Çlirim HOXHA/Zgjedhjet e 23 qershorit, garanci për një proces shpresëdhënës

538
Sigal

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri kanë qenë të manipuluara dhe falsifikuara dhe kjo dihet botërisht. Është vërtetuar katërçipërisht se me Berishën nuk mund të ketë procese normale votimi, nuk mund të ketë demokraci normale në terren, nuk mund të ketë luftë të ndershme kundër krimit dhe korrupsionit. Shoqëria shqiptare sot është e mbërthyer nga degjenerimi për shkak të krimit dhe korrupsionit, ku grupet mafioze janë futur përmes parasë dhe presionit deri në kupolën e shtetit dhe bëjnë ligjin. Në çdo hallkë të shoqërisë të del përpara korrupsioni. Kampionin e këtij korrupsioni e mban drejtësia shqiptare, më e degjeneruara drejtësi që ka njohur bota në këto 20 vitet e fundit, e cila ka krijuar një situatë kaosi mes pronave dhe krimit. Nënkampion i degjenerimit moral të strukturës njerëzore janë zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pra hipotekat dhe arkivat, ku falsifikatorët profesionistë kanë përmbysur gjithçka në favor të klientëve të tyre. Një tjetër nënkampion i korrupsionit, por pak më i fshehur, është ushtria shqiptare. Batërdia është bërë gjatë këtyre viteve me pronat e ushtrisë dhe armatimet. Hapja e depove në ‘97-ën justifikoi çdo abuzim me armatimin dhe objektet. Shumë baza ushtarake anë e këndë vendit u tjetërsuan në favor të klientëve të lidhur me mijëra fije interesi. Fakti që në Ministrinë e Mbrojtjes nuk lejohet kontrolli parlamentar i opozitës, e dëshmon më së miri fshehjen e këtij ajsbergu. Një tjetër nënkampion i korrupsionit në Shqipëri është shëndetësia dhe ilaçet. Me dhjetëra aparatura moderne të prishura qëllimisht, ose nga padituria dhe delegimi i pacientëve në klinikat dhe laboratorët privat. Tenderët e ilaçeve dhe të rehabilitimit demode të spitaleve dhe reparteve, janë kthyer në një gangrenë të rrezikshme për shoqërinë shqiptare. Një tjetër nënkampion i korrupsionit është me rrugët dhe mjedisin në këtë vend, të cilat janë ndërtuar përmes projekteve të cunguar dhe të rrezikshëm, siç është rruga Rrogozhinë-Durrës që ende nuk ka përfunduar, apo baipasi i Fierit. Turpi i kësaj qeverie është rruga Fier-Levan, totalisht e shkatërruar dhe e rrezikshme. Po në këtë sektor korrupsioni ka marrë dhenë me dhënien pa kriter të lejeve për shfrytëzimin e shtretërve të lumenjve dhe zhdukjet e pyjeve. Dikur poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri, këndonte: “O malet e Shqipërisë dhe ju o lisat e gjatë…fushat e gjera me lule që u kam ndërmend ditë e natë. Ju bregore bukuroshe, e ju o lumenj të kulluar, kodra, brinja, çuka, gërxhe e ju pyje të gjelbëruar…” Sot mund të këndojmë: “O malet e Shqipërisë e ju lisa që s’jetuat gjatë…o lumenj të gërryer dhe pyje të shfarosur gjerë e gjatë”. E, të gjitha këto gjatë 22 viteve të demokracisë “alla Berisha’. Ka edhe më në listën e kampionëve dhe nënkampionëve të korrupsionit dhe krimit në Shqipëri, duke përfshirë këtu policinë e shtetit, të cilës i kanë ndodhur fatkeqësisht shumë gjëma në këto vite. Ajo që dua të them në këtë opinion fundshkurti, është rreziku që i kanoset zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri nga kjo mazhorancë që ka lejuar degjenerimin e shoqërisë shqiptare, në ato përmasa të frikshme saqë ka humbur uniteti mes