Prof. Dr. Alqi Naqellari: Lindja përballë Perëndimit; BRIKS, RCEP

17
Sigal

Gjeo-Politika dhe Rendi Ekonomik Global janë të lidhura me OKB, BB, OPEC, FMN, G20, G15 e Lindjes së Largët, G7, BRICS etj. Dy janë grupimet më të rëndësishme sot në botë, pa SHBA, përball formacioneve të tjera ku bën pjesë edhe SHBA, RCEP dhe BRIKS. Në të dy këto organizime të fuqishme predominon Kina. Kështu sot në botë përball SHBA-BE kemi Lindjen dhe një pjesë të vendeve të fuqishme të Amerikës Latine dhe të Afrikës. Blloku i dytë kërkon të vendos një rend të ri botëror të ngjashëm me sistemin Kinez si dhe të realizojë de dollarizimin duke pasur monedhën e vet. Cila ideologji do sundojë ajo e Perëndimit me rendin e ri botëror sipas pikëpamjeve të saj apo ideologjia e Lindjes me rendin e ri botëror sipas pikëpamjeve së saj. Të dyja pretendojnë për Rend të Ri botëror, por nëse Lindja e ka filluar me luftë dhe kërcënime për luftë, Perëndimi po tregohet shumë i matur duke shmangur çdo përpjekje për t’u përfshirë në të. Nëse Perëndimi do tregohej i nxituar do kishte filluar në ballë të gjerë Lufta e Tretë Botërore, fundi i së cilës do ishte shumë i shpejtë pasi në mejdan do dilnin armët bërthamore. Perëndimi i matur, po e tregon forcën e tij ekonomike dhe militare në shkallën e teknologjisë së armëve të dërguara në Ukrainë. Po Shqipëria ku është? Shqipëria është në krah të Perëndimit, si askush dhe askush nuk e vë në dyshim. Po Perëndimi a ka të njejtin përkushtim për Shqipërinë? Jo nuk ka, sepse nëse do kishte të njëjtin përkushtim, sot Shqipëria nuk do ishte një nga vendet më të varfëra dhe më të korruptuara në Europë dhe në botë. Europa dhe SHBA kanë investuar në Serbi dhe në vendet e tjera të Ballkanit shumë herë më tepër se në Shqipëri, në një kohë që Shqipëria dhe Kosova kanë pasuri nëntokësore si asnjë vend tjetër i Ballkanit që nga karburantet e deri te metalet e çmuara. Nesër në rast të një përplasje në krah të ushtarëve të Perëndimit do jenë shqiptarët dhe nuk do jenë çetnikët dhe mercenarët e Vuçiçit. Prandaj analiza e blloqeve BRIKS dhe RCEP ka rëndësi edhe për ne shqiptarët.

  1. Çfarë është Marrëveshja RCEP, ose ASEAN +1.

Në 15 nëntor 2020 në Hanoi të Vietnamit midis 15 vendeve të Lindjes së Largët, ASEAN+1 u nënshkrua marrëveshja RCEP (Regional Comprehensive Economic Partnership… Partneriteti Ekonomik Gjithpërfshirës Rajonal). Materiali ishte draftuar në Bali të Indonezisë që në 19 nëntor 2011.

Dhjetë shtete Anëtare të ASEAN (Brunei, Indonesia, Malajzia, Tailanda, Singapori, Filipinet, Kamboxhia, Myanmari, Laosi dhe Vietnami) nënëshkruan, së bashku me pesë partnerë të tjerë tregtarë – Japoninë, Republikën Popullore të Kinës, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re – Partneritetin Ekonomik Gjithpërfshirës Rajonal (RCEP). Këto vende realizojnë rreth 30% të GDP-së së globit, përfaqësojnë rreth 30% të popullsisë së botës, dhe gati 28% të tregtisë globale, duke e bërë atë marrëveshjen më të madhe të tregtisë së lirë në botë. Disa tregues të vendeve të RCEP, sipërfaqja 22.5 milion km2, popullsia 2.262 miliardë, GDP nominal 24.3 trilion $, GDP/frymë, mesatare 15807$, GDP në bazë të paritetit të fuqisë blerëse (PPP) 41.8 trilion $, PPP/frymë, mesatare 27416$. Pesë anëtarë nënshkrues të Marrëveshjes janë anëtarë të fuqishëm të G20. Në këtë marrëveshje nuk përfshihet SHBA. Vendi më i fuqishëm që dominon është Kina.

