Hamit FAZLIU/ Trimat e Akademisë

856
Sigal

Para disa ditësh akademik Rexhep Qosja ua bëri me dije me një letër drejtuar Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, se nuk pranon të jetë i futur në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, duke i paraqitur edhe arsyet pse nuk dëshiron të jetë në këtë “Fjalor”. Kryeredaktori i këtij “Fjalori”, në emrin e ASHAK-ut, iu përgjigj shkoqur: “Ti o Rexhep Qosja, do të jesh i përfshirë në këtë “Fjalor” deshe apo nuk deshe!”

E mora dhe e shikova Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe u binda se në ‘të askund nuk shkruan se një shkrimtar, shkencëtar, politikan, a person tjetër, të futet në farë “Fjalori Enciklopedik” apo në farë Enciklopedie në qoftë se nuk dëshiron të jetë i futur në të! Një jurist i Kuvendit të Republikës së  Kosovës, më tha se, as në ndonjë ligj tjetër nuk thuhet se personi që nuk pranon të jetë i futur në farë Fjalori Enciklopedik apo në farë enciklopedie në qoftë se e bënë me dije botuesin e atij, Fjalori a të asaj Enciklopedie për këtë, nuk do të jetë i futur në ‘to.

Mirëpo, shokut Mehmet Krajës nuk i intereson çka thuhet, e çka nuk thuhet, në Kushtetutën a në ligjet e Republikës së Kosovës. Ai është trim mbi trima. Ai trimërinë e tij e ka trashëguar prej dy burimesh: së pari, prej vendlindjes e masandej edhe prej Revistës së Armatës Jugosllave “Narodni Front”, ku një kohë, jo edhe aq të shkurtër, ishte anëtar i redaksisë së saj. Dhe këtë trimëri ai e ka treguar jo vetëm në shkrimet e tij derisa ishte në “Rilindja” në “Bujku” e në “Koha Ditore”, prej së cilës do të jetë i përjashtuar mu për shkak të kësaj trimërie të tij të pakontrolluar. Këtë trimëri ai do ta tregojë edhe me rrena, me fyerje, me urrejtje, me shkrime dhe me grushte e me shqelma, në zyra dhe në rrugë. Është i ditur dyluftimi i tij me Skënder Zogajn derisa ishin përfaqësues të LDK-së në Tiranë, me ç’rast trimi i trimave Mehmet Kraja i ka dhënë disa grushte atij far trimit të quajtur Skënder Zogaj! Edhe më i njohur është dyluftimi i shokut Mehmet me botuesin Abdullah Zeneli para Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Me atë rast, trimi Mehmet Kraja i ka marrë disa shuplaka e disa grushte e shqelma si të mos kishte pasur vetë asnjë dorë e asnjë këmbë dhe ashtu i rrahur ka shkuar në Akademi për t’i treguar trimëritë e tij në mënyra të tjera siç po i tregon tani ndaj Rexhep Qosjes: me provokim se do ta fusë në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” me shkelje të të drejtave njerëzore të tij, me fyerje të integritetin të tij si njeri dhe si krijues.

Dhunës së shtuar të Akademisë se Shkencave dhe të Arteve të Kosovës ndaj akademik Rexhep Qosjes, akademiku Mehmet Kraja ia shtoi edhe dhunën, që aq lehtë e tregoi trimëria e tij e krijuar, siç e thashë më lartë prej dy burimesh. Për këtë shkak, 55 rrenave, shpifjeve, urrejtjeve ndaj Rexhep Qosjes me të cilat gjeografi Hiv-zi Islami fton ndonjë fanatik të LDK-së apo ndonjë person tjetër pa balancim nervor që ta rrezikojë jetën e Rexhep Qosjes. Mehmet Kraja ia shtoi kërcënimin e tij se ndaj Rexhep Qosjes do të sillet vetëm ashtu siç e frymëzon trimëria e tij dy burimore: Rexhep Qosjen, trimi Mehmet do ta fusë në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, edhe pse Rexhep Qosja me shkrim e ka njoftuar Akademinë dhe opinionin se nuk pranon të jetë i futur në ‘të. Kjo trimëri i jep kështu të drejtën penale shokut Mehmet t’i botojë, t’i ribotojë a t’i djegë publikisht veprat e Rexhep Qosjes! Kjo trimëri e tij i jep të drejtë të çmendur Mehmet Krajes që, mbasi ndonjë i ftuar i Hiv-ziut ta likuidojë Rexhep Qosjen, ta varrosë ku të dojë e si të dojë në arkivol të veshur siç është, apo në tabut, të mbështjellë me qefinë! Në varret e Prishtinës apo në ndonjë lokalitet larg këtyre varreve!

