Dr. Av. Sinan Tafaj: Drejtësia, për kë dhe kujt i duhet?

48
Sigal

Drejtësia është në duart e hajdutëve, kriminelëve, të cilëve ju mungon ndershmëria, dhe për pasojë dhe e drejta morale për të gjykuar konfliktet e këtyre aktorëve me shtetin apo dhe në mes tyre. Politikanët, nga njëra anë kanë vendosur si objektiv politikë të rëndësishme reformën në drejtësi dhe rritjen e besimit publik te drejtësia. Nga ana tjetër, sapo të ndjejnë se po ju afrohet rreziku, ata fillojne i gjuajnë drejtësisë


  1. Perceptimi Shoqëror

Aq shpesh e përmendim, aq shumë i drejtohemi sa shumë kush mendon se pa drejtësinë nuk ka jetë ose të paktën ka një jetë, por pa cilësi dhe të pasigurtë. Qytetarët kur i referohen drejtësisë, e mendojnë atë si çështje barazie, ndershmërie apo korrektese. Në fakt kështu është, nëse e vlerësojmë atë mbi bazën e rregullave morale të trashëguara e të gjithpranuara. Rëndomtë, njerëzit shfryjnë kundër pabarazisë, shthyrjeve, dhe shkeljeve të vazhdueshme të atyre normave të mira dhe të drejta që trashëguam nga brezat, duke mos qenë dakord me realitetin e krijuar, kohën, qeverisjen, brezin e ri e të tjera.

  1. Drejtësia sipas Ligjit

Kur flasim për sistemin e drejtësisë nënkuptojmë një seri organesh, strukturash, rrethanash sociale, ekonomike dhe më gjerë. Megjithatë, drejtësia e ligjit, rezulatatin final e ka nga vendimet e Gjykatës, pra nga gjyqtarët. Nuk kam dashur të shkruaj për këtë çështje, por si pjesë e sistemit të drejtësisë, përfaqësues ligjor i qytetarëve, kohët e fundit po ndihem keq nga mënyra se si organet e drejtësisë, veçanërisht gjyqtarët dhe prokurorët po anatemohen dhe denigrohen. Po dëgjoja në një televizion, vlerësimin e avokatëve për kushtet e vështira, në të cilat punojnë gjyqtarët, mungesën e sallave të  gjykimit, zyrat e vogla e mungesa të  tjera bazike, për të  cilat vlerësimi i tyre është i saktë. U preka shumë nga cinizmi i moderatorit të emisionit, i cili duke komentuar qëndrimin e avokatëve në panel, u shpreh se: “Imagjinoni këta të pasur që rrinë në këto zyra kaq të vogla”? Pra perceptimi i moderatorit, analistit, politikanit, biznesmenit, kriminelit dhe qytetarit të thjeshtë është se të jesh gjyqtar, apo prokuror je i pasur. Pra megjithëse të gjithë janë shumë qartë se këta janë rrogtarë të  shtetit, me paga të përcaktuara, që kurrsesi nuk të bëjnë të pasur, ato janë absolutisht të supozuar si të pasur. Pra drejtësia jepet nga funksionarë të shtetit, mbartës të pasurisë të paligjshme. Pra sipas kësaj, drejtësia është në duart e hajdutëve, kriminelëve, të cilëve ju mungon ndershmëria, dhe për pasojë dhe e drejta morale për të gjykuar konfliktet e këtyre aktorëve me shtetin apo dhe në mes tyre. Politikanët, nga njëra anë kanë vendosur si objektiv politikë të rëndësishme reformën në drejtësi dhe rritjen e besimit publik te drejtësia. Nga ana tjetër, sapo të ndjejnë se po ju afrohet rreziku, ata fillojne i gjuajnë drejtësisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve me gjithë fuqinë që kanë. Kurrë nuk kam dëgjuar një vlerësim pozitiv për drejtësinë, për gjyqtarët apo prokurorët, perveçse ndonjë rast kur ata kanë qenë përfitues të shërbimeve të tyre. Madje, për të justifikuar reformën në drejtësi, politikanët kanë përdorur si justifikim shbërjen e sistemit dhe kanë sulmuar sistemin ekzistues në mënyrën më denigruese e cinike të mundshme. Aq popullore u bëne sulmet e politikës ndaj Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, sa edhe fëmijët e tyre nëpër shkolla kishin turp të tregonin se janë të bijtë  e këtyre gjyqtarëve, apo prokurorëve. Ata talleshin nga moshatarët e tyre duke thirrur: “ Ej ti i biri i KCK ….apo i atij me çekiç…. e apo i atij me togë së zezë”. Mbrojtja më e mirë e politikanëve – kriminelëve po kriminelëve-politikanë, kriminelëve-biznesmenë apo biznesmenëve-kriminelë është sulmi nominal mbi çdo gjyqtar apo prokuror, që u ka rënë shorti për të hetuar apo gjykuar ata vetë apo interesat e tyre, qofshin edhe dytësore.