  1. Çfarë është Marrveshja e BRIKS? Emërtimi BRICS, u përdor për herë të parë në vitin 2001 nga ekonomisti i Goldman Sachs, Jim O’Neill në një studim që nënvizonte potencialin e rritjes së Brazilit, Rusisë, Indisë dhe Kinës. Grupi BRICS u shfaq publikisht në vitin 2006, ndërsa takimi i tij i parë u zhvillua në vitin 2009 në qytetin rus të Yekaterinburg në Rusi. Blloku u themelua si një grup joformal në vitin 2009 për t’iu ofruar një platformë anëtarëve të tij për të sfiduar rendin botëror të dominuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të Perëndimit. BRICS është një organizatë ekonomike që synon një botë shumëpolare, një sistem financiar alternativ global (në krahasim me FMN-në dhe Bankën Botërore) dhe rinovimin e sistemit tregtar global në tërësi (reformat e OBT-së) dhe formohet nga 5 shtete, Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut (2010). Në vitin 2023, grupi ftoi Argjentinën, Etiopinë, Iranin, Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe për t’u bashkuar. Anëtarësimi i plotë pritet të jepet që nga 1 janari 2024. Vendet që bëjnë pjesë në BRICS kanë një ekonomi të përbashkët në rritje, një identitet të përbashkët dhe një të ardhme të përbashkët. Pritet që BRICS të ketë një pjesë më të madhe të PBB-së botërore dhe të jetë në gjendje të ndikojë në qeverisjen e saj globale. Së bashku, vendet e BRICS përbëjnë 42% të popullsisë globale, 29.3% të PBB-së globale (26% pa Afrikën e Jugut) dhe 17% të tregtisë ndërkombëtare. Së bashku, PBB-ja totale e BRICS është pothuajse $30.7 trilion dollarë dhe Kina kontribuon në pothuajse 70% të këtij numri, India – 13%, Rusia dhe Brazili 7% secila dhe Afrika e Jugut 3%. BRICS përfshin rreth 29.5% të sipërfaqes së tokës në botë dhe 41.5% të popullsisë globale. Ato mbajnë rreth 4.46 trilion dollarë në rezerva valutore të kombinuara (që nga viti 2018). Brazili, Rusia, India dhe Kina janë ndër 10 vendet më të mëdha në botë për nga popullsia, sipërfaqja dhe PBB (PPP), dhe tre të fundit konsiderohen gjerësisht si superfuqi në zhvillim. Të pesë shtetet janë anëtarë të G20. Si një shtyllë jetike e rendit botëror, vendet e BRICS kontribuojnë ndjeshëm në rritjen ekonomike globale, tregtinë dhe investimet kapitale. Vendet kanë krijuar një platformë bisedash mbi shqetësimet kryesore rajonale dhe globale. Disa nga fushat e mundshme të bashkëpunimit. -Financa dhe Banka Qendrore, Tregtia, Forumet dhe Këshillat e Biznesit, Forumet Financiare, Këshillat Akademikë dhe Think Tanks, Shëndetësia, Shkenca dhe Teknologjia -Terrorizmi, bujqësia dhe shqetësime të tjera të sigurisë -Rinia dhe sportet, menaxhimi i fatkeqësive dhe statistikat janë vetëm disa nga temat e mbuluara. Përshkallëzimi i luftës tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dhe niveli i rritur i mbrojtjes, që u ofron vendeve të pasura, si Shtetet e Bashkuara, pasqyrojnë ndryshimin e rendit global. Fushat Ndërkombëtare të Bashkëpunimit për zhvillimin e qëndrueshëm dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike mundësohen nga ky forum, i cili bashkon vendet më të mëdha në zhvillim në botë. BRICS mund të quhet zëri i vendeve në zhvillim. Nga 22 gusht deri më 24 gusht 2023 Afrika e Jugut priti samitin e 15-të të BRICS në një përpjekje