Dr. Abaz Quka: Sëmundjet psikike dhe mjekimi i tyre    

22

Dr. Shkencave Mjekësore Abaz Quka
Mjek Specialist në Neurologji & Psikiatri
                                                   

Fenix 2023                                                                                                                              Vlerësim mbi librin e autorit Miltiadh Veveçka      

Sigal

Kohët e fundit ka dalur në libraritë e Tiranës, Beratit, Fierit, Lushnjes, Vlorës, Elbasanit etj., botuar nga shtëpia botuese Fenix, libri i mjekut neuropsikiatër Miltiadh Veveçka.  Autori përshkruan sëmundjet më të shpeshta psikike dhe mjekimin e tyre, gjatë 226 faqeve, të ndarë në 13 kapituj. Pasi informon në 2 kapitujt e parë mbi çfarë kuptojmë me sëmundje psikike, përkufizimin dhe mjekimin e  tyre gjatë shekujve në Botë dhe në Shqipëri, autori ndalet në kapitujt vijues duke përshkruar qartësisht Skizofreninë, Depresionet, Çrregullimet e Ankthit, Psikopatitë, Çrregullimet e Kontrollit të Impulseve ( gjatë kumarit, internetit, zjarrvënies etj), Vartësia nga përdorimi i Drogave e Barnave ( alkoli, duhani, kannabisi, heroina, kokaina, barnat qetësuese  etj), Çrregullimet e Kujtesës ( Amnezitë, Sëmundja e Alchajmerit etj.), Prapambetjet Mendore ( Mangësitë e Zhvillimit të Intelektit, Autizmi, Sind. Daun), Çrregullimet e Seksualitetit (seksi normal, homoseksualiteti, impotenca e ereksionit, ejakulacioni i parakohshëm, perversionet seksuale, transseksualizmi etj), Gjumi, ëndrrat dhe pagjumësitë etj., Dhuna dhe Vetëvrasjet etj. Pothuaj çdo sëmundje psikike autori e ilustron me raste të sëmurësh nga Klinika e Psikiatrisë në Tiranë dhe nga përvoja e tij, vetjake gjysëmshekullore gjatë trajtimit të të sëmurëve psikikë, madje dhe me shëmbuj të kohëve të fundit, të marrë nga media në SHBA. Për shkrimin e librit janë shfletuar 32 autorë nga literatura mjekësore shqiptare dhe e huaj, gjermane, ruse, amerikane. Libri është i përmbledhur, i ngjeshur dhe tërheqës në përshkrimin dhe mjekimin e sëmundjeve psikike që ndeshen më shpesh në jetën përditëshme. Gjuha e përdorur nga autori është e rrjedhshme dhe e thjeshtë, me fjalor sa më të shqipëruar, duke shmangur atje ku është e mundshme termat në gjuhë të huaj. Si rrjedhojë, materiali mjekësor brënda librit bëhet lehtësisht më i kuptueshëm nga lexuesi i thjeshtë kurreshtar dhe nga familjarët që kanë të sëmurë psikikë në familje. Në libër shkruhen sëmundje psikike, gjatë të cilave të sëmurët me sjelljen e tyre dalin jashtë normave dhe rregullave të shoqërisë, duke u bërë objekt i shkeljes së ligjit gjatë paraburgimeve, hetimeve dhe gjykimeve, për të cilat duhet të kenë njohuri punonjësit e ruajtjes së rendit, të policisë, prokurorët, avokatët dhe gjykatësit. Libri u vjen në ndihmë për ta njojtur dhe përvehtësur lehtësisht lëndën e Psikiatrisë studentëve të Fakulteteve të Mjekësisë dhe të Infermierisë, psikologëve dhe sociologëve, mjekëve të përgjithshëm dhe atyreve të specialiteteve të tjera mjekësore. Autori ka sjell në këtë botim të rejat e dhjetëvjeçarëve të fundit të klasifikimeve amerikane dhe botërore të sëmundjeve psikike DSM-3, -4, -5 dhe ICD -10, -11, duke sqaruar diferencimin diagnostik të çrregullimeve psikike dhe për këtë arsye libri është me vlerë edhe për mjekët psikiatër të mirëfilltë të rinj dhe me përvojë.