Isa Boletini, pishtari i Bashkimit Kombëtar

639
Sigal

‘Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqipënia”

Në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, kujtojmë njërin prej protagonistëve kryesorë të një Shqipërie të pavarur, atdhe i të gjithë atyre që e konsiderojnë veten mbesa të Teutës dhe stërnipa të Gjergj Kastriotit-Skendërbe — Isa Boletinin nga Mitrovica. Një figurë ndër më të ndriturat e kombit shqiptar, dorë e djathtë e Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit me shokë, i cili gjithmonë kishte pushkën në dorë dhe dorën në pushkë, në mbrojtje të Atdheut.

Isa Boletini u tradhtua nga diplomatët francezë dhe pas një qëndrese të fortë, u vra në tradhti nga xhandarët malazezë së bashku me të afërmit e familjes së tij, Janarin e vitit 1916.  Për fat të keq të tij dhe të kombit,  familja e Isa Boletinit nuk pa dritë dielli as më vonë.  Anëtarët e familjes Boletini të vrarë, të burgosur e të persekutuar janë me dyzina. Gjithsej, sipas  një deklarate dhënë një gazete shqiptare, një nip i Isa Boletinit,  thotë se nga  familja e tij janë vrarë ose ekzekutuar 15 vetë dhe dhjetë të tjerë janë dënuar me vite të tëra në internim dhe burgjet komuniste. I vrau serbi e malazezi dhe i burgosi jugosllavi, por për faqe të zezë të komunistëve shqiptarë, mbi familjen e Isa Boletinit sikur të mos kishte vuajtur mjaft, regjimi komunist i Enver Hoxhës, ushtroi një kalvar të vërtetë duke burgosur, duke internuar dhe duke vrarë anëtarët më të afërm të familjes Boletini, siç duket për “shpërblim’’që për një gjysmë shekulli Isa Boletini dhe familja e tij  bënë vetëm e vetëm, që “Shqipënia të ishte mirë”. Ta kujtojmë pra dhe të nderojmë Isë Boletinin, i cili me trimërinë dhe sakrificën e tij personale dhe familjare, e bëri të nderueshëm kombin shqiptar.

Nuk është qëllimi i këtij shkrimi që të përshkruhen ngjarjet historike dhe roli i pazëvendësueshëm që luajti Isa Boletini për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar në fillim të shekullit të kaluar kundër përdhunimeve historike ndaj shqiptarëve nga fqinjët e përkrahur nga fuqitë e mëdha të kohës, pasi një gjë e tillë do të kërkonte më shumë kohë dhe hapësirë. Desha vetëm të nënvizojë disa vlera fisnore të kombit shqiptar, nderin e burrërinë, por mbi të gjitha atdhedashurinë, të jetuara, të zbatuara dhe të mishëruara në qenien e shqiptarit me shekuj, e të cilat janë trashëgimi e shenjët e patriotëve dhe heronjve kombit si Isa Boletini, e të cilët shqiptarëve u dhuruan një Atdhe.

Isa Boletinit, Perëndia i kishte falur shumë dhunti të çmueshme.  Mund të thuhet se ai, për kohën kur jetonte, kombinonte vetitë e dy udhëheqësve modern shqiptarë – cilësitë dalluese diplomatike të Dr. Ibrahim Rugovës me aftësitë legjendare ushtarake të Adem Jasharit. Ai arriti të luaj, në mënyrë të plotë e të përsosurrolin e një diplomati duke vizituar qendrat e diplomacisë së kohës dhe duke u takuar me përfaqësues të fuqive të mëdha të cilat kishin në dorë fatin e Shqipërisë. Isa Boletini ishte anëtar i delegacionit shqiptar të kryesuar nga Ismail Qemali, që në Mars të vitit 1913 shkoi në Londër për të kërkuar mbështetjen e Britanisë së Madhe për shtetin e posa formuar shqiptar.