për të përcaktuar rolin e BRICS në sistemin ekonomik global ((C) 2021 IFIMES). Përkatësisht, në samit u diskutuan dokumente të shumta në praninë e më shumë se 40 krerëve të shteteve dhe qeverive, përveç liderëve të vendeve të BRICS, mori pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë. Si zakonisht, ky samit i 15-të në historinë e grupit trajtoi gjithashtu sistemin e menaxhimit global dhe domosdoshmërinë për të reformuar sistemin aktual (sipas fjalëve të pjesëmarrësve) të padrejtë dhe të pabarabartë me një theks të veçantë në nevojën për reforma të mëdha strukturore të sistemit financiar global, i cili ka qenë i dominuar nga Shtetet e Bashkuara që nga Marrëveshja e Bretton Woods e korrikut 1944 që ka qenë i pranishëm deri më sot. Axhenda e Samitit të Johanesburgut përfshinte shumë çështje kryesore në dritën e tensioneve globale që rrjedhin nga konflikti në Ukrainë, përshkallëzimi i tensioneve në Azinë Juglindore dhe lufta e mundshme në rajonin e Sahelit në Afrikë pas grushtit të shtetit në Nigeri. Kontinenti afrikan është aktualisht një fushë beteje diplomatike midis Perëndimit, Kinës dhe Rusisë, pasi ata përpiqen të rrisin ndikimin e tyre në Afrikë në kontekstin e konkurrencës për lëndët e para dhe burimet. Të dhënat e fundit kanë treguar për herë të parë epërsinë e grupit BRICS ndaj grupit të vendeve më të industrializuara në botë, G7. Sipas të dhënave, blloku BRICS aktualisht jep 31.5 për qind të PBB-së globale, duke tejkaluar G7, i cili aktualisht jep vetëm 30.7%. Një tjetër aspekt i rëndësishëm rreth BRICS-it, është fakti se ata po krijojnë një monedhë të re krejt të tyren.
  2. Cilat janë shtetet e BRICS? Shtetet e BRICS janë të vendosura në tre kontinente me dallime të mëdha në histori, antropogjeografi, kulturë, trashëgimi sociale dhe politike dhe organizim, si dhe politika. Grupi ka lidhur ekonominë gjigante të Kinës me vendin gjeografikisht të gjerë të Rusisë, që të dyja janë fuqi bërthamore dhe ushtarake dhe kanë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. -Rusia. PBB e saj zë 2% të PBB-së së botës mbi 2000 mld dollarë. -Kina. Ritmi i rritjes ekonomike nga më të lartit në botë, në 2021 ishte 8.4%, në 2022 ishte 3%, 2023 ishte5.2% dhe në 2024 parashikohet 4.5%. Të ardhurat për frymë $13,721. Struktura e GDP, 7.3% bujqësia, industria 40% dhe shërbimet 52.7%. Cf=38.7%+Cg=15.92%, , FBKF= 42.8%, NX=+2.61%. PBB e saj zë 18.4% të PBB-së së botës mbi 19.374 mld dollarë. Merr pjesë në këto marrëveshje tregtare: ËTOBRICSSCOAPECRCEPG-20G77dhe të tjera. Norma e inflacionit 2.8%, papunësia 5.2%. Ka teknologji të avancuar, aplikon inteligjencën artificiale dhe dixhitalizimin etj. Ka arsenal të armëve bërthamore etj. -India, popullsia e së cilës tashmë ka tejkaluar madhësinë e popullsisë së Kinës (1.431 me 1.425 mld), është gjithashtu ekonomia e pestë më e madhe në botë dhe një fuqi bërthamore. -Brazili renditet i dymbëdhjeti në listën e ekonomive më të mëdha në botë. Për më tepër, Brazili është shteti më i madh në Amerikën e Jugut, pasi përbën gjysmën e popullsisë dhe sipërfaqen e tokës së kontinentit. -Afrika e Jugut nuk është ekonomia më e madhe në Afrikë, ajo është një vend shumë i zhvilluar ekonomikisht. Për më tepër, ai ka një trashëgimi të