Dr. Vladimir Mici: Mjetet e politikës për të rrënuar shoqërinë janë më efikase se ato të shoqërisë civile

251
Sigal

– “Gjakmarrja është një fenomen tipik shqiptar, ku gati ligjërohet e drejta për të vrarë”

– Edhe në ato raste kur ka patur organizime civile politika e ka gërryer shumë shpejt me presione

– Ne edhe pas vitit 1990 kemi vijuar me luftën e klasave, luftën e kundërshtarëve politike si luftë klasore dhe jo si luftë për të çuar përpara shoqërinë

– Në vëndin tonë sindikatat veprojnë si lobistë për fatura dhe politika të ndryshme në nivel lokal dhe kombëtar.

– Aktualisht roli i sindikatave ka rënë dhe kjo shpjegohet me mungesën e financimeve të saj, pasi ato nuk kanë plotësuar pritshmëritë e punonjësve.

Intervistori: Albert Z. ZHOLI

Shoqëria civile apo shoqëria qytetare është tërësia e organizatave dhe institucioneve shoqërore qytetare vullnetare, që formojnë themelin e funksionimit të shoqërisë si anë e kundërt mbështetëse e një shteti (pavarësisht nga sistemi politik i tij) dhe institucioneve tregtare. Si shoqëri civile nënkuptohet një pjesë brenda për brenda një shoqërie që ka lindur në mesin e një sfere shtetërore, ekonomike dhe private, si edhe midis shtetit, tregut dhe familjes. Kjo pjesë njihet si hapësirë publike, e cila sot formohet nëpërmjet nismash, bashkësish, lidhjesh, shoqatash dhe nga një numër i shumtë shoqërish të pavarura nga shteti me trajta dhe nivele organizatash të ndryshme. Lëvizja shoqërore është pjesë e këtyre organizatave. Po a ka shoqëri të mirëfilltë civile të organizuar në Shqipëri? A vepron a jo me ligjet e demokracisë? A ndikon mungesa e shoqërisë civile tek problemet e shoqërisë shqiptare? Ja si përgjigjet Dr. Vladimir Mici:

Problemet në Shqipëri shtohen, por reagim nuk vihet re. Ndoshta ndikon shumë mungesa e organizuar e shoqërisë civile si në Francë apo në Greqi?

Problemet në Shqipëri kanë egzistuar, thjesht tani shoqëria jonë është më perëndimore dhe e kupton konceptin e lirisë dhe kufijve të saj. Më parë disa nga këto fenomene nuk cilësoheshin fare, ndërkohë që në Europë duhet të jepnin alarmin për to. Gjakmarrja është një fenomen tipik shqiptar, ku gati ligjërohet e drejta për të vrarë, apo sundimi i burrit mbi gruan, vënia dorë mbi gruan apo shpulla ndaj fëmijës. Tash që shoqëria ka evoluar problemet kanë dalë më në pah, ku sejcili analizon fenomenin jo thjesht në kontekstin individual, por në një rafsh më shoqëror. Fenomene të reja kanë lindur. Dikur ushtari i kufirit të vriste po të kaloje kufirin, po kështu edhe polici, sot këto analizohen ndryshe. Një sjellje tej kompetencave, ose më thjesht një ngjarje publike e bërë nga ata që ne paguajmë me taksat tona, na sjell në vëmëndje faktin e thjeshtë që ai po abuzon me lirinë, që ne i kemi dhuruar atyre. Kështu interpretohen sjelljet e policisë, zyrtarëve public, që në emër të popullit dhe në zbatim të detyrimeve që kanë ndaj popullit mund të bëjnë ç’të duan me paranë publike, me jetën e njerëzve apo nderin dhe pasurinë e individëve. E parë në këtë vështrim ne na duket se problemet shtohen, por ato kanë qënë midis nesh, ku ne kemi pasur një shtet policor, që vriste pa gjyq, kemi pasur dhe kemi drejtuesa e udhëheqësa që na shpronësonin pasurinë, na hiqnin nga puna dhe na internonin vetëm e vetëm se nuk pëlqenim individin apo veprimet e individëve me pushtet. Por a mund të jetë shoqëria civile e jonë e organizuar po aq sa në Francë dhe Greqi? Me keqardhje  them jo. Ka mjaft arsye, por në themel të kësaj qëndrojnë joshjet, pushteti dhe paraja. Kjo nuk do të thotë që s’ka intelektualë të ndershëm, që mund t’i rezistojnë tundimit. Por përdorimi i këtij presioni  si shtysë për të nxjerrë popullin në rrugë nuk shërben si fakt, sepse shumica e kësaj shoqërie “civile” është civile ndaj përfitimeve dhe jo ndaj shërbimit për popullin. Për të arritur nivele të tilla ndërgjegje duhet pavarësi ekonomike, garanci se pavarësia ekonomike nuk cënohet dhe individët me kurs të tillë nuk linçohen. Ne edhe pas vitit 1990 kemi vijuar me luftën e klasave, luftën e kundërshtarëve politikë si luftë klasore dhe jo si luftë për të çuar përpara shoqërinë. Edhe në ato raste kur ka patur organizime civile politika e ka gërryer shumë shpejt, çka tregon se mjetet e politikës janë më efikase se ato të shoqërisë civile.