Isa Boletini duke udhëtuar për në Londër me delegacionin shqiptar

Aubrey Herbert, një diplomat anglez i asaj kohe me përvojë ballkanike, kishte lidhje të ngushta me shqiptarët, por veçanërisht me Isa Boletinin, i cili, sipas tij, ”kalonte orë të tëra në shtëpinë time” gjatë qëndrimit të tij në Londër — shkruan në kujtimet e tija se ” Shqiptarët që erdhën në Angli lanë një përshtypje të shkëlqyer”. Ai e përshkruan Isa Boletinin si “më të pashmin dhe më i shprehuri i delegacionit’’, duke shtuar se megjithëse Boletini ”ishte i pa shkollë, ai gëzonte një reputacion që e dallonte atë për kurajon dhe trimërinë për të cilat ishte i njohur. Veprat e tija ishin madhështore dhe arratisjet e tija nga serbët dhe turqit ishin kthyer në legjendë.”Gjatë takimit me përfaqësuesin e lartë britanik, z. Lloyd George, sipas Aubrey Herbert, Isa Boletini iu drejtua përkthyesit të delegacionit shqiptar, Tonin Prekës duke i thënë: “Thuaji atij, (Lloyd George) se unë jam malësor, ashtu si është ai, dhe se unë e di që zemra e tij është e sjellshme karshi atyre që vuajnë.”. Dhe me shprehinë që e dallonte Boletinin, ai vazhdoi, -“E thuaji, që kur të vij pranvera, do të plehërojmë Fushë- Kosovën me eshtrat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur shumë për të harruar”.

Kur Isa Boletini nuk ishte në zyrat e diplomacisë evropiane, ku përpiqej të bindte Londrën zyrtare dhe kancelaritë e tjera evropiane që të ndalonin ndarjen e tokave shqiptare, ai gjendej në front të luftës për çlirimin, për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut kundër forcave osmane dhe serbo-malazeze.

Jo vetëm me fjalë dhe me vepra, por edhe me veshjen tradicionale  dhe me qeleshe të bardhë në kokë, Isa Boletini ishte, si të thuash me fjalorin e ditëve të sotme, një reklamë në përpjekje për të bërë sa më të njohur para syve të botës vlerat, kulturën dhe traditën e vjetër të kombit shqiptar.

Sikur Adem Jashari, edhe Isa Boletini e lidhi jetën e vet dhe të familjes së tij  më në fund duke sakrifikuar  çdo gjë, por mbi të gjitha familjen e tij , për fatin e Atdheut.  Ai nuk e bëri këtë as për ambicie, as për nam, as për ndonjë kolltuk, as për dobi të miqve ose të farefisit , por vetëm e vetëm se me zemër e me shpirt i kishte kushtuar jetën dhe qenien e tij interesave të Atdheut dhe të kombit.  Këtë ai më së miri e ka shprehur vet duke thënë: “Unë nuk kam dalë malit për të mirën time, por për të mirën e Atdheut tim, për lirinë e popullit tim. Në është Evropa se nuk do të zgjidhë drejtë çështjen e kufijve të tokave shqiptare, Ballkani nuk do të ketë qetësi kurrë dhe për këtë, faji do të bie mbi ju e jo mbi ne, që do të luftojmë përherë, derisa të çlirohemi”. Dhe përsëri ai citohet të ketë thënë se: “Unë kam ngrit krye për hakun e Shqipnisë. Nuk lypi shpërblime për vete. Unë jam mirë kur ashtë mirë Shqypnia!”

Kujtimi më i mirë i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, në këtë përvjetor, do të ishte që e ardhmja e shqiptarëve në Ballkan të ndërtohet mbi themelet e këtyre vlerave, për të cilat luftoi dhe dha jetën Isa Boletini. Pasi ata me luftën e tyre për liri e pavarësi, u përpoqën që të plotësonin porositë e Gjergj Kastriotit-Skëndërbe, për një Shqipëri të bashkuar, si një dëshmi e denjë kjo e dinjitetit kombëtar. Kombi shqiptar ka kaluar nëpër një periudhë të zezë dhe shumë të vështirë të komunizmit,që  tronditi themelet e traditës së shëndoshë shoqërore dhe morale të shqiptarit,  pikërisht ato tradita me të cilat Isa Boletini mburrej para botës.

Ndërsa kombi shqiptar ende përpiqet të shkundë nga kujtimi këtë periudhë të errët të historisë së tij, është shembulli i jetës dhe i veprimtarisë së patriotëve si Isa Boletini, ai i cili duhet të frymëzojë brezin e sotëm dhe brezat e ardhshëm të shqiptarëve. Kjo për më tepër, sepse shqiptarët sot gjenden përballë kushteve të reja kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe të nevojave të natyrshme, të cilat kërkojnë plotësimin e tyre.

Le të jetë ky një përvjetor që të frymëzohet nga objektivat e larta të vëllazërimit shqiptar, për të cilat luftoi dhe sakrifikoi Isa Boletini dhe familja e tij. Dhe në të njëjtën kohë, të pyesim nëse heronjtë si Isa Boletini, të cilët sakrifikuan aq shumë për lirinë e kombit shqiptar– në rrethanat e sotme, do të ishin të kënaqur me Status Quo-në në trojet shqiptare.  A thua do të ishin të kënaqur për sakrificat e mëdha—personale dhe familjare — që ata kanë bërë, kështu që  “Shqipënia të jetë mirë?”