Dr. Enriko Ceko: Turizmi në Shqipëri po dështon, sepse është një sektor që operon i veçuar nga sektorët e tjerë të ekonomisë

174
Sigal

– Të tëra ligjet, vendimet, urdhëresat e rregulloret, që kanë dalë për turizmin ose nuk janë zbatuar ose kanë dështuar.

– Pothuajse të tërë ata që kanë drejtuar sektorin e turizmit në Shqipëri kanë dështuar, sepse edhe pse kanë qenë specialistë kanë qenë të detyruar të zbatojnë urdhërat e eprorëve të paaftë.

– Shqiptarët si komb as që e kanë idenë e rëndësisë së zhvillimit të sektorit të turizmit dhe nuk e kanë kuptuar ende se zhvillimi i turizmit fillon nga edukimi i fëmijëve.

– Gjendja e keqe ekonomike, të ardhurat e ulëta, rritja e ulët ekonomike, mungesa e ideve të zhvillimit, etj, frenojnë zhvillimin e këtij sektori.

Dr. Enriko Ceko

Prej vitesh turizmi ëstë konsideruar si një prioritet i qeverive në Shqipëri. Në një shkrim të bërë para 6-vjetësh më duket se problemet janë po ato. Aq shumë është thënë, folur, shkruar e marrë vendime e dhënë urdhëra për turizmin shqiptar, saqë po të ishin bërë të paktën vetëm 5% e të të tërë këtyre deklaratave madhështore, kush do ishte si ne. Do hanim me lugë floriri e do kishim bërë hair e prokopi për vehten e për dhjetë breza.

Po si qendron e vërteta në lidhje me turizmin në Shqipëri?

E vërteta është se turizmi është një veprimtari e lënë në mëshirë të fatit dhe mund të listojmë se: Turizmi në Shqipëri është një sector, që operon i veçuar nga sektorët e tjerë të ekonomisë, që edhe ata janë fare të pazhvilluar dhe pa asnjë strategji aktive zhvillimi (sepse strategji janë shkruar sa të duash, po asnjë prej tyre nuk është vënë në zbatim). Të tëra ligjet, vendimet, urdhëresat e rregulloret, që kanë dalë ose nuk janë zbatuar edhe pse kanë qenë të mira, ose janë të pazbatueshme, sepse janë të këqija. Pothuajse të tërë ata që kanë drejtuar sektorin e turizmit në Shqipëri kanë dështuar, sepse janë vënë në krye të sektorit nga ana e partive duke mos qenë specialistë, ose edhe pse kanë qenë specialistë kanë qenë të detyruar të zbatojnë urdhërat e eprorëve të paaftë, urdhëra që kanë rezultuar ose të papërshtatshëm, ose të pazbatueshëm. Operatorët turistikë nuk shikojnë përtej hundës së biznesit të tyre dhe, edhe disa organizime në formë shoqatash kanë rezultuar pa fuqi dhe të paafta të ndryshojnë gjendjen në atë nivel që kërkohet. Shqiptarët si komb as që e kanë idenë e rëndësisë së zhvillimit të sektorit të turizmit dhe nuk e kanë kuptuar ende se zhvillimi i turizmit fillon nga edukimi i fëmijëve me vendin, gjeografinë, historinë, kulturën, traditat, pikat e rëndësishme turistike të vendit, traditat e gatimit, etj. Gjendja e keqe ekonomike, të ardhurat e ulëta, rritja e ulët ekonomike, mungesa e ideve të zhvillimit, etj, frenojnë zhvillimin e këtij sektori.

Nëse vazhdojmë me pika të tjera, mund të identifikojmë shumë të tilla, por këto janë ndër më kryesoret.

