Ëngjëll Musai: Qafa e Kasharit si Trekëndëshi i Bermundës

553
Trekëndëshi i Bermudës (i njohur edhe si Trekëndëshi i Djallit ose Trekëndëshi i mallkuar) është një zonë në oqeanin Atlantik, afërsisht 1.2 milion kilometra katrore që përbëhet nga Bermuda, Puerto Riko dhe Fort Loderdejl, të Floridës. Trekëndëshi i Bermudës është bërë i njohur nga rrëfimet e medias, për dukuritë e jashtëzakonshme që thuhet se ndodhin atje. Në këtë zonë ka pasur shumë ngjarje misterioze të vërtetuara, që nga viti 1800 ku anije, aeroplanë ose ekuipazhi i tyre janë zhdukur në një mënyrë të “pashpjegueshme” pa lënë asnjë gjurmë pas. Deri më sot, ka ende disa ndodhi që nuk janë sqaruar përfundimisht, të cilat kanë krijuar pjesërisht prova shpjeguese shumë të çuditshme, por shkencërisht krejtësisht të shpjegueshme. Këto ngjarje kanë qenë bazë për një numër të shumtë veprash letrare, filmash dhe faqesh interneti.

Kash – Ari !
Me sa duket edhe Qafa e Kasharit që për ironi të fatit mbanë të fshehur në brendësinë e saj magjinë e fjalës “ Ar “ ( Kash – Ari ) , po bëhet e famshme jo vetëm në Shqipëri dhe Ballkan, por kudo në Botë, duke na kujtuar kohën e kaubojve amerikanë dhe Meksikanë rreth 200 vjet më parë. Kjo zonë ka ditë që është futur në listën e zezë nga kompanitë prestigjioze në Evropë dhe në botë, të cilat nuk garantojnë më sigurinë e vlerave monetare që qarkullojnë në vendin tonë. Grabitja e parave e kryer para 4 ditësh përbënë një nga ngjarjet më të rënda dhe më të patolerueshme për imazhin e Shqipërisë, sistemit bankar, rendit dhe sigurisë në territorin e vendit tonë. Të mos harrojmë që këto ngjarje nuk ndodhën as në periudhën më të rëndë për Shqipërinë, sikurse ishte viti i mbrapshtë i 1997-s. Dhe kjo grabitje ndodh pikërisht në momentin që Shqipëria është e përfshirë nga ethet e respektimit të shtetit ligjor, zbatimit të ligjit për Vettingun, të cilat do të garantojnë përqasjen e vendit tonë me familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Jo pa qëllim e përmendëm faktin e fundit për të treguar, se dera e BE-së nuk do të hapet, nëse nuk respektohen dhe zbatohen 5 kushtet e vendosura nga organizmi më i lartë evropian, ku pika 2 e saj është “Lufta kundër krimit , deri në sigurinë e plotë të rendit në Republikën e Shqipërisë”. 

Vjedhja e 4 e bankave dhe parave në 18 muaj
Të ndodhë një rast i shkëputur edhe mundet ta diskutosh me qetësi dhe madje të përpiqesh që të jesh optimist, se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin më, por të bëhen 4 raste të tilla të ngjashme, në të njëjtin itinerar, me të njëjtën mënyrë grabitje dhe dorëzimi pa kushte nga ana e policisë private dhe, për më tepër, të mos zbulosh qoftë edhe një rast të vetëm, kjo është më shumë kriminale, se sa vetë kriminelët që “grabitën” paratë e shqiptarëve të varfër. Mua nuk do më interesonte fare se çfarë qëndrimi dhe çfarë përgjegjësie kanë Shoqëritë e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF), ose sikurse njihen në popull si “Policitë private”. Për mua ka rëndësi, se ku është Shteti im, çfarë ka bërë që të zbulojë dhe ndëshkojë me ashpërsinë e ligjit të gjithë abuzuesit që i shkaktojnë vendit dëme kolosale, si dhe i shkatërrojnë imazhin Shqipërisë. Dje dëgjuam zhargonet e përditshme dhe të përjavshme të Kryeministrit Shqiptar që, në vend të kërkonte ndjesë publike për 4 raste të ndodhura dhe të pazbuluara, filloi të shante mediat pse e kritikuan Ministrinë e Brendshme dhe kërkuan dorëheqjen e Ministrit Tahiri. Sigurisht që mediat tashmë janë mësuar me klithmat e “kukuvajkës” dhe, se shprehja e famshme e të madhit dhe të paharruarit Dritëro Agolli , “Buf kënete” për paraardhësin e kryesocialistit aktual që akuzonte “Grupin Socialist dhe KPD “ si “ Kënetë” janë përgjigja më e mirë edhe për “Bufin e moçalit”

