Edmond Panariti : Mjeku kuron por Zoti shëron!

71

Trupi juaj është kështjella mbrojtëse ndaj hordhive virale covid. Krijesë dhe mrekulli e natyrës dhe Zotit!

Si dhe sa e mirëmban atë, është përgjegjësi individuale.. Prandaj Krijuesi të ka dhënë trurin dhe mëndjen, por edhe kokën mbi supe!

Krijuesi e ka pajisur trupin me mure mbrojtëse të jashtëm dhe të brendshëm.

Fytyra, duart, goja, fyti, rrugët e sipërme të frymëmarrjes janë bedenat e kalasë janë muret e jashtëm mbrojtëse të saj ndaj armikut infektues .

Aty përplaset furia e parë e sulmit të tij .. Aty mund të zbrapsësh një pjesë të mirë të armikut. Ta pengosh ose ta pakësosh depërtimin e tij.

Sepse është vërtetuar që ngarkesa virale, pra numri i viruseve që kapërcejnë bedenat e kalasë dhe futen në oborr, është vendimtar në fatin e luftës kundër Covid .

Sa më pak trupa të futen aq më e lehte për trupat mbrojtëse brënda mureve për ti zmbrapsur dhe asgjësuar .

Troja u pushtua, vetëm kur u fut kali me ushtarë brënda!

Prandaj mbroji dhe forcoji muret e kalasë tënde ..

Mbroji me distancim fizik, me maskë mbrojtëse!

Me higjienë dhe dezinfektim deri në paranojë… Forcoji me vitamina dhe minerale, veçanërisht vitaminë D, C dhe zink që të mbajnë goditjet. Dhe e ke e bërë gjysmën e punës.
Për trupat që do të kapërcejnë bedenat dhe do futen në kala, veprojnë ushtarët mbrojtës të imunitetit natyror dhe të trashëguar dhe mbi të gjitha ato të imunitetit të specializuar ( trupat speciale të armatosura, të krijuara dhe të stërvitur nga vaksinat anti covid) në ndihmë të të cilëve vjen edhe arsenali i armëve antivirale, anti inflamatore që të rekomandon mjeku.

Kjo është loja dhe beteja e cila luftohet në disa nivele për të patur sa më pak pasoja.