Shqiptarët ende mendojnë se turizmi mund të bëhet vetëm në stinën e verës dhe vetëm në bregdet në Velipojë, Shëngjin, Durrës, Vlorë, Sarandë, etj. Këto qytete vërtet që ofrojnë dhe një numër të madh shërbimesh, hotele dhe restorante, duke tërhequr vitet e fundit edhe vëmendjen e turistëve të huaj, por cilësia e shërbimeve në këto investime le shumë për të dëshëruar. Kur bëhet fjalë për cilësinë e shërbimit bëhet fjalë për veshjen e atyre që shërbejnë në këto investime, sistemet e sigurisë në këto investime, menutë, pajisjen e dhomave me të tëra pajisjet e nevojshme që turisti ta ndjejë vehten sa më rehatshëm, ofrimin e lehtësive të tjera pranë këtyre investimeve si farmaci, qendra shëndetësore, qendra kulturore dhe artistike, etj, etj. Në veri të vendit është hapur projekti i 40 haneve me mbështetjen financiare të projektit të GIZ-it. Një projekt mjaft interesant, që kërkon edhe më shumë ide për t’u mbështetur e zhvilluar. Për shembull, krahas vizitës në këto hane, mund të vizitohen disa ferma, që janë specifike për produktet dhe shërbimet që ofrojnë, apo mund të vizitohen kompani të vogla e të mesme që prodhojnë produkte të veçanta. Interesante do ishte vizita në ndonjë poçeri, ku shikohet edhe si prodhohen poçet prej balte (për të cilat në Shqipëri ka shumë përvojë dhe traditë që nga lashtësia), por turistët edhe mund të bëjnë blerje, që janë të rëndësishme për kompanitë që futen në listën e bërjes së vizitave të mundëshme dhe ndihmojnë edhe në ekonominë e zonës ku janë këto kompani. Është fakt se mjaft banorë të jugut kanë hapur shtëpitë e tyre dhe po i shfrytëzojnë për qëllime turistike, por për këto iniciativa mungon ndihmesa me kredi në mënyrë që në këto shtëpi të zgjerohet veprimtaria dhe të krijohen më shumë kushte për turistët vendas dhe të huaj, sepse tërheqja që ata kanë për shkak të klimës dhe mikpritjes janë shumë pak për të patur një nxitje të klientëve. Turizmi malor? As mos e thuaj dy herë. Në Shqipëri ka disa pika ku dëbora nuk mungon pothuajse asnjë ditë të vitit. E ku ka më bukur se një ditë të shkosh në plazh buzë detit dhe ditën tjetër në një mal me borë? Ditën e tretë anës një lumi. Po ditën e katërt në një kala apo në një muze etnografik? Po kujt ja thua? Duket sheshit se ata që merren me turizmin në Shqipëri as që e kanë idenë se ne shqiptarëve na ka rënë llotaria e madhe në dorë, por nuk e kemi kuptuar ende. Në vend ka shumë pika turistike që prej kohësh janë shfrytëzuar për mundësinë e kurimit të sëmundjeve të ndryshme për shkak të karakteristikave shumë të veçanta të ajrit, klimës, tokës, bimësisë që ka atje. Po këto veçanti të këtyre zonave njihen vetëm nga banorët përreth dhe nga ata që kanë hall shëndetësor. Në vende të tjera të botës për këto pika turistike shëndetsore bëhen beteja të mëdha promocionale dhe marketingu edhe pse nuk janë në nivelin e karakteristikave e cilësive që ofrojnë pikat turistike shëndetësore të Shqipërisë. Po turizmi speleologjik (organizimi i vizitave turistike në shpella me karakteristika të veçanta)? Sa histori të famshme ka për shpellat e Shqipërisë? Me dhjetra. Cili turist i huaj nuk do të donte që një nga ditët e qëndrimit në Shqipëri të kishte mundësinë e një vizite në një a disa shpella ku brenda tyre të dëgjojë nga goja e një shoqëruesi historinë e fiseve, piratëve, kaçakëve, kapedanëve, që jetonin në shpellë për këtë apo atë arsye? Po sikur në shpella të kishte edhe disa nga mjetet kryesore të jetesës së tyre? Mjaft vende e kanë shfrytëzuar me shumë sukses dhënien e titujve kalorsiakë të përkohshëm dhe të patrashëgueshëm për kështjellat, duke nxjerrë përfitime të mëdha nga kjo ide biznesi dhe duke shtuar ndjeshëm numrin e vizitorëve në këto objekte mjaft të rëndësishme të historisë, traditës e kulturës. Çështje të tilla mund të listojmë sa të duash, por e rëndësishme është se turizmi mund të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, punësim, nxitje të bizneseve përreth, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë, por kjo kërkon vizion dhe mendësi biznesi e jo mendësi korruptive e kriminale. Ne shqiptarët na ka bekuar Perëndia sepse na ka falur një vend që edhe pse është i vogël, i ka të tëra mundësitë për t’u kthyer në një qendër shumë të rëndësishme turistike mjaft tërheqëse për turistët në rajon, por ne na duhet të zhvillojmë trutë e kokës se ato mesa duket i kemi mangut, sepse vetëm me tru në kokë ne mund të zhvillojmë një turizëm gjithvjetor, por kjo nuk mund të arrihet nëse nuk ka koordinim midis politikave zyrtare, shtetërore edhe ideve e pikëpamjeve të sektorit privat.