De-euroizimi, 3 arsyet e mëdha pse i duhet Shqipërisë

1440
Opinion Prof.As Altin Hoti, ekspert për ekonominë

Procesi i euroizimit të ekonomisë, si edhe çdo proces tjetër në Shqipëri ka qenë i paplotë, shoqëruar me përdorimin krahas Lekut. Prandaj, zgjedhja e de-euroizimit të ekonomisë nga Banka Qendrore është një vendim tërësisht i drejtë dhe madje, i vonuar. Ky institucion, si emetuesi dhe “zotëruesi” i lekut, duhej të ishte i interesuar që paraja shqiptare të kryente plotësisht funksionet e saj. Njësoj si një pronar varkash, që buzë detit pranon të lejojë përdorimin e varkave të një pronari tjetër në zonën e bregut, që e menaxhon vetë. Duhet të kuptojmë, se de-euroizimi është thjesht eliminimi i funksionit të euros si mjet pagese. Pra, përdorimi vetëm i lekut për të blerë mallra dhe shërbime brenda territorit të vendit tonë. Po pse është kjo e rëndësishme dhe cilat janë disa efekte të këtij fenomeni?

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetje është e rëndësishme të kuptojmë lidhjen, që ekziston midis nivelit të çmimeve dhe sasisë së parave në qarkullim. Kështu, ekuilibri sasior i këmbimit PxQ=Mxυ, për ekonominë shqiptare ka një formë pak më të ndryshme :PxQ=(Mxυ)+(Mfxυf), ku P niveli i çmimeve, Q prodhimi, M oferta e parasë, Mf. Monedhat e huaja, që kryejnë funksionin e parasë si mjet pagese, υ/υf shpejtësia e qarkullimit të parave respektive. Pra, edhe pse të ndaluara ligjërisht, monedhat e huaja mund të kryejë lirisht funksionin e parasë, si mjet pagese. E thënë më thjesht, çdo kush mund të blejë produkte e shërbime me monedha të huaja (p. sh. EUR) pa asnjë vështirësi. Në fakt, kjo lloj lirie mjaft e dobishme për eliminimin e risqeve valutore apo për ruajtjen e vlerës së parasë ka implikime negative mjaft të rëndësishme për ekonominë shqiptare. Kështu, e para: politika monetare e Bankës së Shqipërisë bëhet e cunguar në transmetimin e çmimit të përdorimit të parasë vendase, si përmes ndryshimit të normës REPO, ashtu edhe përmes kontrollit të sasisë së parasë në qarkullim. Në këtë kontekst, me qëllim që Banka e Shqipërisë të ndjekë një politikë anti inflacioniste (pra, që niveli i çmimeve të jetë nën kontroll), do t’i duhet që të kontrollojë ofertën e parasë, kur të gjithë parametrat e tjerë nuk ndryshojnë. Por e vetmja monedhë, që Banka Qendrore mund të kontrollojë është leku. Pra, në rastin real të ekonomisë shqiptare, aty ku p.sh me EURO mund të blesh mallra dhe shërbime, ruajtja e nivelit të inflacionit do t’i kushtonte ekonomisë shqiptare një ofertë më të vogël të lekut në ekonomi. Me fjalë të tjera, lejimi I monedhave të huaja të kryejnë funksionin e parasë si mjet sjelljen e konsiderueshme të ofertës së lekut në qarkullim. Oferta më e “ngurtë” (M1) e parasë në qarkullim frenon më shumë pikërisht konsumin dhe kjo bëhet më evidente për ato familje, që nuk kane prurje në EURO (duke përfshirë edhe remitancat). Gjithashtu, flukset e pakontrolluara të Eurove nga aktivitetet informale, zhvendosin përdorimin e Lekut nga kryerja e transaksioneve, duke sjellë humbje për Bankën Qendrore, si pasojë e emetimit dhe përdorimit të një numri më të vogël të kartëmonedhave të Lekut në ekonomi. E dyta, ndikimi ndaj kursit të këmbimit është teorikisht mjaft i dukshëm. Nëse Euro kryen blerje të mëdha, pa pasur nevojë të blejë paraprakisht Lekun, si mjet që kryen pagesa apo shkëmbim në territorin e vendit tonë, kjo rrjedhimisht, ndikon në uljen e ndjeshme të kërkesës për Lek. Nuk duhet të harrojmë që çmimi i lekut ndaj monedhave të huaja (ose ndryshe kursi i këmbimit) reagon në treg njësoj si çdo çmim tjetër, pra rritet, kur rritet kërkesa për të blerë Lek. Kjo është edhe një nga arsyet e forcimit të kursit të këmbimit të lekut në raport me euron, pas nisjes së procesit të de-euroizimit (edhe pse efektet e para lidhen kryesisht me këtë pritshmëri). Çdo euro e përdorur (që kryen një transaksion) si mjet pagese në ekonominë shqiptare i heq mundësinë e përdorimit të një vlere nominale të lekut, të barabartë me kursin e këmbimit të tij. Në këto kushte, zbatimi I kryerjes së pagesave vetëm me Lek në vendin tone duhet të jetë I detyrueshëm. Një kontroll efektiv i kësaj të fundit, jo vetëm që do ta bënte ofertën e lekut më të kontrollueshme dhe të qartë, por do të “disiplinonte” në mënyrë indirekte edhe ekonominë informale. Kështu, kontrolli i pagesave me Euro do të ndikonte pozitivisht ndaj kontrollit të parasë së pisët. Eliminimi i mundësisë së blerjes me monedhave të huaja (Euro), do të kanalizojë Eurot përmes kursit të këmbimit për të realizuar pagesa. Ky instrument do të ishte një element shtesë i rëndësishëm në identifikimin e flukseve të monedhave të huaja. Kjo do t’i pakësonte “gjakun” ekonomisë informale (kryesisht asaj të zëzë), të ardhurat e sëcilës dihet që janë kryesisht në Euro (droga etj), si dhe do të rriste kostot e formalizimit të parasë së pisët. Si përfundim, është e rëndësishme, që Shqipëria të zgjedhë midis euroizimit apo de-euroizmit të plotë. “Një gjysmë” Lek në përdorim, me flukset aktuale të parasë informale në valutë, sjell më shumë dëm se dobi për ekonominë shqiptare, në tërësi.
Sigal