Dr. Vili Minarolli
Ish anëtar i Kryesisë dhe sekretar për marrëdhënie me publikun i PDSH
Ish Kryetar i Degës Tiranës të PDSH
Ndryshimet e thella dhe konceptuale që shoqëruan lëvizjet e mëdha të anëtarësisë të PD gjatë muajve të fundit e justifikojnë plotësisht që ky proces të quhet Rithemelim i PDSH. Duke qenë se këtë proçes tashmë e ka marrë në dorë anëtarësia e partisë , krijohet besimi i plotë i një proçesi pa kthim, për ta shndërruar PDSH në një parti të vërtetë demokratike, pa lejuar zbatimin formal të statutit të saj apo deformimin e rregullave të funksionimit në interes të lidershipit apo të enturazhit të tij.
Për këtë arsye mendoj se anëtarësia e PDSH përballet me dy sfidat të funksionimit të partisë me rregulla të sanksionuara dhe të mirëzbatuara.
Së pari anëtarësia bëhet garantuesja e plotë e jetërsimit të statutit të miratuar në Kuvendin e Jashtëzakonshëm të thirrur prej saj. Si çdo parti edhe PD kanë zhvilluar veprimtarinë në bazë të një statuti të miratuar në Kuvendet apo Kongreset e tyre. Por e themi me bindje se shumë nga nenet e këtyre statuteve kanë qenë thjesht dokumente formale që i kërkonte ligji, por zbatimi i tyre bëhej në interes të lidershipit apo të strukturave afër tij të emëruar po prej tij. Duke qënë të tilla lidershipi merrte meritën e fitores apo të humbjes. Janë domethënës rasti i ish kryeministrit F.Nano në vitin 2005 apo i ish kryeministrit S.Berisha në vitin 2013. Këto preçendentë të dorëheqjes pas humbjes të kryetarit të partisë, duke marrë përgjegjësinë, duhej të ishin jo vetëm si qëndrime morale, por edhe si qëndrime përgjegjësie të pasardhësve të tyre. Në zgjedhjet e vitit 2009 zoti Rama nuk e pranoi humbjen duke u justifikuar me arsyen e numërimit të parregullt të votave të shoqëruar me kërkesën “e hapjes të kutive” . Ndërsa zoti Basha në zgjedhjet e vitit 2017, pa asnjë justifikim në vend të dorëheqjes sajoi “ngrirjen “ e postit si kryetar dhe bëri rizgjedhjen e tij, duke pasur si rival një kandidat pothuaj inekzistent. I njejti model dhe skenar, por këtë rradhë me nuanca groteske, u përsërit pas humbjes të zgjedhjeve në vitin 2021. Pasi ishte përbetuar se do të mbronte çdo votë nga vjedhja dhe shitblerja e saj, duke qënë në dijeni të gjithçkaje, që ishte bërë para ditës të votimit pikërisht që të realizohej ai votim, me rezultat të paravendosur, kur duhej të organizonte partinë për të vërtetuar atë që e tha me gjysëm zëri “masakrën zgjedhore”, e drejtoi partinë në sigurimin e postit të tij në vend që të jepte dorëheqjen për humbjen dhe një sërë vendimesh antidemokratike në dëm të partisë që drejtonte.
Statuti i ri me ndryshimet dhe plotësimet i jep PD nga pikëpamja formale mundësinë e demokratizimit të jetës të brendshme të saj. Kur thashë se kjo është një nga sfidat e anëtarsisë të partisë, kam parasysh se tashmë vetë ajo duhet të jetë garante për zbatimin praktik të statutit, i cili njeh të drejtat dhe detyrat e çdo organi të saj, nga anëtari i thjeshtë i seksionit e deri tek Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari. E drejta e zgjedhjeve me modelin e primareve dhe e votimit sipas parimit “ një anëtar një votë” për çdo kandidaturë drejtuese të partisë dhe për çdo kandidaturë politike, i jep anëtarit të seksionit një të drejtë të mohuar dhe e ndërgjegjëson për votën e tij. Kjo e detyron të zgjedhurin të jetë i përgjegjshëm për rolin që i është dhënë dhe të jetë i detyruar të japë llogari përpara atyre që e kanë votuar për të qënë i tillë.