rëndësishme politike si një vend demokratik që u zhvillua pas luftës së brendshme dhe globale kundër regjimit të dikurshëm të aparteidit. Megjithëse grupi nuk është një organizatë formale shumëpalëshe (pa sekretariat të përhershëm), si OKB, Banka Botërore (BB) ose Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), ai ka një nivel të lartë ndërveprimesh politike (si samitet vjetore dhe mbledhje të një sërë organesh ekspertësh). BRICS evoluoi në një forum për zgjidhjen e çështjeve kritike globale, si tregtia, financat, ndryshimet klimatike dhe siguria e energjisë, si dhe reduktimi i dominimit të Perëndimit mbi ekonomitë e botës së tretë përmes dollarit amerikan. Në vitin 2014, vendet anëtare themeluan Bankën e Re për Zhvillim (BZZH) me një kapital fillestar prej 50 miliardë dollarësh. Banka është një alternativë ndaj Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për financimin e projekteve të infrastrukturës dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Vendet e BRICS kanë krijuar gjithashtu marrëveshjen e rezervës së paparashikuar (CRA), një mekanizëm që synon të sigurojë likuiditet për shtetet anëtare kur ato përballen me kriza afatshkurtra të bilancit të pagesave. Këto nisma demonstrojnë qëllimin e grupit për të krijuar institucione që përfaqësojnë interesat e ekonomive në rritje dhe përbëjnë një alternativë ndaj institucioneve ekzistuese financiare globale, që dominohen nga Perëndimi.
  3. Zgjerimi i BRICS dhe përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të vendosur dominim mbi grupin

Rritja ekonomike e vendeve të BRICS. Të dhënat e fundit zbuluan epërsinë e grupit BRICS ndaj grupit të shtatë vendeve më të rëndësishme industriale në botë, G7, i cili përfshin Kanadanë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Japoninë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara.  Grupi BRICS zotëron 50% të rezervave të arit dhe valutës në botë. Në fund të vitit 2021, eksporti i mallrave të grupit arriti në 4.6 trilion dollarë, që përbën 20.7% të eksportit të përgjithshëm global të mallrave, ndërsa importi i mallrave për të njëjtin vit arriti në 3.9 trilion dollarë, që është 17% e totalit të përgjithshëm. importi global i mallrave.  Eksporti i mallrave të G7 ishte në nivelin 6.3 trilionë dollarë, ose 28.1% e eksportit të përgjithshëm të mallrave në botë, ndërsa importi i mallrave ishte në sipërfaqen prej 7.6 trilion dollarë, ose 33.5% e importit të përgjithshëm. të mallrave në botë. Pritet që deri në vitin 2040 grupi BRICS të përbërë më shumë se 50% të PBB-së globale, sepse zgjerimi brenda kornizës BRICS Plus përmes integrimit të një numri vendesh të mëdha do të lehtësojë arritjen e nivelit prej 50% të prodhimit global të mallrave. dhe shërbimet. Diskursi politik mbizotërues në takimet dhe samitet e mëparshme të grupit u fokusua në “forcimin e paqes dhe sigurisë globale” dhe “thyerjen e hegjemonisë perëndimore”, si dhe krijimin e një “bote shumëpolare”. Kjo e fundit është bërë një frazë boshe pas Ndërhyrjes ruse në Ukrainë. Rusia dhe Kina kontribuan në mënyrë aktive në transformimin e grupit në një bllok të ri ekonomik gjeopolitik. Rusia, presidenti i së cilës Vladimir Putin nuk ishte në gjendje të merrte pjesë në samit për shkak të