Elbasani e mirëpret një frymëmarrje të re/ Hyqmet Zane: Luçiano Boçi, kandidati potent për ndryshimin e pushtetit vendor

168
Sigal

Nga Hyqmet Zane

Elbasani, nusja e Rumelisë, siç citoi profesori Kujtim Bevapi kronikanin Mevla Çelebiu të Perandorisë Osmane nuk e meriton të katandiset me varfëri dhe ndotje, e keqqeverisur dhe e poshtëruar siç e bënë të tillë qeveritarët socialistë të pushtetit vendor dhe atij qëndror. Nën këtë këndvështrim, ky qytet i arsimit dhe i resurseve të mëdha nuk meriton braktisjen, por gjenerimin e jetës. Dhe këtë do ta mundësojë kandidati i Ndryshimit profesor Luçiano Boçi, si kandidati potent për bashkinë Elbasan, jo me gënjeshtra, jo me mashtrim, jo me propogandë, por me punë dhe përkushtim. Demokratët kanë ndezur motorrët e një fushate për të arritur kreun e Bashkisë së Elbasanit, si edhe në qytete të tjera me rëndësi, ku qeverisja qëndrore ua ka marrë frymën qytetarëve dhe territorit të tyre. T’i japësh qytetit tënd një frymëmarrje të re në filozofinë e drejtimit, pa ndikime nga faktorë të jashtëm, që kërkojnë të mbysin gjithëçka për përfitime personale, ky është një angazhim i domosdoshëm dhe i mirëpritur.  Qyteti i arsimit siç konsiderohet Elbasani, ka marrë tashmë një pamje si një nxënës apo student i mbetur për vjeshtë. Jo se nuk ka mësues apo shkolla ku të jepet mësim, por sepse drejtimi i pushtetit lokal të këtij qyteti është bërë nga mësues apo pedagogë të këqij dhe jo sipas fjalës që “t’i ngjajë peni gëzofit”.

E them këtë sepse realisht sot Elbasani mund të konsiderohet si i përfshirë në një fasadë ngjyrash përballë një realiteti azmatik me mushkëri të sëmura, që i ka dhënë qeverisja vendore e socialistëve. Me ose pa dëshirë, ky qytet në këto 15 vitet e fundit ka njohur dështime të shumta që i ngjajnë dështimeve të një politikani që veç llomotit dhe nuk bën asgjë. Engjëll Dakli i demokratëve që punoi si kryebashkiak në vitet e vështira të pas-revolucionit të vonuar demokratik të socialistëve dhe që mbetet kryetari i bashkisë më i nderuari tek të gjithë qytetarët thoshte “Kush (kryetar bashkie) do – ai bën, kush nuk do – ai thotë (bën fjalë). Viti i zgjedhjeve vendore duket se ka nisur me pakënaqësitë qytetare për fasadën e jetesës në një lloj varfërie të paprekshme nga të ashtuquajturat reforma qeverisëse për një milion votuesit e saj, të cilët u pakësuan në çdo zgjedhje se u verbuan nga shkëlqimi i rremë i fjalëve dhe tashmë u janë thelluar vuajtjet për bukën e gojës shumë e shumë familjeve nga papunësia e filozofisë së burgut ku ua caktoi kryeministri, si dhe e shkatërrimit nga praktikat e abuzimit dhe dënimeve selektive, nga fjalët në erë për rritje niveli në një kohë që bizneset kanë rënë në një masë të konsiderueshme në limitin e rënies së ekonomisë që u pompua nga mafiozët e vjedhjes së çdo pasurie që i duhej popullit. Në Elbasan kjo u aplikua me “sukses” të plotë nga ish qeverisja vendore që i la dopiogjashtën në dorë kryebashkiakut aktual që mbeti me duar prapa pa bërë asgjë. I “sukseshëm” ka qenë në këtë qytet edhe banditizmi me vrasje dhe “shesh-beshi” i banditëve që ia zunë frymën hapësirës së lirisë qytetare që ky qytet e ka pasur si normalitet. Kudo ku shkon, në çdo tavolinë që ulesh, me këdo që bën bisedë, kur je i ardhur nga kryeqyteti, të flasin hapur e të thonë se i ka zënë një hall i madh. Hall me papunësinë e hallë veçanërisht për demokratët dhe ata që nuk shihen me sy të mirë nga pushteti i biografive të së shkuarës që kanë mbjellë varfërinë, hall me hekurat e burgut që përfundojnë edhe ata që kanë pagesa të rregullta të faturave që pushteti i porosit si gjobëvënie në emër të ligjit. Hall edhe për ata që iu prishën banesat apo shtesat e pallateve dhe nga ana tjetër kanë mbetur në këmbë pa u prishur ato që janë miqtë e kryebashkiakut dhe që premtojnë se do jenë ushtarë të bindur të kryebashkiakut për të uzurpuar një institucion që ka mbetur si dëshmi e së keqes përballë qytetarisë që njihet për mirësi dhe tolerancë. Inceneratori i përpunimit të parave nga ministrat në bashkëpunim me kryeministrin i vuri lakun në fyt këtij qyteti sa kryebashkiaku aktual e thoshte si nën gojë se “nuk kemi para” dhe dihet se kush i gllabëronte ato. Që në fillim duhet thënë se ky qytet ka nevojë për një frymëmarje të re dhe me oksigjen të pastër dhe jo më me frymëmarrjen e ndereve personale që bënte kryebashkiaku Sejdini për ata që ai i shikonte si vegla të bindura në raste zgjedhjesh, kurse pasuesit të tij Gledi Llatja i la në derë fryerjen e administratës me militantë dhe patronazhistë me porosi nga Taulanti dhe Damiani. Qyteti ka nevojë jo thjesht për një frymëmarrje të re, por edhe për një frymëmarrje demokratike, fryma e së cilës është bërë apatike dhe mbytëse e çdo zëri që del si protestë ndaj të keqes. Ashtu si ambjenti i këtij rajoni ku shtrihet Elbasani që është i kontaminuar nga helmet e një metalurgjie që mbolli të zeza dhe vazhdon të ushqejë qytetarët dhe banorët përreth me prodhimet e rritura nën trysninë e helmeve që janë futur edhe në tokë, siç rezulton nga shkencëtarët e mjedisit, edhe psikologjia e një qyteti është kontaminuar nga një filozofi qeverisëse e pushtetit vendor me shumë skorje në qëndrimet e njëshit të Bashkisë dhe elementëve që i rrotullohen si hiena kryebashkiakut. Nëse kontaminimit të tokës i është menduar që t’i bëhen plehërime për ta bërë efektive dhe prodhuese të vlerave ushqimore, ka mbetur një opsion utopik se si do të bëhet dekontaminimi i filozofisë së drejtimit të pushtetit lokal që në kushtet e reja dhe në format që paraqitet, kërkon një frymëmarrje si ajo që po prezanton kandidati Luçiano Boçi me vizionet e tij si një pedagog i jetës reale.

