Sa dhe s’i zbatohet në Shqipëri ?
Dr.Llambi Konomi
Specialisti i Sëmundjeve të Brendshme
Pas vendosjes e sistemit demokratik-pluralist në vendin tonë u krijuan të gjitha kushtet e favorshme për zhvillimin dhe progresin e gjithë sektorëve të jetës përfshirë dhe atë të mjedisit. Por rezultatet e arritura ende nuk flasin pozitivisht për arsye te mangësive subjektive të qëndrimeve abuzive dhe korruptive që janë vërejtur nga funksionarë të ndryshëm drejtues.
Thelbi i politikës sociale në një shtet demokratin duket qartë te masat konkrete të ndërmarra për përmirësimin e nivelit jetësor të popullsisë ,të shëndetit të saj, tek kujdesi i vazhdueshëm për fëmijët dhe të moshuar, për invalidët dhe të personave me aftësi të kufizuara, për të dobtit që përballojnë varfërinë. Në këtë drejtim kemi probleme të mëdha , duke u renditur në vendet e fundit jo në Evropë , por dhe në rajon .
Shembull tipik i këtij kujdesi të pamjaftueshëm ,veç të tjerash , duket qartë në skandalin e fundit jo human që u evidentua nga mjekët e spitalit Onkollogjik , i cili na indinjoi dhe na revoltoi thellësisht.
Por në kontaktet me të sëmurë te ndryshëm dhe familiarët e tyre mësojmë se nuk janë të pakta rastet analoge në një masë më të vogël apo më të madhe që ndodhin kudo në shërbimin spitalor dhe atë primar të vendit, kur disa mjekë u kërkojnë shpërblim pacientëve të tyre pamenduar asnjëherë vështirësitë e mëdha ekonomike që ata kanë për të përballuar nevojat ditore.
Një ditë ,pas kësaj ngjarjeje duke pirë kafe me një shokun tim të vjetër e të moshuar, ai me të drejtë më pyeti:- Pse ti miku im, në kohën tonë nuk kemi patur fare ngjarje e
fenomene të tilla?! – Sepse ,- i thashë ,-ndërgjegja e çdo punonjësi si gjithë gjërat e tjera ishte e centralizuar ,e kondicionuar dhe e imponuar nën mbikqyerjen e politikës se ashpër të vijës politike të Partisë dhe të disiplinës proletare si një repart ushtarak , ku asnjeri nuk guxonte të dilte nga rreshti se “të pinte e zeza”.
Po mirë ,- me tha -nuk i bëjnë ato sot, nuk janë po ata njerëzit tanë , gjaku ynë shqiptar , pse jane prishur në këtë shkallë?! E vërtetë, -i thashë unë,- po ata njerëz janë , por kushtet kanë ndryshuar shumë.
Ki parasysh ,-i thashë- se ndërgjegja nuk është e lindur, as e trashëguar aq më keq e dhënë njëherë e përgjthmonë. Ajo formohet e konsolidohet gjatë jetës së bashku me njeriun që e mban atë në varësi të plotë me kushtet dhe kërkesat familjare , shkollore e shoqërore,në varësi të plotë me kushtet dhe kërkesat e ambientit të punës dhe ato shoqërore, në varësi të nivelit arsimor e kulturor të secilit , nën ndikimin e zbatimin e ligjeve ,normave e rregullave që ka vendosur sistemi shoqëror e politik i vendit.
Tani njerëzit aludojnë se në sistemin demokratik që jetojmë kemi të drejta të pakufizuara, ndërsa harrojnë se kanë dhe detyrime. Ështe e vërtetë se sot ,- vazhdova une ,- kane njerëzit të drejta si ato të fjalës e të shtypit, të zgjedhjes së shkollës e të profesionit,atë të punës,të lëvizjes së lirë e të zgjedhjes së banimit ,në fshat ,në qytet apo jashtë vendit, të drejtën e zgjedhjes e të të zgjedhurit e të tjera, por harrojnë se nuk kane të drejtë të abuzojnë, të bëhen te korruptuar, hajdutë e kriminel dhe se këto demokracia i dënon ashpër. Harrojnë se e drejta demokratike e secilit mbaron aty ku fillon e drejta e individit tjetër.
Njerëzit shpesh të nisur nga zilia që komshiu i tyre ose pushtetarë të ndryshëm akoma edhe në sferat më të larta abuzojnë pa frikë e kanë krijuar pasuri marramendëse shikojnë kolegun në krah që abuzon në kurriz të fondeve të shtetit e ato personale dhe që fatkeqësisht asnjëri nuk pëson gjë e nuk dënohet, me të drejtë thotë ai,- po pse budalla jam unë qe jetoj në varfëri ?! Kështu zbaton thënien popullore “sheh rrushi -rrushin e piqet”!