2- Mungesa e sindikatave çfarë sjell në një shoqëri demokratike? Pse heshtin të ashtuquajtura sindikata shqiptare.

Duhet kuptuar se Sindikatat e punës janë organizata të punonjësve objektivat parësore të të cilave janë përmirësimi i kushteve para apo pas punësimit midis antarëve. Marrëveshjet e sindikatave janë të aspekteve të ndryshme mbi kontratat e punës, të cilat përfshijnë pagat dhe përfitimet e punonjësit, kushtet e punës, politikat, që lidhen me punësimin, transferimin e punës, promovimin dhe pushimin. Marrëveshjet mund të realizohen në nivele të ndryshme, në rang dege, kompanie apo edhe individuale. Kontrata mund të jenë të centralizuara me përfaqësues të gjithë industrise si psh konfederata e punonjësve, apo sindikata e minatorëve, sindikata e naftës etj, të cilat vendosin në tabelën e kontratave kushtet, të cilat detyrojnë të gjithë punëdhënësit. Në kontratat e lidhura në nivel firme, kontratat konsiderohen të decentralizuara. Si organizata të mëdha, ato përbëjnë një forcë politike në vëndet demokratike. Shpesh sindikatat do të përdorin proceset politike në përpjekjet e tyre për të rritur përfitimet, që ato nuk mund t’i fitonin me lehtësi në kushte të tjera. Në disa vënde sindikatat janë të organizuara edhe në parti politike. Në vënde të tjera sindikatat veprojnë si lobistë për fatura dhe politika të ndryshme në nivel lokal dhe kombëtar. Në ligjin shqiptar sindikatat përkufizohen në kodin e punës Ligji nr 7961 datë 17/12/1995 “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë“ ku shprehet se “Sindikatat dhe organizatat e punëdhënësve janë organizata profesionale. Organizatat profesionale të punëmarrësve dhe të punëdhënësve janë organizata shoqërore, të pavarura, që krijohen si bashkime vullnetare të punëmarrësve ose punëdhënësve, qëllimi i të cilave është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave dhe interesave ekonomikë, profesionalë dhe shoqërorë të anëtarëve të tyre” Sindikatat janë persona juridikë. Veprimtaria e tyre është e mbështetur mbi kodin e punës. Nga neni  181 deri në nenin 186 të kodit përcaktohen liritë, mbrojta e antarëve në gjykatë, burimet e funksionimit, ndalimi i strukturave shtetërore apo punëdhënësit apo organizatave të punëdhënësve qofshin shtet apo privat në funksionimin e saj. Kodi përcakton edhe rastet e ndërhyrjeve në veprimtarinë e sindikatës. Në themel të qëllimit të sindikatave është avancimi i mirëqënies së antarëve të saj në një mënyrë apo tjetër. Disa nga objektivat e tyre janë proceduriale: ato duan tu japin më shumë zë punonjësve në rrugën  drejt punëdhënsve për të manaxhuar vëndet e punës, veçanërisht  në trajtimin e problemeve të ndryshme të personelit të tilla si: detyrat e punës, shpërndarja e mbikohës, trajtimi i disiplinës së punonjësit dhe ankimimet dhe themelimi i komiteteve të sigurisë për menaxhimin e punëve të përbashkëta dhe ekipeve të punës. Objektivat proceduriale s’janë gjithmonë të koshtueshme për punëdhënësit, i cili mund të dojë një mekanizëm përmes të cilës punonjësi merr pjesë në vendimet e menaxhimit, që mund të arrihen. Megjithatë objektiva të tjerë procedurial vendosin kufizime mbi privilegjet menaxherialë që, ndërkaq janë të vështirë për të dhënë në mënyrë sasiore, dhe janë shpesh të parë nga punëdhënësi si të koshtueshëm. Të dëshiruarit për më “shumë“ paraqitet zakonisht me qëllimin e sindikatës për rritjen e nivelit të kompensimit të antarëve të saj. Elementi më i dukshëm është vlera e pagës, por marrëveshjet përfshijnë përfitimet nga pensionet, sigurimi shëndetësor dhe pushimet vjetore. Synimi për të arritur më shumë natyrisht hyn edhe kjo në kontekstin e kufizimeve. Punëdhënësit janë një palë e marrëveshjes dhe kështu ata duhet të jenë pjesë e rënies dakort për ta bërë marrëveshjen produktive, në mënyrë, që të operohet në mënyrë të suksesshme nga të dy palët brënda tregut të produkteve të tyre. Kompensimi i rritur i tyre i jep nxitje punëdhënësit për të zëvëndësuar kapitalin human me kapital fizik. Sapo zgjerimi i kostove të tyre të prodhimit rritet, atëhere do të rritet presioni për të reduktuar shkallën e operacioneve. Kërkesa e individëve për të qenë anëtar është e lidhur pozitivisht me perceptimet e tyre të përfitimeve neto prej të qenit anëtar. Një faktor tjetër janë shijet; nëse shijet e individëve për anëtarësinë në sindikatë rriten, ndoshta për shkak të ndryshimeve në pritshmërinë sociale. Ndryshimet në strukturën e punësimit, që e bëjnë më të vështirë për të organizuar forcën e punës do ta zhvendosin dhe reduktojnë nivelin e sindikalizmit. Rënia në vlerën e sindikalizmit, pas viteve 90 ka të paktën disa faktorë të lidhur me kërkesën dhe ofertën, që kanë të bëjnë me ndryshimin e shërbimeve që kryejnë sindikatat, ndryshimet demografike në forcën e punës, rënia e aktiviteteve industrial, rritja dhe forcimi ligjor i ligjeve mjedisore, rritja e presionit konkurrues, blerja e krerëve të sindikatave dhe copëzimi i tyre, si dhe rezistenca në rritje e punëdhënësve ndaj përpjekjeve të sindikatave.