njerëzve për shkak të të qenit shqiptar, qytetar, fshatar, të një lagjeje, të një pallati, të një shkalle. Sot ka dalë në skenë thënie e vjetër që kishim dëgjuar në komunizëm, se në kapitalizëm njeriu për njeriun është ujk! Dhe çfarë ujku de, në Shqipëri është me mëlçi në qafë. Sali Berisha është plotësisht i ndërgjegjshëm që zgjedhjet e 23 qershorit nuk i fiton dot drejtpërsëdrejti. Nuk i ka fituar dot ndershmërisht as në 2009-ën. I ka fituar, jo për shkak të aftësive të tij manaxhuese dhe besueshmërisë së elektoratit shqiptar, në vitin 2005, por iu dhanë në tepsi nga socialistët e përçarë më dysh. Përvoja shqiptare e zgjedhjeve me Berishën është e hidhur, madje shumë e hidhur. Të gjithë e kemi parasysh Berishën President në vitet ‘92-96 dhe ‘96-97 kur ai në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme u rizgjodh president përmes një proces-grushti të paprecedent. Për të gjitha këto nuk mund të ketë kurrë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri, duke pasur në krye të qeverisë Sali Berishën, i cili në pamundësi të fitimit të zgjedhjeve përmes një procesi të ndershëm dhe transparent, përdor makinacionet më të sofistikuara për t’i grabitur ato. Vetë deklaratat apo ftesat që Berisha iu bën ndërkombëtarëve për të sjellë sa më shumë vëzhgues në 23 qershor, të le shije të hidhur të një ujku të vjetër që kërkon tu hedh sirën edhe ndërkombëtarëve, ashtu siç ua ka hedhur deri tani. Kujtojmë 8 majin e vitit 2011 me zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës se si rrodhën ngjarjet në sytë e ndërkombëtarëve dhe s’ka nevojë për koment. Socialistët dhe opozita në tërësi duhet të kenë nxjerrë me siguri mësim nga çka ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. E gjithë forca e Berishës për të mbajtur me çdo çmim pushtetin, është përqendruar tek shtimi me çdo mënyrë i numrit të votuesve. Rritja e numrit të votuesve që votojnë PD-në në mënyrë fiktive është një shqetësim i madh për socialistët. Manipulimi me emigrantët apo shqiptarët jashtë trojeve shtetërore është një nga presat më të çuditshme të thikës që mban në dorë Sali Berisha për 23 qershorin, por duket se këtë radhë nuk do ta ketë të lehtë. Nuk do ta ketë të lehtë, pasi, siç kemi informacion, socialistët kanë realizuar tashmë një census konspirativ në mbarë vendin, ku kanë nxjerrë emigrantët me të drejtë vote dhe gjetur shtetin ku ata jetojnë dhe punojnë, si dhe qendrat e votimit që u përkasin. Socialistët, me sa kemi dijeni, po tregohen tepër, tepër të vëmendshëm në këtë drejtim, duke llogaritur çdo votë reale dhe çdo tendencë manipulimi me numrin e votuesve dhe shtimin e tyre në lista në qytetet dhe komuna të veçanta. Grupe të posaçme socialistësh kanë kohë që po trajnohen në salla sekrete nga profesionistë juridik dhe policor për të mbajtur nën kontroll situatën, për të mos lejuar asnjë tentativë manipulimi, presioni apo shantazhi etj. E gjithë situata me listat zgjedhore dhe ballafaqimi me votuesit në teren, po evidentohet saktësisht, pasi dihet se një nga shtyllat e manipulimit të Berishës në zgjedhjet e kaluara, ka qenë shtimi i numrit të votuesve. PD dhe Berisha kanë nxjerrë në zgjedhje çdo element që prodhon votë në favor të tyre, kurse socialistët nuk e kanë bërë dot këtë, pasi votues të tyre, të pakënaqur apo të lëkundur nuk kanë denjuar të