urdhër-arrestit ndërkombëtar të lëshuar kundër tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (IÇ) në Hagë, ka nevojë për partnerë dhe aleatë më shumë se kurrë më parë për t’u marrë me sanksionet ekonomike të vendosura nga perëndimi. Kina, presidenti i së cilës Xi Jinping ka forcuar kontrollin e tij mbi shtetin në një mënyrë autokratike, është më efektive në përhapjen e fuqisë së saj ushtarake dhe politike në mbarë botën. Në samitin e këtij viti 43 vende kanë shprehur interes për t’u bashkuar me grupin BRICS, ndërsa 23 shtete kanë aplikuar për anëtarësim zyrtar (Egjipti, Algjeria, Argjentina, Bahreini, Bangladeshi, Bjellorusia, Bolivia, Kuba, Etiopia, Hondurasi, Indonezia, Irani, Kazakistani, Kuvajti, Maroku, Nigeria, Palestina, Arabia Saudite, Senegali, Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), Venezuela dhe Vietnami). Rusia mbështeti kandidaturën e tre prej aleatëve të saj – Bjellorusisë, Iranit dhe Venezuelës, ndërsa Brazili, sipas fjalëve të presidentit të saj Lula da Silva, bëri thirrje për fokusim në unitetin, në vend që të përpiqet të kundërshtojë Shtetet e Bashkuara, grupin G7 dhe grupin G20. India gjithashtu shprehu shqetësime për procesin e zgjerimit, duke e konsideruar atë një metodë për të përforcuar ndikimin e Kinës, si shteti me ekonominë më të madhe në grup. Pjesëmarrësit e samitit të BRICS nuk ishin në gjendje të ndërmjetësonin një marrëveshje për aplikimet individuale të secilit prej shteteve për anëtarësim. Për shkak të mungesës së konsensusit, ata ftuan vetëm gjashtë shtete – Argjentina, Egjipti, Etiopia, Irani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite për t’iu bashkuar grupit. Anëtarësimi i tyre do të fillojë në janar 2024. Tre shtetet arabe, konkretisht Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjipti, të cilat janë bërë anëtarë të grupit BRICS, kanë disa arsye ekonomike dhe politike për një akt të tillë, i cili mund të jetë i dëmshëm për marrëdhëniet e tyre tradicionale me Shtetet e Bashkuara. Së pari, dy vendet e para janë prodhuesit kryesorë të naftës dhe do të përfitonin nga marrëdhëniet më të ngushta ekonomike me Kinën dhe Indinë, të cilat janë importuesit kryesorë të naftës. Së dyti, të dy vendet aspirojnë të diversifikojnë ekonomitë e tyre larg naftës, dhe kështu e shohin anëtarësimin në grupin BRICS si një mënyrë për të marrë akses në tregje të reja dhe mundësi investimi. Nga pikëpamja politike, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dëshirojnë të balancojnë fuqinë e SHBA-së në Lindjen e Mesme përmes anëtarësimit në BRICS. Presidenti kinez Xi Jinping e përshkroi zgjerimin e grupit si “periudhë turbulencash dhe transformimi” në botë. Përgjigjet e SHBA-së ishin shumë të buta dhe nuk përcillnin mesazhe serioze politike. Jake Sullivan, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, – tha se Shtetet e Bashkuara “nuk po e shohin BRICS si të evoluar në një lloj rivali gjeopolitik të Shteteve të Bashkuara”. Sullivan theksoi se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për “marrëdhëniet e forta pozitive që kemi me Brazilin, Indinë dhe Afrikën e Jugut” dhe shtoi “ne do të vazhdojmë të menaxhojmë marrëdhëniet tona me Kinën dhe do të vazhdojmë të zmbrapsim agresionin e Rusisë”.

