Xhelal Mziu në Klos: Politikat ekonomike po boshatisin familjet shqiptare, PD do të rikthejë të rinjtë dhe do të mbështesë ekonominë lokale

37
Sigal

Drejtues politik i PD në qarkun e Dibrës,Xhelal Mziu gjatë një turi takimesh derë më derë në Klos ka denoncuar situatën alarmante ekonomike që po përjeton komuniteti: rënie e fuqisë blerëse, boshatisje e zonave për shkak të emigracionit dhe mungesë mbështetjeje për bizneset vendase.

Ai theksoi se Partia Demokratike ka një plan të qartë për të rikthyer shpresën, përmes uljes së barrës fiskale, nxitjes së start-up-eve dhe subvencioneve për sektorët kyç.

Mziu tha gjithashtu se zëri i qytetarëve është prioriteti i Partisë Demokratike dhe se Klosi meriton më shumë.

 

Xhelal Mziu:

Takime derë më derë me bizneset në #KLOS:Zëri i qytetarëve, prioriteti ynë
Gjatë takimeve derë më derë me sipërmarrësit dhe qytetarët në Klos, bie në sy një realitet i zymtë: fuqia blerëse është në rënie të vazhdueshme, shpopullimi po boshatis familje e lagje, dhe mbështetja për biznesin e vogël dhe të mesëm është thuajse inekzistente.
Tregtarët dhe sipërmarrësit lokalë ndihen të braktisur nga politika aktuale ekonomike. Rritja e kostove, mungesa e mbështetjes direkte dhe burokracia po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen në këmbë të aktiviteteve të tyre. Në të njëjtën kohë, shumë familje po largohen nga vendi në kërkim të një jete më të mirë, duke lënë pas një boshllëk social dhe ekonomik.
Partia Demokratike vjen me një platformë konkrete për të kthyer shpresën dhe për të mbështetur si shtresat në nevojë, ashtu edhe biznesin vendas. Ne angazhohemi për:
Uljen e barrës fiskale për biznesin e vogël dhe të mesëm.
Skema mbështetëse për start-up-e dhe nisma inovative në zonat rurale.
Rritjen e subvencioneve për sektorët kyç të ekonomisë lokale.
Përkrahje sociale të drejtpërdrejtë për familjet në nevojë.
Rikthimin e të rinjve përmes politikave që nxisin punësimin dhe arsimin profesional.
Klosi meriton më shumë. Zëri i çdo qytetari dhe çdo biznesi do të dëgjohet. Partia Demokratike është e vendosur t’i kthejë besimin njerëzve dhe të ndërtojë një të ardhme më të mirë, me më shumë mundësi dhe dinjitet për të gjithë.