Dhe kështu, në këtë mënyrën hiv-ziane dhe mehmetiane, Rexhep Qosja do të futet në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, të cilin po ta emërojmë si i tregon përmbajtja do ta quajmë Fjalori Enciklopedik Shqiptaro-Serb i Kosovës! Ata që e kanë parë me kujdes, a pa kujdes, Fjalësin e tij janë bindur që ai Fjalës është tamam shqiptaro-serb. Në të janë përfshirë edhe Mali i Zi, Maqedonia edhe Lugina e Preshevës, por është përjashtuar Shqipëria dhe është përjashtuar sepse Hiv-ziu dhe Mehmeti nuk e duan, të mos them e urrejnë Shqipërinë: Hiv-ziu, sepse siç ka thënë vetë Hiv-ziu Shqipëria po sillet me superioritet të rremë dhe me paternalizëm ndaj delitantizmit të tij, kurse Mehmeti sepse në Fjalorin e shumëpërdorur enciklopedik të Pasho Bakut nuk përmendet fare, kurse në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” përmendet siç e meriton: si një shkrimtar i vogël që përdoret aq lehtë prej Hiv-ziut të madh, aq lehtë sa edhe shoku Pajazit, Pajazit Nushi pra!

Në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” shumë besnikërisht përfshihen serbët – shkrimtarë, studiues, gjeografë, etnografë, historianë, politikanë, madje dhe Millosheviçi, e përjashtohen krijuesit e politikanët shqiptarë, historia, kultura, civilizimi, politika e Shqipërisë si të mos ekzistonte fare Shqipëri, si të mos ishte historia, tradita, kultura e saj një tërësi me historinë, kulturën dhe politikën e Kosovës. Dhe në këtë mënyrë të zezë, duke e bërë “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës” “Fjalor Enciklopedik Shqiptaro – serb të Kosovës”, kryeredaktori i tij shoku Mehmet Kraja dhe shefi i tij shoku Hiv-ziu, nuk janë mërzitur fare pse të gjithë serbët e përfshirë në të, në Fjalorin e Mehmetit dhe të Hiv-ziut, janë nënshtetas të Serbisë, që e mohojnë me gojë, me shkrim e me politikë shtetësinë e Kosovës. Dhe kështu në këtë mënyrë, duke e bërë Fjalorin e tyre Enciklopedik, Fjalor Shqiptaro-Serb në të cilin janë përfshirë edhe ish-republikat e ish-Jugosllavisë Mali i Zi, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës e duke përjashtuar Shqipërinë shoku Mehmet dhe shefi i tij Hiv-ziu kanë bërë një Fjalor Enciklopedik tamam ashtu siç bëheshin fjalorët e tillë a enciklopeditë e tilla jugosllave në Kohën e Rankoviqit; madje, këta shoku Mehmet dhe shefi i tij shoku Hiv-zi, e kanë kthyer edhe një herë Kosovën jo vetëm simbolikisht, por edhe politikisht, me vepër të shkruar, në autonomi të Republikës së Serbisë. Ky është Fjalori i tyre Enciklopedik i Kosovës: Fjalor i autonomisë së Kosovës dhe i Republikës së saj të Serbisë! Në këtë fjalor jugosllavist, në të cilën Kosova kthehet në gjendjen në të cilën ishte deri sa e çlirojë UÇK-ja, që ata të dy e urrejnë aq shumë, atyre ju duhet shumë, deshi, s’deshi ai, emri i Rexhep Qosjes-ju duhet që ta bëjnë si veten: mohues të njësisë së kombit shqiptar, mohues së historisë, të kulturës, të qytetërimit shqiptar, partizan të krijimit të kombit të dytë shqiptar-të kombit kosovar; arsyetues të krijimit të gjuhës standarde të këtij kombi të dytë dhe në fund pajtues me hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptaro-Serb të Kosovës, me të cilin Kosova edhe njëherë bëhet autonomi e Serbisë. Mund të jenë të bindur, siç edhe janë, besoj se Rexhep Qosjen kurrë nuk mund ta bëjnë si veten e tyre. Rexhep Qosjen ju edhe mund ta fusni në Fjalorin tuaj enciklopedik shqiptaro-serb, pa e pyetur, dhunshëm ju “trimat” e Akademisë, por vetëm duke i harruar pasojat e një marrëzie të tillë: pasojat juridike penale! Këtë e dëshmon jeta e tij, këtë e dëshmon e gjithë vepra e tij krijuese e shkencore, letrare e publicistike në mënyrë te veçantë vepra “Populli i ndaluar”, e shkruar në kohën kur Mehmeti dhe Hiv-ziu i quanin demonstratat e studentëve tanë nacionaliste, irredentiste, veprimtari armiqësore kundër integritetit të Jugosllavisë vetëqeverisëse, mandej “Strategjia e Bashkimit Kombëtar”, “Paqja e Përgjakshme” e shkruar në Rambuje, në kohën kur ju pinit raki nëpër qoshet e Prishtinës me ndonjë serb, “Tronditja e Shekullit” që është një histori e çdo dite të fatit të Kosovës prej 24 marsit e deri më 12 qershor të vitit 1999 e shkruar kur Hiv-zitë e Mehmetat me partizanët e tyre e kalonin kohën duke bërë qejfe me shlivovicë nëpër kafenetë e Tetovës, të Gostivarit, të Strugës e me raki rrushi nëpër kafenetë e Podgoricës, të Ulqinit e qyteteve tjera.