Përgjegjësia e Policisë Shtetit, Policisë Private apo e Bankave ?
Të tentosh të mbrosh të pambrojtshmen, të guxosh të bësh fajtor Bankat, ku ti vetë me dy akte ligjore dhe nënligjore i ke dhënë mundësinë banditëve të bëjnë sipas qejfit, kjo është një çmenduri. Në reagimin e saj Shoqata Shqiptare e Bankave ( AAB) thekson se: “Bankat kanë përgjegjësi për sigurinë fizike brenda ambienteve ku zhvillojnë veprimtarinë “ dhe se Bankat vazhdon reagimi : “Sipas ligjit, bankat nuk lejohen të transportojnë vetë vlera monetare. Ato nuk janë përgjegjëse për vendosjen e standardeve apo kërkesave për këtë veprimtari, sa kohë ligji nuk parashikon dhe nuk ia njeh këtë detyrë apo të drejtë.” Ja kjo është edhe përgjigja për Kryeministrin që shpifi dhe mashtroi dje qytetarët në daljen e tij nga “moçali” ku po vegjeton. Pra Kryeministri duhej të vinte para përgjegjësisë, Ministrin, drejtuesit e policisë, shërbimet e specializuara, ato të drejtorisë së Tiranës, të cilat kanë për mision sigurimin e jetës, aktivitetit tregtar, rendit dhe qetësisë. A dini ju zoti Kryeministër se : 
-Drejtoria e Rendit dhe Sigurisë në Policinë e Shtetit, e cila prej 6 muajsh mban çuditërisht të bllokuar, draftin me ndryshimet e dakordësuara me ekspertë të sigurisë së bankave dhe ata të policive private?
-Se përgjegjës për lëshimin e autorizime për automjetet e blinduara është, Komisioni Vlerësues në Policinë e Shtetit?
-Se në Korrik të vitit 2014, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme ( Saimir Tahirit ) u bë një ligj i ri për policitë private, që u proklamua me të madhe, si ligji i cili do të zgjidhte përfundimisht të gjitha problematikat dhe dobësitë ndër vite, në lidhje me transportin e vlerave materiale dhe monetare ?
– Se më 1 Prill të vitit 2015 është miratuar udhëzim i ri, për specifikimin, kryerjen e aktiviteteve dhe funksionimin e “Policisë Private”, dhe se ky akt i nxjerrë nga ministri Tahiri (Udhëzimi Nr.157 ), ishte i mangët dhe linte boshllëqe të shumta, ku policitë private përfitonin duke shfrytëzuar këto mangësi ligjore?
– A e dini Ju zoti Kryeministër, se në asnjë cep të këtij udhëzimi apo dhe të ligjit nuk përcaktohet, ashtu siç gënjeu Ministri dhe përfaqësuesi i Policisë së Shtetit dhe Kryeqytetit se blindat duhet të kenë kamera të ndezura, të kenë GPS në thasët e parave apo që duhet të njoftonin Policinë para se të nisen?

Fundi i telenovelës Rama –Tahiri 
Pas shpifjes suaj për mediat dhe mashtrimit që u bëtë qytetarëve , lind pyetja: Ku do i gjejnë paratë kompanitë e Shërbimi Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF),ose sikurse njihet në termin e përditshëm “Policia Private” që t’ia kthejnë bankave, pasi kompanitë e Sigurimeve nuk japin para për hajdutët dhe ata që shkelin qëllimisht aktet ligjore dhe nënligjore, të cilat normojnë dhe garantojnë sigurinë e parave gjatë transportit në Republikën e Shqipërisë. Nëse vërtetë do iu dhimbseshin paratë, prestigji i bankave dhe vetë shtetit mos mbillnit 1 miliard lekë palma, por me ato para kishit pajisur me kamera sigurie rrugën Tiranë – Qafa e Kash-Arit—Rinas. Kjo do ishte më e arsyeshme, pasi në këtë aks rrugor kalojnë personalitete të huaja dhe të vendit, qarkullojnë vlera monetare marramendëse etj. Po për bankierin e ndjerë “Artan Santo” përse nuk gjenden autorët ? E mbani mënd policin me motor, që ishte vetëm 10 metra larg dhe, më shumë se sa mbrojtës i rendit të jepte përshtypjen e një njeriu që siguronte largimin e kriminelëve. Ja këto janë çështjet që duhet t’ju preokupojnë duke i kërkuar llogari deri më një Ministrit të Brendshëm, pasi ky është detyrim ligjor dhe qytetar ndaj votuesve, por edhe një nga 5 kushtet e BE-së për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane. 
Sigal