shkojnë në votim, deri diku jo për faj të tyre, por sepse nuk u ka trokitur njeri në derë për t’i orientuar dhe ftuar të votojnë. Duket se socialistët këtë radhë janë më këmbë në tokë se çdo herë tjetër dhe po kalojnë në sitë çdo element që ka të bëjë me zgjedhjet e 23 qershorit. Krijimi i një koalicioni sa më të gjerë, duke pasur parasysh formulën e zgjedhjeve enigmatike të 2009-ës, do të krijojë kushte për ta mbajtur situatën nën kontroll dhe për të mos lejuar cenimin e votës së lirë. Gjetja e vendbanimit të çdo votuesi, gjetja e shtetit të çdo emigranti votues, kontrolli rigoroz i çdo dokumenti identifikimi, i bojës që nuk fshihet në gisht etj, janë një garanci për zgjedhjet e 23 qershorit, por thelbësore për opozitën mbetet nxjerrja e të gjitha kapaciteteve të saj votuese në zgjedhjet e 23 qershorit, përmes një pune titanike dhe të paparë ndonjëherë. PS dhe opozita janë përpara një beteje për jetë a vdekje midis shtetit të kalbur nga krimi dhe korrupsioni dhe rilindjes shqiptare që po trumbeton fortë PS-ja. Duket se për këto zgjedhje dhe konkretisht në 23 qershor do të përdoren linjat e transporteve ndërkombëtare për të sjellë në Shqipëri votuesit emigrantë, duke ua mbuluar të gjitha shpenzimet. Për t’ia arritur kësaj, PS duhet të evidentojë edhe një herë deri në fund emigrantët e saj, ku i ka saktësisht dhe duhet të marri kontakte me ta përmes lidhjeve familjare, shoqatave, telefonike dhe elektronike. Kjo është një domosdoshmëri, pasi lufta për fitimin e zgjedhjeve të 23 qershorit do të përqendrohet tek shtimi i numrit të votuesve. Pikërisht, për t’i prerë dorën manipulimit dhe shfrytëzimit të votës së emigrantëve që nuk paraqiten për votim, por që vota e tyre manipulohet përmes personave të tjerë me karta identiteti me emrat e emigrantëve në listë, por me foton e personit që paraqitet në qendrën e votimit, duhen hapur sytë. Këtë radhë përpara qendrës së votimit grupet socialiste dhe opozitare duhet të qëndrojnë me lista në duar për të verifikuar çdo votues, çdo bletë punëtore që futet dhe del nga kosherja e mjaltit dhe për të parandaluar çdo grerëz që kërkon t’i vrasë apo t’iu hajë mjaltin.

Çdo qendër votimi duhet të vëzhgohet si një koshere bletësh nga socialistët dhe opozita, me qëllim që mjalti i votës së pushtetit që prodhohet aty, të mos përgëjtet nga grerëzat e paftuara, të mos grabitet dhe të mos manipulohet. Këtë radhë Berisha do ta ketë shumë të vështirë të bëjë atë që ka bërë në zgjedhjet e kaluara me votat. Por ajo që do të ishte më e vlefshme dhe që do të çlironte përfundimisht procesin zgjedhor nga ankthi dhe pasiguria, është largimi i Berishës përpara zgjedhjeve të 23 qershorit dhe krijimi i kushte për një demokraci funksionale përmes proceseve zgjedhore të lira, të ndershme dhe të pranueshme nga të gjitha palët. Pa një proces zgjedhor të ndershëm Shqipëria nuk mund të quhet një vend i lirë demokratik, por një vend i ashtuquajtur demokratik, që udhëhiqet nga ish komunistët, një vend ku qeveria vret protestuesit me duar në xhepa dhe të paarmatosur në 21 janar, kur “bomba atomike” e Gërdecit i shpërthen në dorë kësaj qeveria, por ajo del pa lagur, ndërkohë që 26 jetë shqiptarësh shuhen nga kjo botë e qelbur. Lufta për të mbajtur me çdo çmim pushtetin në Shqipëri, është luftë në shërbim të mafies, korrupsionit dhe krimit.