  1. Samiti për të ardhmen e dollarit amerikan

Sot në botë njera nga luftrat, që bie pak në sy është lufta e monedhave. Dollari amerikan po sulmohet si asnjëherë tjetër. Një nga drejtimet e marrëveshjeve të BRICS-it është eleminimi i forcës së dollarit në ekonominë globale. Grupi BRICS po përpiqet të krijojë një rend të ri global (monetar), i cili mbështetet në monedhat lokale shumë larg transaksioneve në dollarë amerikanë. Ekziston një trend aktual i anëtarëve të grupit BRICS për miratimin e disa vendimeve, që synojnë uljen e peshës së dollarit në transaksionet globale dhe dëmtimin e rëndë të monedhës më të fuqishme në botë. Ky trend u nxit nga vendimet e bankave qendrore të RIC-Rusisë, Indisë dhe Kinës – në sistemin monetar shumëpalësh dhe pagesat në monedhat vendase. Në mars të vitit 2022, ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar lëshuan një paralajmërim  Se sanksionet e forta financiare të vendosura kundër Rusisë mund të kërcënojnë, të dobësojnë gradualisht dominimin e dollarit amerikan, të çojnë në një sistem monetar ndërkombëtar më shumëpalësh dhe të inkurajojnë shfaqjen e blloqeve të monedhës së vogël të bazuar në tregtinë midis një grupi të caktuar vendesh. Megjithë bisedat e vazhdueshme për “dedollarizimin” dhe uljen relative të peshës së tij nuk kanë pasur efektet e dëshiruara. Sot, sipas FMN-së pothuajse 60% e rezervave botërore të valutës janë në dollarë amerikanë dhe 88% e transaksioneve ndërkombëtare janë bërë në dollarë deri në fund të vitit 2022. Dominimi i dollarit amerikan në sistemin financiar global është një sfidë e madhe për grupin BRICS, kur bëhet fjalë për futjen e monedhës së vet pasi dollari është ende monedha kryesore në tregtinë globale dhe monedha lider në institucionet financiare globale. Dollari amerikan është gjithashtu monedha dominuese në kontekstin e tregjeve globale të aksioneve, tregjeve të mallrave, depozitave bankare, financimit të projekteve zhvillimore dhe kredive. Grupi BRICS përballet me sfida të shumta. Ai ka të drejtë të kufizuar të votës në disa institucione financiare ndërkombëtare. Ai përballet gjithashtu me rrethana të paqëndrueshme gjeopolitike dhe ekonomike në botë. Megjithatë, ka mundësi të shumta që lejojnë BRICS të kontribuojë në ndryshimet në sistemin global, si ofrimi i një modeli ekonomik, që motivon vendet e tjera t’i bashkohen atij. Po kështu, krijimi i një monedhe të vetme ose përdorimi i monedhave vendase në shkëmbimin tregtar midis vendeve BRICS është një mënyrë efektive për të kundërshtuar monopolin e dollarit amerikan dhe për të adresuar pasojat dhe kufizimet e tij. Në këtë kontekst, raporti i publikuar nga British UnHerd shpreh shqetësimet e Perëndimit se “Ajo që ne mund të shohim të shfaqet është një bllok ekonomik dhe tregtar kryesisht teknokratik i modeluar sipas sistemit të Bretton Woods të pas vitit 1945 që do të sinjalizojë fillimin e një epoke të re.” Më realisht, ndërkohë që blloku BRICS mund të ketë ndikim të rëndësishëm, nuk do të mjaftojë për të bërë një revolucion në marrëdhëniet ekzistuese ndërkombëtare. Nuk ka gjasa që BRICS të lëkundë tendencën e globalizimit ose kontrollin e SHBA-së në ekuilibrin aktual të fuqisë. Megjithatë, duhet pranuar se bllokimi i BRICS është një përpjekje e parë serioze në këtë drejtim. Për hartimin e këtij punimi u shfrytëzua informacioni i (C) 2021 IFIMES dhe të tjera nga interneti.