Skandali II i Kokonës: Avokate e kompanisë greke që padiste Shqipërinë, vetë zyrtare e lartë e shtetit

166
Sigal

Thellohet skandali me Zv.Sekretaren e Përgjithshme të Kryeministrisë, Elira Kokonën, e cila pas emërimit në detyrat e larta qeveritare në 2013 e në vazhdim, ka ushtruar e pashqetësuar profesionin e avokates. Nga të dhënat e ekstraktit të biznesit, Elira Kokona e ka pezulluar aktivitetin e saj si avokate vetëm në prill të 2014-ës, gati 8 muaj pasi ishte emëruar si Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës,- njofton BË.

Sipas ligjeve në fuqi detyra e Sekretarit të Përgjithshëm në administratën e lartë shtetërore është kategorikisht e papajtueshme me ushtrimin e profesioneve të tjera, dhe çdo person që kalon nga aktiviteti privat në zyrat e qeverisë duhet të tërhiqet nga biznesi personal përpara se të emërohet në detyrë. Shkelja nuk është vetëm disiplinore, por edhe penale pasi kemi të bëjmë me shpërdorim të pastër detyre.

Nga ana tjetër Elira Kokona rezulton se e ka ushtruar profesionin e avokatit privat jo vetëm në Strasburg por edhe në abritrazhet ndërkombëtare ku qeveria shqiptare është përballur me investitorë të ndryshëm.

Kështu në çështjen, “Mamidoil Jetoil Greek Petroleum Products Societe S.A. kundër Shqipërisë”, Elira Kokona ka qenë përfaqësuese e kompanisë greke si avokate private.

Padia është hapur në korrik të 2011, ndërsa vendimi është dhënë në 30 mars 2015. Në mes të kësaj periudhe Elira Kokona u emërua në detyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë se Kulturës, por ky fakt nuk përmendet në asnjë rresht të vendimit të arbitrazhit ku janë listuar etapat e procesit.

Si zyrtare shtetërore nga njëra anë dhe si avokate nga ana tjetër, Elira Kokona në shpërdorim të pastër detyre, duhet të mbronte në arbitrazh interesat e klientëve të saj që ishin në gjyq me qeverinë, ndërkohë që gjatë gjykimit ajo ishte bërë pjesë e rëndësishme e vetë qeverisë

Mandija: Drejtësia të hetojë skandalin me punonjësen e administratës Elira Kokonën, si avokate kundër Shqipërisë në Strasburg.

“KLSH ka gjetur dhe shkelje, ku zyrat e shtetit përdoreshin dhe për postën dhe mbledhjes së dokumentacionit për klientët e zyrave private, duke u kthyer në anekse të këtyre zyrave ligjore.”

Sekretarja për Antikorrupsionin në Partinë Demokratike, Ledina Mandija, ka kërkuar që drejtësia të hetojë skandalin qeveritar, ku këshilltarja e Edi Ramës, vazhdonte njëkohësisht të ishte edhe avokate në Strasburg, duke mbrojtur palët që kishin hedhur në gjyq, pikërisht qeverinë e Shqipërisë.

Mandija tha: “Elira Kokona, me ardhjen në pushtet të Edi Ramës ishte projektuar të shërbente në nivelin më të lartë drejtues të administratës shtetërore, në mënyrë preferenciale, duke u emëruar Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës në shtator 2013, duke pretenduar se ishte e pavarur dhe do t’i shërbente interesit më të lartë publik.

Po në fakt Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës kishte më tepër merak të kishte nën kujdes interesin e klientëve të saj.

Znj. Kokona, as formalisht nuk hoqi dorë nga ushtrimi i detyrës së avokatit privat dhe në asnjë rast nuk njoftoi gjykatat në lidhje me pozicionin e saj në nivelet më të larta të administratës së shtetit shqiptar.

Ajo në më shumë se 15 raste rezulton të ketë qenë duke ushtruar përfaqësimin e klientëve të saj në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut apo të Arbitrazhit.

Si njohëse e mirë e ligjit, ajo do të duhej të kishte njoftuar gjykatat e huaja, të brendshme dhe çdo forum tjetër ndërkombëtar në lidhje me pozicionimin e saj, dhe që nuk do të ishte në pozicionin e përfaqësueses së palëve private.”

Ndërkohë, rezulton se edhe në janar të vitit 2014 të ketë vazhdoi komunikimi me Av. Elira Kokona.