Mungesa e këtyre kërkesave të statutit ose më keq mos dëshira e zbatimit të tij kanë çuar në injorimin e rolit të anëtarsisë dhe të konsiderimit të partisë politike si pronë private e kryetarit. Rastet e caktimit të çdo lloj kandidature pa marrë qoftë edhe formalisht mendimin e anëtarsisë apo edhe të strukturave drejtuese, në kundërshtim të plotë me statutin, kanë çuar në vendimarrje antidemokratike , abuzive dhe madje edhe për interesa të pastra korruptive. Marrja e vendimit për hartimin e listës të kandidatëve për deputetë në minutën e fundit të mbarimit të kohës ligjore për dorëzimin e saj në KQZ, me emra të panjohur nga anëtarësia, pa zbatuar asnjë kriter meritokracie, por të lidhura edhe me interesa materiale me hartuesin e listës, na dhanë shëmbujt e shëmtuar , qesharakë në kufijtë e butaforikës, të shoqëruar me injorancë dhe padije të modelit të deputetëve të Kuvendit të kaluar.

Statuti i ri me ndryshimet dhe plotësimet i jep PD nga pikëpamja formale mundësinë e demokratizimit të jetës të brendshme të saj. Kur thashë se kjo është një nga sfidat e anëtarsisë të partisë, kam parasysh se tashmë vetë ajo duhet të jetë garante për zbatimin praktik të statutit, i cili njeh të drejtat dhe detyrat e çdo organi të saj, nga anëtari i thjeshtë i seksionit e deri tek Këshilli Kombëtar, Kryesia dhe Kryetari.
Statuti i plotësuar dhe me ndryshimet e duhura i hedh poshtë, i injoron, ndryshimet kushtetuese që iu imponuan votuesit shqiptar në përgjithësi dhe anëtarit të PD në veçanti. Tashmë nuk është kryetari i partisë ai që vendos, por vullneti politik i çdo anëtari. A do ta pranojnë këtë sfidë anëtarët e PD? Lëvizja e tyre në këto tre muaj, vullneti i plotë i pjesëmarrësve , entuziazmi i tyre në Kuvendin e Jashtëzakonshëm dhe pjesëmarrja masive në Referendumin për shkarkimin e ish Kryetarit humbës, janë tregues se anëtarësia e PD e ka pranuar sfidën dhe është e vendosur ta përballojë me sukses.
Sfida e dytë ka të bëjë me një element që PD i ka munguar dhe gjithnjë ka patur reagime të drejta nga ana e anëtarsisë. Meritokracia dhe rinovimi i strukturave me ardhje të reja drejtuese në parti dhe në politikë janë jetike jo vetëm për demokracinë e brendshme në një parti politike, por edhe për rritjen e besimit në elektoratin e saj dhe më tej. Mbyllja e partisë për të mos pranuar apo për të mos promovuar figura të reja, si dhe mos vlerësimi i figurave me vlera në parti, dashje pa dashje çon në asfiksimin e jetës të partisë dhe në humbjen e besimit tek elektorati. Akoma më e dëmshme për një parti politike, është veprimi kur drejtuesit dhe të zgjedhurit e saj shkëputen nga ata që i kanë zgjedhur dhe më keq kur nuk guxojnë të shkojnë tek ta. Shikoni në ç’pozitë qesharake janë disa prej zyrtarëve të lartë të PD dhe disa prej deputetëve të saj që nuk kanë guxim të shkojnë tek anëtarsia apo tek zgjedhësit e tyre. Pse? Sepse ata këto poste drejtuese nuk i përfituan si pasojë e meritokracisë dhe me zgjedhje sipas rregullave të statutit, por ua” dhuroi” kryetari për t’i mbajtur peng të tij dhe për t’i përdorur si pupeta, ndërsa ata që sot kanë mandatin e deputetit nuk arritën të kuptojnë ndryshimin që po ndodhte në PD, sepse mandatin e kanë thjesht favor nga kryetari dhe janë të detyruar t’i qëndrojnë “besnik” atij. Dhe rezultati që përjetuam këto ditë me emërime dhe shkarkimet e përjashtimet nga zyrat me brava të ndryshuara i bën qesharakë protagonistët e këtyre veprimeve, që nuk njohin jo vetëm statut, por as rregulla të funksionimit të një organizmi vullnetar njerëzish, që i bashkon një bindje dhe ide e përbashkët. Sa për sqarim për ndonjë që nuk e di, e them me bindje që asnjë statut i PDSH nuk ka të sanksionuar qoftë një nen të vetëm, që njeh përjashtimin nga partia e anëtarit apo drejtuesit të një strukturë siç janë drejtuesit e seksionit , të grupseksionit, të antarit të Këshillit Kombëtar apo të kryesisë. Pse ka ndodhur kjo? Sepse ata që i kanë marrë këto vendime kanë ardhur në funksione drejtuese ose të katapultuar nga hiçi, ose të emëruar nga kryetari si shpërblim për servilizmin, b.. lëpirjen apo interesa të tjera, jo me vlerat e një drejtuesi të një force politike demokratike.
