Egon Velaj: Korridori 8 dhe dilema strategjike e Shqipërisë. Porti që mund të ndryshojë hartën e Ballkanit

Në historinë e kombeve ka vendime që duken teknike, por në të vërtetë janë thellësisht historike. Shqipëria ndodhet sot përballë një vendimi të tillë: ndërtimi i portit të ri në Porto Romano, i cili pritet të zëvendësojë gradualisht Portin aktual të Durrësit. Në pamje të parë projekti paraqitet si modernizim i infrastrukturës portuale, por kur analizohen dimensionet reale të projektit, lind një pyetje alarmante: A po ndërton Shqipëria një port që do të mbështesë zhvillimin strategjik të vendit për një shekull, apo një port të vogël që do ta lërë vendin jashtë lojës së madhe logjistike të rajonit?Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me fatin e Koridorit 8, korridori strategjik që duhet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes drejtimit Durrës-Shkup-Sofje dhe më tej drejt porteve bullgare të Detit të Zi. Nëse ky korridor realizohet në shkallën e duhur, Shqipëria ka potencialin të shndërrohet në nyjen kryesore logjistike të Ballkanit përsa i përket lëvizjes së mallrave dhe tregtisë së lirë.

Por nëse porta hyrëse e këtij korridori është një port i vogël dhe me kapacitete të kufizuara, atëherë i gjithë projekti rrezikon të kthehet në një iluzion strategjik dhe pa asnjë të ardhme.

NOA

Paralajmërimi i fortë nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Alarmi nuk vjen nga opozita politike që ka kohë që bën not në cektinën ku ka rënë dhe as nga kritikë sporadikë të qeverisë që shurdhojnë miletin çdo mbrëmje. Ai vjen nga partnerë strategjikë të Shqipërisë. Në një letër të drejtuar kryeministrit Edi Rama, përfaqësuesi i biznesit amerikan Grant Van Cleve, në emër të Dhomës Amerikane të Tregtisë paralajmëron qartë për rrezikun strategjik të projektit aktual të Porto Romano. Mesazhi i letrës është i drejtpërdrejtë dhe pa ekuivok…Nëse porti ndërtohet me dimensionet e planifikuara aktualisht, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht.

Projektimi aktual parashikon reth 400 metra mol funksional, në një sipërfaqe portuale prej vetëm 38 hektarësh dhe kapacitete të kufizuara për anije të mëdha dhe nëse bëjmë një analizë të thjeshtë, ky projekt bëhet në një kohë ku portet moderne operojnë me miliona kontejnerë në vit, një port i kësaj shkalle nuk mund të jetë motor i një korridori strategjik ndërkombëtar.

Kjo është arsyeja pse në letër kërkohet shtyrja e vendimit për tenderin dhe rishikimi i plotë i projektit sipas standardeve të NATO-s dhe kërkesave të Korridorit 8.

Kur partnerët strategjikë të Shqipërisë japin një paralajmërim të tillë, çdo qeveri serioze do të ndalonte për të reflektuar.

Pyetja është: po e bën këtë qeveria shqiptare…?

Lufta për portat e Ballkanit

Ballkani nuk është një hapësirë neutrale kur bëhet fjalë për transport dhe tregti.

Flukset kryesore ekonomike të rajonit sot kontrollohen nga dy porte detare kryesore siç janë Porti i Pireut dhe Porti i Athinës dhe këto porte përpunojnë një pjesë dërrmuese të mallrave që hyjnë në Ballkan dhe Evropën Juglindore. Një port i madh në Durrës, i integruar plotësisht me Koridorrin 8 dhe sipas standarteve të tij, do të ndryshonte tërësisht këtë realitet në Ballkan. Ai do të krijonte për herë të parë një bosht logjistik Lindje–Perëndim, duke zhvendosur gravitetin ekonomik të rajonit nga Greqia drejt Shqipërisë. Kjo është arsyeja pse çështja e portit nuk është thjesht ekonomike. Ajo është thellësisht gjeopolitike dhe me një rëndësi dhe ndikim shumë afatgjatë. A ka ndikime të jashtme në vendimmarrje nga shërbime inteligjente të vendeve që bien ndesh me interesat ekonomike të vendit tonë ?Kur një projekt infrastrukturor ka potencial të ndryshojë ekuilibrat ekonomikë të një rajoni të tërë, është naive të besohet se aktorët e tjerë gjeopolitikë do të qëndrojnë pasivë.Në Ballkan, ndërhyrjet e shërbimeve inteligjente në çështje ekonomike dhe infrastrukturore nuk janë as të reja dhe as të panjohura.Shërbimi inteligjent greke dhe serbe kanë një histori të gjatë aktivitetesh në rajon për mbrojtjen e interesave strategjike të vendeve të tyre dhe kundër intereave të Shqipërisë.

Nëse një port shqiptar do të dobësonte ndjeshëm pozicionin e Portit të Pireut dhe Selanikut, atëherë është më shumë se legjitime të shtrohet një pyetje që deri tani është shmangur në debatin publik. A ekziston një interes që Korridori 8 të mos realizohet kurrë në kapacitetin e tij të plotë?

Dhe nëse një interes i tillë ekziston, a është e mundur që ndikime të tilla me ndërhyrje të drejtëpërdrejtë të vendeve fqinje të kenë depërtuar edhe në proceset vendimmarrëse në Shqipëri?

Këto janë pyetje që kërkojnë përgjigje serioze, jo heshtje administrative dhe as publike.

Nëse Porto Romano ndërtohet në dimensionet e kufizuara të projektit aktual, Shqipëria mund të humbasë një mundësi historike për t’u bërë qendra logjistike e Evropës Juglindore.

Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e duhur, me thellësi të mëdha ujore, kapacitet kontejnerësh mbi 2 milion dhe integrim të plotë me Korridorin 8 dhe politikat e NATO-s, Shqipëria mund të ndryshojë përfundimisht hartën ekonomike të Ballkanit në favorin e saj.

Por për këtë duhet vizion strategjik, jo vendime të nxituara dhe projekte të dimensionuara gabim të ndikuara, ndoshta nga ndikimi të vendeve fqinje me politika të vjetra antishqiptare.

Në fund të ditës pyetja është brutalisht e thjeshtë:A do të vazhdojë Ballkani të varet nga Porti i Pireut dhe Selanikut, apo për herë të parë do të varet nga Porti i Durrësit?Vendimi që do të merret sot për Porto Romano mund të përcaktojë përgjigjen për ndikimin që do të ketë faktori shqiptar në Ballkan në vitet në vijim. Historia nuk fal vendime të gabuara strategjike dhe antikombëtare.