Nëse thuhet se ky qytet mban pishtarin e arsimimit përmes Normales së mirënjohur si Universiteti i Parë Shqiptar, me plot gojën duhet thënë se Universiteti “Aleksandër Xhuvani” nuk është as në nivelin e ulët të kësaj Normaleje që sot ka edhe titullin “Nderi i Kombit”. A mund të quhet “Nderi i Kombit” një universitet që sot nuk “prodhon” dot mësues se iu zu fryma nga infermieria si dega e përgatitjes për emigrim pas universitar. Nëse Normalja i shërbeu kombit anë e mbanë, Universiteti i sotëm, nuk është në gjendje t’i shërbejë as qytetit të vet, Elbasanit, sepse mediokriteti i mbështetjes dhe i menaxhimit, korrusioni me nivele intelektuale është shtruar këmbëkryq. Aq sa Universiteti nuk i shërben qytetit që do të konsiderohej mirësi qytetare që e kishte, po aq edhe institucionet e pushtetit vendor kanë frymëmarrje azmatike si edhe vetë shëndeti i mendjes së kryebashkiakëve që e kanë drejtuar atë në këto vite. Është një realitet që flet për një mungesë të madhe në frymëmarrjen e një qyteti që tashmë është fokusuar edhe në hartën e një qendre prodhuese të drogave që kanë aksese ndërkombëtare. Rinia e këtij qyteti e zhytur në kolltukët e kafeneve, e sheh veten si jashtë loje në pjesëmarrjen me interesa në shërbim të vetvetes dhe të qytetit. Dhe e gjithë kjo, sepse askush nuk i ofron asgjë në asnjë vend pune apo mundësi jetese. Thuhet shpesh se ka qenë me mend ai që ka ikur nga Elbasani dhe i ka transferuar kapitalet në kryeqytet apo diku tjetër, sepse në Elbasan ka një atmosferë mbytëse dhe një mungesë shprese të spikatur. Ndoshta një ndryshim në qeverisjen vendore me një frymë demokratike, do t’i sjellë Elbasanit edhe ndryshimin në resurset e pazbuluara të tij që flenë si plehrat e këtij qyteti që e kanë mbytur edhe ajrin e banorëve të tij.   Me rrugëtimin e tij elektoral kandidati i demokratëve po sheh realitetin në sy dhe po bashkëbisedon me protagonistët e qytetarisë dhe ka hartuar programin e rioksigjenimit të qytetit. Kjo filozofi me bashkimin e forcave demokratike dhe progresive për pushtetitn vendor mendohet të jetë ajo letra me vlerë që socialistët e rilindjes e kthyen gjithë qytetin në një vjetërsirë, që duhet prishur e larguar për një mendësi me një frymëmarrje të re demokratike, se nuk ka bojë mavi apo rilindje mashtruese që ta mbulojë të keqen që të sundojë kudo.