Ndryshimet në statutin e ri të miratuar në Kuvendin e datës 11 dhjetor, me nenet e zgjedhjeve sipas parimit të Primareve, i japin fund “fuqisë” të kryetarit dhe të strukturave të emëruara nga kryetari dhe i shndërron këto struktura thjesht në çertifikimin e zgjedhjes të anëtarësisë sipas parimit “ një anëtar një votë”. Dhe në këtë parim gjen zbatim të plotë vlerësimi i meritokracisë, sepse çdo zgjedhje do të jetë në dorë dhe përgjegjësi të anëtarësisë.
Një figurë politike nuk formohet brenda ditës. Ai është një investim së pari i vetes të atij që synon të futet në politikë, për një formim të gjerë kulturor, për përpjekjet e tij për t’u prezantuar si një njeri me vlera morale, me mendime dhe ide të pavarura, që respekton mendimin e tjetrit edhe kur nuk është sipas mendimit të tij, dinjitos, me karakter dhe mbrojtës i parimeve demokratike. Anëtarësia tek i cili ai prezantohet duhet të dallojë tek ai dëshirën për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e tjetrit, vullnetin për të realizuar me sukses një detyrë të caktuar, aftësinë e tij organizuese, drejtuese dhe vepruese,elokuencën për të folur në përshtatje me nivelin kulturor të dëgjuesit, përdorimin e argumentave për të bindur, i aftë për t’ju përgjigjur çdo pyetje dhe i aftë për t’i dhënë përgjigje çdo problemi të paparashikuar. Të gjitha këto cilësi nuk mund të formohen brenda ditës, as duke lexuar sa më shumë libra, jo vetëm me një shkollim solid, por disa janë cilësi të brendshme tek vetë personi. Për këtë arsye çdo njeri zgjedh rrugën e tij sipas atyre aftësive që ai ia njeh vetes së tij. Përvoja ka treguar se disa drejtues zgjedhin njerëz pa personalitet, të paaftë për të menduar jashtë mendimit të tyre, të aftë për të pranuar pa kundërshtim çdo mendim dhe veprim edhe kur është i gabuar, me fjalë të tjera një person për përdorim të përkohshëm, që shtrydhet si limoni për t’u hedhur më pas në mbeturina. Njerëz të tillë i keni në qarkullim dhe i dalloni mjaft lehtë. Ata zakonisht janë hija e eprorit, qëndrojnë pas tij duke mbajtur një çantë apo një dosje për t’u dukur të rëndësishëm dhe shpesh përdoren për të bërë deklarata që s’do guxonte t’i bënte vetë eprori. Shikoni se i keni disa edhe rreth nesh në këto kohë.

Kuvendi i Jashtëzakonshëm vendosi që një periudhë gati tre mujore do të shërbejë për rithemelimin e PD, domethënë për zgjedhjen sipas statutit të ri të strukturave drejtuese, që nga drejtuesit e seksionit e deri tek Kryetari i Partisë, që do të kurorëzohet me Kuvendin e datës 22 mars. Kjo kohë është mëse e mjaftueshme për të vlerësuar anëtarët me merita në parti, pavarësisht moshës apo veprimtarisë të gjatë. Ata janë një vlerë me përvojën dhe pjekurinë e nevojshme, për të cilët pas investimit personal që përmenda më sipër, kur ngjitja e tij në parti ka ardhur në mënyrë graduale është edhe një investim i vetë partisë dhe i anëtarsisë të saj, që nuk duhet të humbasë, sepse politikani nuk formohet brenda ditës. Por kjo periudhë është mjaft domethënëse për promovimin e figurave të reja, qoftë në nivele më të larta drejtuese dhe politike nga ato që kanë arritur deri tani, qoftë politikanë të rinj që e shohin politikën dhe partinë politike që duan të zgjedhin, si një fushë që plotëson ambicjet e tyre pozitive për t’i dhënë më shumë shoqërisë tonë. Statuti nuk lejon asnjë pengesë për asnjë dhe çdo inisiativëe tyre do të jetë e mirëpritur.
Kjo përbën sfidën e dytë për anëtarësinë të garantuar nga statuti i ri i Rithemelimit të PDSH.






