  1. Çfarë të bëjnë Gjyqtarët e Prokurorët?

Jo vetëm qëllimi, por edhe pasojat e një  sulmi nominal mbi gjyqtarët dhe prokurorët janë kriminale. Ulja e nivelit të besimit të publikut te drejtësia është premisë për anarshi dhe cënimin e bazave të demokracisë. Shërben si justifikim për tranzicionin e zgjatur dhe për pasojë mbajtjen në pushtet të arkitektëve të këtij tranzicioni. Qëllimi i vetëm është paralizimi i shoqërisë, ndërprerja e qarkullimit të vlerave më të  mira njerëzore të trashëguara e të riprodhuara, krijimi i një ligatine me ujë të ndenjur, ku të peshkuarit janë vetë qytetarët e përjashtuar nga mundësia për të ndërtuar demokraci. Politika, krimi dhe biznesi e dinë fare mirë se gjyqtarët edhe prokurorët janë të përjashtuar nga mbrojtja e tyre publike. Ata janë pa zë, por duhet të jenë të përjashtuar nga gjykimi si aktore politike, ekonomike dhe te mbrojtur nga ligji dhe opinioni publik në ushtrimin e funksionit të tyre të gjykimit. Të vetmen mbrojtje që ata kanë është vendimmarrja e tyre në zbatim të ligjit. Sistemi i drejtësisë, vlerësimin e këtyre vendimmarrjeve nëpërmjet ankimeve e ka përcaktuar saktësisht në hierarkinë e organeve gjyqësore, si Gjykata e Apelit, Gjykata e Lartë, ankimi në Gjykatën Kushtetuese apo i atij në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Starsbourg. Gjyqtari nuk ka mundësi të kënaqë të gjitha palët në proces, pasi e vërteta është një dhe ky është  misioni i tij. Të pandershmit, hileqarët dhe kriminelët abuzojnë me naivitetin e publikut duke vlerësuar e komentuar vendimet e gjyqtarëve apo të prokurorëve në interes të tyre  dhe duke i bërë ato pjesë të diskutimit publik. Në  ketë  mënyrë  Gjyqtarët dhe Prokurorët bëhen pjesë e ligatinës së krijuar nga politikanët-kriminelë dhe kriminelët-politikanë  duke i shndërruar këta të fundit në viktima të tyre dhe duke i përdorur si instrumenta, jo për të dhëne drejtësi, po  për të përcaktuar ekuilibrin e forcave në luftën e tyre politike dhe ekonomike. Në vendet demokratike gjyqtarët janë njerëz pa zë, por çekiçi i tyre e ngul gozhdën pikërisht aty ku garantohet ekuilibri shoqëror. Gjyqtarët gëzojnë  një status të veçantë, të mbrojtur në opinionin publik. Po të shkosh në  gjykatat tona altoparlantët në korridore oshëtijnë me emrat e palëve, numrin e sallës, po veçanërisht emrin e gjyqtarit, e cila në vlerësimin tim nuk është  aspak normale. Gjyqtari nuk ka emër, gjyqtari është institucioni, është gjykata, është drejtësia. Parlamenti dhe Qeveria mburren se kanë rritur rrogat e gjyqtarëve, por në fakt atyre nuk jua kanë  garantuar kushtet më minimale. Në  asnjë vend demokratik, nuk i gjen gjyqtarët si banorë në mes të çdolloj shtrese. Atyre iu garantohet jo vetëm banesa, por edhe ambjenti i banimit, siguria nga kontaktet me keqdashësit apo nivelet e tjera të ulta e sidomos siguria nga cënimet a presionet e krimit dhe politikave kriminale.

  1. Konkluzion

Përfundimisht, ne Shqiptarët nuk do mund të ndërtojmë demokracinë, pa garantuar më parë shtetin ligjor. Ne Shqiptarët nuk do mund të kemi shtet ligjor, pa garantuar funksionimin real e efektiv të sistemit gjyqësor. Ne Shqiptarët nuk do mund të kemi një sistem real e efektiv gjyqësor pa garantuar integritetin dhe mbrojtjen e vërtetë dhe dinjitetin e personalitetin e çdo Gjyqtari dhe Prokurori. Ne Shqiptarët nuk do mund të mbrojmë integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve pa pastrimin e politikës nga krimi. Ne Shqiptarët nuk do mund të  pastrojmë politikën nga krimi pa garantuar integritetin tonë, dinjitetin dhe personalitetin e secilit nga ne. Ne Shqiptarët nuk do mund të mbrojmë veten tonë, pa u vendosur në themel të çdo veprimtarie institucionale liritë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ne Shqiptarët nuk do mund t‘i mbrojmë  liritë dhe të drejtat themelore të njeriut pa garantuar votën e lirë për veten tonë.