Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë Grant Van Cleeve,thirrje qeverisë: Projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon
Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e tij aktuale të kufizuar, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm.
Vetëm pak ditë nga përfundimi i shpalljes së ofertës për portin e ri të Durrësit në Porto Romano, në emailin e kryeministri t Edi Rama ka mbërritur një kërkesë që e këshillon të bëjë një hap pas.
Emaili është dërguar nga Grant Van Cleve, drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri. Për nga temat që trajton, për nga interesat që merr në konsideratë dhe për nga mënyra si ndërton argumentin, mesazhi shkon përtej opinionit të një sipërmarrësi. Ai prek zhvillimet infrastrukturore dhe ekonomike rajonale, duke vënë theksin tek siguria dhe tek logjistika strategjike e NATO-s.
Për nga përmbajtja, mesazhi duket qartë se është konceptuar në qarqe strategjike në Uashington dhe lë të kuptohet për një oferte që drejtues të vendeve të vogla s’mund ta refuzojnë.
Projekti për portin e ri në Porto Romano lindi si një nevojë pas projektit të “Durrës Marina”, ku biznesmeni arab Muhamed Alabbar u soll nga Dubai për të ndërtuar një kompleks kullash dhe një marina luksoze, që parashikon zhvendosjen dhe prishjen e portit ekzistues.
Por në panoramën që skicon Grant Van Cleve, ndërtimi i një porti të ri nuk është një vendim që merret me një të rënë të lapsit, si pjesë e një pazari momental.
Në emailin që ndodhet në postën elektronike të kryeministrit Rama amerikanët e shtrojnë çështjen në një tjetër nivel strategjik, duke e titulluar mesazhin: “Porto Romano – Një vendim që merret një herë në shekull për pozicionin strategjik të Shqipërisë në Evropë. Dominimi strategjik i lidhshmërisë së Shqipërisë”.
Emaili është dërguar jo vetëm për kryeministrin Edi Rama, por edhe për ministrin e ri të Energjisë Enea Karakaçi, për ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi, si dhe për drejtorin e portit ekzistues të Durrësit Liburn Aliu.
“Një port i vogël në Durrës do të dështonte Korridorin 8”
Pjesa e parë e mesazhit përqendrohet pikërisht në rëndësinë strategjike që ka porti i ri i Durrësit për të gjithë rajonin.
Van Cleve e përshkruan ndërtimin e portit të ri si “një mundësi historike për të riformësuar gjeometrinë logjistike të Ballkanit”, që do t’i jepte Shqipërisë mundësinë “të zhvendosë gravitetin ekonomik të rajonit dhe duke arritur dominim strategjik në lidhshmëri përmes ndërtimit të korridoreve me kapacitet të lartë të ankoruara në Porto Romano”.
Pikërisht duke nënvizuar rëndësinë e momentit ku ndodhet vendi, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë shton: “Vendimi i planifikuar për datën 9 mars lidhur me Porto Romanon përfaqëson një moment strategjik kombëtar që do të formësojë pozicionin gjeopolitik dhe ekonomik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada”.
Në fakt, shifrat që shoqërojnë emailin nuk lënë shumë hapësirë për interpretim. Sipas dokumentit, projekti aktual për Porto Romanon parashikon një port shumë të vogël në krahasim me kapacitetet e porteve të tjera të rajonit. Në email thuhet: Projekti aktual i Porto Romanos është jashtëzakonisht i vogël, 400 metra mur kalate dhe 38 hektarë sipërfaqe portuale”.
Për krahasim, porti i Pireut ka një kalatë me gjatësi 24 mijë metra, Selaniku, 6600 metra ndërsa Durrësi 2400 metra.
Por cili është qëllimi i këtij emaili? Çfarë i kërkohet në thelb qeverisë shqiptare për një projekt që në pamje të parë duket si një marrëveshje tashmë e mbyllur?
Në thelb, SHBA kërkon të mbrojë projektin e Korridorit 8, një korridor me rëndësi strategjike për transportin dhe lëvizjen në rajon. Sipas argumentit të paraqitur në email, një port me kapacitete të kufizuara në Durrës do ta rrezikonte seriozisht të gjithë këtë projekt.
Në mesazh thuhet: “Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike të bëra në ndërtimin e tyre mund të ndikojnë fatin e një vendi për një shekull. Nëse Porto Romano ndërtohet në shkallën e kufizuar aktuale, Korridori 8 do të dështojë strukturalisht, dhe flukset e mallrave në Evropën Juglindore do të vazhdojnë të kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë jashtë sistemit kryesor logjistik të Mesdheut për shekullin e ardhshëm”.
Korridori 8 varet nga Porto Romano. Sipas argumentit të paraqitur në email, një port me kapacitete të kufizuara në Durrës do ta rrezikonte seriozisht të gjithë këtë projekt.Kërkojmë me respekt që tenderi i Porto Romanos i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet në bazë të kërkesave më të fundit të NATO-s dhe Korridorit 8.
Sipas analizës së Van Cleve, një port i vogël në Porto Romano do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për të gjithë arkitekturën e transportit në rajon. Një projekt i reduktuar do të sillte ankorimin e shumë pak anijeve dhe, për pasojë, Korridori 8 do të humbiste funksionin e tij real.
Në email theksohet qartë: “Korridoret e transportit ndjekin portet, jo e kundërta”.
Më tej sqarohet: “Një port i vogël nuk mund të gjenerojë volumet e mallrave të nevojshme për të mbështetur një korridor të madh logjistik lindje–perëndim si Korridori 8. Korridori 8 nuk do të ndjekë një port të vogël. Nëse Porto Romano mbetet i vogël, ngarkesat rajonale do të vazhdojnë të kalojnë përmes Pireut dhe Selanikut”.
