Nuk mjafton përshtypja negative në botë për vendin tonë, e përforcuar dhe nga filma të huaj që kanë si personazhe kriminelë shqiptarë. Propagandën antishqiptare e ushqejmë ne vetë, me shembujt e shëmtuar që tregojmë. Një vend nuk mund të mburret me marrëzitë e krimet e veta.


Lexoj diku: Fjalët janë armë. Ndofta është më drejt të thuhet: Fjalët mund të jenë armë. Se ka fjalë që mbjellin armiqësi, urrejtje, mllef, dëshpërim, (që do të thotë humbje shprese), përçarje, dizinformim, mosmarrëveshje, grindje etj., pra gjendje shpirtërore të rënda, psikoza mohuese. Në këto raste fjalët bëhen armë, që do të thotë vrasëse, se arma vret. Por, për fat të mirë, ka fjalë të tjera që mbjellin miqësi, marrëveshje, bashkim, solidaritet, shpresë, butësi, ndjeshmëri, mirëkuptim, vëllazëri, qetësi etj., pra qëndrim pozitiv ndaj jetës. Sipas një logjike normale, është e kuptueshme se cilat fjalë duhen zgjedhur për t’i përdorur. Një mendje normale as që do të vonohej të ngurronte për të bërë zgjedhjen e duhur. Po, për çudi, nuk ndodh kështu me mediat tona. Ke përshtypjen se kemi humbur konceptin e së mirës e së keqes, s’po bëjmë dot dallimin mes tyre, në mos, edhe po e kthejmë përmbys kuptimin e tyre. Nëse ndjekim edhe për pak kohë mediat tona, ato pamore apo edhe të shkruara, do të hasim me shumicë fjalë që sjellin humbje shprese. Lexoj diku për mekanizmin vetërregullues të mediave. Ç’do të thotë? Si funksionon e si e rregullon ky mekanizëm marrëdhënien mes shëndetit e sëmundjes, mes asaj që është e mirë për shoqërinë e asaj që është e dëmshme për të? Duhet të jetë vetërregullues apo dikush duhet ta rregullojë? Në vendet e qytetëruara ekzistojnë studiues të mediave. Po të kishim edhe ne të tillë, ata nuk do të lejonin helmimin e dëgjuesve e shikuesve me fjalë të tilla: krim, kriminelë, hajdutë, burg, pranga, vrasje, vrasje e dyfishtë, e trefishtë, vetëvrasje, plagosje, dhunim, përdhunim, përplasje, sherr, hakmarrje e gjakmarrje, konflikt, përleshje, skandal, atentat, tritol, zjarrvënie etj. etj. Jepet si lajm që një i sëmurë mendor vret të atin. Po ku qëndron lajmi këtu? Dihet ç’mund të bëjnë të çekuilibruarit. Në këto raste duhet të ndërmerret një shqyrtim sesi lihen të lirë këta të sëmurë, dhe të propozohet ç’duhet bërë me ta. Por jo, parapëlqehet t’i serviren publikut njoftime për veprime që janë “normale”për mendje anormale. Pyetja që mund të bëhet këtu është: Mendjet që e quajnë të domosdoshme t’i bombardojnë njerëzit me ngjarje tronditëse (kur nga përsëritja e shpeshtë dhe e vazhdueshme ato nuk trondisin më), si mund të quhen? Si mund të quhet një mendësi e ngulitur e disa gazetarëve, drejtues mediash, pronarë gazetash e televizionesh që e bazojnë suksesin e tyre te çoroditja e njerëzve, te egërsimi i shpirtrave? (Në media të sapodalë, ka dhe tituj dhe diccitura të frikshme.. Le të kujtojmë edhe përshtypjen e asaj vajze të mençur e të talentuar, Huejda el Sajedit, që thoshte se mediat shqiptare janë si agjenci funerale. Me sa këmbëngulje na serviret çdo ditë, çdo orë, disa herë në ditë, disa ditë me radhë kronika e zezë! Mjaft që të mbushet emisioni, flash-i, ato lajmet shkurt… Por që të mbushet duhet të jepen edhe tmerret e gjëmat që ndodhin në vende të tjera, ku vend të pëlqyer zënë prapësitë e krimet e kryera nga bashkatdhetarët tanë. Sidoqoftë as këto nuk janë të mjaftueshme për të na çuar në depresion. Me zell të pahequr, këtë mision e vazhdojnë kacafytjet në të ashtuquajturit debate, sidomos në orët kur njeriu ka nevojë për pak qetësim, për pak zbavitje. Kjo gjendje shpirtërore synohet t’u ngjallet edhe turistëve të huaj, që me të mbërritur në Tiranë, dërgohen te bunkerët e te Shtëpia me gjethe. Si edhe te të ngujuarit. Një turist që shëtit vende të ndryshme të botës, Simon Riv, në Shqipëri mbetet i tronditur thellë nga vizita te shtëpia burg e një fëmije të ngujuar nga gjakmarrja! U tregohen edhe “traditat” tona turistëve: Nuses, kur shkon te shtëpia e burrit, i jepet bashkë me pajën edhe një plumb. (Kjo traditë e dikurshme e ndonjë krahine, që nuk ndiqet më, jepet si traditë mbarëkombëtare dhe që ekzistoka edhe sot!!) Nuk mjafton përshtypja negative në botë për vendin tonë, e përforcuar e nga filma të huaj që kanë si personazhe kriminelë