Prandaj ndërgjegja e njerëzve është relative dhe e ndikueshme. Njeriu çdo moment kur gjen kushte ambientale të favorshme, mund të prishet dhe të arrije bile deri ne akte ekstreme e të pabesueshme që deri dje ai ka qënë komshiu ynë i mirë e pa asnjë problem. Prandaj është detyrë e të gjithëve neve dhe organeve qeveritare që këto shfaqje t’i luftojnë me këmbëngulje e vazhdimisht qysh ne embrion e tyre ,t’i frymëzojnë të gjithë punonjësit që punojnë në institucionet shëndetësore kudo janë, të punojnë me vetmohim dhe çdo shfaqje të tillë abuzive ta ndërshkojnë rëndë.
Rasti i Spitalit Onkollogjik dhe ato në insitucione të tjera, flasin qartë për defiçitin e madh që kanë këta njerëz, ndërgjegja e tyre, por njëkohësisht për mungesë përgjegjësie dhe kontrolli rigoroz të vet drejtuesve të insitucioneve , por dhe të organeve drejtuese qëndrore dhe lokale.
Nuk mund të konceptohet abuzimi i bërë në kurriz të të sëmurëve me sëmundjet e rënda kanceroze që nga vetë sëmundja po vuajnë tashmë , të kërkosh shpërblime nga ta apo t’i dërgosh në klinikat private për t’i shfrytëzuar . Ky është mëkat i madh dhe krim njëkohësisht jo vetëm kundër një njeriu të sëmurë , por kundër gjithë familjes së tij , e cila që në momentin e vënies së kësaj diagnoze, jeton në mjerim ku çdo ditë mbi kokën e tyre qëndron e përgjon hija e humbjes së jetës.
Familja shqiptare tradicionalisht është e madhe dhe e lidhur shumë me njëri-tjetrin,ajo i do dhe i mbron pjestarët e vet. Në këto kushte ajo nuk kursen asgjë për të shpëtuar njeriun e vet! Mjeku në këtë situatë, në vend që t’i qëndrojë në krah saj për të kapërcyer problemin që ka e rëndon edhe më shumë me shpërblimin që kërkon. Mjekët dhe personeli tjetër mjekësor duhet të kenë si busull të ndërgjegjes së tyre etikën mjekësore që ajo nuk u lejon të abuzojnë e të shpërdorojnë detyrën.
Për t’u prerë rrugën këtyre shfaqjeve e fenomeneve e për t’i minimizuar ato , kërkohet veç luftës së vazhdueshme nga të gjithë e kryesisht nga mediat , kërkohet vullnet politik i vazhdueshëm, ligje, norma e rregullore të rrepta, të zbatueshme kudo nga insitucionet mjekësore, organet qëndrore dhe lokale, por ja që tek ne s’ndodh një gjë e tillë!
Etika mjekësore e zbatueshme nga personeli shëndetësor nuk duhet të lejojë asnjë shfaqje a qëndrim liberal qysh nga estetika, paraqitja e tyre gjatë ushtrimit të profesionit dhe jashtë saj, zbatimin rigoroz të disiplinës së punës dhe asaj shkencore. Rregullat e etikës mjekësore duhet të konsolidohen qysh në fillimin e formimit professional ku ato duhet të zhvillohen si një lëndë e veçantë në shkollat mjekësore dhe në Fakultetet e Mjekësisë, dhe vetëm mbi bazën e saj të vlerësohet puna e çdo punonjësi dhe atestimi i tij.
Biles në disa vende Perëndimore e kanë zgjeruar më shumë këtë ide. Për ta disiplinuar më shumë nga pikëpamja shkencore punën e tyre ata kanë krijuar protokolle pune të veçanta për ato sëmundje, në bazë ,të të cilave, veprohet në mënyrë unike, për të bërë në bazë të një rradhe analizat e ekzaminime të ndryshme. Kjo ka bërë që abuzime dhe shpërdorimet të pakësohen në minimum, të shmanget sorollatja e panevojshme e të sëmurëve nga një specialist tek tjetri, vendosjen e shpejtë të diagnozës dhe fillimin e hershëm të terapisë si dhe ka evituar mbingarkesën e disa shërbimeve si dhe ka kursyer fondet buxhetore. Kjo është njëkohësisht një masë kontrolli per ecurinë e çdo mjeku dhe për të kontrolluar punën e tij.
Duhet theksuar këtu se për t’u prerë rrugen këtyre ndodhive dhe marrjes së rryshfetit nga mjekët rëndësi të madhë ka që qeveria pa vonesë të rishikojë më përparësi shtimin e madh të pagës së tyre. Shpërblimi i sotshëm i mjekëvë nuk i përgjigjet punës së tyre të madhe e të lodhshme, që kryejnë, netëve pagjumë që bëjnë duke ndenjur në ankth e në stresin që ata ndjejnë shpesh per ndonjë të sëmurë rëndë që kane lënë mbrapa në klinikë apo në shtëpinë e tij (të pacientit), shqetësimet e vazhdueshme që ata i krijojnë gjithë familjes së tyre për problemet që i preukupojnë .
Kjo jo vetëm do t’i presi rrugët e abuzimit dhe të shpërdorimit, por do të frenojë njëkohësisht braktisjen e atdheut nga nje pjesë e tyre për të vajtur jashteshtetit per paga më të larta.