Oferta e amerikanëve: Portin e ri në Porto Romano e ndërton NATO
Në këtë kontekst përshkruhet edhe dinamika gjeopolitike e rajonit. Van Cleve vëren se ndonëse Korridori 8 ka qenë një objektiv strategjik për më shumë se tre dekada, jo të gjithë aktorët kanë interes që ai të realizohet.
Në email thuhet: “Jo të gjithë aktorët gjeopolitikë ndajnë të njëjtin interes për zhvillimin e një aksi të fortë logjistik lindje–perëndim në Ballkan. Disa aktorë përfitojnë nga ruajtja e flukseve ekzistuese logjistike veri–jug të përqendruara rreth porteve të tjera të Mesdheut. Infrastruktura në rajone gjeopolitikisht të kontestuara nuk është kurrë neutrale”.
Kërkesat e paraqitura nga pala amerikane janë të drejtpërdrejta.
Së pari, kërkohet shtyrja e tenderit për Porto Romanon, në mënyrë që projekti të rishikohet mbi bazën e parametrave ekonomikë dhe strategjikë që do të garantonin funksionimin e plotë të Korridorit 8. Në të njëjtën kohë, projekti duhet të marrë edhe një dimension të ri: atë të sigurisë.
Në mesazh thuhet: “Kërkojmë me respekt që tenderi për Porto Romanon i planifikuar për 9 mars të shtyhet dhe të rishikohet bazuar në kërkesat më të fundit të NATO-s dhe të Korridorit 8”.
Van Cleve shkon më tej në emailin, duke ofruar edhe një model alternativ zhvillimi: “Një Porto Romano më të madh brenda këtij viti, të bashkëfinancuar nga partnerë nga Shtetet e Bashkuara dhe Italia dhe të zbatuar nga furnitorë strategjikë kryesorë nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia”.
Ajo që bie në sy në kërkesën e nënshkruar nga kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë është se oferta nuk paraqitet si një iniciativë e izoluar amerikane. Në propozimin e tij përfshihen Italia, Holanda dhe Turqia, tre vende me peshë në NATO dhe në arkitekturën strategjike të rajonit.
Kjo e zhvendos menjëherë kuptimin e mesazhit nga një letër këshilluese e një sipërmarrësi drejt një sinjali shumë më të gjerë strategjik. Kuptohet se mesazhi nuk është hartuar thjesht në Tiranë apo në zyrat e një organizate biznesi, por është konceptuar në një rreth shumë më të gjerë vendimmarrës.
Gjasat janë që ky email në postën elektronike të kryeministrit shqiptar është një mesazh që për nga gjuha dhe përmbajtja e ofertës, mban qartë vulën e Uashingtonit.
Kjo bëhet edhe më e dukshme në pjesën ku Van Cleve ofron një paketë të plotë ndërkombëtare për zhvillimin e projektit. Propozimi vazhdon edhe më tej: “Mund të sigurojmë firmat më të mira amerikane të inxhinierisë për të asistuar në rishikimin e projektimit të Porto Romanos, hekurudhave, autostradave dhe të gjithë infrastrukturës dual-use të Korridorit 8, për t’u ndërtuar sipas standardeve të NATO-s, në koordinim të plotë me NATO-n dhe për të siguruar gjithashtu financim shtesë nga NATO”.
Prof. Dr. Arben Malaj: pel publik Ramës: Ndaloni shpalljen e fituesit për Portin e Durrësit, një rrezik për sigurinë dhe ekonominë kombëtare

Ish ministri i Financave Prof. Dr. Arben Malaj ka reaguar mbi shpalljen e një fituesi me risk të lartë për ndërtimin dhe menaxhimin e Portit të Ri të Durrësit, të cilin ai e konsideron “Thikë mbas shpine ” kundër sigurisë kombëtare. Sipas tij Shqipëria rrezikon:
1.Sabotimin e Korridorit VIII:
Kapitali me origjinë të paqartë mund të përdoret për të bllokuar lëvizshmërinë ushtarake të NATO-s në rajon.
2.Diplomacinë e Borxhit:
Ky projekt rrezikon që Shqipëria të përfundojë si vende të tjera të rajonit që humbën portet e tyre strategjike për shkak të financimeve “bujare” nga vende jo miqësore me aleatët tane strategjikë.Kapjen e Shtetit: Skualifikimi i kompanive prestigjioze perëndimore në favor të një oferte “hije” vërteton se gara është e paracaktuar.
- Thirrje për veprim të menjëhershëm.
Qeverisë: Mos e shpallni fituesin! Ky vendim mund t’i kushtojë ekonomisë shqiptare rreth 400 milionë euro dëm të drejtpërdrejtë dhe humbje të pakthyeshme strategjike.Strukturave të Inteligjencës (SHISH & NATO): Është koha për një kontroll rigoroz (Veting) mbi këtë investim. Siguria kombëtare dhe e ardhmja çdo vendi qëndrojnë mbi çdo kontratë tregtare.Shteti Shqiptar duhet të përdorë mekanizmin e skanimit te FDI, për të verifikuar çdo qindarkë që hyn në këtë projekt përpara se të jetë vonë.
Një vend rritet më shumë kur bëhet pjesë e tregjeve në rritje përmes porteve të forta, jo duke i zvogëluar ato për interesa afatshkurtra.Portet janë kolona vertebrale e një kombi. Një qeveri që thyen këtë kolonë, dënon të ardhmen e vendit.Shpallja e fituesit duhet të ndalet!




