Madje, në vijim kjo rezulton edhe në vendimmarrjet e mëtejshme të Gjykatës Evropiane si në çështjen Delijorgji k. Shqipërisë, Becaj k. Shqipërisë, Prima shpk k. Shqipërisë apo në çështje të tjera të komunikuara në lidhje me kompensimet e pronarëve për çështjen e pronave.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës është kujdesur të merrte një shpërblim të drejtë dhe kompensim të plotë të vlerës së pronës në kuadër të ekzekutimit të vendimeve te pronave për familjarët dhe klientët e saj edhe pas ligjit të famshëm të pronave 133/2015, ku znj. Kokona ka dhënë kontributin e saj.

Çuditërisht familjarët dhe klientët e znj. Kokona janë kompensuar në mënyrë të plotë sipas çmimit të tregut referuar vendimmarrjeve të nëntor të vitit 2015 dhe më tej, ndërkohë që pronarët e tjerë, sot duhet të marrin 10 % të vlerës së pronës me këste apo në shumicën e rasteve konsiderohen të ezauruar, pasi kanë një pritshmëri prej 30 vitesh për ekzekutimin e atyre vendimeve. Madje për këtë as njoftohen nga Qeveria, në mënyrë që të adresojnë të drejtën e tyre në Gjykatë. Detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Shtetit ishte dhe është kategorikisht e papërputhshme me ushtrimin e profesioneve të tjera, ndërkohë që në rastin konkret ajo në raste të caktuara rezultonte mbrojtëse e palëve private karshi Qeverisë , pjesë e së cilës ishte ajo vetë. Rama zgjodhi për të mbrojtur interesin publik personave që kishin interesat e tyre privatë. Madje KLSH ka gjetur dhe shkelje të kësaj natyre, ku zyrat e shtetit përdoreshin dhe për postën dhe mbledhjes së dokumentacionit për klientët e zyrave private, duke u kthyer në anekse të këtyre zyrave ligjore.

Deklarimi i konfliktit të interesit nuk është në kulturën e kësaj qeverie, pasi është e qartë që në vitin 2013, roli kryesor ishte shërbimi ndaj klientëve, interesave personale dhe parasë, dhe në asnjë rast interesit publik dhe mbrojtjes së interesit më të lartë të shtetit. Sot Kokona është negociuse dhe mbrojtëse e pozicionit të Qeverisë në kontratat me investitorë strategjike, përfshirë këtu dhe Marinë Durrës, por si duket nesër do të jetë avokatja mbrojtëse e interesave të tyre.

Dikur Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, dhe sot Zv Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave, Elira Kokona referuar rasteve, të cilat janë publike është e qartë që ka qenë në kushtet e shpërdorimit të detyrës.

ILDKPI , organet e drejtësisë duhet të hetojnë në lidhje me rastet e konfliktit të interesit nga punonjësja e nivelit më të lartë të administratës shtetërore, jo vetëm në kushtet e vazhdimit të detyrës së përfaqësuesit ligjor të palëve, por edhe në kushtet e dhënies së kontributit indirekt për mbrojtjen e interesave të klientëve të saj të dorëzuar në besim të bashkëpunëtorëve të saj që kanë vazhduar të ushtrojnë avokatinë.

Skandali i Elira Kokonës , Manjani: Kështu i do partia kuadrot

Një skandal i ri ka përfshirë sferat më të larta të qeverisjes. Zv/sekretarja e Përgjithshme e Këshillit të Ministrave Elira Kokona, ka ushtruar aktivitetin e saj privat si avokate edhe pse që nga viti 2013 është emëruar në detyra të larta të administratës publike. Rezulton se e ka ushtruar profesionin e jo vetëm në Strasburg, por edhe në abritrazhet ndërkombëtare ku qeveria shqiptare është përballur me investitorë të ndryshëm. Ndërkohë që juristi Ylli Manjani shkruan se kështu si Kokona i kërkon partia kuadrot. Manjani shkruan: Shumë interesante kjo CV e Elira Kokonës. Edhe me shtetin edhe kundër shtetit njëkohësisht. Edhe avokate edhe akrobate. Ja kështu i do partia kuadrot. Amanetqarë porosish…Vetëm andej nga Strasburgu nuk i eci korbës… Nuk ua mbushi hiç mendjen atyre andej…E ç’duhen ata andej fundja? Ne tani që do dalim nga konventa e Arbitrazhit, dalim edhe nga Strasburgu. Ja dalim vetë me forcat tona. Me këtë mendim juridik që emeton avokatja akrobate, ç’na duhet bota!?