Në redaksinë që do të përpilojë zërat e letërsisë është edhe akademiku pa fakultet Eqrem Basha, por nuk është njohësi më i mirë i letërsisë shqiptare Prof. Dr. Agim Vinca.

Këta shokët e jugosllavizmit në këtë “Fjalës të Fjalorit Enciklopedik Shqiptaro-Serb të Kosovës”  kanë futur fëmijët e tyre: Mehmet Kraja ka futur dy vajzat e veta, Rexhep Ismajli ka futur vajzën dhe vjehrrin e vet (një mësues i thjeshtë), Eqerem Basha, ky akademik pa diplomë fakulteti, ka futur vajzën e vet e shumë partizanë të tjerë LDK-ista. Prej “Fjalësit të Fjalorit Enciklopedik shqiptaro-serb të Kosovës” janë përjashtuar shumë doktorë të shkencës së letërsisë, historianë, artistë, mjekë, këngëtarë, të burgosur politikë e shumë patriotë tjerë shqiptarë; si për shembull dr.Fadil Grajqevci, dr.Salih Bytyqi, dr. Bashkim Musliu, dr. Arben Hoxha, dr. Ethem Çeku, dr. Myrvete Dreshaj, mr. Abdyl Kadolli shkrimtar; këtu kanë futur këngëtarë e këngëtare që i këndojnë e i duartrokasin LDK-së, e nuk janë Dervish Shaqa, Shkurte Fejza, e shumë e shumë këngëtarë tjerë të njohur të këngës së mirëfilltë shqipe. Këtu janë këngëtarë e këngëtare të kafeneve e këtu nuk është këngëtarja e mirënjohur, e cila përfaqësoi Kosovën në Eurovizion Rona Nishliu, këtu janë persona të vjetër e të rinj me pozita dikur të larta e të ulëta, por nuk janë siç është fjala vjen i burgosuri politik shumëvjeçar Osman Dumoshi e vëllai Ismail Dumoshi patrioti e i burgosuri politik, veprimtar shumë i çmuar Kadri Rexha dhe shumë patriotë e të burgosur tjerë politikë! Është e çuditshme se në këtë Fjalës ka shumë e shumë urrejtës të dikurshëm, e të tashëm, të UÇK-së! Dhe është mirë që nuk janë në Fjalësin e Fjalorit Enciklopedik shqiptaro-serb, që Kosovën e paraqet edhe një herë si autonomi të Serbisë, kurse Shqipërinë e sheh si Ermeninë! Pra në fjalorin e tillë nuk mund të jenë patriotët e Kosovës e as të Shqipërisë. Një shok imi më tha se, “po t’i hyjsh poshtërsive të atij Fjalësi të Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, do të humbësh kohë ma shumë se një muaj, ka lloj, lloj plehurine aty”! Mjerë Kosova e mjerë Shqipëria që ka Mehmeta e Hiv-zia, se po mos të kishte specie të tillë si këta dy shokët e jugosllavizmës e shumë partizanë tjerë të tyre antishqiptar, qysh moti ne do ishim bashkë në një shtet.