Luftar Paja, “Artist i Popullit”/ Homazh për Vangjel Grabockën në 100-vjetorin e lindjes

1388
Sigal

Korça qyteti i kulturës dhe i dijes,  plot jetë me rëndësi të madhe historike dhe bashkëkohore. Ajo është një nga qendrat e rëndësishme akademike, shkencore, kulturore. Natyra e mrekullueshme, trashëgimia historike, njerëzit e qeshur dhe gazmorë, e bëjnë këtë qytet të dashur dhe të këndshëm për këdo. Arti dhe kultura nuk e mplakin kurrë Korçën, ajo është avangardë e lindjes së njerëzve të mëdhenj, apo talenteve të artit, sepse ky qytet jo vetëm e ka traditë të hershme, por në vijimësi ka rrezatuar fuqishëm këtë traditë brenda dhe jashtë atdheut.  Këngët e bukura korçare, epike dhe lirike, por sidomos serenatat e famshme janë bërë tashmë të njohura në gjithë Ballkanin. Personalitet e shquara, krijues të mëdhenj, përbëjnë një kala të lartë i japin hijeshi këtij qyteti, që e zbukurojnë për çdo ditë. Në themelet e kësaj kalaje janë si gurë të çmuar, yjet e aktorëve korçarë si: Vangjush Miho, Pandi Stillu, Piro Mani, Pandi Raidhi, Violeta Manushi, Stavri Shkurti, Thimi Filipi, Aleko Prodani, Dhimitër dhe Dhora Orgocka, e shumë e shumë të tjerë. Këta korifenj të artit dhe sidomos të atij skenik, janë mbështetur me shumë dinjitet nga shumë artiste të tjerë jo me më pak emër. I tillë ishte (është) dhe “Artisti i Merituar”, Vangjel Grabocka, i cili ka dhënë kontribut të çmuar në skenën e teatrit Andon Zako Çajupi si dhe në shumë filma në Kinostudion “Shqipëria e re”.  Vangjua (siç e thërrisnin shkurt), rrezatonte thjeshtësi, fisnikëri, shquhej për ndihmesën që u jepte  artistëve të rinj. Ai ishte një artist me vullnet të jashtëzakonshëm.  Ai nuk ju nda skenës deri në fund të  jetës së tij dhe pse ishte në moshë të thyer. Pra deri në moshën 85- vjeçare, ai jetoi dhe punoi në skenë. Një rast i rrallë ky sot. Traditën kaq të vyer të këtyre personaliteteve të teatrit të Korçës, po e çojnë më tej artistë të rinj të cilët rrezatojnë po aq fuqishëm sa paraardhësit e tyre në skenë dhe në ekran. Vangjel Grabocka këto ditë ka 100-vjetorin e lindjes. Për artistë të tillë duket sikur vdekja nuk ekziston. Më duket sikur do t’ja festojmë këtë 100 -vjetor në Korçë dhe pse ai ka 15 vjet që është larguar nga kjo jetë.  Ai duket sikur jeton se e tillë ishte jeta e tij, rolet e tij, shoqëria e tij. Kur e kam njohur jam befasuar. Një artist serioz, i dashur, i vëmendshëm, tepër korrekt. Pranonte shaka, por kurrë nuk fyente. Ndërhynte me delikatesë ën bisedë dhe kurë nuk e tepronte. Disa nga rolet e tij të karakterit si tek “Djemtë e Bato Gorës”,  filmi “Kapedan Gurra”, “Streha e re”, “Gjeneral Gramafoni”, mbeten në kujtesën e spektatorit si rrole të arrirë. Në këtë 100- vjetor, këto rreshta zemre, le të jenë homazh respekti për figurën e madhe të Vangjos, që e vuri jetën në shërbim të artit, të të gjithë kombit shqiptar.