  • Ndryshimet demografike. Fraksioni i forcës së punës femër është ulur pas viteve 90 dhe tashmë ka filluar një tendencë rritje. Ulja e numrit të tyre në mes viteve 1990-2000 ju dedikua kryesisht privatizimit dhe për pasojë duke qenë se femrat nuk janë të prirura ndaj sindikalizimit zëri i sindikatave ishte jo mjaft i fuqishëm. Aktualisht roli i sindikatave ka rënë dhe kjo shpjegohet me mungesën e financimeve të saj, pasi ato nuk kanë plotësuar pritshmëritë e punonjësve.
  • Miksi i ndryshimeve industriale. Faktori i dytë për këto ndryshime është edhe ndryshimi i strukturës industriale. Pas viteve 90 Shqipëria u përball me privatizimin dhe copëtimin e ndërmarrjeve duke u kthyer në biznese të vogla dhe duke limituar në maksimum ndërmarrjet e mëdha. Industritë e reja të krijuara duke qenë në sektor privat ka tendencë të jetë më pak i sindikalizuar se ai shtetëror. Arsyeja është se këta sektorë, duke qenë sektorë mjaft konkurrues, me elasticitete të lartë, çmimi i kërkesës për produkte për më tepër edhe elasticitet page të lartë, kufizojnë aftësitë e sindikatave për të rritur pagat pa vuajtur një rënie thelbësore të punësimit. Për këtë arsye përfitimet individuale të marra nga sindikatat mund të jenë më të ulta në këto industri dhe një rritje e peshës së tyre në ekonomi duhet të spostojë kërkesën për zhvendosjen e kërkesës, për shërbimet e sindikatave, duke reduktuar përqindjen e forcës së punës së sindikalizuar.
  • Zhvendosja rajonale e punësimit. Një arsye se përse bie përqindja e pjesëmarrjes në sindikatë është lëvizja e popullsisë. Lëvizja e popullsisë nga rajonet veriore dhe jugore drejt zonave të Tiranës dhe bregdetare të ultësirës perëndimore ka shkaktuar një kërkesë të re për punësim dhe e drejta e tyre për punë është një detyrim ligjor që rrjedh nga kushtetuta. Detyrimi i kësaj pjese për të shpenzuar si një anëtar sindikate për të qenë i punësuar paraqet një kundërvënie ndaj ligjit. Kështu kjo pjesë i drejtohet punësimit pa qenë anëtar apo të paguajë kuotën për të qenë anëtar i sindikatës. Pra zhvendosja nga njëra anë dhe ligji ushtrojnë presion për të reduktuar anëtarësinë e sindikatës.