Prof. Dr. Xhevdet Zekaj: DAJA-SHEHI, Partizani-Tirana, derbi që shkon përtej trajnerëve…

315
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Partizani kundër Tiranës, për herë të katërt në këtë sezon. Shumë përballje brenda një kampionati, sa të duket se antagonizmi maksimal, edhe në kushtet e mungesës së tifozëve, ia ka lënë vendin një “familjariteti” të natyrshëm. E megjithatë, kësi duelesh nuk e kanë humbur intrigën dhe tërheqjen për tifozët edhe kur njëra skuadër ishte një kategori më poshtë dhe kalendari i takonte në ndonjë ndeshje kupe apo miqësore.

Vetë tradita, historia, numri dominues i trofeve në futbollin shqiptar, e bën të ashtuquajturin derbi i madh i kryeqytetit të mirëpritur kurdoherë. Sidomos nesër, kur rezultati final do të thotë shumë për të dyja palët. Për Partizanin, tri pikët do të ishin shtysë e madhe morale drejt titullit. Për Tiranën do të garantonte pjesëmarrjen në Europë, edhe pse mbeten tri ndeshje për t’u luajtur pas derbit të fundit të këtij kampionati.

Daja kundër Shehit, ose e thënë ndryshe “ustai” kundër “çirakut”. Njëri i stërkonfirmuar si trajner, edhe kampion; tjetri në rrugën e ngjitjes në “Olimpin” e këtij profesioni. Me siguri e njohin njëri-tjetrin më së miri jo vetëm njerëzisht, por edhe “taktikisht”. Shehi ka qenë kapiteni i Dajës, kur drejtonte Skënderbeun e niveleve europiane. Pra, kanë marrë e kanë dhënë shumëçka. Sidoqoftë, derbi i kalon caqet e trajnerëve, të taktikave, ndaj është më tepër se dy emrat konkretë në stolat respektivë.

 

Pas skuadrave, futbollistëve në fushë, janë tifozëri të zjarrta, që po të ishin në stadium do ta eklipsonin fushën e blertë. Është stërthënë se derbi nuk luhet, por duhet të fitohet për tifozët, për ngjyrat, historinë. Po ashtu, mes tifozëve ka nga ata që pëlqejnë më shumë triumfin në derbi se fitimin e kampionatit. Deri këtu shkon rivaliteti.

Përtej aspektit sportiv, përballjet mes Tiranës dhe Partizanit janë prova të “kullës së sahatit”, pra të zotit të kryeqytetit. Shihet si një “pushtim” në këtë drejtim, ndaj krenaria e fituesit shkon më lart se qiellgërvishtësit e kryeqytetit, edhe ato në njëlloj derbi pronarësh se kush ndërtohet më i larti.

“Diktatura” e Partizanit për mbi pesë vite radhazi mori fund sezonin e kaluar, kur në stolin bardheblu erdhi Egbo. Ai iu tha “ndal” të kuqve, ndryshoi kursin që kishte marrë ky derbi dhe i siguroi Tiranës titullin. Prej asaj kohe nuk kanë kaluar shumë përballje, por trajnerë në stolin bardheblu, disa. Nëse te “demat” besojnë te një trajner kampion si Daja, te “llogorja” tjetër e kryeqytetit timoni është në duart e një ish-portieri. Për koincidencë, edhe Egbo ishte i tillë. Kjo paralele mbase e ndihmon Shehin nesër dhe në vazhdim, por fakti është se ky derbi ka stola “importi”.

Daja në gen është dinamovit, ndërsa Orgesi pak nga të gjitha, edhe partizanas. Fundja, siç e thamë më lart, përballjet e tilla shkojnë përtej trajnerëve, hera-herës edhe përtej lojtarëve në fushë; sepse është beteja për “fronin” e kryeqytetit. Kësaj beteje të ethshme e të zjarrtë, sidomos mes tifozërive, nga sezoni tjetër do t’i bashkohet edhe Dinamo e 18 titujve kampionë. Sigurisht, do të jetë edhe më bukur…