Gëzim Zilja: A mund të mblidhet PD-ja të analizojë se çfarë i ka ngjarë!?

182
Sigal

Ka ndodhur diçka jo e mirë me humbjen e Partisë Demokratike. Për të tridhetedytin vit me rradhë pas zgjedhjeve lideri historik del të nesërmen sabah-sabah, bën deklarata e jep mendime për zgjedhjet edhe kur fiton edhe kur humbet. Në emër të kujt flet ky? A nuk duhej të mblidhej kryesia e PD-së pastaj Kuvendi Kombëtar e të analizohej gjerë e gjatë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë? PD-ja më vonë mund të dilte me një deklaratë kolegjiale e të vendoste për më tej. Lideri ia arriti të personalizojë fushatën e PD-së dhe të asfiksojë strukturat qëndrore duke shkuar qytet më qytet, duke folur e përsëritur si gramafon të njëjtat gjëra, e të njëjtën këngë me armiq e tradhëtarë, duke e shtuar edhe me ndarjen dhe urrejtjen midis shqiptarëve. Ndërkaq PD-ja vazhdon e përçarë e mjerisht prodhon, etiketon e përjashton pambarimisht tradhëtarë.

Po të fitonte, PD-ja nga mënyra si lideri e drejtoi fushatën fitorja do të ishte e gjitha e tijë dhe ai si sfinksi do të ringrihej nga hiri duke mundur madje i vetëm SHBA-të. Ka më burra në Partinë Demokratike t’i thonë: ndal ore njeri. Hajde të mbledhim strukturat dhe të vendosim bashkarisht se çfarë po ndodh me demokratët që nuk arrijnë të fitojnë mbi një qeveri bandë, mbushur me hajdutë e një administratë të qelbëzuar fund e krye? Në fletën e votimit votova BF-në dhe kandidatin e saj. Ishte e dhimbshme (por e kapërxeva ylberin) kur votova jo nën siglen e PD-së. Besoj këtë ndjesi kanë pasur qindra mijë demokratë të tjerë që nuk e kapërxyen dot ylberin si unë dhe abstenuan. Ditët ikin shpejt dhe në prag janë zgjedhjet parlamentare. Mblidhuni ju përfaqësues të PD-së dhe deputetë, se nuk ju kemi dhënë votën për revansh hajdutësh por për të ndërtuar një sistem qeverisës më pranë njerëzve dhe të pakorruptuar. Drejtoni në grup, dëgjoni njëri-tjerin, pastroni po patët këllqe (ndryshe Bythë) partinë nga gënjeshtarët, parazitët e të paaftët që gëlojnë tash 30 vjet, e mos lini liderin historik me Nokat e Palokat të tallen me demokratët, pa bërë analiza të hollësishme të humbjeve në seri. Mësohuni të mos u kap për veshi lideri e ju të bëlbëzoni para tij. Zbërdheni, kuptoni e mësoni pse Shkodra u bë mavi këtë herë! Ku shkuan 200.000 votat e demokratëve të dy viteve më parë? Hartoni një plan veprimi, që pas dy vitesh të çojë në fitore. Mblidheni mëndjen! Humbëm për paaftësinë e drejtuesve. Humbëm se nuk kishit vizion, nuk kishit program dhe as krijuat dot besim te njerëzit megjithëse përballë kishit një qeveri thellësisht të korruptuar. Me këtë humbje të turpshme të PD-së nuk ka humbur vetëm opozita por mbarë kombi shqiptar.