Dalan BUXHELI/ 70 -vjetori i Luftës së Gjoshnikoshit

730
Sigal

70 vjet më parë me 2 tetor 1943, nazistët gjermanë dhe bashkëpunëtorët e Lyre u pritën me pushkë nga partizanët e Çetës, Koto Hoxhi dhe forcat e batalionit territorial Ismail Haki, porsa vunë këmbët në territorin tonë. Me kapitullimin e Italisë fashiste, detyrë parësore doli nevoja e marrjes në dorëzim nga depot e garnizonet e reparteve ushtarake italiane dhe transportimin e tyre me të cilat do të kompletoheshin formacionet partizan. Nga sasia e ushqimeve që u depozituan, sigurohej popullsia e Kurveleshit dhe forcat partizane të zonës për një vit, të ruajtura të paprekura, deri ditën fatale, që u kapën nga gjermanët. Para se gjermanët të pushtonin Kuçin, iu kërkua komandantit të ZPO, Ismail Radovickës t’u shpërndaheshin fshatarëve materiale të ndryshme, për t’i siguruar në vende të fshehta, por ai refuzoi. Ky gabim fatal solli ndëshkimin nga gjermanët duke i djegur e shkatërruar me eksploziv. Shpërthimi dhe djegia e Kuçit, retë e flakës e tymit që ngriheshin si vullkan, lart, u panë deri në malet e Gumenicës.  Ushtria naziste gjermane hyri në tokën shqiptare nga deti, si në portin e Sarandës dhe të Vlorës. Ata kishin hedhur nga hartat operative ushtarake, Kuçin me boje të kuqe si bazë e rëndësishme partizane. Në këtë operacion, në pamundësi të pushtimit të Kuçit në drejtime kryesore, përdorën aviacionin dhe artilerinë e rëndë të vendosura në pozicione zjarri në Porto Palermo, e kalanë e Borshit, që godisnin me zjarr të përqendruar Kuçin, në të njëjtën kohë kudo bënin zbulime dhe mitralime nga ajri. Për të futur panik që me fillimin e operacionit të mos gjenin rezistencë. Ja, si shkruan në kujtimet e tij koloneli italian Lagorici:  “Atë kohë, Kuçi ishte kryeqendra partizane e Kurveleshit. ndërtuar 600 m mbi nivelin e detit, fshati ngjan me një fortesë. Aty ishte qendra e komandës partizane, e magazinave të materialeve dhe depove të armatimeve e municioneve. Fshati gumëzhinte nga partizanët dhe ushtarët italianë. Qëndruam në Kuç, deri më 2 tetor, me shpresë për t’u imbarkuar nga deti për në Itali, por dukej se fati ishte sulur kundër nesh”. Forcat partizane iu përgjigjën me zjarr nazistëve gjermanë, qysh nga Saranda, Qafë Gjashta, Nivica, Borsh, Langadha e Fterrës, duke rezistuar me heroizëm të paparë. Në këto luftime ranë heroikisht, Sadik Rusto, Sofo Meksi, Astrit Totoja, Sulo Hysi e Selim Hoxha. Në këtë operacion armiku e pushtoi Kuçin duke përdorur krahëmarrjen nga mali, duke hedhur forca të shumta të stërvitura për luftime malore të pajisura me armatime moderne të kohës. E paharruar do të mbetet në kujtesë lufta heroike që zhvilluan djemtë kuçiotë, kundër gjermanëve më 2 tetor 1943. Partizanët e Batalionit Ismail Haki, krah për krah me çetën Koto Hoxhi, luftuan trimërisht në çdo maj e gërxhe të Gjoshnikoshit dhe të Papadhisë. Në këto luftime të pabarabarta dhanë jetën trimat kuçiotë: Refat Dauti, Çelo, ZhaparRamo-Kaso, Çelo Gjoveshi, Lazo Idrizi, komisari, Koto Hoxhi, “Heroi i Popullit”, Themo Vasi dhe Rakip Xhelo, nga Golemi. Dëshmorët e atdheut do të mbeten të përjetshëm në kujtesën tonë. Vitet do të ikin. Shqipëria do të përparojë dhe zhvillohet më tej, por kujtimi i atyre që ranë për të bërë Shqipërinë, që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e saj, do të kenë gjithmonë respektin dhe mirënjohjen e thellë të të gjithë popullit, të çdo zemre shqiptare. Qëndrimi ndaj vlerave të dëshmorëve të atdheut, ndaj luftëtarëve dhe sakrificave të drejta të popullit shqiptar, kanë qenë dhe do të mbeten një gurë prove, një vijë ndarëse midis patriotëve e pseudopatriotëve. Ne përkulemi me respekt përpara veprës se tyre, duke mos harruar kurrë se e përbashkëta e tyre ka qenë madhështia e idealit kombëtare liria dhe atdhedashuria. Ardhja në pushtet 8 vite më parë e qeverisë së Sali Berishës, që u shporr me 23 Qershor me votën mbarë popullore të 1 milion shqiptarëve, mohoi gjithë të drejtat legjitime të familjeve të dëshmorëve, hoqi emrat e heronjve e dëshmorëve nga rrugët, sheshet, shkollat e institucionet, organizoi falangat neofashiste për prishjen e varrezave të dëshmorëve e simboleve, siç u veprua me heqjen nga qendra e Shkodrës monumentin e 5 Heronjve të Vigut e shumë buste, bazorelievëve pllaka përkujtimore të LANÇ – it. E gjithë kjo ndërmarrje e gjerë bënë pjesë në strategjinë e zhvlerësimit e shkatërrimit, të vlerave kombëtare, në radhë të parë të vlerave të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo është vepër e bashkëpunëtorëve të djeshëm të fashizmit dhe pinjollëve të tyre që ishin të veshur me pushtet. Besojmë se qeveria e re e drejtuar nga z. Edi Rama, siç është premtuar do t’u rikthej familjeve të dëshmorëve të drejtat e mohuara si dhe alokim fondesh për restaurimin e varrezave të dëshmorëve dhe simboleve të tyre. I përjetshëm kujtimi i dëshmorëve të atdheut.