shqiptarë. Propagandën antishqiptare e ushqejmë ne vetë, pa shpirt e pa mend, me shembujt e shëmtuar që tregojmë. Një vend nuk mund të mburret me marrëzitë e krimet e veta kur këto vetëm e turpërojnë në sy të të tjerëve. Sepse pavarësisht nga fakti se cilët i kanë bërë marrëzitë, krimet, torturat, ata kanë qenë e janë shqiptarë. Në një udhëtim turistik në Gjermani, udhërrëfyesi na tregonte gjatë rrugës realizimet e bukura të këtij vendi kaq mbresëlënës. Befas, një tabelë rrugore: Dakau. Është e kuptueshme se pritej të na fliste për tmerrin që përfaqëson ky emër. Por, për çudi, ai na i kurseu shpjegimet që të ngrijnë gjakun për ç’ka ndodhur në atë vend, sikur aty të mos kishte ndodhur asgjë! Të njëjtin qëndrim ndaj të huajve mbajnë grekët e zgjuar. Një të huaji, në kohën kur Greqia ishte në krizë të thellë ekonomike, i bënte përshtypje që grekët nuk dukeshin të mërzitur, të shqetësuar, të dëshpëruar. Dhe grekët u përgjigjeshin: – Neve na vjen turp për gjendjen ku jemi, dhe nuk duam të na shohin të huajt si kemi katandisur. Del pyetja: A nuk kemi ne institucione që të kuptojnë se qëndrime të tilla nuk janë pa pasoja? A nuk kemi sociologë, psikologë, pedagogë etj. etj. që të ngrenë alarmin për rolin që luajnë disa media në zvetënimin e karaktereve? Shpesh më vjen në mend si një metaforë paraqitja që i bën Roberto Savianoja frutave që prodhon një tokë e helmuar nga pesticidet: agrume të përbindshme, të deformuara, të frikshme.
Te ne, nervozizmi i njerëzve që kalon në tërbim, kur njëri vret tjetrin se pse më shikove, mosmarrëveshjet mes banorëve të pallateve, që kthehen në keqkuptime e mërira etj. a nuk janë të ndikuara nga përdorimi i fjalëve që i egërsojnë, i nervozojnë e i mbushin me mllefe njerëzit? Dhe, nuk besoj se është vështirë të bëhet lidhja mes burgjeve që mbushen, zbrazjes së Shqipërisë, marrëdhënieve mosbesuese mes njerëzve dhe këtyre qëndrimeve jo vetëm antishqiptare, por edhe më keq, antinjerëzore. Kjo prirje negativiste vërehet edhe në filma e libra, si edhe në emisionet “humoristike”, ku mund t’u bëhet pyetja humoristëve e pronarëve të televizioneve: A s’ju duket se kur përcillet “humor” që fund e krye përsillet rreth organeve të trupit të njeriut nga mesi e poshtë (dhe me fjalorin përkatës), e madje, edhe me funksionet e këtyre organeve, (çka më së shumti na lidh me kafshët, se edhe njeriu kafshë është, por është “kafsha e organizuar në shkallën më të lartë”), a s’ju duket se kështu jemi shumë larg mësimit të Dantes: Askush mos të harrojë se asht njeri/ ju lé nuk keni për t’gjallue si shtazë/ po për të ndjekë virtyt e dituni. Nuk di të thotë njeriu se cili pushtet, mes pushtetit të katërt, (siç quhen mediat), dhe atij politik, ka ndikuar më shumë te tjetri për të inkurajuar përdorim fjalësh të papërshtatshme në publik, fjalësh të dhunshme, por edhe fjalësh të ndyra. Po të ndiqet me durim ecuria e gjuhës politike gjatë vitesh, del se paturpësia e disa deputetëve, e disa politikanëve, është bërë më e papërmbajtur pasi shembullin e kanë dhënë së pari mediat. Mjafton të përmendim cilësinë e “humorit” të mësipërm. Këta pushtete do të kishin për detyrë të jepnin ndihmesën e tyre për shëndoshjen e shoqërisë, për ngulitjen e vlerave njerëzore, për braktisjen e një mendësie që shpie në dekadencë morale, dhe çon edhe në prishjen e shijes, një dëm që është shumë më i madh nga ç’e mendojmë. Përgjegjësi të drejtpërdrejtë kanë institucionet shtetërore, që lejojnë emisione televizive të tilla. Ta quash liri të medias këtë, do të thotë të ngatërrosh konceptin e lirisë me atë të anarkisë, me rrumpallën. Në një kanal televiziv italian jepet emisioni Italia Si. Mund të kemi edhe ne një emision: Shqipëria Po. Dhe ka me se të mbushet. Me shembullin e bukur të Marianne Grafit, austriakes që u është përkushtuar fshatrave të thella të Mirditës; të atij korçarit që pastron e lyen bukur rrugën dhe mbjell lule; të doktorit nga Kosova që fton të vizitohen falas tek ai ata që s’janë në gjendje të paguajnë; të atyre të rinjve punëtorë, me vullnet e iniciativë, që përveshin mëngët dhe e gjejnë këtu mirëqenien, etj, etj. Qoftë edhe pak të ndihmonin emisione të tilla për të zbutur, për të ngjallur besim e shpresë, vendi do ta ndiente ndryshimin.