasi që përmendi Koço Kokëdhima, deputeti ynë në Parlamentin Shqiptar, nuk del dot jashtë dhërmijasit dhe me veprimin e tij, stigmatizon tërësinë e Dhërmiut, i cili humbet orientimin e bashkë me të edhe vlerat. Kjo është drama e njeriut që vepron i indoktrinuar. Situata që pasqyruan mjetet e informacionit publik në Shën Thanasin e Dhërmiut, për mendimin tim ishin dhe mbeten mjerimi i Dhërmiut. Përgjigjen për të gjitha sa ju drejtova, do të ishte në nder të tyre e në vlerë gjykimi, ta jepnin ata që ju akuzojnë si “ vandal”, kudo ku janë e ndodhen. Por, nuk duhet të mërziteni dhe ju përgëzoj për qetësinë e gjakftohtësinë që demonstroni, për përgjigjet e mençura të një atdhetari njohës të historisë e të vlerave të saj. Ma do shpirti, të besoj se kjo që ndodhi në Dhërmi me bashkëfshatarët e mi dhërmijas, ishte një reagim i pandërgjegjshëm, i nxituar, i nxitur edhe nga naiviteti i natyrës së dhërmijasit, kur dikur e ka karakterizuar indiferentizmi menefregist, dy karakterizime që i njoh mirë si dhërmijas që jam, dy plus-minuset e natyrës së dhërmijasit, që shikon punën e vet, pa “le të digjet bota”. E mira është se edhe vet dhërmijasi, do ta kujtoj kur të vijë koha që të jenë “pjekur gështenjat e t’i kenë nxjerrë të tjerët nga zjarri”, që ka vepruar ndryshe “nga tradita e vet”. Kur të rimarrë Shën Thanasi formën dhe madhështinë e përafërt me atë që ka pasur e që ia ka dhënë historia e kësaj Kishe, ky dhërmijas i sotëm i “ këtyre bëmave”, të ketë jetë e shëndet, do t’i falet e do t’i bjerë në gjunjë i penduar, të Shenjtit Apostulik Nilo Katalano, si të shenjtit të vet shekullor, Shën Thanasit të Petashit. Kështu e quanin dhërmijasit e kohës, Kishën e Katalanos.
Sigal